Voltana ndryshon modelin e protestës, si modelin e flokëve: Ndaj Ramës marshim paqësor

Voltana Ademi ka bërë një hap pas, pasi pasditen e kësaj të enjten, vetëm pak orë nga nisja e mitingut elektoral që Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë në Shkodër, ka deklaruar se “është koha që gjithsecili ti thërrasë ndërgjegjes”.

Mesaduket, Voltana, që deri më tani ka qenë kryebashkiakja më aktive në aksionin opozitar për mos lejimin e zhvillimit të zgjedhjeve duke shkatërruar materialet zgjedhore, bëhet e para që i thërret arsyes, duket hequr dorë nga dhuna dhe barbaria e deritanishme, ku si pasojë u dogj dhe kati i parë i një shkolle në Shkodër.

Madje, Voltana deklaroi me gojën e saj se “kam biseduar me policinë të cilëve u kam thënë se do të jetë një marshim qytetar”, tha Ademi gjatë një lidhje direkte për një studio televizive në vend. Mesaduket, Voltana e ka kuptuar, ashtu sikundër dhe lideri i saj Lulzim Basha, se dhuna nuk është zgjidhje dhe as mjeti për të shkuar përpara.

Ndaj, edhe reagimi i saj fill pas deklaratës së Lulzim Bashës, që dukej sikur po shkon drejt rrugës së arsyes, tregon se opozita nuk mund të provojë forcën me shtetin dhe as mund të marrë përgjegjësinë për të rrezikuar jetët e pafajshëm të njerëzve, pavarësisht bindjeve politike.

“Voltazhi” nuk i jep leje për miting, Rama: Plan për një tjetër 2 Prill në Shkodër

Voltana molotovi e Shkodrës, ka vendosur të mos i japë leje kryeministrit Rama që të zhvillojë një takim elektoral me banorët e Shkodrës pasditen e së enjtes. Vetë kryeministri e ka cilësuar këtë një përpjekje që i kujton enveristët fanatikë në ’91 që në grahmat e fundit bënin antimitingje, ndërsa shtoi se “mbase PD ka në plan të bëjë sot pasdite një 2 prill tjetër në Shkodër”, duke nënkuptuar se mund të ketë viktima.

 “Sot kemi planifikuar takimin elektoral në Shkodër. Për herë të parë që nga vitit 1991 qysh se kemi nisur fushatën elektorale rishfaqet fenomeni i dëshpëruar në shëmtinë e vet i anti-mintingjashëve. Ka pasur Shqipëria dhe momente të rënda realisht por ka pasur konsensus mes forcave politike që nuk pengohet aktiviteti i tjetrit. Enveristët fanatikë të 91-shit që përpiqeshin në grahmat e fundit të  enverizmit institucional t’i zinin rrugën partisë së sapolindur demokratike sot rishfaqen në grahmat e asaj partie që ka humbur totalisht busullën dhe sensin e misionit për të cilin lindi dhe që rrogëtarët e paguar nga taksat në nivelin vendor u përdor njësoj siç përdorte asokohe Partia e vjetër e Punës disa falanga njerëzish pa të ardhme. Ajo që është e trishtueshme është fakti se njësoj si në atë kohë kjo përpjekje nuk ka as shumicën e shqiptarëve dhe asnjë mik dhe partner ndërkombëtar në krah.

Pjesë trishtuese është përdorimi i nëpunësve, i policëve bashkiakë që po humbasin të drejtën që të punojnë për shtetin, janë në shkelje flagrante të ligjeve. Janë në shkelje të ligjeve dhe pse në këtë farsë mund të ndihen të imunizuar nga ligji, jeta vijon edhe pas 30 qershorit. Mbase plani është për të bërë një 2 Prill tjetër sot pasdite, pasi historia ka ndryshuar, por asgjë nuk ka ndryshuar në vizion, qasje dhe metodë në kokën e atij që është lideri suprem i PD-së. Ai që është në zyrën e Presidentit po i hedh benzinë zjarrit”, tha Rama.

Ai tha se kjo situatë i kujton “Haxhi Qamilin kur thoshte sa të kem Kavajën dhe Shijakun unë nuk (ai thoshte një fjalë që nuk është vendi për ta thënë) po e them me pyes (ai nuk thoshte pyes) për Francën dhe Anglinë”, tha Rama, i cili nënkuptoi se presidenti nuk po pyet më për ndërkombëtarët të cilët janë 100% në favor të zhvillimit të zgjedhjeve në 30 qershor.

