I dënuar në Itali, PD kërkon verifikim për kryebashkiakun e Ramës me 3 emra

Partia Demokratike i ka dërguar një tjetër kërkesë Prokurorisë së Përgjithshme që të nisë verifikimet për Mark Babanin e Bashkisë së Vaut të Dejës, pasi dyshohet se ai ka fshehur ndalime, dënime dhe dëbime nga Italia dhe Maqedonia e Veriut. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi i  ka dërguar prokurorisë të gjithë informacionin që disponon Partia Demokratike për kryebashkiakun e tretë të Edi Ramës, që rezulton, sipas PD-së, me të kaluar kriminale.  

Shkresën drejtuar Prokurorisë, PD ia ka nisur për dijeni ambasadës amerikane në Tiranë, delegacionit të BE-së dhe ambasadave të vendeve anëtare në BE.

Sipas PD-së, Mark Babani ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit, pasi ka fshehur se ka qenë i arrestuar në Itali gjatë periudhës 1994 -1999 dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse italiane. “Nga ana tjetër, të dhëna të bëra publike më parë tregojnë se ai ka qenë i arrestuar/ndaluar dhe më pas dënuar edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut gjatë periudhës 2002-2003”,- thuhet në shkresën e Partisë Demokratike.

Sipas PD-së, nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Mark Babani nga periudha 1994 – 2005 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Italisë me identitetin e tij real, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë.

Partia Demokratike vë në dijeni Prokurorinë edhe për të paktën 3 indentitete të tjera që Mark Babani, nuk i ka deklaruar në formular.

“Në Formularin e Vetëdeklarimit shtetasi Mark Babani ka deklaruar se ka mbajur identitetin e ndryshuar Mark Ndoc Babaj, i datëlindjes 24.12.1966. Ekzistojnë dyshime të arsyeshme sipas indicieve të bëra publike më parë, se ky shtetas, gjithashtu në mënyrë ilegale ka mbajtur edhe disa identitete të tjera, të padeklaruara në Formularin e Dekriminalizimit, si më poshtë:

1.    Mark Ndoc Babani, i datëlindjes 24.12.1965

2.    Marq Saimir Babaj, i datëlindjes 11.06.1967

3.    Ylli Saimir Babaj, i datëlindjes 02.11.1968”, njofton PD.

Më herët PD zbuloi të dhëna se kryebashkiaku i Shkodrës, Valdrin Pjetri kishte qenë i dënuar më parë në Itali. Kjo solli dorëheqjen e Pjetrit nga posti i kryetarit të bashkisë së Shkodrës. PD gjithashtu i ka kërkuar prokurorisë verifikimin për kryebashkiakun  e Vorës, Agim Kajmaku, i cili dyshohet se ka qenë i dënuar më parë në Greqi. Prokuroria e Përgjithshme ka bërë të ditur se pret përgjigje nga Italia dhe Greqia për dy rastet në fjalë.

Evazion me miliona, prokuroria kërkon burg për 14 biznesmenë

Gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar të shtunën në mesditë prokuroria ka kërkuar arrest me burg për 14 biznesmenët e arrestuar për evazion fiskal përmes një skeme mashtrimi me TVSH-në.

Ndërsa për biznesmenin Shkëlqim Prodanin prokuroria ka kërkuar arrest shtëpie. “Kërkoj vlerësim të ligjshëm të arrestit për të gjithë të pandehurit. Rezultojnë dyshime të arsyeshme se subjektet kanë krijuar skemë mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar. Janë kryer një sërë verifikimesh në lidhje me veprën penale” u shpreh drejtuesja e prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj gjatë seancës gjyqësore.

Gjyqtare e çështjes është Ardiana Bera, ndërsa në seancë janë paraqitur të gjithë të arrestuarit.

Biznesmenët akuzohen se prodhonin fatura fiktive shit-blerjesh me qëllim përfitimin e TVSH-së duke i shkaktuar shtetit një dëm prej rreth 25.7 mln lekësh, shifër kjo e  përllogaritur nga faturat që ka arritur të sigurojë policia si provë por mendohet se është më e lartë se kaq.

