Diaspora bavareze letër Bashës: Luftoni në parlament jo në rrugë, të mos i kthehemi ’97-ës

Diaspora bavareze i ka drejtuar kreut të PD, Lulzim Basha një letër u kërkohet distancimi i tyre nga dhuna në protesta, pasi kjo po prish imazhin e vendit dhe dëmton ekonominë, ku shumë turistë kanë tërhequr rezervimet e tyre për të kaluar pushimet.

Në letër cilësohet se opozita e ka detyrim ligjor dhe moral të ndikojë në një imazh pozitiv të Shqipërisë dhe të angazhohen në frymën e Partive Popullore Europiane, familje së cilës i takon edhe Partia Demokratike. “Protestat janë mjeti me demokratik, nëse ato janë paqësore. Protesta e dhunshme ngjajnë më shumë me farkistët ultra-socialist me fytyra të mbështjella, që nuk i takojnë familjeve të PPE.” shkruhet në letër.

Diaspora bavareze thekson se “populli shqiptar nuk duhet të ripërjetojë vitet e ’97-ës, sepse kjo politikë është vetë-izoluese që Shqipëria nuk e meriton. Populli ju ka zgjedhur që të luftoni në Parlament e jo në rrugë’

Gjithashtu në letër bëhet thirrje që qeveria dhe opozita të ulen në tryezën e dialogut për të mirën e Shqipërisë.

Letra e Plotë

Kur shteti rrezikohet duhet të veprojmë mençurisht të gjithë, ndërsa ju si opozitarë keni edhe obligim jo vetëm ligjor por edhe moral të ndikoni pozitivisht që Shqipëria të fitojë në imazh. Ne, bizneset bavareze të mbledhur rreth fondacionit Besa kërkojmë nga ju që në mënyrë imediate të ndikoni tek simpatizantët e juaj të cilët nuk janë të pakët, të angazhoheni në frymën e Partive Popullore Europiane, familje së cilës i takon edhe Partia Demokratike.

Disa nga bizneset tona punojnë me vite te tëra suksesshëm ne dikasterin e turizmit dhe Hotelerisë prandaj kemi arsye të fortë të ju shkruajmë këtë Letër. Disa klientë, të cilët me shumë angazhim janë bindur që të vizitohet Shqipëria, pasi kanë prenotuar plazhin e Dhërmiut, kanë kërkuar të tërhiqen këto prenotime, po deshët do të ju argumentojmë edhe me dokumente.

Protestat janë mjeti me demokratik gjë që praktikohen edhe në Gjermani, mirëpo nëse ato janë paqësore. Protesta e sotme ngjante më shumë me Farkistët ultra-socialist me fytyra të mbështjella.

Këto lloj protestash nuk i takojnë familjeve të partive popullore europiane.

Jemi duke vëzhguar situatën edhe me miq gjerman dhe parlamentar europian. Nuk duam që populli shqiptar të ripërjetojë vitet e ’97-ës, sepse kjo politikë është vetë-izoluese që nuk e meriton Shqipëria.

Shumica e biznesmenëve u takojnë Partive që bëjnë pjesë në Partitë Popullore Evropiane dhe realisht jemi një familje me PD, prandaj si kolegë me të njëjtin drejtim politik ju drejtohemi shumë miqësisht. Njerëzit me fytyra të fshehura që gjuajnë fishekzjarrë nuk mund t’i takojnë familjes së Partive Konservatore.

Trimëri në paqe është forcimi edhe dëgjimi i miqve dhe aleatëve që mbështetën Shqipërinë në rrugën europiane. Trimëri dhe patriotizëm është forcimi i ekonomisë, dhe ofrimi i një alternative konkurruese por në institucione siç është Parlamenti.

Populli ju ka zgjedhur që në Parlament të luftoni e jo në rrugë. Keto janë rregullat e demokracisë për të cilën u sakrifikuan qindra e mijëra shqiptarë, pjesë e së cilës jeni edhe ju. Edhe z. Rama gjithashtu i apelojmë që të uleni me opozitën dhe të merreni vesh për Shqipërinë europiane, gjithçka është e mundur ne qoftë se e doni Shqipërinë. Në diasporë nga Bavaria u jemi në dispozicion vëllazërisht të ju mbështesim pa kushte, vetëm që Shqipëria të përparojë sepse nëse Shqipëria është e fortë është edhe Kosova.

