Samiti i G20-s: Ujdi për klimën në deklaratë, por pa SHBA

Megjithë grindjen për klimën, krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve të G20-s kanë rënë dakord për një deklaratë të përbashkët. Kancelarja gjermane e bëri këtë të ditur në Osaka.

SHBA ka pranuar, që në deklaratën e përbashkët shtetet e tjera të G20-s të shprehen për forcimin e angazhimit në mbrojtjen e klimës, tha kancelarja Merkel në Osaka. Do të ketë një “tekst të përafërt” me samitin kaluar të G20-s në Argjentinë. Ashtu si në Buenos Aires, 19 nga 20 shtete të G20-s duan të pranojnë Marrëveshjen e Parisit për Klimën, SHBA i mbetet qëndrimit të saj refuzues.

Në deklaratë theksohet, se detyrimet që dalin nga Marrëveshja e Parisit janë “të pakthyeshme”, tha Merkel. Sipas kancelares, në deklaratën e përbashkët përmendet edhe migracioni. Synohet një “bashkëpunim i ngushtë” i vendeve anëtare të G20-s me organizatat e OKB-së për politikën e migracionit. “Në këtë kuptim kemi bërë hapa të mirë përpara”, tha Merkel.

Negociata të ashpra

Më parë ndërmjetësuesit e vendeve të industrializuara dhe në ekspansion kishin negociuar fort për pozicionimin në deklaratën e samitit për klimën. Europianët nuk duan të lejojnë që deklarata e samitit të Osakas të jetë një hap pas duke mos arritur as ujditë e samiteve të mëparshme të G20-s, kanë thënë diplomatët. Ndërmjetësuesit bënë fjalë për “negociata shumë të vështira” gjatë natës. SHBA ka mbrojtur pozicionin e saj shumë të ashpër në çështjet e klimës. Por BE ka qenë unike në qëndrimin e saj, se nuk do të bëjë lëshime për mbrojtjen e klimës.

Sipas të dhënave franceze, SHBA përpiqen të shkëpusin 3-4 vende nga blloku i vendeve të G20-s, për të mos iu mbetur besnik detyrimeve të Marrëveshjes së Klimës në Paris, për të arritur një deklaratë më të dobët në këtë çështje. Fjala është Brazilin, Arabinë Saudite dhe Turqinë. Por europianët duan të paktën të ruajnë standardin e dy samiteve të fundit të G20-s, pra një deklaratë përfundimtare, ku 19 nga 20 vende të G20-s, me përjashtim të SHBA të pranojnë kushtet e Marrëveshjes së Parisit. Ata duan të pengojnë që edhe vende të tjera të G20-s të ndjekin rrugën unilaterale të SHBA.

Në instancën e G20-s bëjnë pjesë vende që së bashku përbëjnë dy të tretat e popullsisë së botës, 80% të produktit të brendshëm bruto dhe tre të katërtat e tregtisë botërore. Krerët e shteteve dhe qeverive të G20-s takohen nga kriza financiare e vitit 2008 një herë në vit në një samit ndërkombëtar./DW/

“Profecia” e Metës: Një Kim për Shqipërinë, por është amerikane!

Vetëm pak orë pas intervistës së Zëvendës Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Matheë Palmer, se palët politike duhet të zgjidhin krizën pas mbajtjes së zgjedhjeve të 30 qershorit, SHBA, konfirmon në orët e vona të kësaj të premtje, se është duke marrë kontrollin e situatës në vend.

Presidenti i Shtetve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, i ka propozuar Senatit për miratim, emërimin e ambasadores së jashtëzakonshme në Shqipëri, e cila do të jetë një femër, Yuri Kim. Lajmin e ka dhënë Shtëpia e Bardhë, e cila shkruan: “Znj. Kim është një anëtare e karrierës në Shërbimin e Lartë të Jashtëm, e cila ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtoreshë e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore. Më herët, ajo ka mbajtur postin e drejtoreshës së Qenrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stabit të Zëvendëssekretarit të Shtetit dhe Drejtor i Zyrës së Sigurisë për Evropën dhe Çështjeve Politike-Ushtarake”.

