Telashet për Neymar nuk kanë të sosur. Pas dënimit nga UEFA, që i ndalon brazilianit të luajë tre ndeshjet e para të Champions League me PSG-në sezonin e ardhshëm, një tjetër dënim pritet për sulmuesin brazilian, këtë herë nga Federata e Futbollit Francez.
Neymar është filmuar duke goditur një tifoz, pas finales së Kupës së Francës, e humbur nga PSG-ja kundër Rennes pak ditë më parë. Teksa ishte duke u ngjitur në tribunën e stadiumit për ceremoninë zyrtare të dhënies së medaljeve të finalistit, Neymar pati një incident me një tifoz, të cilin e goditi me grusht.
Video u bë virale në rrjetet sociale, ndërsa Neymar u pendua për gabimin duke reaguar në rrjetet sociale, ku ndër të tjera shkruante: “Askush nuk mund të qëndrojë indifferent ndaj atyre fyerjeve”.
Megjithatë, Neymar do të ketë një seancë dëgjimore para Komisionit të Disiplinës në FFF, ku do të japë shpejgimet e tij rreth incidentit me tifozin, nga ku pritet që braziliani të mësojë edhe dënimin. Për këto raste dënimi shkon deri në pesë ndeshje pezullim, por edhe më tepër.