Ora 5:30, Militantët e PD-së bllokojnë rrugën për të penguar Ramën

Militantët e Partisë Demokratike kanë bllokuara aksin rrugor Lezhë-Shkodër, në kryqëzimin e Dajçit për të penguar kalimin e kryeministrit Rama, që të zhvillojë një takim elektoral në Shkodër.  Militantët janë përplasur me policinë, të cilët kanë kërkuar lirimin e rrugës.

Gjithashtu në të njëjtën orë që Rama pritet të zhvillojë takimin elektoral, Partia Demokratike ka lajmëruar se do të mbaj një marshim, ku fton qytetarët të marrin pjesë për të ndalur “këtë murtajë që po përpiqet për të vjedhur vullnetin e qytetarëve”

Hajdari replikë me Ramën: Nëse e dini se do këtë një tjetër 2 prill, reflektoni

Në replikë me kryeministrin, Rudina Hajdari kërkoi nga ai që të reflektojë për 30 qershorin, në rast se ka informacion se mund të ketë një tjetër 2 prill dhe të mos lejojë të tjera viktima në Shqipëri.

 “Nëse ju këmbëngulni që zgjedhjet më 30 qershor, nëse ju keni informacion që do ketë vrasje si në 2 prill a nuk është e drejtë që t’i evitoni këto konflikte, dhe të ruani jetët e njerëzve dhe të mos dilni këtu të thoni do ruajmë shtetin e së drejtës? Nëse ju nuk doni të krijoni precedent që ta vijojë qeveritë më pas… por nëse ju krijoni viktima, a nuk do krijoni ju një precedent të së kaluarës, a nuk i jepni ju Shqipërisë viktima që nuk i duhen më? Thirrini ndërgjegjes suaj të dashur politikanë se koha po mbaron. Ne nuk duhet të bëjmë lojëra të tilla para shqiptarëve. Nëse kryeministri thotë që mund të ketë viktima në vijim duhet të marrë të gjitha masat për ta evituar këtë situatë”, tha Rudina Hajdari.

Për Rudina Hajdarin, situata me KZAZ-të dhe me përplasjet e forta institucionale që po ndodhin së fundi në Shqipëri duhej të ishin evituar. Sipas saj, njësoj fajtorë janë të dyja palët që sipas saj po i hedhin benzinë zjarrit.

“Një seancë e jashtëzakonshme duke marrë parasysh se çfarë po ndodh jashtë këtyre mureve, një situatë që duhej të ishte evituar më parë. Ja ku erdhëm për shkak të politikës shqiptare, të së njëjtës metodë të 30 viteve të fundit. Disa individë luftojnë njëri-tjetrin dhe në asnjë lloj mënyrë nuk shmangin dhunën. “Dhuna fillon aty ku mbaron arsyeja”. Dhuna fillon aty ku mbaron politika. Por ka dhunë fizike, psikologjike, verbale, dhe nëse do flasim për dhunë kemi një dhunë të jashtëzakonshme që po ndodh si nga individë të caktuar jashtë parlamentit, por edhe nga kryeministri që vijon të përdorë një gjuhë arrogante, ofenduese për deputetët e këtij parlamenti. Është e drejtë të themi që ne kemi humbur arsyen në mënyrë që sot nuk jemi në gjendje t’i japim shqiptarëve përgjigje si do të zgjidhim konfliktin që po ndodh në të gjitha qytetet e Shqipërisë, dhe pritet të kemi akoma më shumë konflikte të tjerë. Jemi përballë një realiteti që duhej të ishte evituar me kohë. Jemi përballë një realiteti që kërkon shtetarë që japin zgjidhje dhe jo t’i hedhin akoma më shumë benzinë zjarrit. Asnjë palë nuk po përdor arsyen për të evituar këtë situatë. Është koha që parlamenti të funksionojë për të gjetur një rrugëdalje në këtë krizë të madhe. Është koha t’i themi jo dhunës, për të gjetur zgjidhje. Duhet të ndodhë një herë e më parë edhe ndryshimi i sistemit zgjedhor. Është kohë të përfundojmë reformën në drejtësi”, u shpreh Rudina Hajdari.

PD sulmon KZAZ-të, Rama: Revolucioni imagjinar me punonjës blu

E ndërsa gjatë gjithë ditës së mërkurë, por edhe të martën, militantë të PD-së dhe LSI-së me në krye ish deputetë kanë sulmuar KZAZ-të në disa bashki të vendit, Kryeministri Rama në Twitter shkruan se ky është një revolucion imagjinar.

