Shtetet e Bashkuara po tërheqin të gjitha
trupat e mbetura nga Siria veriore, pasi Presidenti Donald Trump tha të dielën
se ishte një veprim “shumë i zgjuar … ndryshe nga e kaluara” për të
mos u përfshirë në luftimet e nisura nga sulmi i Turqisë kundër aleatëve për
një kohë të gjatë të Amerikës, luftëtarëve kurdë.
Presidenti Trump tha se ishte duke punuar me
drejtuesit e Kongresit, përfshirë demokratët e opozitës, për të vendosur
sanksione ekonomike “të fuqishme” kundër Turqisë për sulmet e saj
ndërkufitare, edhe pse Ankaraja ka shprehur paraprakisht kundërshtime. Ai tha
në Twitter se ka “konsensus të madh” për të vepruar kundër Turqisë,
një anëtar i NATO-s përkrah Shteteve të Bashkuara.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Mark Esper tha
për kanalin Fox News të dielën se presidenti Trump urdhëroi të shtunën në
mbrëmje “tërheqjen e qëllimshme” të 1000 trupave të mbetura amerikane
nga veriu i Sirisë. Zoti Esper tha se zyrtarët amerikanë, kishin frikë se
trupat amerikane do të goditeshin në përparimin e Turqisë kundër luftëtarëve
kurdë, të cilët Turqia i sheh si terroristë, por që shumica e Perëndimit i
shikon si partnerë kryesorë në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik.
Esper hodhi poshtë polemikën nga kritikët në
Kongres, përfshirë kolegët republikanë të Trump-it, se Shtetet e Bashkuara kanë
braktisur kurdët. “Ne e kundërshtuam Turqinë të mos e bënte këtë
operacion,” tha zoti Esper. Por ai tha se Turqia ishte “plotësisht e
angazhuar për ta bërë këtë pa marrë parasysh se çfarë do të bënim ne.” Megjithatë,
shtoi sekretari Esper, “Ne po bëjmë gjithçka mundemi për ta bërë Turqinë
të ndalë këtë sjellje skandaloze”.
Ai pranoi se luftëtarët kurdë dhe civilët po
vriten në sulmet turke. “Është e tmerrshme,” tha ai. “Situata
përkeqësohet për çdo orë.” “Kjo është pjesë e situatës së tmerrshme
ku na ka futur Turqia”, tha shefi i Pentagonit. Por ai tha se Shtetet e
Bashkuara “nuk janë gati për të luftuar Turqinë, një aleat i vjetër, në
emër të kurdëve”. Ai tha se konflikti turko-kurd “është 200
vjeçar”.
Megjithatë, sekretari Esper dënoi inkursionin
e Turqisë dhe vendimet e tjera, përfshirë blerjen e një sistemi mbrojtës
raketor rus kundër dëshirave të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera. “Sjellja
e tyre gjatë viteve të fundit ka qenë e tmerrshme,” tha sekretari Esper,
duke shtuar se Turqia “po dilte nga orbita jonë”.
Një kritik i presidentit Trump, senatori
demokrat Chris Van Hollen, tha në të njëjtin emision të Fox News:
“Njerëzit po vriten tani”. Ai tha se administrata Trump ” tani
duket qesharake. Ata nuk po bëjnë gjë tjetër veçse po flasin”. Por
presidenti Trump tha se kritikët që kanë kundërshtuar tërheqjen e trupave të
tij nga Siria veriore po nxisin “luftëra të pafundme” për Shtetet e
Bashkuara në Lindjen e Mesme.
“Ata që gabimisht na futën në Luftërat e
Lindjes së Mesme ende po bëjnë presion për të luftuar”, tha presidenti
Trump në Tweeter. “Ata nuk e kanë idenë se çfarë vendimi të keq kanë
marrë. Pse nuk kërkojnë një Deklaratë të Luftës?
Zyrtarët kurdë sirianë ndërkohë thonë se
qindra mbështetës të dyshuar të Shtetit Islamik dhe familjarë kanë shpëtuar nga
një kamp në veri të Sirisë, ndërsa Turqia vazhdon operacionin e saj ushtarak në
zonë.
Jelal Ayaf, zyrtar i kampit Ayn Issa,
vlerësoi se 850 të huaj të lidhur me ISIS-in shpëtuan dhe kishin ndihmë nga
celulat e fjetura që depërtuan në një pjesë të kampit. Pjesëtarët dhe
përkrahësit e familjeve të shpëtuara të ISIS-it mendohet se janë nga Britania,
Irlanda, Rusia, Pakistani, Bangladeshi dhe Indonezia.
Turqia nisi operacionin e saj të planifikuar
ushtarak të mërkurën e kaluar që synon të largojë forcat kurde në veri të
Sirisë që i sheh si terroristë, por që shumica e Perëndimit i shikon si
partnerë kryesorë në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik. Operacioni
ushtarak filloi disa ditë pas një njoftimi të befasishëm dhe që u kritikua
gjerësisht se forcat amerikane do të tërhiqeshin nga rajoni./VOA/