Mungesa e
kultivimit të marrëdhënieve me disa nga vendet që e kanë njohur Kosovën,
konsiderohet si një prej faktorëve që po çon në tërheqjen e këtyre njohjeve,
thonë njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare. Sipas tyre, Kosova duke lënë anash
kultivimin e raporteve dhe marrëdhënieve me këto vende, u ka lënë hapësirë
veprimi diplomacive nga Rusia dhe Serbia që të bindin disa prej këtyre shteteve
që të tërheqin njohjet.
Së fundmi,
Ministria e Jashtme e Kosovës ka akuzuar Qeverinë e Serbisë dhe kabinetin e
ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq për blerjen e tërheqjes së njohjeve të
Kosovës.
“Ne jemi
thellësisht të shqetësuar që Qeveria serbe ka instaluar korrupsionin dhe
ryshfetin si mjete diplomatike për të pranuar dokumente të falsifikuara që nuk
shërbejnë asgjë, por vetëm për përshkallëzimin e marrëdhënieve midis Kosovës
dhe Serbisë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme të Kosovës. I
përfshirë në aferën e siç thuhet ryshfetit për tërheqjen e njohjeve, përmendet
këshilltari i ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vladimir Cizelj, i cili thuhet
se “është i njohur për të kaluarën e tij kriminale dhe lidhjet me rrjetet e
krimit të organizuara jashtë Evropës”.
Origjina e fushatës
së Serbisë për t’i pakësuar njohjet ndërkombëtare të Kosovës, sipas njohësve të
marrëdhënieve ndërkombëtare, ndërlidhet edhe me stagnimin e dialogut për
normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Profesori Gëzim
Visoka, i cili është ligjërues në Dublin City University në Irlandë, thotë se
Serbia që nga momenti kur e parë se Kosova nuk është në gjendje ta formojë
Asociacionin e Komunave Serbe në versionin e Beogradit dhe që kur ishte bindur
se as trysnia ndërkombëtare mbi Kosovën nuk po funksiononte më, filloi të hapë
një front diplomatik kundër shtetit të Kosovës.
“Në esencë,
çnjohja e Kosovës ka të bëjë më fuqizimin e pozicionit negociues të Serbisë dhe
zgjerimin e mundësive diplomatike në dëm të Kosovës. Pra, sa më shumë që Kosova
do t’i rezistojë një marrëveshjeje që do t’i përshtatej Serbisë, aq më shumë
Serbia do të vazhdojë fushatën agresive kundër njohjes së Kosovës dhe
anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Prandaj, Kosova nuk duhet injoruar
dhe mohuar çështjen e çnjohjeve”, thotë Visoka.
“Në të kundërtën,
duhet ta kushtëzojë heqjen e taksës në shkëmbim të ndërprerjes dhe kthimit të
çnjohjeje, si dhe largimin e të gjithave barrierave jotarifore që Serbia ia ka
vënë Kosovës në dekadën e fundit”, tha ai.
Kurse,
zëvendësministri i Jashtëm në dorëheqje në Qeverinë e Kosovës, Anton Berisha,
konsideron se mosarritja e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk
ka ndikuar që shtete të caktuar ta vënë në dyshim njohjen e Kosovës. Ai thotë
se Serbia po ndikon të shtete të caktuar duke prezantuar jo drejt qëllimin e
dialogut.
“Unë mendoj se
rrëshqitja e bisedimeve në temat që kanë rrëshqitur, ka krijuar një paqartësi
në arenën ndërkombëtare, sidomos në disa shtete që janë jashtë zonave të
Evropës. Serbia ka qenë aktive, në kuptimin kinse bisedohet për statusin e
Kosovës dhe jo normalizim të raporteve”, tha Berisha.
Por, përveç
efekteve të “ryshfetit”, siç e cilëson Qeveria e Kosovës, theksohen edhe dobësi
tjera përbrenda diplomacisë kosovare që kanë ndihmuar apo ndikuar te disa vende
që të marrin në konsideratë apo edhe të tërheqin njohjen e Kosovës si shtet.
Profesori Gëzim
Visoka, tha për Radion Evropa e Lirë se beteja për njohje diplomatike është një
fushë që ndërlidhë faktorë të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë. Sipas tij,
janë disa faktorë që janë duke mundësuar rritjen e çnjohjes së Kosovës.
“Faktori i
parë ka të bëjë me lënien anash të fushatës për njohjen nga dy qeveritë e
kaluara të Kosovës. Përqendrimi është vënë në disa anëtarësime në organizata
ndërkombëtare dhe kultivimi dhe zgjerimi i marrëdhënieve bilaterale me vendet
që na kanë njohur, disi është lënë anash. Për më shumë, mungesa e koordinimit
ndërmjet institucioneve edhe mungesa e qëndrimeve unike për interesat e
brendshme dhe jashtme të Kosovës, ka ndikuar në zbehjen e prezencës
ndërkombëtare të Kosovës”, tha Visoka.
Faktori i dytë,
sipas tij, ka të bëjë me zbehjen e interesimit dhe fuqisë ndikuese të vendeve,
që në terminologjinë politike në Prishtinë, njihen edhe si shtete mike të
Kosovës.
“Kosova më nuk
është prioritet ndërkombëtar dhe miqve të Kosovës ju ka rënë ndikimi në disa
rajone të botës, nga ku çnjohjet janë duke ardhur. Faktori i tretë, i
ndërlidhur me këtë të fundit, ka të bëjë me fuqizimin e ndikimit rus, dhe si
pasojë, edhe të Serbisë, ku janë duke përdorur diplomacinë personale, ekonomike
dhe ushtarake për të shtyrë përpara çnjohjen e Kosovës”, tha Visoka.
Sipas tij, është
edhe një faktor tjetër që ka të bëjë edhe me gjendjen në vendet që e kanë
njohur Kosovën dhe si pasojë e ndërrimit të qeverive dhe ndryshimit të
interesave të tyre ndërkombëtare, këto vende pa hezitim e kanë ndryshuar
qëndrimin për Kosovën.
Ndërkohë,
zëvendësministri i Jashtëm (në dorëheqje), Anton Berisha, tha për Radion Evropa
e Lirë se autoritet në Serbi janë duke e shfrytëzuar gjendjen politike në
Kosovës dhe mungesën e një qeverie aktive për të lobuar kundër njohjeve të
Kosovës.
“Ne jemi
qeveri në dorëheqje edhe ashtu nuk ka pasur ndonjë aktivitet, ndonëse vetë
ministri ka qëndruar gjatë në Afrikë, nuk kemi parë ndonjë rezultat dhe presim
që sa më parë të mbahen zgjedhjet dhe qeveria e re të jetë aktive, kurse
Ministria e Jashtme duhet të kalojë në një fazë ofensive”, tha Berisha.
Zyrtarët në
Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës nuk kanë deklaruar se sa është
aktualisht numri i shteteve që e kanë njohur deri tash Kosovën shtet. Por, në
ueb faqen ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli, figurojnë 116 shtete të cilat
thuhet se kanë njohur Kosovën./REL/