Në këtë skemë janë përfshirë emra të njohur të biznesit, si Shpresa Joanidhi,  kandidate e PD-së për deputete në qarkun e Gjirokastrës dhe administratore e Shpresa Al.

Gjithashtu edhe Paqsor Buzi, pronar dhe administrator i kompanisë  GPG Company. Emra të tjerë të arrestuar janë edhe Besnik Pelivanit, i cili është administrator i kompanisë së ndërtimit A.B.BE; Haxhi Sala pronar i kompanisë ‘LEKSI SECURITY’ dhe Astrit Lala, i cili po ashtu është ortak i kësaj kompanie.

Për mashtrimet me TVSH në pranga u vu edhe Fatmir Firi, administrator i kompanisë ARB & TRANS 2010.

Në pranga përfundoi edhe administrator i një kompanie farmaceutike, Vasil Korita. Mbi të arrestuarit rëndojnë veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, si dhe “Fshehje e të ardhurave”.

Të arrestuarit

1.Paqsor Buzi, aksioner me 50% i G.P.G Company

2.Besnik Pelivani, kompania e ndërtimit A.B.BE

3.Astrit Lala, kompania Leksi Security 1

4.Haxhi Sala, kompania Leksi Security

5.Ilia Dimo, kompania IBS sh.p.k

6.Fatmir Firi, kompania Arb &Trans Sh.p.k

7.Shkëlqim Prodani, kompania Red Black

8.Ardian Bejko, kompania “Babeko Trans”

9.Shpresa Joanidhi, kompania “Shpresa” sh.p.k

10.Mhill Ndreca, kompania “Kombeas”

11.Rabi Kurti, kompania “Kurti Construction”

12.Riza Roshi, kompania “Dorgen” sh.p.k

13.Rrapo Baduni, kompania “Bani/s”

14.Vasil Korita, kompania “Medi Pharma”

15.Vangjush Mbriçe, kompania C.E.C Group

Hetim në gjendje të lirë

1.Përparim Hasani

2.Albert Ahmet

“Kajmaku”, Prokuroria e Përgjithshme kërkon materialet nga PD

Prokuroria e Përgjithshme, pas dërgimit të letërporosisë në Greqi për Agim Kajmakun dhe marrjen e shenjave të gishtave të tij, ka kërkuar të martën nga Partia Demokratike të gjitha materialet që ajo disponon për kryebashkiakun e sapozgjedhur të Vorës. Prokuroria ka kërkuar që PD t’i vërë në dispozicion të gjitha materialet mbi të cilat ajo ngrenë akuzat për Agim Kajmakun.

PD publikoi të hënën dosjen greke në të cilën akuzoi Agim Kajmakun se përmes identitetit të rremë Jorgo Toto është arrestuar në 2003-shin nga autoritetet greke për falsifikim parash dhe i është shmangur drejtësisë në gjithë këto vite duke ndryshuar emrin. Sipas PD, dosja greke  përmban të gjitha provrat që prokuroia shqiptare të nis hetimet ndaj tij.

“Agim Kajmaku alias Jorgo Toto është arrestuar në flagrancë në shtetin grek, në zonën e Janinës, më datë 14.01.2003 për veprën penale “Përdorim dhe shpërndarje kartëmonedhash të falsifikuara”.  Kajmaku ka përdorur identitetin e rremë Jorgo Toto, me atësi Thanas dhe amësi Parashivi.” deklaroi PD, akuza që i shoqëroi me dosjen greke të Janinës.

Vetë Kajmaku i ka mohuar këto akuza duke thënë se nuk është ai Jorgo Toto për të cilën flet PD dhe se u qëndron pikë për pikë atyre që ka deklaruar në formularin e dekriminalizmit. Agim Kajmaku nuk ka shkruar në formularin e vetëdeklarimit që të ketë qenë ndonjëherë i hetuar, gjykuar, apo arrestuar. Nëse kjo del të jetë gënjeshtër, Kajmaku rrezikon të preket edhe nga ligji i dekriminalizimit.

