Deputetja e PS: Basha të zgjohet nga ëndrra për karrigen e Kryeministrit

“Ai zgjidhjen e sheh veç te karrigia e kryeministrit. Mbase dikush duhet ta zgjojë Z. Basha.” Kështu ka deklaruara deputetja socialiste Edlira Bode gjatë një intervistë për gazetën “Tema”. Bode ka folur për situatën politike duke e cilësuar si një gjendje të krijuar artificialisht nga PD për të justifikuar humbjen e tyre në zgjedhje. Opozita terrorizon shqiptarët me protestat e saj dhe minon ëndrrat për t’u anëtarësuar në BE ka thënë Bode, e cila shton se në asnjë vend, opozita nuk ka protestuar për të mos u zhvilluar zgjedhjet.

Pjesë nga intervista

Gazetari: Znj. Bode, gjendemi në prag të zgjedhjeve vendore dhe situata politike në vend vijon të jetë e tensionuar. Ju si e shihni zgjidhjen për të dalë nga kjo gjendje?

Të jem e sinqertë me ju, ndjej shqetësim kur ma adresojnë këtë pyetje. Edhe pse është një situatë e tensionuar artificialisht, jo veç që ka terrorizuar shqiptarët, por po minon edhe ëndrrën tonë për ta ngritur flamurin kuq e zi në oborrin e Bashkimit Evropian. Me aq sa e kam ndjekur politikën, nuk di ndonjë rast tjetër në botë ku opozita proteston apo ka protestuar për të mos u zhvilluar zgjedhjet.

Gjykoj, se pseudo-kauza e liderit të opozitës jashtë parlamentit po pompohet pasi ai nuk ka më çfarë justifikimi të japë për humbjen e radhës e cila sinjalizohet nga çdo sondazh. Por ky është problemi i tyre dhe jo i yni. Shqetësimi im janë protestuesit që ndjekin urdhrat qorre të liderëve të opozitës, pasi edhe ata që i janë bashkuar aksionit guerrilas janë shqiptarë dhe natyrisht nuk mund të ndjehemi mirë kur i shohim të përleshen rrugëve të kryeqytetit.

-Po zgjidhja?

Nuk ka asnjë dyshim që zgjedhje do të ketë dhe ato do të mbahen në datën 30 Qershor. Jo sepse kështu do Partia Socialiste, por sepse kështu thotë Kushtetuta e vendit dhe minimumi kemi detyrim për ta respektuar. Përvoja tregon, që sa herë është eksperimentuar me shkeljen e saj, ka pasur kosto të madhe për shëndetin e demokracisë së vendit. Çdo parti është e lirë të zgjedhë nëse do të marrë ose jo pjesë në zgjedhje, por askush, individ apo parti qoftë, nuk ka të drejtën të pengojë zhvillimin e tyre.

Kërcënimet e aktorëve kryesorë të opozitës për ta penguar garën elektorale me metoda luftarake, duken të pakuptimta në sipërfaqe, por në thelb shërbejnë si mburoja për t’i shpëtuar drejtësisë së re. Kodi Zgjedhor, për të cilin edhe vetë PD është investuar për ta hartuar e miratuar, parashikon si vepër penale pengimin e zhvillimit të zgjedhjeve. Ata i dinë, nëse do jetë nevoja për t’i rikujtuar, data më e afërt do të jetë 30 Qershori ku institucionet do të bëjnë detyrën.

-Zonja Bode, natyrisht që secila palë ka pretendimet e saj, por pyetja ime është se si dilet nga kjo gjendje?

Në mjekësi, çdo lloj kure e vendosur nga mjeku për të sëmurin, nuk funksionon nëse edhe vetë pacienti nuk ka vullnetin për t’u shëruar. Ai zgjidhjen e sheh veç te karrigia e kryeministrit? Është e vërtetuar shkencërisht që një person nuk mund të shohë kurrë ëndrrën që sheh një tjetër. Dua të them me këtë, që për ëndrra jemi duke folur, ndaj dikush mbase duhet ta zgjojë Z. Basha.

Stoltenberg në Tiranë, opozita vendoset në shesh në mbrëmje

Ashtu siç ishte paralajmëruar edhe më parë nga Realstory.al, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg do të zhvillojë një takim disa orësh në Tiranë, përpara se të nis vizitën e tij dy ditore në Maqedoninë e Veriut. Vizita e sotme e Stoltenberg në Tiranës është bërë publike edhe nga faqja zyrtare e NATOS, ku publikohet axhenda e takimeve.