Ne emër të bizneseve Kosovaro-Bavareze Besa foundation. Ilir Seferi /Nënkryetar dhe zëdhënës.

Mungoi në protestë, Kryemadhi: Kalova një operacion të vështirë, asnjë hap pas!

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka reaguar një ditë pas mungesës së saj në protestën e shtatë kombëtare të opozitës. Nëpërmjet një statusi shterues në rrejtet sociale, Kryemadhi tregon se para disa ditësh i është nënshtruar një operacioni të vështirë në Itali, por që ka kaluar me sukes. Ajo tregon se nuk donte që këtë problem të sajin ta ndante me të tjerët, duke dashur që ta përballonte vetë. Në komentin e saj, Kryemadhi i bën thirrje Kryeministrit Rama që të mos e kthejë në personale këtë çështje. Në fund të statusit, pasi rendit disa nga problemet që po kalon vendi, Kryemadhi jep mesazhin se nuk do ë ketë asnjë tërheqje nga rruga e nisur.

Përshëndetje të gjithëve!

Nëpërmjet këtij mesazhi do të doja fillimisht të falenderoja të gjithë ata mijëra qytetarë, që më kanë shkruar dhe janë interesuar për shëndetin tim. Në pamundësi fizike dhe kohore për t’ju kthyer përgjigje një e nga një, dua t’ju uroj shëndet dhe gëzime paçi gjithmonë.

Zoti ju bekoftë dhe mbroftë familjet dhe të dashurit tuaj!

Sot është dita e shtatë, pas një operacioni të vështirë që kam kryer. Ishte një ndërhyrje urgjente që duhej ta kryeja pas insistimit të mjekëve. Sot mora edhe konfirmimin e tyre që rreziku që kisha është tejkaluar, operacioni ka mbaruar me sukses.

Këtë problem mjekësor doja ta përballoja vetë, pa shqetësuar askënd tjetër. Doja, që kjo betejë e imja të mos interferonte aspak, në luftën që shqiptarët po zhvillojnë këto muaj për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për një Shqipëri të drejtë, që në themelin e saj ka votën e lirë dhe jo votimin monist. Për një Shqipëri me taksa të ulta. Për një Shqipëri ku gjithkush të ketë mundësi për punë dhe të jenë të mirëpaguar. Për një Shqipëri ku të gjithë të jemi të barabartë para ligjit. Për një Shqipëri ku të gjithë meritojnë një shërbim shëndetësor dinjitoz. Për një Shqipëri, ku çdo i ri të ketë mundësi të shkollohet, pa tarifa diskriminuese dhe të mos detyrohet të braktisë mësimet për pa mundësi financiare.

Për një Shqipëri, ku çdo qytetar i saj ta ndjejë veten në shtëpinë e tij.

Mes këtyre rreshtave desha të falenderoj një shoqen time mjeke, e cila bëri të mundur kryerjen e këtij operacioni. Ajo ka shumë vite që jeton, punon dhe shërben si mjeke dhe profesoreshë në Itali. Shumë nga miqtë edhe “armiqtë” e mi e njohin shumë mirë.

Me këtë rast doja t’i thoja edhe dy fjalë Edi Ramës. Mos e kthe në çështje personale këtë gjë. Përmbaji ”taborrët” e tu të portaleve dhe komentuesve anonimë, që paguhen nga taksat e shqiptarëve.

Në vend, që këto para të shkojnë në shërbim ndaj tyre, Ti i shpenzon për këtë lukuni anonimësh, që sulmojnë me shpifje, sharje dhe ofendime. Kjo për arsyen e vetme, se nuk ke guxim t’i thuash vetë. Si i paburrë që je urdhëron me sms portalet e hijes tënde, të shpërndajnë shpifje nga më monstruozet, edhe jo vetëm në këtë rast. Për “Ata”, siç ke filluar t’i etiketosh Ti në logoretë e tua të fundit. Për “Ata” që Ti i quan armiqtë e tu dhe të kastës tënde.

Edi, kjo betejë nuk është personale me ty, por me sistemin monist, që kërkon të instalosh Ti në Shqipëri. Kjo betejë është për Shqipërinë e së ardhmes. Kjo betejë është për të rinjtë edhe fëmijët e Shqipërisë. Është për demokracinë, për të cilën kam luftuar edhe në vitet ’90, megjithëse isha një vajzë e re. Pa përkrahje. Me prindër, që nuk vinin nga kasta e diktaturës. Nuk luftoja për privilegjet “e humbura”, por për një Shqipëri më të mirë. Për një Shqipëri demokratike dhe sociale. Kam luftuar në ato vite të mbrapshta, në Tiranë edhe në gjithë Shqipërinë, kur Ti fshiheshe poshtë urave në Paris.