Ish drejtori nxjerr zbuluar Bashën, pranon skandalin e lobimit në SHBA

Ish-kryetari i Inspektoriatit Ndërtimor në Bashkinë e Tiranës, Florenc Hoxha, i njohur ndryshe si njeri i afërt me kryedemokratin Lulzim Basha, e ka nxjerrë zbuluar ish shefin e tij, kreun e PD-së, duke pranuar skandalin e lobimit të Partisë Demokratike në SHBA dhe pagesat e paligjshme të paguara nga partia e tij.

Në një replikë në rrjetin social Facebook, ai akuzon Jozefina Topallin se ka nxjerrë skandalin e Partisë Demokratike. Sipas tij, Topalli “ka spiunuar” tek Rama dhe më pas është shpërblyer me një tender.

Kreu i PD-së Basha është nën akuzë nga Prokuroria shqiptare në lidhje me paratë që PD ka paguar kompaninë lobuese në Amerikë.

Basha së bashku me dy zyrtarë të tjerë të PD-së, akuzohen për pastrim parash dhe falsifikim dokumentesh për paratë e përdorura për të lobuar në SHBA për të cilën po hetohet edhe nga FBI.

Lulzim Basha akuzohet se ka fshehur financimin prej 650 mijë dollarëve në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017.

Për këtë arsye, prokuroria ka nisur procedimin për veprat penale të parashikuara nga nenet 190 dhe 187 të Kodit Penal, konkretisht “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Prokuroria deklaronte se njëra nga këto pagesa rezulton të jetë bërë nga “Biniatta Trade”, që rezulton një kompani fantazmë, e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe është në pronësi të rusëve dhe pjesë e një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belize, një shtet i Amerikës Qendrore i njohur si “parajsë fiskale”.

Dëmtuan materialet zgjedhore, Prokuroria: Nis procedimi për tre persona

Paralajmërimi amerikan “se kush cenon zgjedhjet s`ka më marrëdhënie me SHBA”, u dëgjua nga PD. Zgjedhjet e së dielës ishin model, të paktën, mund të cilësohen të tilla duke pasur parasysh faktin se vetëm 48 orë më parë, ishte paralajmëruar dhunë dhe terror. Incidentet e së dielës gjatë procesit zgjedhor numërohen me gishtat e njërës dorë, këtë e ka konfirmuar edhe Prokuroria e Përgjithshme, e cila ka nisur vetëm tre procedime penale, me dy persona të arrestuar.

Ngjarja më e rëndë është ajo e mëngjesit të së dielës në Durrës, ku një person u fut në një Qendër Votimi me armë automatike kallashnikov duke dëmtuar materialet zgjedhore dhe kërcënuar komisionerët. Ky person u arrestua në flagrancë, ndërsa akuzohet për disa vepra penale. Edhe në Tiranë është arrestuar një person i akuzuar për veprën penale të “Dëmtimit me dashje të materialit zgjedhor”, mbetur në tentativë.

Ndërsa në Mat ka nisur një procedim penal pa autor, për veprën penale “Shkatërrim të pronës me eksploziv”. Kurse, Prokuroritë e tjera pranë Gjykatave të Rretheve Gjyqësore si dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë njoftuar se deri në këto momente nuk kanë të regjistruar procedime penale lidhur meveprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe çdo shkelje që lidhen me zgjedhjet e 30 qershorit.

“Do dërgoj disa çuna në Dibër”, Gjiknuri: Të hetohem. Pse prokuroria ka përgjuar vetëm shtabin e PS?!

Ish-ministri Damian Gjiknuri, që ka dëgjohet të bisedojë me një eksponent të PS në përgjimet e publikuara nga Bild, ka reaguar duke u shprehur se në bisedat e tij telefonie nuk ka asnjë veprim që bie ndesh me ligjin. Me një reagim në rrjetet sociale, Gjiknuri, i cili dëgjohej në përgjim ti komunikonte një biznesmeni se do të dërgonte disa çuna për zgjedhjet në Dibër, shprehet se komunikimi i tij është normal organizativ mes shtabit elektoral.