Të dielën më 2 qershor 2019, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg do të udhëtojë në Tiranë ku do të ketë takime me Presidentin Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama dhe Ministrin e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Në orën 15:20 Sekretari i Përgjithshëm i NAto, Stoltenberg do të mbajë edhe një konferencës së përbashkët për shtyp me Kryeministrin Rama.

Vizita e Stoltenberg, sigurisht që do të jetë edhe për t’i dhënë një mesazh të qartë opozitës, që pasditen e së dielës në orë 19:00 do të zhvillojë protestën e saj të shtatë kombëtare. Skenari që opozita do të ndjek nuk dihet ende, por protesta e saj e fundit më 25 maj, ishte e qetë, larg molotovëve dhe konfrontimeve me policinë.

Opozita që prej djegies së mandateve është duke protestuar për largimin e Edi Ramës dhe shtyrjen e zgjedhjeve, ndërsa vetë kryeministri hapin zyrtarisht, pasditen e 1 qershorit, fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Basha: Të dielën grusht tiranisë së krimit, do rrëzojmë Ramën

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me qytetarët në zonën e ish-Kinostudios në Tiranës, duke u bërë thirrje të bashkohen në protestën e 2 qershorit, për të rrëzuar Ramën dhe vendosur një qeveri tranzitore. Gjatë fjalës së tij Basha hodhi një lumë akuzash ndaj qeverisë duke i cilësuar si krimet e fundit, pasi populli do të rrezojë oligarkët dhe kriminelët nga karriget e tyre.

“Pas mbylljes së negociatave për Shqipërinë, sot KE mori zyrtarisht kërkesën e Holandës për kufizimin e vizave për shqiptarët” tha Basha, i cili shtoi se Rama është i vetmi njeri në botë që mbron kriminelët dhe dënon me burg njerëzit e pafajshëm.

“Kjo është një betejë shprese për çdo shqiptarë. Protesta e bashkimit popullor janë rruga e vetme e largimit të së keqe dhe e grupeve kriminale që janë në pushtet. Orët e fitores po afrojnë, orët e tiranisë kanë filluar numërim mbrapsht. Kur më parë nuk ka qenë në dorën tuaj që të vendosni për veten. Rama është njeriu që kërcënon më së shumti me burg. Burg për mjekët, profesorët, personat që shesin majdanoz në rrugë, por nuk ka burg për kriminelët. Kur do rrëzohet Edi Rama? Rrëzimi I të keqes detyrë kombëtare, ejani të gjithë me 2 qershor në protestë. Ejani të dielën në orën 19 në protestën tonë, bashkohuni me lëvizjen tonë, bëhuni pjesë e çlirimit të Tiranës, e çlirimit të Shqipërisë, nga kjo bandë hajdutësh dhe kriminelësh. ” – ka thënë Basha

Marrëdhëniet e acaruara, serbët në protestë edhe për kulturën shqiptare

Hapja e festivalit “Mirëdita, Dobar Dan”, që synon shkëmbimin e veprimtarive artistike si pjesë e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi nuk është lejuar të zhvillohet nga protesta e një grupi nacionalistësh serb. Anëtarët e lëvizjes “Konspiratorët”, një grup i krahut të djathtë, u shfaqën me flamuj serb në duar dhe thërrisnin “Kosova është Serbi”, “Ne nuk japim Kosovën” dhe kënduan këngë nacionaliste serbe. Protestuesit janë përplasur me kordonin e policisë për të mos lejuar zhvillimin e festivalit, edhe pse ai e bëri hapjen e tij mes tensionesh të larta.

Festivali “Mirëdita, Dobar Dan”, që do të thotë “Mirëdita, Ditë të Mirë” në gjuhën shqipe dhe serbe, organizohet nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Beogradi dhe OJQ Integra në Prishtinë.

Një ditë më parë Serbia vuri në gjendje të lartë gatishmërie trupat e saj, pas një operacioni arrestimesh të policisë së Kosovës në Mitrovicë të personave të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale, mes tyre serb, kosovar dhe boshnjak.

Ndërsa gjatë ditës së sotme ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli e shpalli kryeministren serbe Ana Brnabiç non grata në Kosovë, pas shprehjes së saj se “kosovarët janë njerëz që vijnë nga mali”

Reporterët pa Kufij apel Shqipërisë të mbrojë gazetarët nga dhuna në protestat e opozitës

Reporterët pa Kufij (RSF) u bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare të mbrojnë gazetarët, të cilët kanë qenë vazhdimisht në mesin e viktimave të dhunës së rëndë gjatë katër muajve të fundit të demonstrimeve të opozitës që bën thirrje për largimin e Kryeministrit Edi Rama për shkak të dyshimit për korrupsion.

