Rakipllari: Propozimi i PS, qartazi është një sistem 95% me lista të mbyllura. Primare mbetet renditja e kryetarit të partisë

Drejtor i News24, Robert Rakipllari deklaron se PS ka sjellë një propozim që është qartazi një sistem me 95% lista të mbyllura. Rakipllari komentoi në “Real Story” në Neës24 zhvillimet në Këshillin Politik, ndryshimet kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor.

Ai theksoi se lista të hapura nuk kemi me variantin që ka propozuar PS nuk ka dhe se shqiptarët do të votojnë dhe për një kandidat për deputet por kur ai të numërohet nuk ka vlerë vota jonë sepse primare është renditja e kryetarit të partisë.

Rakipllari: Për të kuptuar pozicionin e opozitës sot duhet të themi këtë gjë që ta pranojmë që jemi përballë një mashtrimi shumë të madh, në kuptimin e asaj që maxhoranca pas asaj që ndodhi në marrëveshjen e 5 qershorit ku u tha që nuk pati konsensus për hapjen e listave etj doli përballë publikut shqiptar dhe tha që ‘ne nuk i kemi votat, që ta miratojmë kodin zgjedhor, duhen 84 vota. PD dhe opozita kanë lënë mandatet dhe për këtë shkak nuk kemi ku t’i gjejmë mandatet. Opozita parlamentare kërkon hapjen e listave dhe në këtë mënyrë ne do bëjmë një kompromis me opozitën parlamentare’. U bë ky kompromis me opozitën parlamentare, u ndryshua Kushtetuta. Ka një moment që nuk thuhet në Kushtetutë, që koalicionet nuk ndalohen por ama në nenin 68 të Kushtetutës ata thonë që kandidatët për deputetë prezantohen vetëm nga partitë ose nga zgjedhësit. Fjala koalicionet është hequr.

Bylykbashi: Që do të thotë se formulimi ekzistues i Kodit Zgjedhor është në sinkron perfekt me Kushtetutën e ndryshuar sepse me koalicionin aktual, propozimin e kandidatëve nuk e bën koalicioni po e bëjnë partitë individuale të koalicionit. Ajo që propozojnë këta, është ekzaktë ajo që ndalon Kushtetuta që koalicioni nuk bën dot propozime. Pra, është antikushtetuese.

Rakipllari: Pra, logjika është që hapja e listave u bë si një dëshirë nga sondazhet e publikut që i donte listat e hapura, nga nevoja për t’u miratuar në parlament për shkak se opozita reale kishte bojkotuar parlamentin dhe si faktor i ri, opozita parlamentare donte hapjen e listave dhe pasi kjo ndodhi dhe u bë realitet, PS tani për t’i implementuar në Kodin Zgjedhor dhe ku thuhet që do jenë të hapura, në Kushtetutë thuhet do të jenë jo më pak se 2/3 listat të hapura, tani PS na ka sjellë një propozim i cili haptazi dhe qartazi është një sistem 95% me lista të mbyllura. Nga pikëpamja e logjikës politike, moralit politik, lista të hapura nuk kemi me variantin që ka propozuar PS. Ne teorikisht do shkojmë të votojmë dhe për një kandidat për deputet por kur ai të numërohet nuk ka vlerë vota jonë sepse primare është renditja e kryetarit të partisë.
Pyetja që kam për opozitën, me çfarë po merret tani kur kemi një kushtetutë të ndryshuar. Maxhoranca ka avancuar, pse nuk paraqet një variant të sajin.

Bylykbashi: Kushtetuta nuk ka heq koalicionet, ka hequr të drejtën e koalicionit për të propozuar kandidatë.
Rakipllari: Ndërkohë që PS avancon, PD çfarë bën? Keni alternativë apo jo?

