Tryeza politike e Reformës Zgjedhore për
arritjen e një konsensusi politikë dhe një “paqe të re” ndërpartiake ka
shkaktuar debate mes të ftuarve në emisionin “Real Story” në News 24, ku
analistët Fatos Lubonja dhe Arjan Vasjari kërkuan nga Bylykbashi, i mandatuari
i PD në këtë tryezë, se çfarë është kjo reformë dhe si do të ndal shitblerjen e
votës.
Analisti Fatos Lubonja është shprehur skeptik
nëse kjo reforme e re zgjedhore do të ndalë shitblerjen e votës apo cenimin e saj, ndërsa pyeti Bylykbashin
se çfarë mekanizmash do të përdorë opozita për ta arritur
këtë gjë.
Në përgjigje të tij Bylykbashi tha se opozita
ka propozimet e veta duke iu referuar edhe nisjes së hetimeve të SPAK për
shitblerjen e votës. Por të dy analistët, Lubonja dhe Vasjari thanë se
hetimet e SPAK nuk kanë lidhje me reformën
zgjedhore.
Pjesë
nga debati:
Lubonja: Ju duhet t’i shpjegoni publikut një gjë. Cilat janë mekanizmat, që do
të fusni ju te kjo reforma zgjedhore, që do kenë kaq gjithëpushtetshmëri për të
ndaluar ato që thoni ju?
Bylykbashi: A duhej ligji i Dekriminalizimit, që për turp na është dashur.
Dekriminalizimi të ndalon të kandidosh për gjithë jetën. Rama i shmanget atij
ligji, duke firmosur 5 kryetarë bashkie kriminelë.
Lubonja: Pra, është provë që edhe pse ju bëtë këtë ligj, Rama firmosi
kryebashkiakë kriminelë.
Bylykbashi: Ne do vëmë rregulla, që të bëhet më e shtrenjtë kjo shkelje ligji.
Lubonja: Na thuaj mor burrë nja dy detaje, se çfarë është kjo reforma, që të
binden shqiptarët. Kjo reforma do t’i vërë kufi krimit të organizuar,
oligarkëve. Na thuaj nja dy gjëra që të binden?
Bylykbashi: Reforma do bëjë pjesën e vet. Shitblerjen e votave.
Lubonja: Si do e ndalojë reforma shitblerjen e votës? Më thuaj këtë dhe unë
jam i kënaqur.
Bylykbashi: Më jep 5 fjalë dhe do ta jap përgjigjen unë. Ne sot kemi një
prokurori që nuk lëviz gishtin për krimet zgjedhore.
Lubonja: Dhe reforma do ta bëjë prokurorinë të lëvizë gishtin?
Bylykbashi: Ne kemi propozimet tona.
Vasjari: S’kanë asnjë propozim. Prokuroria, SPAK, s’kanë lidhje fare.
Bylykbashi: Shit-blerja e votës është krim i rëndë, pra bëhet krim i SPAK. Nëse
SPAK nuk e nis me këtë, atëherë ai ka dështimin e parë.
Vasjari: Bukur, por kjo s’ka lidhje me reformën.
Bylykbashi: Policia sot bën fushatë, mbron shitblerjen e votës, do t’i vëmë
rregulla.
Lubonja: Me çfarë rregulli. Bind njerëzit.
Bylykbashi: Do t’i vëmë rregulla shtesë, propozimet tona.
Lubonja: Aaa, akoma s’i keni rregullat.
Bylykbashi: Ky problem do shumë zgjidhje. Krimi duhet bërë një gjë e zezë, që
njerëzve të mos iu shkojë në mend ta bëjnë. Nuk do e bëjmë vetëm ne. Nëse nuk
vënë dorën e tyre në ato ndryshime, nesër do thonë nuk janë tonat. Që ca
rregulla më mirë do futen, nuk ka diskutim.
Vasjari: Kuadri ligjor ka qenë korrekt në Shqipëri. Ju po prodhoni bashkë një
set rregullash, që të minimizoni atë që sipas jush ka ndodhur. Korrektimet që
ju bëni do na prodhojnë një Kod Zgjedhor më të mirë, apo korrektime që do
mundësojnë, apo do vërtetojnë, se ai që ka fituar zgjedhjet i ka fituar dhe ai
që i ka humbur i ka humbur? Ju i keni humbur zgjedhjet e shkuara?
Bylykbashi: Zgjedhjet e fundit i bëmë ne dhe i humbëm. Mund të ketë shumë
spekulime, por kemi dosjen e 313, të zgjedhjeve të 2017, ku katalogu i bandave
kriminale. që konkurrojnë në Evropë, bënin terror mbi zgjedhësit. Në Durrës
besoj se janë dy mandate të marra nga kriminelët.