Çdo javë, gazetarët që mbulojnë protestat kanë marrë plagë të rënda. RSF ka mësuar se së paku katër gazetarë ishin viktima të akteve të agresionit nga demonstruesit gjatë fundjavës së dhunshme të 11-12 majit, kur protestat kishin në shënjestër zyrën e kryeministrit.

Mateo Brahja nga ABC News u sulmua nga protestuesit e zemëruar që i penguan ata të filmonin dhe thyen pajisjet.  Ndërsa gazetari Arsen Rusta raportoi se ishte objekt i kërcënimeve serioze.

“Ne dënojmë klimën e tanishme të frikësimit dhe dhunës ndaj gazetarëve dhe u bëjmë thirrje autoriteteve që të marrin masa të menjëhershme në mënyrë që sulmet të ndalen”, tha Pauline Adès-Mével, kryetarja e tryezës së Unionit Evropian të RSF dhe Ballkanit

“Kjo dhunë dhe retorika anti-media e politikanëve të caktuar duhet të dënohen plotësisht për hir të reformave demokratike të Shqipërisë dhe perspektivave të progresit në përpjekjen e saj për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. Duke pasur parasysh situatën aktuale politike dhe zhvillimin e zgjedhjeve lokale më 30 qershor, ne jemi të shqetësuar se incidentet e mëtejshme mund të dëmtojnë imazhin e Shqipërisë dhe procesin e pranimit në BE “.

RSF është shqetësuar për nivelin e dhunës që nga fillimi i protestave. Dy gazetarë, Isa Myzyraj nga Ora News TV dhe Marsela Karapanço nga A2 News CNN Albania, kanë marrë shërbim spitalor më 16 shkurt pas protestës së opozitës.

RSF gjithashtu dënoi plagët e marra nga dy gazetarë, Eliza Gjediku e TV Tema dhe gazetari freelance Arben Dajçi, gjatë demonstratave të opozitës në Tiranë më 13 prill.

Mes kaosit në rritje, niveli i mosbesimit ndaj mediave po arrin nivele të pashembullta dhe disa gazetare kanë raportuar se janë objektiva të sulmeve të pështira.

Gazetarja e TV Klan Ola Xama tha se ajo ishte sulmuar verbalisht dhe fizikisht nga një anëtar i Gardës në parlamentin shqiptar, ndërsa Enkelejda Mema, një gazetare me të njëjtin kanal televiziv, tha se ajo kishte marrë fyerje seksiste nga kryetari i Akademisë së shkencave Skënder Gjinushi më 25 maj.

Shqipëria renditet e 82 nga 180 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të RSF në 2019./Shkrim i përkthyer nga Reporterët pa kufij. Shkrimin e plotë e lexoni në linkun më poshtë:

Opozita shtyn protestën, respekton Natën e Kadrit dhe… Ditën e Edit

Opozita ka “ndërruar” mendje, duke vendosur shtyrjen me dy ditë të protestës së lajmëruar për datën 31 maj. Vendimi për shtyrjen e protestës në datën 2 qershor është marrë gjatë ditës së sotme nga PD dhe aleatët e saj.

Ky vendim ka ardhur një ditë pasi Partia Socialiste ka vendosur që të hap zyrtarisht fushatën më 1 qershor, pasi kishte lajmëruar më herët se do ta niste fushatën për zgjedhjet lokale më 31 maj.

Mirëpo të shtunën, pas protestës së gjashtë kombëtare, opozita vendosi që të zhvillojë një tjetër protestë kombëtare, duke zgjedhur si datë të mbajtjes së saj 31 majin, ditën kur PS kishte lajmëruar nisjen e fushatës elektorale.

Por duket se Partia Demokratike me këtë vendim ka respektuar edhe vendimin e PS, dhe ka zgjedhur të ndryshojë datën e protestës së radhës, duke caktuar 2 qershorin si ditën kur do të zhvillohet protesta e shtatë kombëtare.

Sipas opozitës, shkaku i shtyrjes së kësaj proteste është se data 31 maj është vendosur si Nata e Kadrit nga Komuniteti Mysliman Shqiptar.

Në këtë natë besimtarët myslimanë i përkushtohen adhurimit të Zotit dhe lutjeve në muajin e Ramazanit, duke shmangur angazhime të tjera.