Rama sqaron se ishte e parashikuar prej tij kjo lëvizje e opozitës, që  nuk mbështet nga populli, por vetëm nga punonjës të PD-së dhe LSI-së.

Kryeministri më tej i bën thirrje qytetarëve të distancohen nga aktet e dhunës pasi siç shkruan ai nuk ka vlen të përballen me ligjin për Lulin dhe Monën.

“Fatkeqësisht asgjë e paparashikuar!Vijon revolucioni imagjinar me punonjësit e bashkive blu. I pyes:A ia vlen të kryeni krime zgjedhore e të përballeni me ligjin për ata që e katandisën PD-LSI në këtë derexhe dhe duan ta bëjnë hallin e tyre me drejtësinë hall të Shqipërisë? Zero!”, shkruan Rama.

PS dërgoi më herët në Kuvend propozimin për të ndryshuar Kodin penal në mënyrë që krimet elektorale të dënohen me 5-10 vjet ndalim të udhëtimit jashtë Shqipërisë. Ndryshimet në ligj janë futur në axhendën e punimeve të Kuvendit dhe pritet të miratohen ditën e enjte në seancë parlamentare.

Të enjten ligji i ri: kush prish zgjedhjet, s’ikën jashtë (por s’vlen për 30 qershorin)

Komisionin e Ligjeve miratoi të mërkurën propozimin e deputetit të PS, Ervin Bushati, që parashikon ashpërsim të dënimeve në Kodin e Procedurës Penale për krimet zgjedhore. Sipas nismës së miratuar nga komisioni, të gjithë personat që do të kryejnë krime zgjedhore, duke cenuar zgjedhjet dhe sistemin demokratik, nuk do të shkelin dot jashtë territorit të Shqipërisë për 5-10 vite.

Kryeministri Rama ka njoftuar menjëherë pas miratimit në komision të ndryshimeve të Kodit Penal se ky projektligj do të kalojë nesër në seancë në Kuvendin e Shqipërisë.

Gjatë bisedës me banorët e njësisë nr. 1 në Tiranës kryeministri Rama tha se parlamenti do të votojë ndryshimet në ligj, sipas të cilit kush kryen krime elektorale nuk do lejohen të dalin nga vendi.

Ai tha se e gjithë kjo rrëmujë bëhet nga frika e reformës në drejtësi, ndërsa shprehur keqardhje për njerëzit që do të përfundojnë në burg për Lulin.

“Nuk do lejohet të dalin nga vendi 5-10 vite kush kryen krim elektoral; Kjo masë do të kalojë nesër në Parlament; E gjithë kjo rrëmujë bëhet nga frika e reformës në drejtësi; Keqardhje për ata që i ndjekin se po përfundojnë burgjeve; Shkojnë në burg për Lulin dhe për fallxhoren;  Nxisin njerëzit të bëjnë rrëmuja, vetë flenë në shtëpitë e tyre”, tha Rama.

Edhe më herët kryeministri ka thënë se ata që kryejnë krime elektorale nuk do të futen në BE dhe në SHBA. Madje ai ka thënë se nga ky vendim do të preken jo vetëm qytetarët e thjeshtë por edhe ata që i nxisin, ndërsa ka përmendur dhe rastin e Berishës.

Por në fakt ligji që miratohet të enjten, nuk do të ketë fuqi prapavepruese. Ndër të tjera, ligji është kontestuar gjatë gjithë ditës së mërkurë nga opozita, kështu që është e pritshme që ai të kthehet nga Presidenti në Parlament. Me pak fjalë ky ligj s’do ketë asnjë vlerë apo efekt për dhunën para, ose gjatë 30 qershorit.

Sulmet në KZAZ, Rama: Të turpshme, por duhet t’i vëmë vijën, nuk vazhdohet me molotovë

Kryeministri Rama i ka cilësuar të turpshme sulmet që opozita ka ndërmarrë ndaj KZAZ-ve në bashkitë e drejtuara prej PD-së dhe LSI-së.

Në një kafe me banorët e njësisë nr 1 në Tiranë ku ka vazhduar fushatën elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit, kryeministri ka pranuar se situata nuk është e lehtë, por theksoi se duhet të vazhdojnë në mënyrë që t’i vihet vija dhe të mos krijohen më precedentë për të ardhmen. “E di që s’e kemi të lehtë, por ama këtyre duhet t’i vendosim vijën. S’mund të lejojmë më molotovë, shashka e shantazhe, sepse po i hap rrugën këtyre nuk mbarojnë kurrë”, tha Rama.

