Shtyhet seanca më 19 shtator, Tahiri: Provat e pafajësisë i ka vet prokuroria

Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur shtyrjen e seancës për dhënien e vendimit për akuzat e ngritura ndaj ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Seanca është shtyrë më datë 19 shtator në orën 09:00 për të vendosur përfundimisht në lidhje me akuzat e ngritura ndaj ish ministrit Tahiri.

Më herët, gjatë seancës prokuroria ka kërkuar 12 vite burg për Saimir Tahirin, ndërsa gjykata kishte pranuar gjykimin e shkurtuar për çfarëdo mase që do të jepet ndaj ish ministrit. Ai akuzohet për veprën penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’.

Pas shtyrjes së seancës, Saimir Tahiri bëri një deklaratë të gjatë para gazetarëve, ku u shfaq mjaft i ngarkuar emocionalisht, por i gatshëm t’i përgjigjej të gjitha pyetjeve. Gjatë fjalës së tij, Tahiri tha se nuk ka nevojë për prova të reja, pasi do të përdorte në mbrojtje të tij, vetëm provat e prokurorisë, ndërsa theksoi se kjo betejë me drejtësinë është një nga betejat më të rëndësishme të jetës së tij.

‘Unë nuk kam marrë asnjë provë të re, kam analizuar vetëm provat e prokurorisë. Jaeld Çela nuk ka qenë as drejtor a polic në Vlorë kur ata na akuzojnë që kemi bashkëpunuar në trafik droge Kjo hyn tek betejat më të rëndësishme të jetës sime, dhe këtë betejë e kam përballur si qytetar, se ika si deputet. Unë dhashë dorëheqjen nga të gjitha, për tu përballur si qytetar vetëm me lëkurën time. Mua më intereson drejtësia dhe drejtësia bashkë me lirinë, jo i ndrydhur brenda korridoreve të pushtetit.’ u shpreh Tahiri, i cili tha se beson tek drejtësia dhe se provat që prokuroria nxjerr kundër tij, në fakt nëse lexohen siç duhen janë provat edhe të pafajësisë së tij.

“E vërteta ime është e provuar me letra dhe fakte aq kokëfortë sa askush nuk i del dot përballë. Këta policë e kanë denoncuar Mojsi Habilajn në polici, këta policët e kanë nisur procedimin për të cilin akuzohem dhe unë. Këta janë pjesë e grupit? Ne anëtarët e grupit kemi denoncuar njëri-tjetrin? Është aq i gënjeshtërt ky proces sa nuk i jap dot shpjegim. Nuk i shkoj fare historisë nëse do dënohem çfarë do bëj, këto janë hipoteza që nuk dua t’i konsideroj se besoj shumë tek e vërteta ime dhe ajo që shtjellova në gjykatë. Besoj tek drejtësia siç bëri drejtësia italiane.” shprehet ndër të tjera Tahiri

Në lidhje me akuzat për shpenzime elektorale, Tahiri tha se këto nuk janë aspak të verat dhe tha me ironi se në këtë rast i bie që të hetohet edhe Rama. Ish ministri deklaroi se prokuroria ka hetuar të gjitha pasuritë e tij, ndërsa në lidhje me grupin  me të cilët akuzohet për trafik drogë, tha se kjo ishte absurde pasi i bie të kryente trafik në një kohë që ishte duke luftuar Lazaratin.