Edi, betejën personale me ty e kam fituar, si para Zotit, ashtu edhe para familjes sime, para fëmijëve të mij.

Ti e di sa i dua, unë, fëmijët e mi. Aq sa nga kjo dashuri të kam dhënë edhe Ty, të paktën për fasadë dhe mediatikisht e përdor me raste, të duash edhe Ti fëmijët e tu. Nuk besoj se e ke harruar. Realisht jam në dilemë për këtë, sa ke mësuar t’i duash.

Se një prind, që do fëmijët e tij, nuk mund të urdhërojë helmimin e dhjetra fëmijëve, që ishin në protestë me prindërit e tyre dhe të mos artikulojë asnjë ndjesë.

Se një prind, që do fëmijët e tij, nuk mund të urdhërojë policinë të nxjerrë jashtë banesave të tyre me qindra fëmijë në mes qiellit të hapur, si në rastin e Unazës së Re dhe Bregut të Lumit, pa i dëmshpërblyer prindërit e tyre për mundin, sakrificën dhe kursimet e një jete. T’i helmojë ata me gaz në pesë të mëngjesit, për t’i flakur nga krevatet e tyre nën qiellin me shi.

Se një prind, që do fëmijët e tij, nuk mund të gënjejë fëmijët e shkollave 9 vjeçare për t’i dhënë librat falas. Të mos i krijosh kushte mësimore të denja dhe ngrohje në dimër, për të mësuar si gjithë bashkëmoshatarët e tyre në Evropë…se i ke këto angazhime politike dhe qeverisëse. Të shkruara dhe të miratuara në Parlament.

Si ka mundësi, që si një prind, që i do fëmijët e tij, të mos u japësh dot, fëmijëve të tjerë me sëmundje gjaku, ilaçet e nevojshme për të përballuar sfidën e tyre për të mposhtur sëmundjen dhe për të fituar jetën.

Si ka mundësi, që si një prind, që do fëmijët e tij, të mos bësh, thuajse asgjë, në luftën kundër shitësave të drogës, që janë më të shumtë pranë shkollave, se ata të farave të lulediellit.

Nuk e di si një prind, që do fëmijët e tij, të mos gjejë mundësinë, që si Kryeministër, të thotë një fjalë të vetme për ata fëmijë të fshatrave Floq, Qafzezë dhe Vidohovë, që po kalojnë netët në çadra ushtrie mes këtij rrebeshi shiu. I paske premtuar, që do t’i dëshpërblesh deri më një. Uroj që të mos jetë si gjithë mashtrimet e tjera që i ke bërë shqiptarëve, që nga fermerët e përmbytur të Fierit dhe deri tek minatorët dhe naftëtarët. Ashtu siç gënjeve për rrogat e naftëtarëve të Ballshit. Sot e kësaj dite ende nuk ke dëmshpërblyer qytetarët e Marinzës.

Rradha e mashtrimeve të tua është shumë e gjatë, më e gjatë se Rruga e Qumështit.

Si ka mundësi, që një prind që do fëmijët e tij, në vend që të shpallë Gjendjen e Jashtëzakoshme, mban fjalime shterpë nga dy orë në ditë për “Ata”, armiqtë e tij.

Unë e dua shumë bashkëshortin tim. Kam mbi çerek shekulli me të. Jo për fasadë, as për foto ceremoniali dhe lajme rozë. Ne e duam njëri-tjetrin pavarësisht se politikisht nuk ndajmë të njëjtat ide. Kemi kundërshtitë tona, herë herë edhe të mëdha, por e duam shumë njëri-tjetrin dhe të dy së bashku fëmijët tanë.

Të duash fëmijët është detyrë parësore e çdo prindi, ashtu si dhe ne na kanë dhënë dashuri prindërit tanë. Dhe kështu brez pas brezi. Dhe kjo dashuri sjell edhe dashurinë për Kombin. Me dashurinë për Familjen, për Kombin dhe Besimin në Zot çdo sfidë është e mundur të përballohet. Çdo sakrificë ia vlen, qoftë edhe karrigia e thyer e pushtetit. Në këtë botë jemi të përkohshëm. Vetëm kombi shqiptar dhe e ardhmja e tij duhet të jenë të përjetshme.

