Të enjten ligji i ri: kush prish zgjedhjet, s’ikën jashtë (por s’vlen për 30 qershorin)

AKTUALITET


Komisionin e Ligjeve miratoi të mërkurën propozimin e deputetit të PS, Ervin Bushati, që parashikon ashpërsim të dënimeve në Kodin e Procedurës Penale për krimet zgjedhore. Sipas nismës së miratuar nga komisioni, të gjithë personat që do të kryejnë krime zgjedhore, duke cenuar zgjedhjet dhe sistemin demokratik, nuk do të shkelin dot jashtë territorit të Shqipërisë për 5-10 vite.

Kryeministri Rama ka njoftuar menjëherë pas miratimit në komision të ndryshimeve të Kodit Penal se ky projektligj do të kalojë nesër në seancë në Kuvendin e Shqipërisë.


Gjatë bisedës me banorët e njësisë nr. 1 në Tiranës kryeministri Rama tha se parlamenti do të votojë ndryshimet në ligj, sipas të cilit kush kryen krime elektorale nuk do lejohen të dalin nga vendi.

Ai tha se e gjithë kjo rrëmujë bëhet nga frika e reformës në drejtësi, ndërsa shprehur keqardhje për njerëzit që do të përfundojnë në burg për Lulin.

“Nuk do lejohet të dalin nga vendi 5-10 vite kush kryen krim elektoral; Kjo masë do të kalojë nesër në Parlament; E gjithë kjo rrëmujë bëhet nga frika e reformës në drejtësi; Keqardhje për ata që i ndjekin se po përfundojnë burgjeve; Shkojnë në burg për Lulin dhe për fallxhoren;  Nxisin njerëzit të bëjnë rrëmuja, vetë flenë në shtëpitë e tyre”, tha Rama.

Edhe më herët kryeministri ka thënë se ata që kryejnë krime elektorale nuk do të futen në BE dhe në SHBA. Madje ai ka thënë se nga ky vendim do të preken jo vetëm qytetarët e thjeshtë por edhe ata që i nxisin, ndërsa ka përmendur dhe rastin e Berishës.

Por në fakt ligji që miratohet të enjten, nuk do të ketë fuqi prapavepruese. Ndër të tjera, ligji është kontestuar gjatë gjithë ditës së mërkurë nga opozita, kështu që është e pritshme që ai të kthehet nga Presidenti në Parlament. Me pak fjalë ky ligj s’do ketë asnjë vlerë apo efekt për dhunën para, ose gjatë 30 qershorit.




Skip to toolbar