“Shpenzimet për fushatë, 5 milionë euro në një muaj: Të hetohet edhe Rama?! nëse prokuroria ka një përgjim ku ministri i brendshëm harxhon 20 milionë euro në fushatë, unë kisha vetëm një muaj në detyrë dhe dy trafikantë bisedonin ai merr 5 milionë euro në muaj, nëse prokuroria e merr seriozisht këtë përgjim banal, nuk duhej të kursente njeri pa hetuar. Ç’është kjo parti dhe këta njerëz që harxhoka 20 milionë euro në fushatë? Por edhe prokuroria e di që ai përgjim është banal dhe ordiner. Prokuroria ka pasur dy vjet kohë ta hetonte. Ka hetuar çdo pasuri timen, në Shqipëri, nëpër botë, pasurinë e prindërve të mi, të rrethit tim shoqëror, mbi 30 persona. Unë kam zero kontakte dhe takime me personat e akuzuar. Si dreqin e kam bërë unë këtë? Ata më akuzonin për trafik droge në një kohë që ne luftonim Lazaratin. Si mund t’i bëja të dyja? Mos harroni kurrë ministrin që isha dhe luftën që kam bërë kundër drogës. Ndërkohë që luftoja Lazaratin t’i shkelja sytë disa trafikantëve? Është gënjeshtër e madhe që mu desh kohë ta çmontoja, shpresoj të shkojë mirë deri në fund.”- ka thënë Tahiri

Tahiri tha e në lidhje me shpenzimet e tij është hetuar edhe nga drejtësia italiane, e cila faktoi se nuk zotëroja asgjë jashtë Shqipërisë.

“S’kam asnjë kod, unë jam shumë i drejtpërdrejt, përtoj të gënjej, e kam kollaj të them çfarë mendoj drejtpërdrejt. E përmenda atë që unë kam shpenzuar 140 euro ndërsa të tjerë 900 euro nata në hotel, siç përmenda edhe veten se më kanë akuzuar që kam përdorur hotel 1 mijë euro nata. Unë  faktoj me letër porosi nga të gjitha vendet e BE që thonë që unë nuk kam asnjë pasuri, asnjë tokë asnjë shtëpi as një makinë në ato vende, dhe nuk kam pasur shpenzime marramendëse. Siç jua ka hedhur prokuroria që thotë se ka fjetur me 1 mijë euro, prova më e mirë është ajo që dhashë në gjykatë, ku autoritetet italiane kanë pyetur çdo hotel dhe çdo restorant ku kam ndenjur kur isha ministër, dhe maksimumi ishte 140 euro.”

Akuzat për fikjen e radarëve në Sazan, Tahiri tha se kjo nuk mund të ndodh pasi nuk ka një punëtor apo operator që mund të bëjë këtë gjë. “Fikja e radarëve në qendrën e Sazanit: Në dijeni time radarët teknikisht nuk mund të fiken, nuk ka një operator të zakonshëm që t’i fikë. Prokuroria kishte dy vjet kohë të vërtetonte në kuadër të cilësdo organizatë kriminale këta radarë të fiken. Unë e them, jo dhe jo. Nuk ka ndodhur kurrë dhe nuk mund të ndodhen. Sepse radarët nuk i janë lënë në dorë me një çelës një punëtori. Prokuroria e hamendëson këtë sikur kjo është pjesë e veprimtarisë kriminale.”

Nëse do të vendoset për dënimin e Saimir Tahirit sipas kërkesës së Prokurorisë, ish-ministri do të përfitojë ulje të dënimit nga 12 në 8 vjet, kjo pasi gjykata ka pranuar gjykimin e shkurtuar. Veç ish-ministrit, prokuroria ka kërkuar 12 vite burg dhe për Jaeld Çelën, ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, i cili është ende në arrati.   

Batutat e Tahirit në gjykatë dhe thumbi për Ramën

Ka zgjatur më shumë se dy orë seanca e mbrojtjes e Saimir Tahirit përpara trupës gjykuese në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku po zhvillohet procesi i gjykimit në ngarkim të tij për disa akuza. Sipas raportimeve të mediave nga seanca gjyqësore mësohet se Saimir Tahiri u ka drejtuar disa pyetje prokurorëve, që më herët kërkuan dënimin e tij me 12 vjet burg.  

“Prokuroria më akuzon mua për 4 episode trafikimi droge. Por akuzat nuk kanë logjikë. Prokuroria më akuzon për raste të trafikimit në vitet; 2013, 2014, 2015. Ndërkohë që dy hetimet kronkrete, ndaj Taulant Haxhirajt dhe Moisi Habiljat kanë nisur në 2016”, mësohet të jetë shprehur Tahiri. Ish-ministri, ka pyetur prokurorët se “si ka mundësi që prokuroria mund të më akuzojë për sasi droge të kultivuara para se të merrja detyrën e ministrit?”.

