“Nuk thyem asnjë xham”, Lëvizja Studentore distancohet nga protesta

Lëvizja studentore ka reaguar në lidhje me protestën e sotme të studentëve duke u distancuar nga dhuna që u përdor. Në deklaratën e saj, Lëvizja Studentore thekson se protesta e dhjetorit ishte krijimtari konstruktive, pa qenë nevoja të thyhej asnjë xham dhe të përdorej dhunë e verbër.

“Protesta e studentëve në dhjetor 2018 ishte një ngjarje historike për Shqipërinë.

Protesta e studentëve në dhjetor 2018 ishte preludi i bojkotit mbarëuniversitar në janar që i ndau studentët dhe pedagogët në dysh; nga njëra anë subjekte emancipues dhe nga tjetra shërbëtorë të pushtetit.

Protesta e studentëve në dhjetor 2018 ishte krijimtari konstruktive, jo dhunë e verbër dhe vulgare; ishte thyerje e hegjemonisë shurdh-memece të pushtetit pa qenë nevoja të thyhej asnjë xham.

Protesta e studentëve në dhjetor 2018 ishte refuzim i katërҫiptë i llumit tre-partiak të politikës nëpërmjet kërkesave thellësisht politike.

Protesta e studentëve në dhjetor 2018 ishte anti-sistemore përmes kerkesave brenda-universitare, sepse ky sistem politik nuk mund të bashkëjetojë me arsimin publik cilësor dhe falas për të gjithë.

Protesta e studentëve në dhjetor 2018 ishte ndërhyrje demokratike në sferën universitare dhe sociale. Anulimi i ligjit në arsim ngelet parakushti për një proces demokratik reformimi të universitetit, jo preteksi për rotacion pushtetor shterp.

Protesta e studentëve në dhjetor 2018 është frymëzimi për organizim dhe koordinim edhe më të fuqishëm në të ardhmen, përmes njohjes së problematikave studentore dhe gjithëpërfshirjes universitare në përpjekjet që do të vijnë.

Për Universitetin, Për Shoqërinë!”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Studentore.

Shahini: Protesta mori modelin e keq të opozitës

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini e ka cilësuar si të turpshme dhe të trishtueshme protestën e studentëve që u kthye në një sfond dhune. Protesta e studentëve mori formën e një shfaqje teatrale të dhunës opozitare, ndërkohë që qeveria është e angazhuar të përmbush detyrimet e saj me paktin e bërë në dhjetor për universitetin tha Shahini.

“Ishte një trishtim për mua, por edhe një cënim i rëndë i imazhit të Studentit Protestues, që sot para Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë një grusht individësh partiakë e rrëmbyen me dhunë masën e vogël të studentëve duke e kthyer në sfond dhune. Thanë se do të vinin të kërkojnë cilësi të arsimit të lartë duke protestuar në të njëjtin vend ku protesta e dhjetorit i hapi rrugën #Paktit kuptimplotë për Universitetin. Por thjesht thyen xhamat e institucionit sipas modelit më të keq të politikës opozitare.

Lajmi i mirë është se sot Studenti Protestues nuk ishte aty, por sidoqoftë trishtimi mbetet dhe turpi u mbetet atyre që lanë nam me “protestën” e kthyer në një shfaqje të teatrit të dhunshëm opozitar.

Ndërkohë, ne do të vazhdojmë të mbajmë angazhimet e #PaktitpërUniversitetin, që sot ka sjellë në jetën universitare bibliotekën dixhitale, portalin e transparencës, bursat për ekselentët e studentët në nevojë, kantieret për përmirësimin e kushteve nëpër konvikte, zhvillimin e kartës për 110 mijë studentë të universiteteve publike.” – shkruan Shahini në Facebook.

Protesta, studentët kopjojnë PD dhe ndryshojnë kërkesat

Dhjetra studentë kanë protestuar para ministrisë së arsimit paraditen e kësaj të mërkure. Organizimi i kësaj proteste ishte paralajmëruar ditë më parë, teksa vetëm në fillim të kësaj jave, këshillat studentore zhvilluan një takim në Universitetin e Korçës, ku vendosën të rikthehen në protesë. Studentët pretendojnë se janë gënjyer nga qeveria lidhur me ‘paktin për universitetin’.

Megjithatë, ndryshe nga protestat e muajit dhjetor ku pati një bojkot masiv të auditoreve, në protestën e sotme ka pasur një pjesëmarrje jo shumë të lartë. Studentët kanë parashtruar një listë me pesë kërkesa, ndryshe nga kërkesat e protestave të kaluara, ku studentët shfaqën më shumë kërkesa.

Kërkesat e protestës së sotme:

1-Rrëzim të Ligjit të Arsimit të Lartë

2-Arsim cilësor në të dyja ciklet e studimit

3-Rankimin e programeve sipas modeleve bashkëkohore

4-Rritje e peshës së përfaqësimit në institucionet e arsimit të lartë

5- Autonomi reale e IAL  dhe jo e diktuar nga bordet qeveritare

Pra, nga sa shihet nga kërkesat e paraqituara sot nga studentët, nëse i krahason ato me tetë pikat e panegociueshme të protestës studentore të muajit dhjetor, vrehet me lehtësi se kërkesat janë të ndryshme.

Gjatë kohës që mbahej protesta, studentët kanë hedhur flakadanë në drejtim të ministrisë, ndërsa nuk kanë munguar as gjuajtjet me mjete të forta. Për pasojë ka pasur disa xhama të thyer në dritaret e ministrisë.

Më herët, Kryeministri Edi Rama publikoi një video mesazh në faqen e tij në facebook, ku tregonte me shifra mbajtjen e premtimit për përmbushjen e kërkesave të studentëve.

Kërkesat e studentëve në dhjetor:

1-Rritja e buxhetit me 5 % e GDP me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës, Universitet/konvikt.

2-Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe IAL-ve, publikimi i të gjitha shpenzimeve online.

3-Rritja nga 10 % në 50 %  e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan, rektor dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.

4-Rishikim i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.

5-Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillet e Studentëve, Ligji i Arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga MASR dhe IAL-të si dhe të shtohen një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

6- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019 (të ndiqen nga bashkitë përkatëse)

7-Ndërtimi i një biblioteke me standarde Europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.

8-Vlerësim i perfomancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikim i tij, online dhe regjistrimi i leksioneve.

Skip to toolbar