Ndaj dhe opozita ka vendosur që në këtë ditë të mos zhvillojë protestën, por t`i lejojë njerëzit të kryejnë ritet e tyre fetare. Por një rrugë e dy punë: ka respektuar kalendarin mysliman, por edhe atë të Selisë Rozë.

Kryemadhi: Jo luftë për karrige, shpresa e Shqipërisë po afron

Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi ka reaguar pasditen e sotme për protestën e zhvilluar dje nga opozita. Kryemadhi e cilëson marshimin e djeshëm si historik, ndërsa shton se vuajtjeve të tranzicionit të pafundëm dhe të lodhshëm po i vjen fundi. “Protesta e djeshme u shoqërua gjatë gjithë kohës nga dritat e shpresës të mijëra qytetarëve, që marshuan paqësisht në rrugët e kryeqytetit. Mbrëmë, Tirana dhe e gjithë Shqipëria përjetoi marshimin historik, që mbart në vetvete historinë e një kombi me shumë vuajtje dhe me një tranzicion të pafundëm dhe të lodhshëm, që duket se po i vjen fundi!”, shkruan Kryemadhi.

Më tej, në deklaratën e saj publikuar në faqen zyrtare në Facebook, Monika Kryemadhi shkruan se Shqipëria ka nevojë për një lider normal, që shqetësohet dhe punon për qytetarët.

“Mbrëmë më shumë se kurrë, nën qiellin e mbuluar me balona të bardha dhe nën dritat e celularëve, shqiptarët përcollën mesazhin se kanë nevojë për një shtet dhe institucione që t’i shërbejnë atyre. Se nuk duan më kurrë të ndihen jetimë në shtëpinë e tyre”.

“Se kanë nevojë për një lider normal, një njeri të thjeshtë njësoj si ata, që shqetësohet dhe punon për një arsim me standarte, një shëndetësi të barabartë, një shtet të drejtë ku të gjithë përgjigjen njësoj para ligjit, për një ekonomi të fortë dhe të qëndrueshme që i jep mundësi punësimi të gjitha shtresave shoqërore, për taksa të ulta, por mbi të gjitha ku sistemi të ngrihet nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Fëmijët tanë duhet të prekin një Shqipëri ndryshe nga ajo e jona, ku ata të ndihen europian, jo vetëm në shpirt por në standarte dhe në mundësi”.

Në fund, Monika Kryemadhit shprehet se aksioni opozitar nuk është luftë për rotacion politik, por për ndryshimin e sistemit. Ajo thotë se forca e opozitës qëndron te drejtësia e kauzës, përtej karrigeve të liderëve.

“Kjo është beteja e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe gjithë opozitës së bashkuar. Edhe pse mes shumë sakrificave, pikëpyetjeve, shpesh herë edhe mosbesimit, ne po tregojmë çdo ditë se kjo nuk është më thjesht një luftë politike për rotacion, por është lufta e ndryshimit të një sistemi të marrë fund, që prodhon vetëm metastaza, duke shkurtuar jetën e një kombi”.

 “Forca jonë qëndron te drejtësia e kauzës tonë, që shkon përtej karrigeve të liderëve, por u dedikohet fëmijëve e familjeve shqiptare, vendit tonë të bekuar që mbahet peng nga gabimet e politikës së vjetër. Dita e ndryshimit po afron, e bashkë me të dhe shpresa se Shqipëria do të bëhet me punën dhe forcën e vetë qytetarëve të saj”, përfundon shkrimi i Monika Kryemadhit.

Basha përgjigjet në mënyrë poetike, por eviton polemikën direkte me Ramën

Pas letrës së pestë publike të kryeministrit Edi Rama, i cili e ftonte në dialog ka reaguar kreu i opozitës, Lulzim Basha. Me një postim në Facebook, Basha shkruan se opozita nuk do të bëjë asnjë hap pas, ndërsa thekon se beteja për demokracinë është misioni më i madh dhe fisnik, që nuk duhet dorëzuar. Postimin Basha e ka shoqëruar edhe me një album fotografik nga protesta e djeshme, si një përgjigje për fjalët e Ramës se protesta e opozitës po tkurret çdo ditë e më shumë

Postimi i Bashës

Ne jemi Populli i Europës, ne jemi Populli i Lirisë, ne jemi Populli i Demokracisë. Ne jemi njerëz që besojmë në vlera, besojmë tek dinjiteti i njeriut, besojmë tek familja, besojmë tek atdheu.