Bylykbashi: Kemi bërë marrëveshjen e 14 janarit. Edi Rama po thyen marrëveshjen e bërë me investimin e ndërkombëtarëve. Kur nuk ka konsensus ka një mekanizëm për zgjidhje. I drejtohem i ODIHR për të një zgjidhje të pranueshme. Rama duhet tua thotë shqiptarëve, ndërkombëtarëve ‘unë këshillin politik nuk e dua, atë që investuat unë dua ta shkel’. Ai kërkon të bëhet dhëndër s’po kërkojmë ne. Ta provojë që ajo që kërkon është në bazë të standardeve ndërkombëtare.
Ne themi lëre ligj siç është, mos humb kohë të shkruar se e ke të shkruar me konsensus më 23 korrik. Sot ka dalë përfaqësuesi i PS që këshilli është organ konsultativ që nuk mban peng parlamentin.

“PD-së i intereson drafti i propozuar nga PS”, gazetari: Si nuk del një politikan të thotë ‘dua të jem i zgjedhur’?

Gazetari Ardian Thano argumenton se drafti i propozuar nga PS, i intereson edhe Partisë Demokratike. Në studion e “Real Story”, Thano foli për një krizë morale të shoqërisë apo të zgjedhurve nga kryetari çështjen e hapjes së listave sipas maxhorancës.

“Praktikisht PD-së, pavarësisht se çfarë mund të deklarojë publikisht Basha, kam përshtypjen që i intereson ky drafti i fundit i PS. Them se drafti i lë gjërat siç u bënë në 2008-ën. Përveç këtyre numrave dhe teknikave, do doja të hapim një parantezë të shkurtër. A është kjo vetëm krizë e kryetarëve të partive, apo është krizë morale e përgjithshme e shoqërisë apo dhe atyre të zgjedhurve nga kryetari? Përse një person që renditet tek zona e gjelbër ose një kryetar bashkie që është zgjedhur ashtu si është zgjedhur…si ka mundësi që nuk del dikush nga këta dhe të thotë shiko unë dua të jem i zgjedhur? Nuk dua të jem i emëruar, dua të jem i zgjedhur. Nuk dua që me 2 mijë vota të futem unë dhe me 10 mijë vota ai tjetri të mos futet dot në parlament, sepse ai e meriton më shumë se unë. Si ka mundësi nuk ekziston kjo? Mirë kryetarët që duan të ruajnë pozitat e tyre. Njerëzit që zgjedhin kryetarët janë këta, me këto cilësitë më të ulëta të personalitetit. Një person, i cili i është futur politikës, dreqi e mori në një moment do thotë ore jam politikan unë, dua të jem i zgjedhur. Çfarë përfaqësoj unë? Dua të jem i zgjedhur, nuk dua të jem i emëruar. Çfarë janë këta politikanë? Asnjëri prej tyre nuk ngrihet të thotë, shiko unë dua të jem i zgjedhur. Apo 61 kryetarët e bashkive rrinë atje… Çfarë kryetari je ti kur nuk të ka zgjedhur askush?”, deklaroi Adrian Thano, kryeredaktor “Gazeta Dita”.

Për Skënder Minxhozin, kryetarët e partive të mëdha janë ndjerë mjaft komodë këto vite me rolin e një patriarku të padiskutueshëm në krye të partive që drejtonin.

“Siç e dimë ne ishte sindroma e natës së fundit dhe lista që ata përcaktonin përcaktonte de fakto fatet e parlamentit të ardhshëm.
Afërmendsh nuk duan të lëshojnë. Ajo që predikojmë, hap listat, vër një kriter që kush të fitojë të fitojë është demokraci e kulluar. Sfida që i bën, hapja e listave të gjithë sistemit politik, shkon përtej këtyre zgjedhjeve. Dalja e këtij djalli nga shishja do të caktonte një precedent që do ishte i vështirë për t’u kthyer mbrapsht. Konservatorizmi që po tregon PS dhe PD në hije që nuk flet, ka diçka shumë të madhe”, deklaroi Minxhozi.