“Yuri Kim, gjithashtu ka qenë pjesë e delegacionit të SHBA në bisedimet për të ndalur programin bërthamor të Koresë së Veriut. Gjithashtu, Znj.Kim ka shërbyer si Këshilltare Politike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Bagdad, Irak, dhe më pas në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Ankara. Znj. Kim gjuhën flet koreane, kineze (mandarin), japoneze dhe turke”, shkruhet në CV-në e ambasadores së re të SHBA në Tiranë.

Yuri Kim është një figurë e njohur e diplomacisë amerikane. Ajo ka punur ai si ndihmëse e ish-sekretarit të shtetit për çështjet e Azisë Lindore, Christopher Hill gjatë vitit 2008. Ajo është një amerikane e natyralizuar, që u zhvendos nga Koreja e Jugut në Guam kur ishte 3 vjeç. Kim është bashkuar me Shërbimin e Jashtëm në vitin 1996, gjatë një periudhe burimesh të mjerueshme të diplomacisë amerikane, kohë kur punësoheshin pak diplomatë të rinj. Pas një eksperience të gjatë si diplomate në vende të ndryshme të botës, Yuri Kim do të mbrrijë në Shqipëri, ndoshta së shpejti, pasi emri i saj i ka shkuar Senatit për miratim. Detyra e saj si ambasadore në vendin tonë vjen në një moment krize të thellë politike, por që tashmë po futet në rrugën e zgjidhjes, padyshim falë SHBA-së.

Mathew Palmer: PD-LSI, nëse pengojnë zgjedhjet, përjashtohen nga marrëdhëniet me SHBA!

Pengimi i zgjedhjeve mund të përbëjë bazë për t’u përjashtuar nga marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Përtej kësaj nuk mund të komentoj për situata hipotetike. Por, po; absolutisht është përgjegjësi e udhëheqësve të opozitës që, në këto rrethana, t’ua bëjnë të qartë përkrahësve të tyre se dhuna është një mjet i papranueshëm”, është kjo deklarata e Zëvendës Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mathew Palmer që bën për Zërin e Amerikës, në rast se PD dhe LSI do të kryejnë akte dhune në 30 qershor. Atë që Realstory.al e paralajmëroi të premten paradite, se SHBA-ja do ti konsideronte organizata konspiracioniste kundër saj partitët shqiptare që do të ndërmerrnin akte dhune dhe pengim të zgjedhjeve më 30 qershor, e konfirmon Mathew Palmer në intervistën e tij. Ai gjithashtu ua bëri të qartë liderëve të opozitës, se dhuna nuk do të pranohet në asnjë mënyrë.  “Po ashtu duam të dëgjojmë të njëjtën gjë nga qeveria. Është një gjë që e kemi theksuar vazhdimisht. Kushdo në Shqipëri duhet ta dëgjojë qartë, nga udhëheqësit e tyre, nga ata të cilët i mbështesin dhe presin udhëzime, ta dëgjojnë nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Është diçka që unë e kam theksuar disa herë dhe po e përsëris: dhuna është e papranueshme”, u shpreh Palmer.

Por, goditja nuk ka ardhur vetëm ndaj opozitës nga SHBA. Gjatë intervistës së tij dhënë Zërit të Amerikës, Mathew Palmer komentoi dhe dekretin e ri të Presidentit Ilir Meta për zgjedhjet e 13 tetorit. Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit u shpreh se ky dekret është “nul”, pasi këtë tagër për të gjykuar nëse zgjedhjet duhet të përsëriten ose jo e ka Gjykata Kushtetuese. “Në kushte ideale ne do të kishim dashur që në zgjedhje të merrnin pjesë si partitë e opozitës, ashtu edhe të qeverisë. Këtë ua bëmë të qartë me forcë udhëheqësve të opozitës, përpara se ata të vendosnin të bojkotonin zgjedhjet. Është për të ardhur keq që vendosën ndryshe. Por kjo nuk do të thotë që zgjedhjet nuk duhen zhvilluar. Pas zgjedhjeve, do të ketë mundësi që të krijohet Gjykata Kushtetuese, është plotësisht e mundur që Gjykata të vendosë që zgjedhjet duhen përsëritur, por kjo i takon Gjykatës ta vendosë dhe jo politikanëve të veçantë”.