“Referuar publikimeve të fundit në media rreth procesit zgjedhor në Bashkinë e Peshkopisë në vitin 2016, me synim transparencën dhe hedhjen poshtë të spekulimeve të qëllimshme sqaroj se për periudhën për të cilën bëhet fjalë kam mbajtur funksionin e drejtuesit politik të PS në Qarkun Dibër.  Në bisedat e mia telefonike të publikuara audio në gjuhën shqipe, nuk ka asnjë veprim që bie ndesh me ligjin apo shkon përtej komunikimit normal organizativ mes shtabit elektoral në një fushatë. Çdo pretendim tjetër është deduksion politik i qëllimshëm, madje edhe transkriptim dhe koment i pavërtetë në raport me atë çka thuhet me zë prej meje apo asaj çka përfaqësojnë bashkëbiseduesit”.

Real Story – Live

Gepostet von RealStory.al am Montag, 17. Juni 2019

Sipas Gjiknurit, spekulimi me këtë audiopërgjim, kërkohet të njolloset fitorja e merituar e kandidatit të Partisë Socialiste. Gjiknuri shprehet se mbështet Prokurorinë të hetojë çdo indicie për të kujtdo përfaqësuesi të Partisë Socialiste të angazhuar në këtë proces zgjedhor.

Përgjimet e reja të BILD provojnë:

“Natyrisht, ky spekulim bëhet qëllimshëm për të njollosur fitoren e merituar të kandidatit të Partisë Socialiste dhe punën organizative të të gjithë kordinatorëve elektoral ashtu dhe timen si drejtues politik. Duke qenë se çështja është në hetim nga prokuroria nuk është normale që unë të flas me detaje për këtë proces. Mbështes dhe inkurajoj prokurorinë të hetojë çdo element, pretendim apo qoftë dhe indicie për veprimtarinë e kujtdo përfaqësuesi të Partisë Socialiste të angazhuar në këtë proces zgjedhor”, shkruan Gjiknuri, duke ngritur dhe një pyetje në fund:

“Gjithashtu, publiku duhet të dijë se si ka mundësi që Prokuroria e Krimeve të Rënda në atë kohë, ka përfshirë në përgjim të gjithë shtabin elektoral të PS me vetëm një kallëzim nga subjekti kundërshtar Partia Demokratike, madje e ka regjistruar hetimin për korrupsion dhe jo për shitblerje votash!?”, përfundon deklarata e Gjiknurit.

Arta Marku konfirmon përgjimet, paralajmëron arrestime të prokurorëve

Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku ka reaguar pasditen e kësaj të mërkure në lidhje me publikimin e disa audiopërgjimeve nga gazeta gjermane “Bild”. Znj. Marku, në deklaratën shpërndarë mediave, shkruan se po e ndjek çështjen me shumë  vëmendje, duke u kërkuar prokurorëve që kanë në dorë hetimet për dosjet 399 dhe 184, që të hetojnë pa humbur kohë.

Duke marrë shkas nga publikimi i disa materialeve të përgjimit në gazetën gjermane Bild, Prokurori i Përgjithshëm njofton opinionin publik se po ndjek çështjen me shumë vëmendje dhe ashtu siç ka kërkuar edhe më përpara, kërkon dhe u bën thirrje prokurorëve që kanë në hetim çështjet 339 dhe 184,  si autoritetet e vetme në ushtrimin e ndjekjes penale për këto çështje, që të hetojnëdhe të zgjidhin pa humbur kohë këto çështje, duke vënë para përgjegjësisë penale këdo që ka konsumuar një vepër penale. Ky është jo vetëm detyrim kushtetues dhe ligjor, por edhe një detyrim publik për të bërë të qartë çfarë ka ndodhur me këto cështje dhe cfarë kanë ato në përmbajtje”, thotë Arta Marku.