Ai tha se djegia e shkollës në Shkodër u bë vetëm për një foto, për t’ia treguar botës që këta nuk i meritojnë negociatat.

“Tani vdekjen nuk ia urojmë askujt, por është fatkeqësi e madhe. Janë përpjekje të dëshpëruara, do të bëjnë akoma edhe ca sherre të tjerë, por nuk kanë asnjë të ardhme. Ajo e Shkodrës dje ishte e turpshme. Por nuk kanë cfarë të bëjnë më shumë se nuk e kanë popullin me vete. Është për fotografi për televizor për t’i cuar jashtë, që ky vend nuk i meriton negociatat”, tha Kryeministri i cili komentoi edhe përgjimet e publikuara nga BILD.

Ai tha sekush është përgjegjës të shkojë para ligjit, ndërsa për telefonatën e tij shtoi se është një bisedë normale që do ta bënte sërish.

“Merren me pisllëqe me përgjime, që duhet të ishin hetuar dhe provuar, dhe kush është përgjegjës duhet të përgjigjet para ligjit dhe nxjerrin përgjime sikur.

Nxjerrja nga konteksti është. Ato biseda i bëj prapë, ato janë për fushatën elektorale për komisionerët, për objektivat, pritshmëritë, prandaj jemi të organizuar dhe i mundim ata”, tha Rama.

ERTV Live😊: Me banorët e Njësisë Administrative Nr.1 TIRANË #30QERSHOR🌹 ⭐BASHKIA QE DUAM⭐ SHQIPERIA🇦🇱QE🇪🇺DUAM

Gepostet von Edi Rama am Mittwoch, 19. Juni 2019

Negociatat në tetor, Rama: Lajm shumë pozitiv nga Europa

Kryeministri Edi Rama e sheh si një lajm shumë pozitiv vlerësimin që Këshilli i Europës i ka bërë rekomandimit të Komisionit Europian për përmbushjen nga Shqipëria të kushteve për çeljen e negociatave me BE. Në një postim në “Twitter” Rama shkruan se Shqipëria do ti rezistojë deri në fund ofensivës së sharjeve, kërcënimeve, molotovëve dhe përgjimeve baltosëse.

Lajm shumë pozitiv nga Europa në rrugën e çeljes së negociatave, pavarësisht luftës pa limite të frontit politik të së keqes,që po bën çmos të sakatojë vendin në sytë e Europës,për të bllokuar negociatat me sharje,kërcënime,molotovë e përgjime baltosëse, Shqipëria po reziston. Ministrat e jashtëm të BE kanë miratuar në Luksemburg, kalimin tek kryetarët e shteteve të rekomandimit për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, me synim muajin tetor. Le t’i rezistojmë deri në fund ofensivës së baltës dhe gurëve kundër Shqipërisë. Të gjithë bashkë në 30qershor.’ – shkruan Rama

Rama ironizon protestat: Janë si koncerte, mund të bëhen pjesë e paketave turistike

Kryeministri Rama ka ironizuar protestat e opozitës duke i cilësuara ato si koncerte dhe pjesë të paketave turistike, ku të huajt mund të prenotojnë dhe të vijnë t’i shohin nga larg. ” Kur e shikoni Shqipërinë sot mund të mendoni se Shqipëria nuk është vendi i duhur për të investuar. Ajo që po ndodh nuk është një revolucion, por një protestë politike. Madje protestat mund të jenë pjesë e paketave turistike. Sepse ndodhin si të ishin koncerte, të shtunave në orën 8:00. Kështu që nëse doni, prenotoni dhe mund ta shikoni. Nuk është i gjithë vendi në flakë, ata vijnë aty, hedhin molotovët e tyre, por nëse qëndroni në distancë, mund ta shijoni dhe këtë nuk e gjeni në Europë në këtë moment.”

Këto komente Rama i bëri nga Londra gjatë një forumi mbi Ballkanin Perëndimor, organizuar nga prestigjiozja Financial Times me temë: “Mundësia e investimit në një rajon me rritje të shpejtë”.

Rama tha se Shqipëria është një prej vendeve më pro europiane, pasi nuk ka asnjë parti që është kundër Europës, madje shoti se “ne kemi myslimanë dhe të krishterë, por myslimanët tanë ja pa dyshim më europianë se sa votuesit e partisë së Marine le Pen.”

Përplasja, Rama: Meta i vuri vizën vetes, ndërsa vizat s’kanë shans të kthehen

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në twitter pas deklaratës së presidentit Meta për rikthimin e vizave. Rama këshillon Metën që të mos shqetësohet se nuk ka asnjë shans që të rikthehen vizat për Shqipërinë, por të shqetësohet për vizën që i vuri vetes si kryetar i shtetit.