Për SHBA-në nuk ka dyshim, zgjedhjet e ligjshme janë ato të 30 qershorit. Matheë Palmer shprehet se ato duhet të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe transparente, ndërsa konfirmon se mungesa e opozitës në zgjedhjet e 30 qershorit, nuk i bën ato të paligjshme. “Është një situatë më pak se ideale, që zgjedhjet vendore të zhvillohen pa pjesmarrjen e opozitës, por kjo nuk do të thotë që zgjedhet në vetvete nuk janë të vlefshme. Njerëzit do të kenë mundësi të dalin për të votuar, për të shprehur mendimin e tyre, askush nuk duhet t’i pengojë për këtë. Njerëzit që duan të marrin pjesë, që duan të votojnë, duhet të jenë të lirë ta bëjnë këtë. Të zgjedhurit duhet të lejohen të fillojnë detyrën dhe të qeverisin. Ne do të kemi njerëzit tanë në terren, në kuadër të misionit vëzhgues të ODIHR-it, por edhe në mënyrë të pavarur, me ekipe vëzhguesish të ambasadës, për të parë se si do të shkojnë gjerat. Ne shpresojmë që më 30 qershor gjithçka të jetë sa më qetë e paqësore”.

Intervista e plotë e Zëvendës Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mathew Palmer

Zëri i Amerikës: Zoti Palmer, faleminderit për mundësinë për këtë intervistë. Le të fillojmë me lajmin e fundit. Presidenti Meta shpalli datën e re të zgjedhjeve vendore, 13 tetorin. Kryeministri Rama këmbëngul për 30 qershorin. Cili është qëndrimi i Departamentit të Shtetit, a duhet të shtyhen zgjedhjet?

Mathew Palmer: Ne presim që zgjedhjet të zhvillohen më 30 qershor. Shpresojmë që ato të zhvillohen në mënyrë të qetë e transparente. Pas zgjedhjeve do të formohet Gjykata Kushtetuese dhe shpresojmë që mosmarrëveshjet për kohën e zhvillimit të zgjedhjeve të zgjidhen përmes institucioneve të vendit.

Zëri i Amerikës: Çfarë legjitimiteti do të kenë këto zgjedhje ndërsa në gjysmën e bashkive do të ketë vetëm një kandidat dhe votuesit nuk do të kenë alternativë për të zgjedhur?

Mathew Palmer: Është një situatë më pak se ideale, që zgjedhjet vendore të zhvillohen pa pjesmarrjen e opozitës, por kjo nuk do të thotë që zgjedhet në vetvete nuk janë të vlefshme. Njerëzit do të kenë mundësi të dalin për të votuar, për të shprehur mendimin e tyre, askush nuk duhet t’i pengojë për këtë. Njerëzit që duan të marrin pjesë, që duan të votojnë, duhet të jenë të lirë ta bëjnë këtë. Të zgjedhurit duhet të lejohen të fillojnë detyrën dhe të qeverisin. Ne do të kemi njerëzit tanë në terren, në kuadër të misionit vëzhgues të ODIHR-it, por edhe në mënyrë të pavarur, me ekipe vëzhguesish të ambasadës, për të parë se si do të shkojnë gjerat. Ne shpresojmë që më 30 qershor gjithçka të jetë sa më qetë e paqësore.

Zëri i Amerikës: A jeni i shqetësuar nga mundësia e dhunës më 30 qershor?

Mathew Palmer: Absolutisht. Dhe u bëjmë thirrje udhëheqësve të opozitës t’ua bëjnë të qartë përkrahësve të tyre që më 30 qershor të mos ketë dhunë, që askush të mos pengojë të drejtën e atyre që dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje. Protestat paqësore janë pjesë e qeverisjes demokratike. Kjo është shumë normale. Ne e pamë më 21 qershor se opozita është plotësisht e aftë të paraqesë argumentet e veta në mënyrë paqësore, në një mënyrë që përputhet me praktikat demokratike. Ne duam të shohim që edhe në 30 qershor ngjarjet të zhvillohen pa dhunë. Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve të opozitës t’ua bëjnë këtë të qartë përkrahësve të tyre.

