Meta përmend Kroacinë për integrimin në BE, por harron prangat e Sanader

Presidenti Meta e ka nisur të mërkurën me një tjetër thirrje për marrëveshje mes palëve duke thënë se tani është koha e duhur, pastaj do jetë shumë vonë për të siguruar çeljen e negociatave në Tetor. Ndërsa bën një krahasim të politikanëve shqiptar me nxënësit që nuk mësojnë dhe më pas kur dalin keq në provime ia vënë fajin mësuesit, Meta ironizon qëndrimin e Ramës gjatë konferencës të së martës i cili tha se hapja e negociatave nuk lidhet me Shqipërinë por me politikën e brendshme të BE-së dhe se në tetor gjithçka mund të ndodhë.

“Të mos kalojmë në KundërKohë!

Ky është pikërisht momenti kur koha nuk punon më për ty dhe ti fillon e gënjen veten se do gjesh një rrugë justifikimi për dështimin tënd të sigurt.

U ndodh shpesh fëmijëve kur kanë përpara provimin e një lënde që nuk i tërheq fare. Nuk e zënë me dorë librin për një kohë të gjatë dhe vazhdojnë e luajnë duke gënjyer veten se kanë ende kohë para provimit.

Por vjen një moment, kur koha nuk punon më për ty dhe kalon në KundërKohë.

Atëherë fillon e mendon si të justifikosh dështimin tënd në provimin që ti s’mësove kur duhej.

Kuptohet, zakonisht prindërve u thuhet se fajin e kishte Zysha, se ishte e keqe dhe e padrejtë.

Por fëmijëve u falen sjellje të tilla dhe ato u kthehen në mësim për të ardhmen.

Ndërsa politikanëve jo!”, shkruan Meta.

Më tej ai kujton se në vitet 2000 Shqipëria ishte disa hapa përpara Kroacisë në procesin e integrimit evropian, ndërsa tani jemi shumë mbrapa saj, pasi Kroacia është anëtarësuar me kohë në BE.

“Për më tepër të një vendi që ka shpërdoruar kaq shumë kohë dhe mundësi në tre dekadat e fundit. Të një vendi që në vitet 2000, 2001 ishte gati me të njëjtin ritëm integrues si Kroacia dhe shumë para Serbisë e Malit të Zi.

Se ku ështē Kroacia, dihet prej vitesh, por edhe Serbia dhe Mali i Zi gjithashtu. Po kështu edhe sakrifikimi i çeljes së negociatave për Maqedoninë e Veriut nuk mund të jetë, as zgjidhje, dhe as shpëtimi i fytyrës tonë që nuk duam t’i plotësojmë detyrimet që i dinë të gjithë”, shkruan Meta, i cili më tej bën thirrje për lidership e për marrëveshje mes palëve në mënyrë që në 18 tetor Shqipërisë t’i çelen negociatat me BE-në.

Janë dy gjëra që bien në sy në qëndrimin e presidentit. E para që ishte ai që me vendimin e datës 10 qershor ku firmosi dekretin për anulimin e zgjedhjeve dhe që nxiti protesta të dhunshme të opozitës ndikoi në vendimin e BE-së që të mos çelte negociatat në qershor. Përfaqësues të lartë të BE u shprehën qartë se qeveria i ka plotësuar kushtet por situata politike në Shqipëri, (protestat e dhunshme të opozitës), ndikuan në shtyrjen e vendimit. Pas u bë palë me opozitën dhe nxiti protesta Meta po përpiqet së fundi të dalë mbi palët dhe të punojë për të ardhmen evropiane të vendit.

Ndërsa e dyta lidhet me rastin e Kroacisë. Realstory.al ka shkruar më herët se përse Kroacia e fitoi anëtarësimin në BE dhe kjo lidhet pikërisht me atë që sulmon më shumë presidenti Meta, Reformën në Drejtësi. Kroacia dha shembuj konkretë se Drejtësia vepron dhe është e barabartë për të gjithë, duke dënuar me burg për korrupsion ish kryeministrin Sanader. Ndërsa në Shqipëri ende nuk kemi asnjë zyrtar të nivelit të lartë në burg, gjë të cilët BE mezi po e pret, ndërsa presidenti prej muajsh i gjuan me gurë jo vetëm reformës në drejtësi, por edhe SHBA dhe BE që mbështesin atë. Dhe sulmet e tij janë shtuar pikërisht muajt e fundit, kur po ngrihen me radhë institucionet e reja të drejtësisë, si SPAK dhe BKH. Me ngritjen e tyre nis edhe hetimi dhe dënimi i politikanëve të korruptuar. Dhënia e shembujve konkretë se drejtësia funksionon është marrëveshja më e mirë që mund të firmosë qeveria për të fituar negociatat me BE-në dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve, një marrëveshje që vlen shumë më tepër se një pazar tjetër mes Ramës-Bashës e Metës./Realstory.al

Skip to toolbar