Më tej, Arta Marku shprehet ndihet e indinjuar që në radhët e prokurorisë ka akoma prokurorë që për interesa personale bëjnë Pazar me dosjet penale. “Prokurori i Përgjithshëm ndjehet i indinjuar që në radhët e prokurorisë akoma militojnë prokurorë apo punonjës të tjerë që janë gati që për interesa të vogla personale të bëjnë pazar me çdo dosje penale duke kontaminuar opinionin publik me informacione të pahetuara dhe të paverifikuara nga ata vetë si autoritete përgjegjëse për hetimin dhe verifikimin e tyre”, shton Marku.

Më tej, Arta Marku duke i kërkuar prokurorisë përgjegjëse për nisjen e hetimit për nxjerrje të sekretit hetimor, njofton se këto përgjime nuk janë publikuar si pasojë e mungesës së ligjit, por për arsye të tjera.

“Prokurori i Përgjithshëm i bën thirrje prokurorisë kompetente që të hetojë me shpejtësi nxjerrjen në publik të akteve që përbëjnë sekret hetimor dhe të vihet para përgjegjësisë penale kushdo, prokuror, oficer i policisë gjyqësore apo dikush tjetër që ka poseduar për shkak të ligjit CD-të dhe në vend që të ushtronte funksionet ligjore dhe tëkryente hetimin objektiv, ka bërë publikimin e tyre. Prokurori i Përgjithshëm njofton opinionin publik se ka filluar një verifikim administrativ të mënyrës sesi kanë lëvizur CD-të dhe DVD-të, si dhe cdo material tjetër përgjimi, nga Zyra e Përgjimeve në Prokurorinë e Përgjithshme, në drejtim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda”.

“Gjithashtu, Prokurori i Përgjithshëm, në zbatim të kompetencave aktuale njofton opinionin publik se ka miratuar udhëzimin nr.4, dt.26.10.2018 “Për përgjimet” ku përcaktohen në detaje rregullat për ruajtjen e sekretit të përgjimit. Nxjerrja e sekretit ka ardhur jo si pasojë e mungesës së ligjeve apo akteve nënligjore dhe administrative, por për arsye të tjera larg cdo norme ligjore apo morale”, përfundon Arta Marku.

Përgjimet e fundit Dako-Avdylaj:

Reagon Kryemadhi: Rama të largohet, përgjimet faktojnë vjedhjen e votës!

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka reaguar pasditen e kësaj të mërkure për publikimin e përgjimeve të dosjes nr.339, nga gazeta gjermane Bild. Sipas Kryemadhit, këto fakte i vënë vulën tjetërsimit të votës nga krimi i organizuar për llogari të Rilindjes.

“Faktet e bëra publike nga gazeta gjermane ‘Bild’, i vënë vulën tjetërsimit të votës nga krimi i organizuar për llogari të Rilindjes. Këto fakte janë vetën një pjesë e puzzle-it gjigand të bashkëpunimit të krimit të organizuar me zyrtarët e Rilindjes, të të gjitha niveleve. Unë kam denoncuar publikisht me fakte, që në tetor të 2017, lidhje të tjera të elementëve kriminalë direkt me Edi Ramën”, shkruan Kryemadhi.

Përgjimet e fundit Dako-Avdylaj:

Më tej, në reagimin e saj në Facebook, Kryemadhi ka komentuar dhe një foto, të cilin e ka publikuar së bashku me reagimin, ku shkruan se “këtu mund të shikoni Edin të rrethua nga “stafi” i tij elektoral në qarkun e Durrësit”.

Këto incizime nuk janë rastësi, as të vetmet prova për tjetërsimin e votës së shqiptarëve. Ato shtrihen kudo nga Jugu në Veri. Nga Shkodra në Dibër. Nga Elbasani në Lezhë. Nga Vlora në Berat. Nga Tirana në Fier. Kudo në të gjithë Shqipërinë. Për çdo shqiptar është më se e qartë: Krimi i organizuar është ulur këmbëkryq në kutitë e votimit, në Parlament, në karrigen e Kryeministrit, në qeveri”, shkruan ajo.