Demokracinë nuk e japim, të drejtat dhe liritë tona nuk i dorëzojmë. Beteja për to është misioni më i madh dhe më fisnik i njeriut të lirë. Beteja me të keqen, po e çliron dhe fisnikëron shoqërisë dhe kombit tonë.

Forca jonë është bashkimi, forca jonë është qëndresa, forca jonë është përballja deri në fitoren e kësaj beteje për Shqipërinë si gjithë Europa. Asnjë hap pas!

Një protestë, një mesazh për herë të gjashtë, por Basha dha sinjal se shpreson te Gjermania

Opozita organizoi protestën e gjashtë kombëtare, të nisura që prej muajit shkurt kur PD dhe LSI, së bashku me parti të tjera opozitare vendosën të djegin mandatet dhe të nisin një seri protestash në vend. Në fakt, opozita kishte paralajmëruar se kjo e sotmja do të ishte protesta më e madhe e këtyre tre muajve, megjithatë, numri i protestuesve raportohet të ketë qenë diku te 7 deri në 10 mijë pjesëmarrës.

Pavarësisht pjesëmarrjes, kjo e sotmja, siç ishte raportuar më herët nga RealStory.al, ishte protestë paqësore. Protestuesit e parë kanë nisur të grumbullohen para godinës së Kryeministrisë rreth orës 18:30, ndërsa rreth orës 19:00 numri i tyre ka ardhur duke u shtuar. Megjithatë, si zakonisht edhe protesta e sotme nuk nisi në orarin e përcaktuar nga opozita, por me rreth 45 minuta vonesë, kur në shesh erdhi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Ky i fundit ka mbajtur një fjalim për rreth 40 minuta para protestuesve, ku ka dhënë disa mesazhe, teksa konfirmoi se nuk do të ketë dialog pa largimin e Kryeministrit Rama. Megjithatë, një detaj interesant u vu re gjatë kohës që Lulzim Basha ka folur para protestuesve. Liederi i PD-së ka shkuar pranë disa protestuesve, të cilët mbanin disa flamuj të SHBA-së, BE-së dhe Gjermanisë. Me këtë të fundit Basha ka bërë një pozim për disa sekonda.

“Mjerë ai që nuk ka vesh e nuk dëgjon. E dëgjon e gjithë Shqipëria, e gjithë bota, zgjedhje demokratike pa opozitën nuk ka e nuk do të ketë. Rama ik. Në një javë Europa tregoi standardin e saj të vërtetë. Nga Londra në Vjenë, politikanët e përgjegjshëm dhanë dorëheqjen e i rikthyen sovranit atë që është e sovranit. Sot në vendin tonë, për akoma pak kohë, zotër janë politikanë të lidhur me krimin, një grup horrash që kanë marrë peng partinë e tyre dhe e shohin popullin si shërbëtor”.

“Edi Rama sakrifikoi gjithçka të qytetarëve, vodhi zgjedhjet për një qëllim, pushtetin e tij, për këtë do ta cojë vendin në një përplasje të pashmangshme civile. Duke cuar për herë të parë në 29 vite, të njëjtët trafikantë e banditë, figura të krimit, që nëse drejtësia nuk do ishte e kapur, do i dënonte për përfshirjen e tyre në shitblerjen e votës.  Për pushtetin e tij, për pasurinë e tij, jo vetëm i ka mbrojtur kriminelët por do përfundimisht të vendosë zgjedhën e krimit në Shqipërinë”, tha Basha.

Ky ishte një mesazh i koduar i Lulzim Bashës, që mesaduket nënkupton se ai është gati të futet në negociata sipas udhëzimeve nga partnerët gjermanë të PD-së dhe atij vetë. Më pas kreu i BD-së u shpreh se Partia Demokratike është duke diskutuar me ekspertët propozimin e një plani, ku do të krijohet një parlament i ri me dy dhoma, një sistem drejtësie funksional dhe që ndëshkon politikanët e korruptuar, si dhe të tjera ndryshime, që pritet të propozohen në ditët në vijim, tha Basha.

Pas fjalës së mbajtur para Kryeministrisë, ku protestuesit kanë ndezur balona ndriçuese, të cilat kishin  të shkruar shprehjen “Rama ik”, Basha u bëri thirrje protestuesve të nisin marshimin drejt godinës së Parlamentit. Ndërkohë, para kësaj, gjatë kohës që fliste Lulzim Basha, protestuesit kanë hedhur disa shashka në drejtim të Kryeministrisë, por nuk ka pasur tentativa për të thyer gardhin metalik dhe kordonin e policisë.