Kështu, Edi, kështu…

Të kam thënë, mos merr drogë, por bëj palestër. E ke lënë veten të të ndryshojë realitetin dhe nuk po kupton më asgjë. Të duket gjithshka me ngjyra ngjyra, si fluturat që vizaton dhe ke mbushur zyrën e Kryeministrit të Shqipërisë.

Edi të falenderoj, më solle humorin me datë 1 qershor ditën e fëmijëve, me shprehjen tënde: “Jam arrogant, por nuk i kam futur dorën në xhep askujt.”

Eh, more Edi, si mund të futen në një xhep njeriu koncensionet e rrugëve si ajo e Balldren-Milot apo Orikum-Dukat ku vlerat e tyre kalojnë qindra milionë euro.

Si mund të zerë një xhep, diferencën nga 102 milionë euro, që ishte projekti i qeverisë tënde, në 260 milionë, që e dhe me koncension.

Si mund të zërë një xhep, 70 milionë euro, një zgjerim rruge me 3 metra gjerësi dhe gjatësi 14 kilometra.

Si mund të zerë një xhep, tenderat korruptivë me letra fallco të Unazës së Re. Plot 40 milionë euro. Si mund të zërë një xhep tenderin e 13 milionë eurove tek OST me firmën fantazmë me letra fallco.

Si mund të zërë një xhep 300 milion eurot e koncensioneve në shëndetësi. Ku vetëm në njërin prej tyre, paguhet për punë të pa kryer, aq sa i jep në një vit subvencion fermerëve.

Si mund të zërë një xhep 218 tendera “sekretë” të qeverisë tënde.

Si mund të zërë një xhep të ardhurat nga laboratorët e drogës apo ato nga kanabizimi i vendit.

Eh, Edi, nuk ka xhep palltoje sa do e madhe të jetë apo pantallonash sa do të gjëra të jenë, si ato të tuat, t’i zërë.

Pas kësaj bëj gati sms me sharje, shpifje dhe ofendime. Lëshoji pa fre “jeniçerët” e taborrit tënd.

Protesta madhështore e mbrëmjes së djeshme, vendosmëria e qindra mijëra shqiptarëve të mbledhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, që ndriçoi natën e errët, më dha forcë dhe shpresë.

Të gjithë bashkë, të rinj dhe të reja, burra dhe gra, intelektualë dhe punëtorë, fermerë dhe minatorë, studentë dhe nxënës. Me mijëra së bashku për t’i dhënë edhe më shumë bukuri dhe shumëllojshmëri tablosë madhështore të protestës.

Kjo nuk është protesta e Lulit dhe Monës, siç mundohet ta quajë Edi, por e shqiptarëve që e duan Shqipërinë dhe duan ta ndërtojnë të ardhmen e familjeve, e fëmijëve, të tyren, këtu në Shqipëri. Dhe e them me bindjen time të plotë, që nuk do të ketë forcë që mund t’i ndalë.

Ata nuk po kërkojnë asgjë më shumë se atë që çdo evropian e gëzon prej dhjetra vitesh. Të drejtën e tyre, që të vendosin me votë të lirë nga kush duan të qeverisen. Pa presione bandash. Pa dhunë shtetërore. Të shkojnë të votojnë pa frikën e bukës së gojës dhe të vendit të punës. Të zgjedhin dhe të zgjidhen edhe pa dëshirën e kryetarëve, por me votën e shqiptarëve. Kjo protestë nuk është për të zëvendësuar dikë me dikë tjetër, por për të ndryshuar sistemin. Për t’i dhënë fund tranzicionit 30 vjeçar. Prandaj shqiptarët janë kaq të vendosur në protestën e tyre, që dita ditës bëhet edhe më e madhe, se ajo që ishte një ditë më parë. Besoj, se edhe miqtë e Shqipërisë, po e kuptojnë këtë. Kjo është një betejë e shqiptarëve për liri dhe demokraci. Për një Shqipëri si gjithë Evropa.

Nga protesta e djeshme doja të ndaja me ju dhe dy aspekte të veçanta, që më impresionuan shumë.

