Lleshaj-Marku: Progres në adresimin e rekomandimeve të KE për sigurinë

POLITIKË



Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku thanë se po punohet që të ketë një adresim dhe zbatueshmëri sa më të madh të legjislacionit dhe rekomandimeve të BE në luftën kundër krimit të organizuar në vend. Këto deklarata Lleshaj  dhe Marku i bënë gjatë aktivitetit të organizuar nga Këshilli Kombëtar i Integrimit për luftën kundër krimit të organizuar. Kryetarja e këtij Këshilli Rudina Hajdari, i drejtoi ministrit Lleshaj dhe kryeprokurores Marku disa pyetje lidhur me rendin dhe sigurinë në vend.

Lleshaj tha se organet e zbatimit të ligjit kanë shkatërruar 22 grupe kriminale në Shqipëri, një shifër 2-fish më e lartë krahasuar me 2018. Lleshaj tha se Ministria e Brendshme është duke punuar që të adresojë në mënyrën e duhur zbatimin e ligjit dhe legjislacionit të BE në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.


Ministria e Brendshme ka një peshë të konsiderueshme në procesin e integrimit. Është kapitulli që merret me sigurinë dhe drejtësinë. Është ai proces që synon të lexojmë dhe kuptojmë legjislacioni e BE.  Ka pasur një goditje të madhe ndaj krimit të organizuar përgjatë këtij viti. Gjatë 2019 janë goditur 22 grupe kriminale, janë arrestuar 125 persona të përfshirë në këto grupe. Ne jemi në proces konsolidimi si shoqëri.  Ne kemi goditur shumë organizata kriminale. Ne 2019 krahasuar me një vit më parë kemi rritja jo me përqindje por me herë numrin e grupeve ë goditura nga policia e shtetit.

Nëse në janar – shtator 2018 janë zhvilluar 17 operacione të mëdha, në të njëjtën periudhë të këtij viti janë zhvilluar 31 operacione të mëdha kundër grupeve kriminale. Ose nëse në janar shtator 2018 janë shkatërruar 10 grupe të krimit të organizuar në vitin 2019 janë shkatërruar 22 të tilla.”- tha Lleshaj

Në konferencë mori fjalën edhe kryeprokurorja Arta Marku, e cila theksoi se prokuroria ka bërë progres në zbatimin e rekomandimeve të KE dhe zbatimin e ligjit antimafia. Marku tha gjithashtu se do të ketë një trajnim më të madh të prokurorëve në rrethe, që të adresojnë sa më mirë hetimet dhe goditjen e grupe kriminale.

Prokuroria ka arritur progres në zbatimin e rekomandimeve të KE. Është rritur ndjeshëm goditja ndaj grupeve kriminale. Në zbatim të rekomandimit tjetër, Prokuroria synon që hetimi pasuror të unifikojë zbatimin e ligjit antimafia. Prokurorët nëpër rrethe do trajnohen për hetimin e krimit të organizuar. Ka rritje të nisjes hetimeve me vitin e kaluar. Ka një reflektim të prokurorëve për këtë tregues. Pas kryerjes së një analize është nxjerrë një qarkore për të orientuar prokurorët e rretheve.”– tha Marku