Zëri i Amerikës: Më parë ju keni thënë se udhëheqësit e opozitës duhet të mbajnë përgjegjësi nëse ka dhunë, se ata do të jenë personat përgjegjës për të. Ka patur njoftime në shtyp për udhëheqësit e dy partive kryesore të opozitës, PD dhe LSI-së, se në qoftë se ka përpjekje me dhunë për të bllokuar zgjedhjet e së djelës, partitë e tyre do të rrezikonin të futeshin në listën e Shteteve të Bashkuara të organizatave që janë objekt sanksionesh nga Uashingtoni. A ekziston një rrezik i tillë për to?

Mathew Palmer: Pengimi i zgjedhjeve mund të përbëjë bazë për t’u përjashtuar nga marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Përtej kësaj nuk mund të komentoj për situata hipotetike. Por, po; absolutisht është përgjegjësi e udhëheqësve të opozitës që, në këto rrethana, t’ua bëjnë të qartë përkrahësve të tyre se dhuna është një mjet i papranueshëm. Po ashtu duam të dëgjojmë të njëjtën gjë nga qeveria. Është një gjë që e kemi theksuar vazhdimisht. Kushdo në Shqipëri duhet ta dëgjojë qartë, nga udhëheqësit e tyre, nga ata të cilët i mbështesin dhe presin udhëzime, ta dëgjojnë nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Është diçka që unë e kam theksuar disa herë dhe po e përsëris: dhuna është e papranueshme.

Zëri i Amerikës: Përpara se të shpallte datën e re, presidenti Meta u takua me përfaqësues të disa ambasadave të vendeve kryesore në Tiranë, por duket se ai nuk ftoi përfaqësues të ambasadës amerikane, ose ambasadës italiane. Në të kaluarën presidenti Meta ka bërë kritika relativisht të ashpra ndaj komunitetit ndërkombëtar duke u shprehur se “nëse dikush kërkon zgjedhje një-partiake le të vejë në Korenë e Veriut” dhe se “ai ka anuluar zgjedhjet në Shqipëri dhe jo në Amerikë, apo ndonjë vend tjetër”. Si u përgjigjeni ju këtyre kritikave?

Mathew Palmer: Në kushte ideale ne do të kishim dashur që në zgjedhje të merrnin pjesë si partitë e opozitës, ashtu edhe të qeverisë. Këtë ua bëmë të qartë me forcë udhëheqësve të opozitës, përpara se ata të vendosnin të bojkotonin zgjedhjet. Është për të ardhur keq që vendosën ndryshe. Por kjo nuk do të thotë që zgjedhjet nuk duhen zhvilluar. Pas zgjedhjeve, do të ketë mundësi që të krijohet Gjykata Kushtetuese, është plotësisht e mundur që Gjykata të vendosë që zgjedhjet duhen përsëritur, por kjo i takon Gjykatës ta vendosë dhe jo politikanëve të veçantë.

Zëri i Amerikës: Zgjedhjet vendore janë vetëm shfaqja më e fundit e problemeve të thella politike të Shqipërisë. Çfarë do të ndodhë më 1 korrik? E kemi parë një situatë të tillë të përsëritet shpesh. Çfarë do të ndodhë pas 1 korrikut? Si mund të dalë Shqipëria nga ky batak?

Mathew Palmer: Janë disa gjëra që ne shpresojmë të ndodhin pas një korrikut. E para është dialogu mes qeverisë dhe udhëheqësve të partive të opozitës për reformën elektorale. Ka një projekt të reformës elektorale që është në përputhje me rekomandimet e ODIHR-it, dhe ne duam të shohim marrëveshje për procesin e ardhshëm të reformës elektorale, që të krijonte kushtet që zgjedhjet në të ardhmen të zhvillohen duke gëzuar mbështetje nga të gjithë, në mënyrë transparente dhe me llogaridhënie. Duam që gjithë partitë të ripohojnë mbështetjen për reformën në drejtësi, që është thelbësore për aspiratat evropiane të Shqipërisë; duam të shohim formimin e institucioneve të Shqipësirë, si Gjykata Kushtetuese, që do të lejonin një funksionim të qetë të procesve demokratike të Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Një seri telefonatash të përgjuara të zyrtarëve socialistë lenë të kuptohet se ata dyshohen për abuzim pushteti dhe mund të kenë shkelur edhe ligjet zgjedhore, duke u bërë presion votuesve. Cili është komenti juaj për këtë?