E para, pjesmarrja e Klajda Gjoshës në protestë, megjithëse në muajin e tetë të shtatzanisë dhe mesazhi i saj: “Nuk trembemi nga asgjë dhe askush! Njësoj si unë janë me dhjetra nëna të tjera shtatëzëna dhe me fëmijë për dore. Në fund të fundit kjo është kauzë për fëmijët tanë dhe jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund.” Një grua, një nënë, që mund ta siguronte të ardhmen e familjes dhe fëmijëve së saj, në çdo vend të botës me arsimimin dhe përgatitjen intelektuale që ka, por Klajda ka zgjedhur të luftojë për Shqipërinë.

Momenti i dytë që më emocionoi shumë ishte fotoja e një grupi studentësh që kishin shkruar në duart e tyre fjalët: Our future, in our hands.

Po, e ardhmja juaj, është në duart tuaja. Askush nuk mund t’ua tjetërsojë ëndrrat, shpresat ashtu si e dëshironi ju, si qytetarë të denjë të Evropës. Askush nuk mund t’ua mposhtë vullnetin, bindjen dhe përkushtimin tuaj për ta ndërtuar jetën tuaj, këtu në Shqipëri.

Ndaj në 8 qershor të gjithë së bashku në vazhdimin e betejës sonë për të ardhmen e Shqipërisë, për të ardhmen tuaj.

Asnjë hap pas!

Përshëndetje të gjithëve!Nëpërmjet këtij mesazhi do të doja fillimisht të falenderoja të gjithë ata mijëra qytetarë,…

Gepostet von Monika Kryemadhi am Montag, 3. Juni 2019

Protestë dhe program, PD publikon gjashtë pikat e rimëkëmbjes ekonomike

Një ditë pas protestës së shtatë kombëtare të opozitës, Partia Demokratike ka publikuar gjashtë pikat, që sipas saj do të rimëkëmbin ekonominë shqiptare. Këshilltari Ekonomik i PD Dorian Teliti ka publikuar në profilin e tij në facebook, gjashtë shtyllat kryesore, ku do të bazohet programi ekonomik i Partisë Demokratike, që sipas tij është një ofertë konkrete për shqiptarët.

Sipas Telitit, me ardhjen në pushtet të PD, do të ulet me 30 lekë për litër çmimi i karburantit, do të futet fasha mbrojtëse me 300 kë e parë me çmim 8.3 lekë/kah për energjinë, do të përjashtohet nga skema e TVSH çdo binzes me xhiro vjetore nën 14 milionë lekë në vit, do të ulet tatim fitimi me 9%, do të zerohen tarifat e studimit për 90% të studentëve në master dhe bachelor si dhe do të rriten pensionet.

Postimi i plot i Këshilltarit Ekonomik të PD:

Kryeministri i propagandës rrënoi Shqipërinë në bashkëpunim me oligarkët e kriminelët.

PD KA GATI PLANIN EMERGJENT TË RIMËKËMBJES EKONOMIKE.

Erdhi me premtime propagandistike në pushtet e po ikën si arkitekt i shkatërrimit. Edi Rama u premtoi shqiptarëve 300 mijë vende pune, shëndetësi falas apo ulje të varfërisë, por bilanci i 6 viteve qeverisje janë rrënim për shqiptarët, për të cilët RRITI:

Varfërinë, papunësinë e pasigurinë, cmimin e karburantit, cmimin e energjisë, taksat e tatimet që sollën falimentin e 77mijë bizneseve.

Me politikat tij Rama bëri që jo vetëm me qindra mijëra shqiptarët të braktisin vendin por edhe investitorët e huaj ta shohin vendin tonë si zonë rreziku për investimet e tyre.

Këto janë mjaftueshëm arsye që ai, arkitekti i rrënimit, të largohet një orë e më parë.

Partia Demokratike ka gati planin e rimëkëmbjes së ekonomisë duke sjellë ofertë konkrete për shqiptarët:

1. Ulje me 30 lekë/litër të cmimit të karburantit.

2. Ulje të cmimit të energjisë për familjarët dhe biznesin. Rifutje të fashës mbrojtëse për 300 kë e parë me cmim 8.3 lekë/këh.

3. Përjashtim nga skema vjetore e TVSH-së për cdo biznes me xhiro nën 14 milionë lekë në vit. Me pullën në xham STOP inspektorëve abuzues dhe të korruptuar.