Më tej, ish-ministri ka shtuar ngritur edhe pyetjet të tjera, duke i kërkuar prokurorisë që të fliste dhe publikonte fakte konkrete. Sipas Tahirit, se për episodin e parë që mendohet se ka favorizuar Habilajt, në tetor të vitit 2013,  policia ka proceduar dy vëllezërit Florian dhe Moisi Habilaj për heqje të paligjshme të lirisë.

 “Si mundet që unë t’i dërgoja ata në procedim për sa kohë i favorizoja në trafikun e drogës?!”, -mësohet të jetë shprehur Tahiri. Më tej, ai ka sqaruar edhe letrën që i ka dërguar Mimi Kodhelit për fikjen e radarëve. “Prokuroria e lë të mjegullt faktin se asokohe janë fikur radarët. Por unë në cilësinë e ministrit, i jam drejtuar as kohe me shkresën e datës 29/10/2013, (shkresë sekrete) koleges time, ministres Kodheli, duke e informuar se nuk punonin radarët”.

Gjatë kohës që ka bërë mbrojtjen, Tahiri ka përmendur edhe një letër porosi të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që ka kërkuar informacion për faturat e fjetjes në hotel të ish-ministrit. Sips News 24, mësohet se Tahiri është shprehur se hoteli më i shtrenjtë ku ai ka fjetur ka “qenë 140 euro, jo 900 euro si ajo tjetra”, duke iu referuar faturave të publikuara pak kohë më parë për ministren e drejtësisë.

“Prokuroria ka hetuar të gjithë lidhjet e mia shoqërore dhe ka pyetur me letër porosi, se c’ punë kishte këtë nuk e di. Ka cuar letër porosi dhe ka pyetur edhe për çmimet e hoteleve ku kam fjetur, në media u tha se unë flija në hotele me 1 mijë euro nata. Por ju garantoj se me letër porosi është garantuar se çmimi më i shtrenjtë i paguar si ministër, është vetëm 140 euro, jo si ajo tjetra që paguante 900 euro nata.” mësohet të jetë shprehur Tahiri.

SHBA ndjek “Tahirin”. Ish ministri zbulon shkresën “top secret”

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar dënimin me 12 vite burg të ish-ministrit Saimir Tahiri, i cili akuzohet për veprën penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’. Kërkesa e prokurorisë është bërë të martën rreth mesditës në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku është zhvilluar seanca për gjykimin e Saimir Tahirit. Veç ish-ministrit, prokuroria ka kërkuar 12 vite burg dhe për Jaeld Çelën, ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, i cili është ende në arrati. Kjo ka qenë kërkesa e prokurorisë, ndërkohë që ish-ministri po mbrohet nga avokatët e tij, nga ku mësohet se ka paraqitur prova të reja në gjyq.

Sipas mediave, mësohet se Tahiri ka paraqitur një shkresë ‘top secret’, me anë të së cilës, kur ishte ministër i brendshëm, i kërkonte koleges së tij në ministrinë e mbrojtjes, Mimi Kodheli, që të merrte masa për radarët. Gjithashtu, Tahiri është shprehur se nuk ka ndihmuar kurrë për trafikun e drogës, duke treguar gjithashtu një rast kur vëllezërit Habilaj, në kohën që ai ka qenë ministër, janë proceduar për pengmarrje. Ndërkohë, para gjykatës, Tahiri mësohet se ka pranuar që u ka shitur një makinë vëllezërve Habilaj, me të cilën ai dyshohet se ka lëvizur dhe jashtë vendit.