Drafti i PS/ Taulant Balla: Listat e hapura janë fakt i pakthyeshëm, uroj që opozita të mos vetëpërjashtohet

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla në përfundim të mbledhjes së grupit, iu përgjigj edhe interesimit të gazetarëve se pse PS kishte zgjedhur një formulë të komplikuar për Kodin Zgjedhor.

Sipas Ballës, këtë formulë nuk e kanë shpikur shqiptarët, por e kanë disa prej vendeve më të zhvilluara të Europës.

“Këtë model e kanë edhe ligjvënësit e Austrisë, Çekisë, Kroacisë. E kanë analizuar prej shumë vitesh dhe kanë konkluduar një një formë. Këtë formulë nuk e kemi shpikur ne, e kanë pjesa më e madhe e vendeve, e kam për zemër modelin e Kosovës por kemi menduar që duhet të zgjedhim vendet e listuara më lart, pra përfshi Danimarkën dhe Belgjikën, si modele më të mira.
Numri i votave për secilin kandidat rimodelon listën e deputetëve të një partie”,- tha ai.

I pyetur nëse do të bojkotonte PD-ja mbledhjen e Këshillit Politik, Balla u shpreh: Nuk e besoj që PD do të vetëpërjashtohet nga ky proces. Kam besim që do të kontribuojnë. Nëse nuk e bëjnë ndryshimet kushtetuese janë bërë, listat u hapën dhe zgjedhjet e 25 prillit do të bëhen me lista të hapura”,- tha ai.

Në lidhje me kërkesën e opozitës për të pasur një ekspertizë të OBE-ODIHR lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Balla sqaroi: “E para, ndryshimet kushtetuese kanë bërë fakt. Këtë çështje dhe në historinë e ODIHR nëse lexoni e kanë thënë qartë që këto janë çështje që i përkasin sovranitetit të plotë të vendeve”.

Balla thekson se çdo çështje është e hapur dhe PD-LSI mund të kontribuojnë në Këshillin Politik me propozime.

Më tej ai garanton se diskutimet do të vijojnë po drafti i PS është i vetmi që garanton barazinë gjinore dhe është parë nga të gjitha këndvështrimet.

”Listat e Hapura tashmë janë fakt i pakthyeshëm mbrapsht. Kushtetuta ka përcaktuar qartë që më 25 prill qytetarët do të shprehin vlerësimin dhe të japin votën e tyre jo vetëm për partinë, por dhe një prej kandidatëve në një prej listës së subjekteve .

PS ka propozuar një draft që është bërë publik nga Gjiknuri. Është diskutuar dhe në grupin parlamentar. Përveç pjesës së diskutimit në Këshill, dhe e inkurajojmë ku janë dhe subjekte jashtë-parlamentare. Të gjejnë gjuhën e përbashkët për kthimin si duhet të amendamenteve.

Opozita parlamentare, një deputete ka dorëzuar propozimet dhe në Komisionin e Ligjeve të nisë.

Të vazhdojmë diskutimin me ta, e nxis partinë demokratike dhe LSI të kontribuojnë. Drafti i propozuar prej nesh është draft që i ka marrë 100% sensibilitetet. Nga të gjitha këndvështrimet. Listat janë 100% të hapura. Sepse çdo kandidat në subjekt do marrë vlerësim me votë nga qytetarët.

Koha kur ne bënim Kode Zgjedhor me shpikje alla-shqiptarçe, siç është historia e koalicioneve në 30 korrik, mund të ndërtoje koalicione si vargon mallrash, dhe votat transferoheshin nga një subjekt në tjetër.

Garantoj që propozimi ynë zbatohet në vende që ngjashmërisht kanë përafërsi me Shqipërinë. Kroacia, Çekia, Holanda, Belgjika. Vende që japin mundësinë qytetarit të japë 2 vota.