4. Tatim fitimi 9%, duke krijuar mundësi reale për biznesin e madh të hapë vende të reja pune.

5. Dyfishim të buxhetit për arsimin e lartë. Tarifa zero bachelor dhe master për rreth 90% të studentëve. Bursa vjetore për studentët në nevojë dhe 32 milionë dollarë investime shtesë në vit për infrastrukturën konviktore dhe akademike. Trajnime dhe përgatitje reale për tregun e punës sipas “modelit gjerman dual” të arsimit profesional.

6. Rritje të ndjeshme të pensioneve dhe energji elektrike falas deri në 200 kë/muaj për familjet me ndihmë ekonomike.

Kjo është e vetmja skemë që do të mund ta nxjerrë vendin nga gremina ku ka rënë nga keqqeverisja e Edi Ramës.

Rrotacion i dhunshëm? S’ka gjasa…

Nga Eduard Zaloshnja

Në mbyllje të protestës së 7-të kombëtare të opozitës, Basha deklaroi se e 8-ta do të jetë ndryshe. Deri tani, sipas tij, protestat i kanë udhëhequr partitë opozitare, ndërsa të 8-ën (në 8 qershor) do ta udhëheqë vetë SOVRANI…

Një këngë të ngjashme e dëgjuam edhe para 21 janarit 2011 nga Rama e njerzit rrotull tij. Por pavarsisht çfarë ndodhi, e megjithëse gardistët vranë 4 protestues me duar në xhepa, e megjithëse FBI-ja konkludoi se faji fillonte nga serveri pranë zyrës së kryeministrit e përfundonte tek gardistët që qëlluan në mish, rrotacioni nuk ndodhi në janarin e 2011-ës. Thjesht ndodhi në zgjedhjet e rradhës – në 2013-ën – kur Berisha mori 1 milionë shuplaka…

Në fakt, kanceleritë perëndimore (për aq pak kohë sa shpenzojnë me ndjekjen e ngajrjeve në Shqipëri), duket se kanë arritur në një qendrim unanim në lidhje me rrotacionin e pushtetit në Shqipëri – duhet të ndodhë në mënyrë paqësore! Përvoja e 1997-ës, kur u detyruan të dërgonin 6 mijë trupa për të stabilizuar një vend që është fare i parëndësishëm në lojën e madhe të shahut gjeostrategjik, i ka bërë alergjike kanceleritë perëndimore ndaj ndryshimeve të dhunshme të pushtetit në Shqipëri.

Në 14 shtator 1998, opozita e Berishës e mori praktikisht pushtetin. Kryeministri Nano ia kishte mbathur në Maqedoni i veshur tebdil; kryeministrinë, ministritë, Kuvendin, RTSH-në dhe tanket e gardes i shtinë në dorë kryengritësit e opozitës. Por ata nuk kishin fituar zemrën dhe mendjen e kancelerive perëndimore. Të cilat urdhëruan dorëzimin mbrapsht të tankeve e të të gjithë institucioneve të pushtuara nga opozita.

Në protestën “Nano ik!” të 2004-ës u provua përsëri një sulm agresiv ndaj kryeministrisë, por përsëri kanceleritë perëndimore e ngritën zërin. Si rrjedhojë, protestat e tjera u bënë paqësore – deri sa rrotacioni erdhi me zgjedhje në 2005-ën…

Historia e zhvillimeve politike shqiptare nga 1997 e deri më sot na mëson se kanceleritë perëndimore nuk duan të lejojnë më rrotacion të pushtetit me dhunë. Kështu që shpresa e vetme e Bashës (apo dikujt tjetër që mund të caktojë Berisha) për t’u bërë kryeministër duhet të kacavirret tek fakti se PS-ja dhe partitë e vogla satelite të saj nuk kanë marrë në dekadën e fundit më shumë se 48.5% të votave në zgjedhjet parlamentare (46.5% në 2009-ën, 47.5% në 2013-ën, 48.5% në 2017ën).

Me pak fjalë, rrotacioni i rradhës (kurdo që të ndodhë) do të jetë thjesht rezultat i një shahu elektoral, e jo i një ndeshje ndeshje boksi. Njësoj si në 2005-ën apo 2013-ën…

Braçe i përvishet Berishës: 30 vjet i përvëloi jetën dy brezave. Tani drejtësi!

Përmes një reagimi në Instagram, zëvendëskryeministri, Erjon Braçe akuzon ish kryeministrin Sali Berisha për protestën e dhunshme të së dielës, por edhe për dhunën e ushtruar përgjatë 30 viteve të fundit në vend.