Gjithashtu, mësohet se në seancën gjyqësore te Gjykata e Krimeve të Rënda, kanë qenë dhe përfaqësues të SHBA, që sipas Report Tv, kanë ndjekur seancën gjyqësore ndaj Tahirit. Tashmë pritet të konfirmohet nëse Gjykata e Krimeve të Rënda do të marrë një vendim të martën e 10 shtatorit, apo do të kërkojë më shumë kohë për t`u njohur me provat e reja të paraqitura nga ish-ministri, dhe më pas të vlerësojë kërkesën e Prokurorisë për dënimin ose jo të Tahirit. Nëse do të vendoset për dënimin e Saimir Tahirit sipas  kërkesës së Prokurorisë, ish-ministri do të përfitojë ulje të dënimit nga 12 në 8 vjet, kjo pasi gjykata ka pranuar gjykimin e shkurtuar.

Prokuroria kërkon 12 vite burg për Saimir Tahirin, pritet vendimi

Ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri është paraqitur paraditen e të martës në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, ku pritet të mësojë pretencën e Prokurorisë dhe vendimin e gjykatës në ngarkim të dosjes së tij. Sipas Report Tv, mësohet se Prokuroria do të kërkojë 12 vite burg për ish-ministrin. Nëse kërkesa do të pranohet nga gjykata, Tahiri përfiton ulje të 1/3 së dënimit, për shkak të gjykimit të shkurtuar. Megjithatë është në dorë të gjykatës, nëse doo të konfirmojë ose jo kërkesën e prokurorisë.

Tahiri ka qenë i shoqëruar nga avokati i tij Maks Haxhia, ndërsa kjo është paraqitja e parë e Tahirit në Gjykatën e Krimeve të Rënda pas përfundimit të pushimeve të verës. Në fakt, në fund të muajit korrik, Gjykata e Krimeve të Rënda shtyu seancën për vendimin në ngarkim të ish-ministrit të brendshëm, ndërsa Tahiri kërkoi gjykim të shkurtuar.

Kërkesa e tij është pranuar, ndërsa këtë të martë prokuroria pritet të paraqesë konkluzionet përfundimtare për hetimin ndaj Saimit Tahirit si dhe kërkesën për dënimin e tij. Ndërkohë, ish-ministri akuzohet për veprën penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar krimina”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’.

Megjithatë, kujtojmë se Tahiri nuk është përfshirë në gjykimin e dosjes “Habilaj”, për të cilën drejtësia italiane ka dhënë vendimin me burg për disa të arrestuar, përfshi Moisi Habilajn, ish-kushuririn e Saimit Tahirit. Drejtësia në vendin fqinj nuk gjeti prova që implikonin Saimir Tahirin në trafikun e drogës të organizuar nga vëllezërit Habilaj në Vlorë, ndaj në Itali u pushuan hetimet për ish-ministrin e brendshëm.

Mbante dy patenta lundrimi të Saimir Tahirit, Krimet e Rënda heqin dorë nga hetimi i Orest Sotës

Pas dosjes për përgjimet e zgjedhjeve në Dibër, e njohur si “Dosja 184”, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka transferuar një tjetër dosje të bujshme. Bëhet fjalë për dosjen hetimore në ngarkim të biznesmenit Orest Sota, i cili u arrestua në vitin 2017 në Elbasan, ku gjatë kontrollit në mjetin e tij u gjetën 863 mijë euro të padeklaruara dhe dy patenta lundrimi të ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri.

Sipas Report Tv, mësohet se kanë qenë dy prokurorët e Krimeve të Rënda, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, që kanë shpallur moskompetencë për këtë dosje, duke e dërguar për hetime të mëtjeshme në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Elbasanit.

Dosja i ka kaluar në dorë prokurores Erida Konkonozi, e cila do të vijojë hetimin për biznesmenin Sota. Ashtu si në rastin e dosjes 184, edhe përë transferimin e kësaj dosje argumenti është i njëjtë, “veprat penale të kryera në këtë dosje nuk janë në kuadër të grupit të strukturat kriminal”, duke shpallur moskompetencë për hetimin e mëtejshëm të dosjes.

