Kuvendi mblidhet të enjten në orën 10.00 në një seancë parlamentare ku do të diskutohet për miratimin e dy kontratave koncesionare për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat.
Kontratat koncensionare parashikojnë që kompanitë të ndërtojnë dy akset rrugore me paratë e tyre dhe më pas të shlyhen nga buxheti i shtetit pas disa vitesh.
Sa i takon aksit Milot-Balldren në kontratën e lidhur mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, shoqërisë “ANK”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë “Bardh konstruksion”, sh.p.k., si shoqëria koncesionare, për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit parashikohet se kompania ANK do ta ndërtojë aksin 17.2 kilometër të gjatë nga Miloti në Balldren me paratë e veta dhe më pas do të shlyhet nga buxheti i shtetit me këste për 13 vjet.
Kjo kontratë ngjalli debate të mëdha për koston e lartë të saj, 256 milionë euro me TVSh, por ministria ka sqaruar se nuk është fjala vetëm për ndërtimin, por në kosto përfshihet edhe mirëmbajtja për shumë vjet.
Kontrata tjetër është lidhur mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe “Gjikuria”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë koncesionare “Rruga Orikum – Llogara”, sh.p.k. për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti jahteve – By-Pass Orikum – Dukat (Ura e Shën Elizës)””. Ky projekt parashikon ndërtimin e një aksi 14.7 kilometra që lidh Portin e Jahteve në Vlorë me By Pass-in e Orikumit dhe Dukatin. Në total, kompania do të investojë për ndërtimin e rrugës 51 milionë Euro.
Në këtë shumë përfshihet edhe mirëmbajtja e rrugës, e cila e do të ketë gjerësi 7 metra, me dy korsi. Së bashku me bankinën, gjerësia e seksionit të rrugës arrin në 10 metra. Megjithatë, kjo rrugë nuk do të përfshihet në asnjë nga kategoritë kryesore të rrugëve. Por Ministria e Infrastrukturës ka thënë se shpejtësia e lëvizjes në të është projektuar mes 60-80 kilometra në orë.