Mathew Palmer: Këto janë akuza serioze që duhet të hetohen. Ne do të mbështesim një hetim nga institucionet dhe autoritetet shqiptare, një hetim që është profesional, transparent, që të çon drejt një përfundimi. Këto janë akuza shumë serioze, që kërkojnë hetime serioze.

Zëri i Amerikës: Qeveria socialiste e kryeministrit Rama është përfshirë në disa skandale kohët e fundit, nuk dua t’i përmend ato një nga një. A mban ai përgjegjësi për gjendjen në të cilën është Shqipëria sot? Ai është në pushtet prej 6 vjetësh tashmë.

Mathew Palmer: Ka përgjegjësi të shumta, për të gjithë politikanët që të pranojnë pjesën e tyre. Por ajo për të cilën jemi të interesuar ne, është rruga drejt të ardhmes së Shqipërisë. Mosmarrëveshjet politike duhet të zgjidhen jo nga aktorët ndërkombëtarë, apo nga forca të jashtme që shkojnë atje për të zgjidhur mosmarrëveshjet apo luajtur rolin e arbitrit. Ato duhet të zgjidhen nga institucionet e Shqipërisë. Shqipëria është vend i NATO-s, kandidat për në B.E., është një partner i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara dhe ne duam që Shqipëria dhe udhëheqësit shqiptarë të mbajnë përgjegjësi për zgjidhjen e sfidave politike me të cilat ndeshet vendi.

SHBA: Do monitorojmë 30 qershorin, dialogu për krizën dhe reformat pas zgjedhjeve

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reguar këtë të premte për procesin zgjedhor të 30 qershorit. Me një komunikatë për shtyp publikuar në faqen zyrtare, SHBA kërkon distancim të opozitës nga aktetet e dhunës ditën e zgjedhjeve,  pasi në të kundërt ata do të mbajnë përgjegjësi përpara ligjit.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bëjnë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë, zyrtarëve të qeverisë, agjencive të sigurisë dhe qytetarëve shqiptarë që të sigurohen që zgjedhjet e 30 qershorit të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe transparente. Ne nxisim udhëheqësit politikë të refuzojnë çdo dhe të gjitha llojet e dhunës, apo çdo përpjekje për të penguar procesin zgjedhor apo edhe të drejtën e çdo qytetari për të votuar. Dhuna nuk është një mënyrë legjitime e të shprehurit politik. Ata që përfshihen në akte dhune duhen hetuar me të gjithë fuqinë e ligjit”, shprehet ambsada.

Duke theksuar se SHBA-të do të kenë vëzhguesit e saj të dielën për të monitoruar procesin zgjedhor, shprehet, se pas datës 30 qershor, partitët politike të ulen për të dialoguar duke i dhënë fund krizës politike në vend. Kështu, SHBA, kërkon ngritjen e GJykatës Kushtetuese me gjykatës që kanë kaluar Vettingun, nisjen e punës për Reformës Zgjedhore dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi.

“Ne nxisim udhëheqësit politikë që, pas zgjedhjeve të së dielës, të rikthejnë vëmendjen e tyre në forcimin e institucioneve demokratike shqiptare dhe zbatimin e ligjit, përfshirë edhe ecjen përpara me ngritjen e një Gjykate Kushtetuese të drejtuar nga gjykatës të cilët e kanë kaluar vetingun. Miratimi i reformave zgjedhore dhe zbatimi i reformës në drejtësi janë thelbësore për aspiratat europiane të Shqipërisë dhe për ngritjen e demokracisë së fortë që i shërben të gjithë shqiptarëve”, përfundon deklarata e SHBA.