Më pas, protestuesit u nisën drejt godinës së Parlamentit, aty ku sërish ka pasur masa të përforcuara të policisë, si dhe mjete ujëhedhëse në gatishmëri për të neutralizuar çdo akt dhune. Në fakt, me mbërritjen para godinës së Parlamentit, ka pasur tension mes protestuesve, të cilët kanë hedhur shashka dhe sende të forta në drejtim të policisë, ndërsa kjo e fundit u ka bërë thirrje drejtuesve të Partisë Demokratike që të tërhiqeshin nga aktet e dhunës.

Gjatë kohës që protestohej para Parlamentit, pati vetëm një moment hedhje uji në drejtim të protestuesve, që zgjati vetëm për disa sekonda. Nuk ka zgjatur më shumë se disa minuta as prania e Lulzim Bashës së bashku me liderët e tjerë opozitar para kuvendit, pasi kreu i PD-së u largua në drejtim të selisë së partisë së tij, ku mbajti dhe një fjalim përmbyllës të protestës.

“E duam Shqipërinë si gjithë Europa. Me këtë thirrje kemi nisur qëndrimin tonë më 16 shkurt, që kulmoi sot në pjesëmarrjen më masive popullore, në 29 vite. Mesazhi më i qartë i shpresë që ka nisur e nuk do të fiket deri sa beteja ndaj të keqes të fitohet plotësisht. Çdo ditë e më shumë bashkimi bëhet më i vendosur, mesazhi i sotëm është i qartë e i prerë, ndaj miqve aleatëve se jemi gati të sakrifikojmë gjithçka për votën e lirë, jemi popull i Europës e nuk do pranojmë kurrë despotizmin antieuropian të një grupi bandidësh e kriminelësh që kanë bllokuar rrugëtimin drejt Europës. Sot japim këtë mesazh të qartë e të vendosur, Europa e dëgjoi zërin tonë dhe tani është koha për zgjidhje politike, largimin e Ramës, qeveri tranzitore, zgjedhje të lira, e vetmja rrugë për të hapur dyert e mbyllura të Europës” u shpreh Basha.

Pas përfundimit të fjalës së tij, Basha dhe drejtuesit e partive të tjera opozitare kanë zhvilluar një mbledhje në selinë Blu, ku kanë vendosur edhe datën e zhvillimit të protestës së radhës. Më 31 maj do të mbahet tubimi i radhës i opozitës, pikërisht në ditën kur Partia Socialiste do të hap zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Mona dëgjon burrin: Sot jo dhunë, se fiton Edi Rama

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi iu bashkua protestës me një mesazh në bluzën e saj “Here i am”. “Çdo dhunë që bëjmë i japim pikë Edi Ramës.” tha Kryemadhi , duke i bërë thirrje protestuesve që nuk duhet të bien pre e provokimeve dhe të qëndrojnë larg nga dhuna.

“Sot në atë shesh me ato qindra dhe mijëra shqiptarë protestojnë dhe për ata socialistë që janë të pamundur të vijnë aty, për policët, për administratën publike që ndihet e kërcënuar, mësuesit e mjekët. Ne jemi sot për të treguar që jemi qytetarë, që jemi të vendosur në rrugën tonë, që jemi më të vendosur se kurrë. Jemi këtu sepse e duam vendin. Ne sot më shumë se kurrë tregojmë që jemi europianë. Dëshira për të qenë anëtarë të BE është shumë më shumë se çdo flamur politik. Për mua protesta e ka arritur qëllimin e saj. Çdo ditë e më shumë qytetarët shtohen, deklaratat në favor të opozitës shtohen. Kryeministri të mos vazhdojë të provokojë qytetarët, t’i lërë të protestojnë në mënyrë qytetare dhe të largojë provokatorët. Iu bëj thirrje shqiptarëve të distancohen nga çdo akt dhune sepse viktima nuk është Rama por shqiptarët, ata që kanë ikur. Çdo dhunë që bëjmë i japim pikë Edi Ramës. Ai ka ikur, e mori përgjigjen e tij. Ai e di shumë mirë që ka ikur. Ai e di shumë mirë se dhuna i shton jetën atij. Qëndresa e qytetarëve shqiptarë është goditja më e madhe për Edi Ramën. Sot kjo protestë madhështore, entuziaste është çlirim shpirtëror. Dialogu ynë është një dialog kombëtar. Ka të bëjë me shqiptarët jo individët”, deklaroi kryetarja e LSI.

Skip to toolbar