Do vijojnë iskutimet. Të gjitha çështjet janë të hapura. Le të vijojë diskutimi. Por një shtet unitar si Shqipëria e ka të domosdoshme. Mbi të gjitha këto kjo është e vetmja formulë që mbron barazinë gjinore.”- tha Balla.

Nga ndryshimet kushtetuese në Kodin Zgjedhor te zgjedhjet e 25 prillit, PS mbledh sot grupin parlamentar

Partia Socialiste do të mbledhë sot grupin e saj parlamentar të kryesuar nga Taulant Balla, për çështjet më të fundit politike.

Mësohet se përveç zgjedhjeve të 25 prillit, organizimit të fushatës dhe raportimeve javore nga drejtuesit politikë, prioritet mbetet reflektimi i ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor.

PS tashmë ka propozuar draftin e saj dhe ka premtuar me anë të përfaqësuesit të saj, Damian Gjiknurit që deri më 30 shtator kjo çështje do të përfundojë.

Po ashtu pritet edhe një datë e mundshme për Asamblenë e PS, prej të cilës do të dalë dhe Kryesia që do të jetë përgjegjëse e organizimit të zgjedhjeve.

Gjithashtu në 11:00 Komisioni i Ligjeve diskuton dekretin për kthim nga Meta të ligjit për pronat e paluajtshme./realstory.al

Zgjedhjet në PS, zbardhet lista me emrat e kandidatëve në disa qytete

Pasditen e të martës janë zbardhur emrat e disa prej kandidatëve që synojnë të drejtojnë degët lokale të Partisë Socialiste. Sipas Balkanëeb, në Tiranë do të kandidojnë Elisa Spiropali dhe Ervin Bushati. Në Durrës Luan Zaza dhe Ardit Kërtusha. Në Elbasan, Evis Kushi, do të jetë dhe e komanduar deri në fund të procesit. Eduard Ndreca, Taulant Malshi dhe Florida Çuni do të synojnë drejtimin e PS në Lezhë.

Në Vaun e Dejës kandidojnë Kristjan Shkreli dhe Elvis Preçi. Në Kukës Anila Sokoli dhe Sahit Doçi. Në Mirditë kandidojnë Pjetër Pjetri dhe Renuar Kola. Në Kurbin Nertila toma dhe Tonin Kolici. Ndërkohë, në Shijak kandidojnë Dorian Gollaj dhe Fatmir Koçi. Në Kavajë Ledio Hysa dhe Elton Elezi. Në Gramsh janë dy kandidatë, një prej të cilëve është Enis Zani. Ndërkohë në Prrenjas kandidojnë Haxhi Çollaku dhe Flutura Haka.

Në Lushnje kandidon Lindita Buxheli përballë Gentian Nushit. Në Patos kandidon Klaudio Alisniani përballë Armand Ahmetaj. Në Kuçovë kandidon Sybi Shehu dhe Fatmir Doksani. Në Memaliaj Edmond Harizi dhe Petrit Lumani, në Tepelenë Arben Gumeni dhe Dino Selimi.

Në Gjirokastër Bledar Kaçi dhe Matilda Gushi. Në Vlorë Anduel Tahiraj dhe Albana Hodaj. Në Selenicë Nertil Bellaj kundër Ilir Fejzaj. Në Himarë garojnë Aleks Tato dhe Pervin Gjikuria, në Delvinë Izet Silaj dhe Arkad Dukaj ndërsa në Sarandë Ardian Kola dhe Asaf Sroka.

PD akuza për bonusin e qirasë, reagon kreu i PS në Radë

Partia Demokratike, nëpërmjet një deklarate për mediat hodhi akuza të shtunën se në Durrës po abuzohet me bonusin e qirasë. Në deklaratën që Selia Blu publikoi, pretendonte se anëtarët e familjes Basha në Durrës, të cilët jetonin në një vilë tre katëshe në fshatin Radë në Manëz, e dëmtuar nga tërmeti, kanë përfituar tre bonuse qiraje.