Vendimi nga Krimet e Rënda për transferimin e kësaj dosjes është marrë gjatë muajit korrik, ndërsa së fundi ajo i ka kaluar Prokurorisë së Elbasanit. Orest Sota akuzohet për veprat penale “pastrimit të parave” dhe “fshehjes së të ardhurave” dhe u arrestua në Elbasan ku në makinën e tij u gjetën një shumë prej 863 mijë euro dhe dy patentat e lundrimit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Edhe Tahiri preket nga “sindroma” i dalin thinjat duke pritur gjyqin

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i është bashkuar edhe ai trendit më të fundit në rrjet atë të plakjes. Ish ministri ka postuar një foto në rrjet përmes të cilës ironizon shtyrjen e gjyqit ndaj tij.

“Duke pritur gjyqin….Një gjyq që duhet të ishte shembull korrektese e profesionalizmi, u shty edhe sot. Hera pare u shty se posta padashje kishte grisur letrat. Hera e dytë se polici nuk kishte bërë njoftimet.

Hera e tretë (sot) se Prokuroria kishte humbur ca letra e nuk i gjente dot. Letrat me të cilat kërkoi arrestimin tim në parlament, sot i kishin humbur.  QESHARAAAAAKE!!!!! Shty e shty e shty…por dita ime nuk largohet dot” shkruan Tahiri bashkëngjitur me foton e tij të plakur falë aplikacionit FaceAPP që i ka çmendur të gjithë në rrjet.

Gjatë të mërkurës u shty sërish gjyqi ndaj ish ministrit Tahiri për shkak se Prokuroria e Krimeve të rënda i ishin zhdukur nga dosja dëshmitë pro ish ministrit Tahiri.

Në një komunikim me mediat, Tahiri është shprehur i ashpër për seriozitetin e Prokurorisë, ndërsa shton se është e papranueshme që arsyeja të jetë “humbja e letrave”.

Përgjimi nr.3 i Bild, Robert Aga-Saimir Tahirit: Bëra detyrën, jam ushtari yt!

Në aduiopërgjimin nr.3 të publikuar nga Bild, Shefi i Policisë së Dibrës, Robert Aga zhvillon një bisedë me Xhemal Qefalinë, deputetin e PS, që gjithashtu ia kalon telefonin edhe ish-ministrit Saimir Tahiri dhe deputetit Ulsi Manja. Këta tre të fundit e komplimentojnë Robert Agën për punën e bërë në Dibër, teksa shefi i policisë kërkon të lëviz prej aty për të shkuar në komisariatin e Bulqizës.

Robert Aga: Si je?

Xhemal Qefalia: Jam me një tavolinë kështu ku ke qejf me shku ti, në Bulqizë?

Robert Aga: Po

Xhemal Qefalia: Okay, ciao?

Robert Aga: Kush të tha ty?

Xhemal Qefalia: Jam këtu me kryeministrin dhe ministrin!

Robert Aga: Jo jo, unë të garantoj t`ju jap çfarë të dojë shefi (nuk është shumë e qartë)

Xhemal Qefalia: Se mos bi me atë Ben Keshin aty, si thua?

Robert Aga: Mirë

Xhemal Qefalia: Hajt se jemi këtu brenda. Do foto nga tavolina jonë?

Robert Aga: Hajde, se mos je me ndonjë…

Xhemal Qefalia: Pse e mbylle, ja ta nxjerr pak ministrin për ty (foli një çik shefit të komisariatit)

Biseda 2 mes Saimir Tahirit dhe Robert Aga

Samir Tahiri: O Berto

Robert Aga: Mirëmbrëma, si je?

Saimir Tahiri: Nuk shkon kjo punë që ma jep Xhemali telefonin që të falënderoj unë ty.

Robert Aga: Jo, të lutem…

Saimir Tahiri: Nga pikëpamja institucionale nuk shkon kjo.

Robert Aga: Sinqerisht më ka gënjyer

Saimir Tahiri: Megjithatë, faleminderit shumë për angazhimin, je i madh.

