Ekspertët mendojnë se pallatet e vjetra duhen
kontrolluar nga autoritetet shtetërore sa i përket rrezikut nga tërmetet,
pavarësisht se kaluan një test shumë të fortë, duke pasur parasysh se Shqipëria
mund të gjenerojë tërmete me magnitudë deri në 6.5 të shkallës Rihter, ndërsa
vendi ynë u godit nga një valë me shkallë 6.4 Rihter. Këtë e kanë deklaruar
ekspertët në emisionin Real Story të Sokol Ballës, duke vënë theksin se rreziku
më i madh vjen nga ndërhyrjet në pallate dhe shtesat anësore të tyre.
Agron Hysenlliu, drejtor i Institutit të Ndërtimit
deklaroi se Instituti i tij ka këmbëngulur që në godinat e vjetra të bëhet
kontrolli. “Këto godina janë ndërtuar sipas koeficienteve të shumë viteve më
parë, ku duhet pasur parasysh edhe standardet e ndërtimit, apo materialet e përdorura.
Kjo i ka rrezikuar këto godina të vjetra, pasi intensiteti i goditjes sizmike
ka qenë më i vogël sesa është sot. Këto godina janë të rrezikuara, por sa,
duhet bërë testi”, deklaroi Hysenlliu. Po ashtu, ai vuri në dukje se ndërhyrjet
si në ambientet e kateve të para, ashtu edhe në shtesat anësore kanë ndikuar në
mënyrë të dukshme në projekte, duke prishur strukturat. Sipas tij, ato janë të
rrezikshme. “Një nga arsyet kryesore të rrezikut është pikërisht ndërhyrja dhe
riparimet në objekt”, deklaroi ai.
Të pyetur nga gazetari Sokol Balla se çfarë
shkallë tërmeti mund të përballojnë ndërtesat shqiptare, ekspertët thanë se ka
shumë faktorë dhe nuk mund të jepet një përgjigje ekzakte.
Pedagogia e inxhinierisë së ndërtimit, Diana Bardhi theksoi se Shqipëria nuk i ka apdetuar të dhënat e saj për të pasur një përllogaritje të përafërt. “Pas tërmetit të ‘79 ne nuk kishim ende në IGJEUM, një institut sizmit që maste sizmicitetin. Madje valët e sizmicitetit i ka matur Mali i Zi në kohën e ’79. Pas kësaj kushtet teknike të projektimit që janë ende sot në fuqi janë për 8.5 të shkallës Rihter. Ka një koeficient të pa apdetuar. Sot janë përllogaritur që pallatet në Shqipëri të përballojnë një tërmet me magnitudë 8.5 të shkallës Rihter”, deklaroi pedagogia, ndërkohë që inxhinieri i ndërtimit, Ervin Paci, deklaroi se Shqipëria nuk gjeneron tërmete me një magnitudë të tillë. “ 8.5 të shkallës rihter nuk ka mundësi praktike fizike të bjerë në Shqipëri, as ato nuk janë. Shqipëria mund të gjenerojë tërmete, me gjithë studimet që kam bërë deri në 6.5 Rihter që është një magnitudë lokale. Ky ishte 6.4. Gjenerimi është në bazë të tektonikës së një vendi që mund të bëhet. 8.5 Rihter mund të bëhet në Kili. Do një përplasje pllakash mijëra kilometra. 21 shtatori, për disa tipa godinash, ishte një test, ndërsa tërmeti që ra në nëntor ishte llogaritës, pasi ishte vetëm 0.1 larg shkallës maksimale të tërmeteve që mund të gjenerojë Shqipëria”, deklaroi Paci.
Ndërkaq, Avenir Kika nga shoqata e ndërtuesve deklaroi se strukturat e pallateve e përballuan tërmetin, pavarësisht disa rasteve të ndryshme, duke pasur parasysh përmasat e tërmetit. Ndërsa për muret e shembura, Kika vuri në dukje se për to nuk kemi një standard. “Sa i përket çarjes së muraturave, nuk kemi një standard. Por duhet thënë se nuk ruhen standardet që janë për ndërtimin në muraturë, ka shumë mungesë nga ana e ndërtuesve. Ndërkohë, dua të vë në dukje se çdo ndërhyrje në projekt vetëm i dobëson parametrat e rezistencës ndaj tërmetit”, deklaroi Kika. Po ashtu, ai tha se pallatet e pas viteve ‘91 i rezistuan nga pikëpamja statike shumë mirë tërmetit, sot njerëzit në këto pallate duhet të flenë të qetë. “Për sa i përket muraturave as sot nuk kemi një standard që duhet me urgjencë të bëhet se si duhet të bëhen muraturat e pallateve me kollona betoni”, tha Kika.