“Për Manzën janë dhënë 7 bonuse qeraje, 3 prej të cilave janë për familjen e Kryetarit të Partisë Socialiste të fshatit Radë, Armand Basha. Ai është njëkohësisht shpërndarës i ndihmave në Manzë dhe pronar i firmës së ndërtimit “Armandi shpk.”. Siç tregon dokumenti, bonus qeraje ka përfituar edhe babai i Kryetarit të PS, Hysni Basha, edhe ky ndërtues dhe gjyshi i Kryetarit të PS, Murat Basha. Të tre këta jetojnë në një shtëpi, por paratë për qeranë e kanë marrë sikur të jetonin të ndarë për arsyen e vetme se drejtojnë Partinë Socialiste në zonën e manzës”, thuhej në deklaratën e PD.

Por, pak orë më vonë, pasi u publikua kjo deklaratë, reagoi edhe Armand Basha, kryetari i PS në këtë zonë njëherazi një nga tre përfituesit bonusit të qirasë në familjen Basha. Ai publikoi foto nga vila tre katëshe e dëmtuar nga tërmeti, ku banonte së bashku me disa familjarë të tij. Armand Basha publikon edhe foto të certifikatave familjare, që sipas tij vërtetojnë, se paçka se familjet jetonin në të njëjtën vilë, e shpallur e pabanueshme, ato janë të ndarë nga njëri-tjetri. Pra, pavarësisht se jetojnë në të njëjtën godinë, secili prej tyre kishte banesën e tij në ndërtesën e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Të nderuar miq dhe të njohur, siç jeni në dijeni, në 26 Nëntor 2019, më së shumti Qarku i Durrësit, u prek nga një tërmet i fuqishëm, me pasoja tragjike dhe viktima. Për fat të mirë, unë dhe familjaret e mi, shpëtuam shëndoshe e mirë, por praktikisht banesa ime private në fshatin Radë, Manëz (Durrës), ku unë dhe familjaret e mi jetojmë, u demtua rëndë dhe është e pabanueshme, vërtetuar kjo dhe nga akt- konstatimi i banesës, firmosur nga ekipi i specialistëve të ardhur nga Turqia”.

“Gjithsesi, papritur e papandehur, sot u gjenda i ballafaquar me sulmin zyrtar të Partisë Demokratike, për shkak të funksionit përfaqësues, që kam për Partinë Socialiste në këtë zonë, ku nëpërmjet një deklarate zyrtare të tyre, hamendësojnë se kam përfituar bonuse qeraje për vete dhe familjarët e mi, në mënyrë të pamerituar, si privilegj për faktin se jam pjesë përfaqësuese e PS-së. Mendoj se PD-ja, duhet të gjente kohë për solidaritet, jo për sulme personale që është pak të thuash, se janë tepër banale e mediokre. Më poshtë gjeni 1. Certifikatat familjare, të cilat qartazi tregojnë sa persona e familje ishim në banesë, 2. Fotot e banesës private pas dëmtimit”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Armand Bashës.

Mbi 76 mijë anëtar të PS votuan për zgjedhjen e delegatëve

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla mbajti një konferencë për shtyp mbrëmjen e të shtunës, pas procesit të votimit për zgjedhjen e delegatëve për Kongresin e PS, që do të mbahet më 20 shkurt 2020. Balla u shpreh se 76.068 anëtarë të Partisë Socialiste morën pjesë në votimin për zgjedhjen e 706 delegatëve të Kongresit të PS. Balla veçoi dy risitë e procesit zgjedhor, testimin e votimit elektronik dhe barazinë gjinore.

“Dua të veçoj gjatë ditës së sotme, dy risitë që shënoi ky proces zgjedhor me testimin për herë të parë të votimit elektronik në Njësinë Nr.8 të Tiranës nga 989 anëtarë dhe 100 anëtarë të tjerë që votuan on-line, Partia Socialiste tregoi se nuk është jo vetëm partia më e madhe dhe më e organizuar, por edhe partia më moderne në Shqipëri. Barazia gjinore mori tjetër inkurajim në këtë proces, pasi 47% e kandidatëve për delegatë të Kongresit të  PS ishin gra dhe vajza”, tha Balla.