Ai thotë se për 30 vite me radhë, ky njeri kriminel ka përvëluar jetën e dy brezave dhe tashmë ka ardhur koha të përballet me drejtësinë.

Postimi i plotë i Erjon Braçes:

30 vjet një kriminel, 30 vjet një parti në krim,

30 vjet dhunë, vrasje, destabilizim, sulm mbi institucionet,

30 vjet i njëjti qëllim: Pushteti me dhunë!

30 vjet dhe i njëjti kriminel,

I përvëloi jetën dy brezave:

Prindërve dhe fëmijëve që lindën në 1990-tën e që sot janë 29 vjeç!

Boll më,

Jepini fund me ligj e drejtesi!

Sulmi i sotem mbi Policine e Shtetit ishte sulm per te vrare, marr jete!

Shiheni ne foto!

Cdo sulm per te vrare duhet hetuar e ndeshkuar ne menyre shembullore,

me forcen e maksimumin e ligjit;

Jo ndaj kalamajve qe u perdoren por

ndaj vrasesve te vertete,

patjeter urdherdhenesve politike!

Respekt pafund per Policine e Shtetit,

cdo drejtues e cdo polic te perfshire ne

mbrojtje te ligjit e rendit publik e kushtetues!

Tani ligj dhe drejtësi!

Protesta, ambasada e Britanisë: Mbështesim protestën paqësore, jo dhunën

Ambasada e Britanisë në Tiranë, ka qenë ndër të parat seli diplomatike që ka reaguar për protestën e shtatë kombëtare, të mbajtur pasditen e të dielës nga opozita. Ambasada Britanik thekson se mbështet të drejtën për të protestuar paqësisht, por bën apel se  nuk ka vend për dhunë dhe mjete shpërthyese në protestë. 

Mbretëria e Bashkuar mbështet të drejtën për të protestuar në mënyrë paqësore. Nuk ka vend për dhunë dhe mjete shpërthyese në protestë paqësore”, shkruhet në deklaratën e ambasadës së Britanisë në Tiranë.

Më tej, tej në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare në rrjetet sociale, ambasada e vendit ishullor, i kujton drejtuesëve të opozitës se kanë përgjegjësinë për të zhvilluar protesta të qeta dhe paqësore.

Liderit e protestës kanë përgjegjësinë të zhvillojnë protestë të qetë dhe të ligjshme, ndërsa policia ka për detyrë të përgjigjet propocionalisht dhe për të ruajtur rendin. Për të mirën e kujtdo, protesta e sigurtë dhe paqësore duhet të jetë prioritet”, përfundon deklarata.

Fotografia e British Embassy Tirana

Shpërthen Vasili: Rama është kriminel

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili ka dalë në konferencë për shtyp nga ambientet e partisë së tij pas përfundimit të protestës së shtatë kombëtare të opozitës. Vasili tha gjatë fjalës së tij se pas ditës së sotme Edi Rama shënoi orët e fundit të tij.

“Edi Rama shënoi orët e fundit e tij. Ai do të na khejë në monizëm me vetëm një parti. Ai sot u kthye në vendin e krimit në Lezhë ku pak ditë më parë ka firmosur 300 milionë euro grabitje. Të majtë dhe të djathtë nuk e duan monizmin”, u shpreh Vasili.

Më tej ai shtoi se sot të majtë dhe të djathtë nuk e duan më Edi Ramën Kryeministër, ndaj, sipas Petrit Vasilit, shqiptarët do të luftojnë dhëmbë për dhëmbë me kriminelët.

“Ndaj sot jemi të gjithë pa asnjë kthim prapa. Rama është një kryeministër i paligjshëm në çdo ditë që rri. Shqiptarët do luftojnë dhëmbë për dhëmbë me kriminelët që janë në pushtet dhe me kryekriminelin, Edi Rama. Mirënjohje pa fund për qytetarinë që treguat. Prandaj ashtu si ishim këtë herë akoma më shumë në protestën tjetër do i japim fund kësaj krize, që shqiptarët nuk e meritonin kurrë”, tha ndër të tjera Vasili.

Deklaratat e Sekretarit të NATO për dialog, Basha fton shqiptarët për protestë

Pas më pak se tre orësh, opozita do të mbajë protestën e shtatë kombëtare, e cila do të mbahet këtë të diel në orën 19:00 përpara Kryeministrisë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka publikuar një tjetër video në rrjetin e tij social Facebook, ku fton për herë të fundit qytetarët që të dalin në protestë.

