KLP drejt ngritjes së SPAK. SHBA monitoron mbledhjen

#NËRADAR


Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të mblidhet këtë të premte për të diskutuar ngritjen e Prokurorisë Speciale, SPAK. Pas dështimit të mbledhjes të disa ditëve më parë, për shkak se anëtari Besnik Cani nuk ishte njohur me materialet e mbledhjes, KLP diskuton hapat e mëtejshme për ngritjen e Prokurorisë së Posaçme. Ndryshe nga herën e fundit, në axhendën e publikuar nga KLP, në mbledhjen e të premtes, do të jenë të pranishëm përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, EURALIUS dhe OPDAT.

Prania e këtyre vëzhguesve vjen fill pas dështimit të mbledhjes të së hënës, ku KLP do të diskutonte nëse SPAK mund të ngrihet me 8 prokurorë që kanë kaluar Vettingun, dhe dy të tjerë që kanë kaluar vetëm shkallën e parë të rivlerësimit.


Por, ajo mbledhje dështoi pasi anëtari i KLP-së Besnik Cani kërkoi shtyrjen e saj. Një ditë pas  asaj mbledhje, një përfaqësues i lartë i  Shteteve të Bashkuara të Amerikës zhvilloi një takim me kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi, të cilit i shprehu mbështetjen e SHBA për SPAK.

Gjatë takimit që pati me kryetarin e KLP-së, Gent Ibrahimi, zv. Ndihmës Sekretari i Shtetit, Jorgan K. Andrews u shpreh se “SHBA është e ndërgjegjshme për presionin me të cilin po përballet KLP”, ndërsa theksoi se “Amerika është e vendosur të ofrojë mbështetje për mbrojtjen e prokurorëve të SPAK”, mësohet të ketë thënë zyrtari amerikan gjatë takimit me Gent Ibrahimin. Ndaj, këtë të premte, SHBA dhe përfaqësues të tjerë që hartuan Reformën në Drejtësi, do të vëzhgojnë mbledhjen e KLP-së, ku pritet të hidhet hapi i rëndësishëm për ngritjen e SPAK. /Realstory.al/




Skip to toolbar