Rama shkruan se Meta u bë palë e frontit kundër zgjedhjeve dhe drejtësisë.

“Ilir Meta mos shqetësohet për rikthimin e vizave (vizat nuk ka asnjë shans të rikthehen) po të shqetësohet për vizën qe i ka vënë figurës së kreut të shtetit, duke u bërë pjesë e frontit politik kundër zgjedhjeve dhe kundër drejtësisë! Ky front kundër Shqipërisë do dështojë. Me turp!”, shkruan Rama.

Më herët Ilir Meta sulmoi qeverinë për vizat, duke i bërë thirrje që të marrë masa, pasi rrezikohet rikthimi i vizave. Kreu i Shtetit  e ka bazuar thirrjen e tij në deklaratën e Avramopoulos të hënën për DW, kur tha se BE mund të ndërmarrë hapa, po u shtuan kërkesat për azil. Por Presidenti Meta e ka cilësuar rrezik për Shqipërinë këtë deklaratë, pavarësisht se komisioneri për migrim thoshte po vetë në atë prononcim se aktualisht kërkesat janë në nivel të ulët.

“Pas depozitimit të kërkesës së Holandës për pezullimin e vizave drejtuar Komisionit Europian, njoftimi i djeshëm i Komisionerit për Migrim, Punët e Brendshme dhe Shtetësi, z. Dimitris Avramopoulos që paralajmëronte ndërmarrjen e masave ndaj Shqipërisë, krahas Venezuelës dhe Kolumbisë, është një kambanë alarmi për të gjithë”, thotë Presidenti, duke u bërë thirrje të gjitha institucioneve shtetërore përgjegjëse të ndjekin me prioritet absolut këtë çështje që mbart një ndjeshmëri të madhe për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Por kryeministri Rama e hedh poshtë këtë rrezik duke thënë se nuk ka asnjë shans për rikthimin e vizave.

Përgjimet e Bild, Rama: Janë mbajtur për shantazh nga shërbëtorët e Saliut

Kryeministri Rama ka reaguar pas publikimeve të audio-përgjimeve nga Bild. Ai i ka cilësuar këto auto-përgjime të ruajtura nga shërbëtorët e Saliu për të goditur Shqipërinë në procesin e saj të i integrimit si dhe për të ndalur reformën në drejtësi. Rama bëri thirrje që prokuroria të vijojë hetimet dhe të zbardh deri në fund se ku dalin provat e fajësisë pra ligjit.

Përgjimet e reja të BILD provojnë:

“Përgjimet e pahetuara të shërbëtorit të Saliut tregojnë përsëri se u bënë për shantazh, jo për drejtësi! Dhe u mbajtën tek partia për këtë ditë të zezë, kur duhet sulmuar Shqipëria me “zbulime gjermane”, për të bllokuar negociatat dhe ndaluar drejtësinë që vjen me kapitujt 23/24. Nxis prokurorinë të vijojë intensivisht hetimet për të nxjerrë deri në fund ku mbarojnë llafet dhe ku dalin prova fajësie para ligjit,nëse ka të tilla. Por sidoqoftë,kjo ndërmarrje kriminale për të helmuar dynjanë,do ta marrë përgjigjen e merituar në 30 qershor e më tej akoma”, shkruan Rama.

Rama vizitë në Londër, por nuk heq dorë nga 30 qershori

Kryeministri Rama ndodhet të hënën në një vizitë në Londër, ku do të marrë pjesë në Forumin e prestigjiozes Financial Times- Investimet në Ballkanin Perëndimor. Vetë kryeministri njoftoi se kjo është një ndërprerje e pashmangshme nga fushata por shumë shpejt do të nisë faza finale drejt 30 qershorit.

“Shkëputje e pashmangshme nga fushata për të marrë pjesë në Forumin e prestigjozes Financial Times – Investimet në Ballkanin Perëndimor. Pasnesër gati për fazën finale drejt 30 qershorit, ditës kur populli do t’u japë një mësim të paharrueshëm kundërvënësve të tij pa din e iman”, shkruan kryeministri në Twitter.

Ai është i vendosur për zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor, pavarësisht dekretit të presidentit Meta për anulimin e tyre. Maxhoranca e ka cilësuar antikushtetues dhe nul këtë dekret të cilin as KQZ nuk e mori në konsideratë dhe po vazhdon përgatitjet për zgjedhjet.

Skip to toolbar