Në fund, Monika Kryemadhi shprehet se Qeveria është ilegjitime, ndërsa Rama të japë dorëhqejen. “Zgjedhjet, Parlamenti, Kryeministri dhe Qeveria janë ilegjitime. Koha e këtij Kryeministri ka mbaruar! Dorëheqja është e vetmja rrugëdalje e tij. Popullin nuk e ndal dot askush të thotë sot fjalën e tij dhe t’i rikthejë legjitimitetin zgjedhjeve, parlamentit, qeverisë, që sot janë marrë peng nga bandat e Rilindjes. Asnjë hap pas!”, përfundon komenti i Monika Kryemadhit.

Faktet e bëra publike nga gazeta gjermane ‘Bild’, i vënë vulën tjetërsimit të votës nga krimi i organizuar për llogari …

Gepostet von Monika Kryemadhi am Mittwoch, 5. Juni 2019

Admir Thanza dënohet nga Gjykata, i pari gjyqtar që e pëson nga Vettingu

Duket se Reforma në Drejtësi ka nisur të japë sinjalet e para të funksionimit të saj, pasi këtë të premte Gjykata e Tiranës ka vendosur të dënojë me 18 muaj shërbim prove ish-gjyqtarin, Admir Thanza.

Ky i fundit ishte pjesë e sistemit të drejtësisë, duke mbajtur disa poste të larta deri si Gjyqtar i Gjykatës së Lartë, nuk arriti të kalonte në “sitën” e Vettingut, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zbuloi një dënim të vjetër të gjyqtarit Thanza.

Ai ishte dënuar në vitin 1999 nga drejtësia italiane me akuzën e vjedhjes së sendeve dhe produkteve kozmetike në një supermarket në zonën e Pescarës.

Kështu, vendimi i sotëm erdhi pasi Prokuroria e Tiranës pretendonte se Admir Thanza kishte fshehur me ndërgjegje vendimin e dhënë nga drejtësia italiane.

Për këtë arsye akuza shqiptare nisi një letër-porosi në shtetin fqinj, ku faktoi dënimin e ish-gjyqtarit Thanza.

Ndërkohë, vendimi i sotëm i Gjykatës së Tiranës, nuk është në përputhje me dënimin e kërkuar nga Prokuroria, pasi kjo e fundit kërkonte dënimin me 18 muaj burg për “falsifikimin e formularëve”.

PD bën thirrje për revoltë, Balliu: Është e vetmja rrugë për shqiptarët

Ish-deputeti Klevis Balliu ka depozituar në Prokurori disa prova, që sipas tij dokumentojnë dhunën e policisë ndaj banorëve të “Unazës së Re”. Pasi bëri dorëzimin e provave, Balliu foli për mediat duke u shprehur se Prokuroria është kthyer në “pastrim kimik” që fshin provat ndaj kriminelëve, ndërsa theksoi se Policia dhe Prokuroria bashkëpunojnë së bashku për të fabrikuar prova ndaj qytetarëve.

“Nuk ka asnjë rrugë tjetër për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve, veç revoltës. Ne si PD do i dalim në mbrojtje qytetarëve kur ata dhunohen nga policia. Mos të harrojmë këtu dhunimin e Sait Dollapit”.

“Ne sot kemi depozituar këto prova, por shpresojmë që Prokuroria të bëjë punën që duhet të bëjë. Por është e çuditshme që çdo dosje që ka lidhje me Rilindjen mbyllet. Ndaj PD hapen hetime dhe thirren si të pandehur”.

“Prokuroria dhe Policia bashkëpunojmë së bashku për të fabrikuar prova ndaj qytetarëve shqiptar. Prokuroria është kthyer në pastrim kimik ndaj kriminelëve”, tha ndër të tjera Klevis Balliu.

Skip to toolbar