Mbi 76 mijë anëtar të PS votuan për zgjedhjen e delegatëve

AKTUALITET


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla mbajti një konferencë për shtyp mbrëmjen e të shtunës, pas procesit të votimit për zgjedhjen e delegatëve për Kongresin e PS, që do të mbahet më 20 shkurt 2020. Balla u shpreh se 76.068 anëtarë të Partisë Socialiste morën pjesë në votimin për zgjedhjen e 706 delegatëve të Kongresit të PS. Balla veçoi dy risitë e procesit zgjedhor, testimin e votimit elektronik dhe barazinë gjinore.

“Dua të veçoj gjatë ditës së sotme, dy risitë që shënoi ky proces zgjedhor me testimin për herë të parë të votimit elektronik në Njësinë Nr.8 të Tiranës nga 989 anëtarë dhe 100 anëtarë të tjerë që votuan on-line, Partia Socialiste tregoi se nuk është jo vetëm partia më e madhe dhe më e organizuar, por edhe partia më moderne në Shqipëri. Barazia gjinore mori tjetër inkurajim në këtë proces, pasi 47% e kandidatëve për delegatë të Kongresit të  PS ishin gra dhe vajza”, tha Balla.


Ai shtoi se zgjedhjet në parti, kanë një rëndësi të madhe për ecurinë e gjysmës së dytë të mandatit të qeverisë. Taulant Balla u shpreh se Partia Socialiste ka nevojë për një hapje të madhe ndaj shoqërisë.

“E dimë të gjithë se procesi i këtyre zgjedhjeve në parti, ka një rëndësi të veçantë për ecurinë e gjysmës së dytë të këtij mandati dhe për betejën për rinovimin e mandatit të socialistëve si shumicë qeverisëse në Qershor 2021. Ashtu sikundër, e dimë se në stadin aktual partia ka nevojë për një energjizim të ri, një ri-organizim kapilar dhe një hapje të madhe ndaj shoqërisë. Këto zgjedhje konsoliduan një bazë të re përfaqësimi të grave dhe vajzave në vazhdën e reformës transformuese që PS ka udhëhequr në drejtim të barazisë gjinore”, tha Sekretari i PS.

Në fund ai falënderoi të gjithë anëtarët e PS dhe themeluesit e saj, ndërsa u shpreh se “asnjë forcë tjetër përveç PS nuk mund ta sillte këtë transformim dhe asnjë forcë tjetër, përveç PS, nuk mund të sillte transformimin epokal, qoftë në qeverinë qendrore, qoftë në këshillat bashkiakë, tanimë Shqipëria të ketë mundësinë e përfaqësimit me 50% burra dhe djem dhe me 50% gra dhe vajza”, tha Balla.




Skip to toolbar