Gjykata liron mjekët, familjarët e 25-vjeçares protestojnë me foshnjen jetime

Gjykata e Elbasanit ka liruar nga masa e arrestit dy mjekët e spitalit të Elbasanit, të akuzuar si shkaktarë të vdekjes, pas lindjes së foshnjes së saj, të 25 vjeçarjes Rexhina Debrova.

Gjykata vendosi masën “Detyrim Paraqitje”  për dy mjekët e Elbasanit, kardiologun Mehmet Ibaj dhe reanimatorin Niko Thano.

Ndërsa jashtë dyerve të gjykatës familjarët e Rexhinës së ndjerë kanë protestuar me foshnjen vetëm disa ditëshe në krahë.

Rexhina Debrova 25-vjeç ndërroi jetë pas lindjes në maternitetin e Elbasanit.  Spitali i Elbasanit ka dhënë një  deklarate për mediat, ku shprehet se 25-vjeçarja “u paraqit në spital më datë 22.04.2019 në orën 10:25 paradite. Pacientja ka ardhur me urgjencë në spital, me barrë të vonuar 42-javëshe dhe është futur në sallë, ku mjekët asistuan lindjen e fëmijës, i cili erdhi në jetë në orën 11:50”.

Më tej në deklaratë thuhet se foshnja e ardhur në jetë u reanimua dhe gëzon shgëndet të plotë, ndërkohë që sa i përket punës së stafit mjekësor, thuhet se ka dhënë trajtimin e duhur, por nëna e re dyshohet se pësoi komplikacion postoperator trombemboli pulmonare, e papajtueshme me jetën.

Familjarët akuzojnë mjekët e spitalit për neglizhencë në trajtimin e këtij rasti.

Skip to toolbar