Raketat ruse S-400, shtohen mosmarrëveshjet SHBA-Turqi

Shtetet e Bashkuara dhe Turqia nuk duket se bënë përparim të mërkurën drejt zgjidhjes së një mosmarrëveshjeje të madhe rreth planeve të Ankarasë për të blerë një sistem rus të mbrojtjes ajrore, pak përpara livrimit të pritshëm të tij në korrik.

Bisedimet u zhvilluan gjatë takimeve në selinë e NATO-s në Bruksel.

Shtetet e Bashkuara thonë se blerja e sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400 paraqet një kërcënim për blerjen e planifikuar nga Turqia të avionëve amerikanë Stealth F-35 të firmës Lockheed Martin.

Uashingtoni thotë se Ankaraja nuk mund t’i ketë të dyja dhe ka filluar procesin e heqjes së Turqisë nga programi i avionëve F-35, përfshirë ndërprerjen e trajnimit të pilotëve turq në Shtetet e Bashkuara për avionët e avancuar Stealth.

Mark Esper, sekretari amerikan i mbrojtjes në detyrë, paralajmëroi homologun e tij turk Hulusi Akar gjatë bisedimeve me dyer të mbyllura se blerja e sistemit rus do të kishte gjithashtu një ndikim ekonomik, tha një zyrtar i lartë i mbrojtjes i SHBA, duke aluduar për sanksione të pritshme nga SHBA.

“Sekretari ishte shumë i vendosur, edhe njëherë, se Turqia nuk mund t’i ketë të dyja, edhe S-400 edhe F-35. Dhe nëse ata pranojnë S-400 ata duhet të pranojnë pasojat jo vetëm për programin F-35 por edhe ato ekonomike.”

Blerja e pajisjeve ushtarake nga Rusia e lë Turqinë të zbuluar ndaj ndëshkimit nga SHBA, në bazë të një ligji të vitit 2017, i njohur si CAATSA.

Turqia ka hedhur poshtë shqetësimet e SHBA për sigurinë e avionëve F-35 dhe këmbëngul se nuk mund të largohet nga blerja e sistemit S-400. Oferta e SHBA për ta furnizuar Turqinë me raketa Patriot, prodhuar nga kompania amerikane Raytheon Co, nuk ka ndikuar mbi Ankaranë.

Tensionet midis Uashingtonit dhe Ankarasë tashmë shtrihen përtej avionëve F-35 dhe përfshijnë strategjinë në Siri, sanksionet ndaj Iranit dhe çështje të tjera. /Zëri Amerikës/

Basha “konfuz”, mohon qarkoren por jo përmbajtjen: S`do lejojmë zgjedhje, s`do ti njohim

Lulzim Basha ka mohuar ekzistencën e Qarkores drejtuar të zgjedhurve të pushtetit lokal në bashkitë që drejohen nga e djathta, ku u kërkohej bllokim i zgjedhjeve të 30 qershorit, shmangie të përplasjes me militantët e PS, por jo me efektivët e policisë. Kjo deklaratë e Bashës erdhi pas vizitës më shumë se 60 miuta  të së ngarkuarës me punë të SHBA-së në Tiranë, Leyla Moses-Ones, që mëngjesin e të martës shkoi në zyrën e Bashës, dhe mesaduket qëllimi i takimit ka qenë pikërisht zbulimi i të vërtetës me Qarkoren. Pavarësisht se PD të hënën në mbrëmje, ashtu si dhe Basha këtë të martë, e mohuan ekzistencën e qarkores, përmbajtjen e saj, të paktën kreu i opozitës nuk e mohoi.

“Ku e keni marrë këtë informacion. Natyrisht që është një prodhim i mercenarëve mediatikë të Edi Ramës. Mashtrim total dhe shërbim që i bëhet Edi Ramës dhe klikës së tij. S’ka zgjedhje më 30 qershor. E para nuk ka zgjedhje pa opozitën. Votime bën edhe Koreja e Veriut por nuk ka zgjedhje. S’ka rëndësi çfarë mendon kryeministri, rëndësi ka që është një standard ndërkombëtar, europian. Zgjedhje pa opozitën nuk ka dhe nuk do të lejohen. Nuk do të lejohen, nuk do të pranohen, nuk do të njihen”, tha Basha.