Ai shtoi se zgjedhjet në parti, kanë një rëndësi të madhe për ecurinë e gjysmës së dytë të mandatit të qeverisë. Taulant Balla u shpreh se Partia Socialiste ka nevojë për një hapje të madhe ndaj shoqërisë.

“E dimë të gjithë se procesi i këtyre zgjedhjeve në parti, ka një rëndësi të veçantë për ecurinë e gjysmës së dytë të këtij mandati dhe për betejën për rinovimin e mandatit të socialistëve si shumicë qeverisëse në Qershor 2021. Ashtu sikundër, e dimë se në stadin aktual partia ka nevojë për një energjizim të ri, një ri-organizim kapilar dhe një hapje të madhe ndaj shoqërisë. Këto zgjedhje konsoliduan një bazë të re përfaqësimi të grave dhe vajzave në vazhdën e reformës transformuese që PS ka udhëhequr në drejtim të barazisë gjinore”, tha Sekretari i PS.

Në fund ai falënderoi të gjithë anëtarët e PS dhe themeluesit e saj, ndërsa u shpreh se “asnjë forcë tjetër përveç PS nuk mund ta sillte këtë transformim dhe asnjë forcë tjetër, përveç PS, nuk mund të sillte transformimin epokal, qoftë në qeverinë qendrore, qoftë në këshillat bashkiakë, tanimë Shqipëria të ketë mundësinë e përfaqësimit me 50% burra dhe djem dhe me 50% gra dhe vajza”, tha Balla.

Emërimet në Shkodër përplasin Ramën me Sterkajn

Mbledhja e Këshillit Koordinativ për Veriun e zhvilluar në selinë e PS u zhvillua me debate të forta, njëlloj si në mbledhjen e strukturave të PS në Shkodër një ditë më parë. Emërimi i drejtorëve të rinj në Shkodër ka qenë sërish pika kyçe e debatit, ku pati një përplasje mes deputetit socialist Paulin Sterkaj dhe kryeministrit Rama.

 “E keni bërë si tender këtë çështje. Secili çon emrat e vet” tha Sterkaj në mbledhje, por që ka hasur qëndrimin e fortë të Kryeministrit Rama, i cili tha se do i jap vetë drejtim kësaj çështje, duke qenë se koordinatorët socialist të qarkut nuk bënë gjë. Rama tha se të hënën do zhvillojë një mbledhje vetëm me Shkodrën duke paralajmëruar se do ndodhin ndryshime.

“Nuk e kemi bërë tender. Musai me ka thënë që i keni çuar nga 7 lista. Kam menduar që ju do ta zgjidhni këtë gjë. Tani do merrem vete. Meqë ju nuk i dhatë drejtim, të hënën do bëjmë mbledhje të posaçme vetëm me Shkodrën për këtë çështje”  ka thënë Rama.

Emërimi i drejtorëve të rinj në Shkodër dhe shkrirja e strukturave drejtuese të PS në këtë qytet kanë shkaktuar debate dhe përplasje të forta mes socialistëve edhe në mbledhjen e strukturave të PS-së në Shkodër ditën e enjte. Mungesa e kryetarit të degës së PS Shkodër për të riorganizuar strukturat drejtuese të socialistëve në këtë qytet do bëjë që procesi të menaxhohet nga një grup koordinatorësh. Kjo nuk është pëlqyer nga socialistët e Shkodrës të cilën shpreh revoltën e tyre ndaj emërimeve të drejtorëve nga Tirana dhe mos dhënies rëndësi të socialistëve të Shkodrës.

Sherr në mbledhjen e PS në Shkodër: Nuk pranojmë drejtorë nga Tirana!