Robert Aga: E kam detyrim.

Saimir Tahiri: Edhe mos e rruj … për ato që thonë ata se s`na ha trapi ne për ato…

Robert Aga: Unë jam ushtari jot

 (merr telefonin Xhemal Qefalia)

Xhemal Qefalia: Ke të fala dhe nga Ulsiu. Foli dhe një çikë Ulsiut

Ulsi Manja: Ku je mo vëlla

Robert Aga: Si je?

Ulsi Manja: Me Kryeministrin tani

Robert Aga: Mua më duhet me shku pak atje

Ulsi Manja: Ku more?

Robert Aga: Te Bulqiza, nëse ndryshohet?

Ulsi Manja: Ne thamë që të shkon më lart për ty

Robert Aga: Mirë mo mirë, ju e dini

Ulsi Manja: Tani do më dëgjosh mua, bisedo me Xhemalin se këtë e kam si shef unë, shefin e sigurisë, që të na vish për ndonjë gjë më të madhe, se mua më duken gjëra të vogla ato o miku im.

Robert Aga: Mirë vëlla mirë

Ulsi Manja: Po mbaje Xhemalin korent se kët kemi organizuar si kryetar komisioni.

Robert Aga: Xhemalin e kam pas vartës atëherë

Ulsi Manja: Xhemali është Kryetari i Komisionit të Sigurisë

Robert Aga: Ai thotë “jam ushtari i Bertit, se Berti ka qenë komandat”

Ulsi Manja: NË rregull, në rregull…

(merr telefonin Xhemal Qefalia)

Xhemal Qefalia: Hë mor ti, më plas trapi mu…

Robert Aga: Po si ma nxjerr ministrin aty në telefon ti o k..qe.

Xhemal QEfalia: Je shoku im ti o burr, mos më çaj k…rin. A do të flasësh me Ramën ti flasësh Ramës?

Robert Aga: Po lëre o vëlla tani

Xhemal Qefalia: Mos çaj bythën, a je shoku im ti?

Robert Aga: Unë ashtu kam qenë e do jem

Xhemal Qefalia: Hajde vëlla ciao

Robert Aga: Gjithë të mirat

Veliaj për Saimir Tahirin: E kam komshi, por asnjëherë rival në PS

Ka folur për herë të parë për Saimir Tahirin dhe rivalitetin me të brenda PS-së. Erion Veliaj ka dhënë mbrëmë një intervistë në Channel One ku ka folur për kandidimin e tij për një mandat të dyte në Tiranë dhe ndër të tjera është pyetur edhe për Saimir Tahirin, i cili dikur shihej si rivali i tij brenda PS-së.

“Saimiri ka një proces në gjykatë, një gjë që unë nuk kam bërë kurrë është, që unë të fus hundët se cfarë pretendojnë gjykatat e këtij vendi. Edhe për veten time, për cdo gjë kam shkuar në gjykatë. Kam fituar 8-0 të gjitha gjyqet për shpifje ndaj meje.

Uroj shumë që dhe Saimiri  të fitojë. Ai nuk ka qenë asnjëherë konkurrenti im brenda PS, kjo është e gjitha një legjendë urbane.

Kemi pasur një marrëdhënie shumë korrekte në qeveri, sigurisht në profile shumë të ndryshme  kështu që ato dy vite që unë kam qenë në qeveri, kemi pasur një raport shumë korrekt dhe secili në ngastrën e vet.

Marrëdhëniet tona personale kanë qenë të shkëlqyera. Pasi ndodhi kjo, kam komunikuar, jemi dhe komshinj. Kjo historia e rivalitetit dhe debatit, kanë qenë të gjitha legjenda urbane.

Nuk mbaj mend të kemi debatuar ndonjëherë,

Shpesh herë kemi bërë batuta me njëri- tjetrin për këtë konkurrencën, që më shumë e ëndërronin të tjerët sesa ekzistonte”, është shprehur Veliaj.

Skip to toolbar