Në fakt, kjo nuk është surprizë. PD reagoi për Realstory.al mbrëmjen e së hënës ku mohoi ekzistencën e qarkores. Ndërkohë, po mbrëmjen e të hënës, burime të pavarura diplomatike, konfirmuan gjithashtu për Realstory.al, se Qarkorja do të analizohej dhe do të verifikohej me kujdes, nëse kishte dalë apo jo nga zyrat e PD-së. Kështu ndodhi, e para që shkoi në zyrën e Lulzim Bashës ishte e ngarkuara me punë e SHBA-së në Tiranë, Leyla Moses-Ones. Takimi mes saj dhe Bashës zgjati më shumë se një orë, ndërsa kryedemokrati, nuk pranoi të komentonte takimin me zëvendës ambasadoren e SHBA, foli për atë që mesaduket ishte thelbi i vizitës së Leyla Moses-Ones, Qarkorja.

Basha, i zbutur që prej mbrëmjes të së hënës, pasi ka mësuar qëndrimin amerikan për zgjedhjet dhe krizën, u shpreh se 30 qershori ëshë dita e fillimit të fundit të Edi Ramës, shprehje që në fakt Basha duket ia ka huazuar vetë Kryeministrit, pasi ky i fundit është thënë shpesh se “më 30 qershor është fillimi i fundit të ndarjes së Shqipërisë nga e shkuara. “30 qershori nuk është datë zgjedhjesh, Edi Rama do kërkojë ti kthejë shqiptarët në votimet njëpartiake. 30 qershori e ka një domethënie, është dita kur nis fundi i regjimit autokratik të Edi Ramës. Ky do përpiqet që tu paraqesë një proces fals shqiptarëve”, u shpreh Basha.

Clinton nga Prishtina: Ne kemi nevojë për shqiptarët

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, mbështetësi kryesor i nisjes së bombardimeve të NATO-s kundër ushtrisë serbe në Kosovë në vitin 1999, ka treguar se tashmë Kosova ka bërë arritje të mëdha, ndërsa SHBA, pavarësisht presidentit që ka qenë në detyrë, ka mbështetur dhe ka qëndruar pranë popullit shqiptar gjatë gjithë kohës.

“NATO funksionon më së miri në botë. Gjeneral Clarku ishte komandant, por ishin 90 shtete demokratike që e përkrahnin atë veprim, i cili shpresoj që mos të përsëritet. SHBA ka qenë pranë jush që 20 vite, pavarësisht se cfarë partie politike ka qenë në Shtëpinë e Bardhë. Pasardhësi im, Xhorxh Bush, njohi shtetin e Kosovës. Ju keni arritje, natyrisht që keni punë për të bërë, por shikoni se në cfarë keni arritur”, ka thënë ish-presidenti Clinton.

Ai ka treguar se ndihet i nderuar që ndihmoi Kosovën të fitonte pavarësinë, duke treguar se shqiptarët e vlerësojnë vazhdimisht atë si person, edhe tani që ka 19 vjet që është larguar nga Shtëpia e Bardhë.

Që 19 vjet që prej kur kam dalë nga Shtëpia e Bardhë, gjëja më e mrekullueshme që më ndodh, është që më ndal dikush në Neë York, apo diku tjetër në botë, për të bërë një fotografi. Apo kur isha në një hotel, një kamarier shqiptar erdhi dhe më ra në gjunjë për të më falënderuar. Kjo është një gjë e mrekullueshme”, ka thënë Clinton i emocionuar. “Më pëlqejnë shqiptarët dhe kosovarët, ne kemi nevojë për juve. Por të rinjtë duhet të kenë mundësitë që të ndërtojë të ardhmen e tyre këtu në Kosovë”, është shprehur Clinton.

Reforma në Drejtësi, DASH trajnon gjyqtarët shqiptarë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të angazhuar drejtë për së drejti në realizimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri, të cilin e cilësojnë një kusht të rëndësishëm në progresin e Shqipërisë drejt BE-së.