Mbledhja e strukturave të PS-së në Shkodër është shoqëruar me debate të forta që janë dëgjuar edhe pas dyerve të mbyllura për mediat. Emërimi i drejtorëve të rinj në Shkodër dhe shkrirja e strukturave drejtuese të PS në këtë qytet kanë shkaktuar debate dhe përplasje të forta mes socialistëve. Mbledhja e kryesisë së PS-së u drejtua nga deputeti i PS Arben Pëllumbi, i cili sqaroi për mediat se në mungesë të kryetarit të degës së PS Shkodër dhe asamblesë për të riorganizuar strukturat drejtuese të socialistëve në këtë qytet ka sjellë dhe shkrirjen e kësaj strukture dhe procesi do të menaxhohet nga një grup koordinatorësh. Kjo nuk është pëlqyer nga socialistët e Shkodrës të cilën shpreh revoltën e tyre ndaj emërimeve të drejtorëve nga Tirana, ndërkohë që bazës shkodrane i kërkohet vetëm të bëjë fushatën e të mbledhë vota.

 “Me vendim të Kryesisë së Partisë Socialiste është shkrirë struktura drejtuese e PS-së në Shkodër. Ky grup që kishim sot zëvendëson pikërisht mungesën e atyre strukturave drejtuese të partisë për të menaxhuar dhe koordinuar procesin e zgjedhjeve në PS. Në të gjitha bashkitë e vendit këtë proces e menaxhon kryetari partisë së degës së bashku me asamblenë socialiste. Në Shkodër me qenë se nuk i kemi këto struktura sot kemi këtë grup nismëtar koordinatorësh dhe stafet që ata kanë zgjedhur pikërisht për të menaxhuar të gjithë kalendarin e zgjedhjeve në PS, përfshi edhe Bashkinë e Shkodrës. Emërimi i drejtorëve është një pjesë që ka një rëndësi të madhe sepse pikërisht ka të bëjë me shërbimet që ofron administrate ndaj qytetarëve të Shkodrës por edhe më gjerë. Por nuk është pjesë e kësaj bisede sot, nuk është pjesë e këtij takimi sot.

Ne kemi ngritur një grup qytetarësh të spikatur ndofta edhe një cikë më i gjerë se kaq, të cilët janë duke bërë propozimet e tyre për emra që ata mendojnë se mund të jenë përfaqësuesit më të mirë të qytetarëve të Shkodrës për të drejtuar institucionet qofshin ato shtetërore qofshin lokale. Në këtë konsensus pak të gjerë sigurisht fjala e fundit i takon qeverisë, i takon ministrave, i takon kryeministrit, në dijeninë time është një proces që po zhvillohet. Duhet të kuptoni dhe të mirëkuptoni që nuk është një proces i lehtë se po të ishte i tillë bëhej me një të rënë të lapsit. Po përpiqemi të bëjmë më të mirën e mundshme për të dhënë përfaqësuesit më dinjitoz, qoftë për PS-në qoftë edhe për drejtuesit e administratës.” tha Pëllumbi

Nga mbrojtja te sulmet, Bushati me dy qëndrime për Pjetrin dhe Doshin

Pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës, Ditmir Bushati foli me tone të ashpra ndaj partisë së tij për rastin e emërimit të Valdrin Pjetrit si kandidat për kryetar bashkie në Shkodër. Ish-drejtuesi politik, aktualisht deputet i Shkodrës, kritikoi PS, duke u shprehur se “duhej të kërkohej falje”, për Valdrin Pjetrin. Megjithatë, ky duket një standard i dyfishtë i deputetit socialist, pasi ai vetë e ka promovuar Valdrin Pjetrin si ‘djalë të Shkodrës’ e duke kërkuar mbështetje për të. Në fjalimin e datës 20 qershor në mitingun elektoral në këtë qytet, gjatë fjalës së tij Ditmir Bushati do të shprehej kështu për Valdrin Pjetrin: “Është kjo arsyeja përse ne prezantojmë një djalë të Shkodrës, një djalë të shkolluar të Shkodrës, një djalë i cili edhe kur ka qenë me studime në Itali, edhe kur ka ushtruar detyra të rëndësishme në administrimin publik nuk e ka humbur asnjëherë lidhjen me Shkodrën. Ai është Valdrin Pjetri. Ne jemi të bindur që me Valdrin Pjetrin, shërbëtorin numër 1 të këtij qyteti, ne do të kemi mundësinë të hapim një kapitull të ri për Shkodrën që duam, për Shkodrën e Shekullit 21… Ndaj sot dua t’u kërkoj që me brohoritje të mbështesim Valdrinin”, shprehej ndrë të tjera Bushati.