Në hapje të video-mesazhit të publikuar nga Lulzim Basha, shkruhet se “pushteti i krimit ka rënë”, ndërsa më pas video vijon me të tjera mesazhe, ku sulmohet Kryeministri Edi Rama.

Në fund të videos, Lulzim Basha e mbyll me sloganin “Shqipëria si Europa”, duke ftuar qytetarët të marrin pjesë në protestë.

Ky mesazh i kreut të PD, vjen vetëm pak minuta pas takimit që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg pati me Kryeministrin e vendit Edi Rama.

Gjatë këtij takimi, edhe numri një i NATO-s i bëri thirrje opozitës të dialogojë dhe të marrë pjesë në zgjedhje.

Asnjë hap pas për çlirimin e vendit nga e keqja! Sonte në ora 19:00 të gjithë në shesh! #2qershor #ShqipëriaSiEuropa

Gepostet von Lulzim Basha am Sonntag, 2. Juni 2019

Mona thirrje qytetarëve: Sot të gjithë bashkë më të vendosur se kurrë

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi i ka bërë thirrje shqiptarëve të bashkohen në protestën e sotme. Pak orë para protestës kombëtare të opozitës së bashkuar, përmes një statusi në Facebook, Kryemadhi i kërkon qytetarëve të jenë bashkë në protestën e shpresës, pasi vetëm nëse i dalin zot fatit të tyre mund ta rrëzojnë të keqen.

“Sot më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për forcën e protestës qytetare, ka nevojë që të gjithë bashkë të dëshmojmë se e ardhmja e fëmijëve tanë nuk mund të jetë peng i papërgjegjshmërisë së Edi Ramës! Sot është dita e qytetarëve. Prandaj të gjithë bashkë, pa asnjë dallim në jemi të rinj apo të moshuar, burra apo gra, nga fshati apo nga qyteti, nga Jugu a nga Veriu, me apo pa parti, të majtë apo të djathtë, të jemi bashkë në protestën e shpresës, sepse e keqja po shembet dhe se e nesërmja bëhet më e mirë, vetëm kur qytetarët i dalin zot fatit të tyre! Shqipëria pa varfëri dhe me punë të ndershme, pa korrupsion e në luftë me krimin e organizuar, pa drogë e oligarkë, por me njerëz që e duan familjen dhe atdheun e konsiderojnë shtëpinë e tyre, është më e rëndësishme, më e madhe dhe më e fortë se Edi Rama dhe klani i tij kriminal! Sot më shumë, sot më të vendosur, sot më të fortë, sot më të bashkuar!’- shkruan Kryemadhi

Sot më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për forcën e protestës qytetare, ka nevojë që të gjithë bashkë të dëshmojmë…

Gepostet von Monika Kryemadhi am Sonntag, 2. Juni 2019

Opozita protestë marshim deri në mesnatë, policia i jep dy orë leje

Opozita zhvillon të dielën pasdite protestën e saj të shtatë kombëtare. Protesta do të nis në orën 19:00 ndërsa mediat televizive raportojnë se PD ka kërkuar leje në policë për zhvillimin e saj deri në mesnatë.

PD ka kërkuar të zhvillojë një protestë marshim, por duket se policia e ka refuzuar këtë kërkesë duke u dhënë leje 2 orë dhe vetëm para godinës së Kryeministrisë tek bulevardi “Dëshmoret e Kombit”.

Protestat marshim të mëparshme të opozitës kanë qetë paqësore dhe janë shoqëruar me ndalimin e protestuesve përpara disa institucioneve që opozita i cilëson si të kapura nga krimi. Megjithatë nuk dihet se si do të marrë protesta e sotme, e cila sipas policisë ka leje të zhvillohet nga ora 19:00 deri në orën 21:00.

Edhe në këtë protestë pritet që efektivët blu të jenë në gadishmëri të lartë me një numër që varion nga 1300-1700 policë.

Policia do të nis bllokimi i qarkullimit në Bulevardin kryesor në orën 17:30 dhe prej orës 18:30 do të nis bllokimi edhe me akset që lidhin Bulevardin me unazën.

Kangjellat metalike, autoblindat e shpërndarjes së turmave me presion uji, ambulanca dhe zjarrfikësja do të jenë të pranishme si në çdo protestë tjetër.

Skip to toolbar