Është finalizuar me arrestimin e 8 personave aksioni i policisë në qytetin e Sarandës. FNSH dhe policia e qytetit bregdetar kanë bërë të mundur ndalimin e 8 personave që cilësohen me rrezikshmëri të lartë.
Mendohet se mes të arrestuarve është edhe nëndrejtori i Spitalit të Sarandës, Florenc Llanaj.
Të ndaluarit dyshohen se janë të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.
PDIU përmes një deklarate në Facebook e ka cilësuar si kapitullim të plotë të shtetit shqiptar vendosjen e tabelave në greqisht në Sarandë dhe rreth saj. PDIU e ka cilësuar si një skandal dhe cënim të sovranitetit të vendit.
“Vendosja e tabelave në greqisht në gjithë zonën e Sarandës, Delvinës e Konispolit , Finiqit e Dropullit përbën kapitullimin e plotë të shtetit shqiptar dhe një provokim të paprecedentë ndaj kombit tonë. Rilindja e pretendimeve “vorioepirote” nën hundën e qeverisë Rama përbën skandalin më të rëndë të 30 viteve të fundit. Nëse qeveria shqiptare nuk ndërhyn në kohë, tregon se ka gisht në cënimin e sovranitetit të vendit. Çdokush të jetë i qartë se shqiptarët nuk do të rrinë duarkryq përballë këtij skandali dhe për pak ditë, kjo shëmti do t’i përkasë historisë!”
PDIU tha se “Greqishtja është gjuhë e dytë vetëm në Finiq e Dropull dhe atje tabelat duhen fillimisht në gjuhën shqipe, pastaj në greqisht. Ndërsa vendosja e tabelave greqisht në zonat e tjera, është e palejueshme dhe duhet urgjentisht ndërhyrja e Prokurorisë dhe Qeverisë.”
Policia e Sarandës ka mundur të vërë në pranga 2 persona, pasi po tentonin të trafikonin një sasi të madhe droge.
Pas informacioneve të marra nga qytetarët, policia ka bërë të mundur bllokimin e një automjeti të dyshimtë në fshatin Mursi të Konispolit. Pas kontrollit të ushtruar në automjet, u gjetën dhe sekuestruan 10 kg lëndë narkotike të dyshuar si cannabis sativa.
Menjëherë iu bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të mjetit, shtetasit L.K., 53 vjeç, dhe shtetasit tjetër shoqërues J.Sh., 31 vjeç, të dy me banim në Gjirokastër.
Materialet iu referuan Prokurorisë në ngarkim të tyre për veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim.