Crvena Zvezda ndalohet të hyjë në Kosovë, për Kupën e Serbisë

AKTUALITET


Ekipi i Crvena Zvezdës, u ndalua të futet në territorin e Kosovës në pikën kufitare të Jarinjës. Klubi nga Serbia udhëtoi drejt pikës kufitare të mërkurën, pasi kishte planifikuar të zhvillonte një ndeshje me klubin e Trepçës serbe, e cila ishte e vlefshme për Kupën e Serbisë. Megjithatë, Federata e Futbollit të Kosovës nuk pranoi që kjo ndeshje të luhej, pasi sipas saj, të drejtën për të organizuar gara sportive në territorin e Kosovës e ka vetëm FFK.


Në këtë mënyrë, Federata Kosovare e Futbollit kërkoi nga Policia që të ndalonte futbollistët serbë që të futeshin në territorin e Kosovës, së bashku me tifozët që i shoqëronin. Ndërkohë, klubi serb reagoi duke u shprehur se për ndeshjen e të mërkurës, ata morën rekomandim nga FIFA.

“Ne erdhëm për të luajtur futboll, të luajmë futboll dhe të bëjmë sport, por kjo na u mohua. Përkundër faktit se e kishim rekomandimin nga FIFA për ta zhvilluar ndeshjen ndaj Trepçës në Mitrovicë, institucionet e Kosovës e injoruan këtë këshillë. Kur iu afruam pikës kufitare për të kaluar andej, Policia e Kosovës arriti dhe na tha se e kishim të ndalur të futeshim në territorin e Kosovës”, shprehej ndër të tjera klubi i Crvena Zvezdës.

Ndërkohë, së bashku me autobusin e futbollistëve, të pranishëm në pikën kufitare të Jarinjës ishin dhe shumë tifozë nga Serbia, të cilët do të mbështesnin lojtarët e tyre në takimin kundër Trepçës. Tifozët, të cilët u ndaluan të hynin në territorin e Kosovës, provokuan me thirrje anti-shqiptare, por nuk raportohet për incidente. Ndërsa në pikën kufitare ishin të pranishëm drejtues të klubit serb dhe kreu i Listës Serbe në Kosovë, Goran Rakiç. Ndeshja mes Crvena Zvezdës do të luhet të enjten, por në Serbi.