Në një postim të bërë sot Ambasada Amerikane njofton se Departamenti Amerikan i shtetit ka trajnuar gjyqtarë dhe zyrtarë të qeverisë shqiptarë të angazhuar në çështjet ligjore.

Amerika dhe ndërkombëtarët në tërësi e kanë cilësuar të suksesshme reformën në drejtësi dhe veçanërisht procesin e vettingut.

“Zyra e OPDAT e Departamentit Amerikan të Drejtësisë dhe Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe Luftës ndaj Drogës e Departamentit të Shtetit mundësoi pjesëmarrjen e Naureda Llagami, kryetare e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Alfred Balla, zv. kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë shqiptare të përfshirë në çështje ligjore dhe gjyqësore, në seminarin e universitetit Tulane mbi hartimin e legjislacionit, një program dy javor në një nga universitetet më prestigjioze amerikane mbi hartimin efikas të ligjeve në mbështetje të formave demokratike të qeverisjes”, njofton ambasada e SHBA-së.

🇦🇱️ | Foto e Ditës | Zyra e OPDAT e Departamentit Amerikan të Drejtësisë dhe Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të…

Gepostet von U.S. Embassy-Tirana am Dienstag, 11. Juni 2019

SHBA: Kosova dhe Serbia të njohin njëra-tjetrën, ulni tonet ekstremiste

Amerika i kërkon Kosovës dhe Serbisë që të lënë mënjanë retorikën ekstremiste, dhe të ulen për të arritur një marrëveshje, që do të finalizohej me njohjen e ndërsjelltë mes tyre. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Judd Deere, në një deklaratë me rastin e 20 vjetorit të përfundimit të operacionit të NATO-s, që i dha fund spastrimit etnik të Kosovës nga Serbia, është shprehur:

“Prishtina dhe Beogradi duhet të dyfishojnë përpjekjet për të punuar drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të përqendruar në njohjen reciproke dhe të heqin menjëherë pengesat ndaj përparimit.”

“E vetmja rrugë për një të ardhme më të mirë është një dialog midis fqinjësh që të synojë normalizimin e marrëdhënieve dhe t’i hapë rrugën Serbisë dhe Kosovës të kenë vendin e tyre të ligjshëm brenda komunitetit euroatlantik,” tha zëdhënësi.

“Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë gjatë gjithë këtij procesi, por i takon Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapat e ardhshëm,” thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, e cila u bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit të veprojnë tani e të mos ua lënë punën brezave të ardhshëm.

Helikopteri rrëzohet në një ndërtesë në Manhatan, një i vdekur

Një helikopter është rrëzuar në krye të një ndërtese në 7th avenue në Manhattan, shumë afër Trump Tower që është 5 th Avenue. Helikopteri u shfaq për të bërë një ulje në çatinë e 7th Avenue, por duket se helikopteri ka pasur një “vështirësi në ulje”. Autoritetet raportojnë se piloti ka vdekur, ndërsa një zjarr shpërtheu kur helikopteri goditi çatinë. Forcat zjarrfikësit e kanë vënë zjarrin nën kontroll. Në një deklaratë për mediat autoritetet thanë se nuk ka asnjë indikacion se rrëzimi ishte i lidhur me terrorizmin, por ka ende shumë gjëra të paqarta në lidhje me aksidentin. “Helikopteri qëndroi në ajër vetëm për 11 minuta. Ai u ngrit në fluturim në orën 1:32 dhe rreth 11 minuta më vonë u rrëzua” tha komisari i policisë James O’Neill

Guvernatori i New Yorkut, Andrew Cuomo në një prononcim për mediat tha se “Informacioni paraprak është se ka pasur një helikopter që bëri një ulje të detyruar, ulje emergjente, ose u ul në çatinë e ndërtesës për një arsye apo një tjetër. Njerëzit që ishin në ndërtesë thanë se ndjenin që ndërtesa të dridhej,” shtoi ai.

Në lidhje me rastin ka reaguar edhe Presidenti Trump duke shkruajtur në Twitter se po monitoron situatën dhe qeveria është gati për çdo lloj ndihme që kërkohet.

Administrata e Trump është e gatshme nëse keni nevojë për ndonjë gjë,” ai shkroi në Twitter.

Skip to toolbar