Megjithatë, në pak muaj, dhe mbi të gjitha pas publikimit të skandalit se Pjetri kishte fshehur të dënimin në Itali, Bushati ka ndryshuar mendim. Nëse Partia Socialiste dhe Kryeministri Edi Rama u distancua duke u shprehur se  “përgjegjësia është personale dhe nuk do të lejojë që PS të marrë kosto”, Bushati kërkon që fajin ta mbajë Partia. Këtë deklaratë ai e bëri nga selia Rozë, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së PS mbrëmjen e 28 gushtit.  “Natyrisht kjo nuk është një çështje që mund të trajtohet thjesht dhe vetëm në mënyrë ligjore e procedurale. As me zhvendosje vëmendje, me shkarkime në masë të njerëzve që s’kanë asnjë lidhje dhe asnjë fajësi për situatën e krijuar. Në rast se përgjegjësia për të kaluarën e secilit është një përgjegjësi individuale dhe ligjore, ne na takon që të njohim realitetin dhe përgjegjësinë politikë, të themi edhe na falni për rastin në fjalë dhe për komunitete të caktuara dhe të propozojmë reforma politike që ndërtojnë sisteme imunitare për një jetë tjetër politike”, tha Bushati.

Megjithatë, ishte Taulant Balla që u shpreh se “qytetarëve të Shkodrës i kemi kërkuar falje për Pjetrin”, duke shtuar gjithashtu se Partia Socialiste do të ashpërsojë ligjin e dekriminalizimit për të parandaluar fenomene të tilla si rasti pjetri. Po mbrëmjen e së mërkurës më 28 gusht, Bushati deklaroi gjithashtu se në të shkuarën Partia Socialiste i ‘largoi’ njerëz si Pjetri, ndërsa brenda kryesisë ka sulmuar PS edhe për aleatët që kanë mbështetur  njerëz si Pjetri. Ndonëse nuk është përmendur me emër, referenca është për deputetin tom Doshi, kryetar i Partisë Social Demokrate. Edhe në këtë rast, standardi është i dyfishtë. Mbrëmjen e 20 qershorit, përpara se të shkonte në Shkodër, Bushati dhe kryeministri Edi Rama u ndalën në Vaun e Dejës, ku kërkuan votën për Mark  Babanin, partinë e Tom Doshit dhe kandidatin Babani e quante “vizionare”.  

“Unë jam i bindur që për Markun do të jetë disa herë më e lehtë. Do të jetë disa herë më e lehtë, sepse Marku do të ketë mbështetjen e pakushtëzuar të Kryeministrit Rama për të bërë realitet projektet dhe vizionet që ka Marku, Partia Socialiste, Partia Socialdemokrate, koalicioni ynë i gjerë, në mënyrë që edhe këtu në Vaun e Dejës të hapet një kapitull i ri”, shprehej Bushati. Por. Mbrëmjen e 28 gushtit, pas mbledhjes së kryesisë, ish-numri një i Shkodrës, foli për njerëzit me të shkuarë të dyshimtë ‘që u përjashtuan nga radhët e PS’, gjë për të cilën, sipas Bushatit, u përshëndet dhe nga SHBA.

Skip to toolbar