SHBA, apel politikës për Bajram: Duhet reflektim

Ambasada e SHBA-së ka uruar besimtarët myslimanë për Kurban Bajramin, ndërsa ka bërë thirrje për reflektim për ndërtimin e një paqe dhe begatie në vend. SHBA u ka bërë i ka bërë një thirrje politikës shqiptare, që të tregojnë angazhim për të zgjidhur përçarjet mes tyre dhe t’i japin fund krizës.

Në emër të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, iu shprehim urimet më të mira të gjithë atyre që festojnë Kurban Bajramin. Kjo ditë ofron një mundësi për të reflektuar mbi angazhimin tonë të përbashkët për ndërtimin e komuniteteve paqësore dhe të begata” shkruan ambasada e SHBA.

SHBA disa herë ka bërë thirrje që palët të ulen në dialog si mënyra e vetme për zgjidhjen e krizës, ndërsa faktit që mund të ndërhyjë si ndërmjetëse mes palëve i është përgjigjur se kriza është një çështje e brendshme që duhet të zgjidhet nga vetë palët, pa ndërhyrjen e ndërkombëtarëve.

Kryeministri Rama ka përsëritur disa herë që dora e tij mbetet e shtrirë për dialog. Të shpresojmë që në këtë ditë feste, opozita jashtë parlamentare që këmbëngul të mos dialogojë me qeverinë, të ndërgjegjësohet dhe të ulet sa më shpjet në tryezë për të mirën e vendit dhe shqiptarëve.

E mbyllën në makinë për 5 orë, vdes 13-vjeçarja me aftësi të kufizuara

Një 13-vjeçare me aftësi të kufizuara ka humbur jetën, pasi është lënë në makinë për 5 orë në mes të diellit në Carolinën e Jugut, SHBA. Për ngjarjen e rëndë, policia ka akuzuar për vrasje nënën e vajzës 49-vjeçaren Rita Pangalangan dhe të dashurin e saj, Larry King,41 vjeç.

Pasi kanë parkuar makinën dhe lanë vajzën aty, ato janë larguar duke u kthyer pas 5 orësh. Kur kanë ardhur vajza ishte pa jetë dhe mjekët nuk mund të bënin dot më asgjë.

Tashmë prindërit e papërgjegjshëm do të përballen në gjykatë me akuzën e vrasjes me dashje.

Palmer: Për Dakon ka dëshmi të forta, s`mbajmë anën e askujt në Shqipëri

Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehen qartë, se “përsëritja e zgjedhjeve në Shqipëri, është vendim që i përket gjykatave në vend, dhe jo SHBA-së”. Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Mathew Palmer, ka dhënë një intervistë për Zërin e Amerikës, ku ka shprehur qëndrimin se nuk i takon SHBA të marrë vendimin nëse zgjedhjet duhet të përsëriten ose jo.  “Kjo varet në të vërtetë nga institucionet shqiptare. Apo jo? Dhe pikërisht për këtë arsye ne do të donim që Gjykata e Lartë të ngrihej, e përbërë nga gjyqtarë që kanë kaluar procesin e duhur të verifikimit. Ajo gjykatë do të ishte pikërisht në gjendje t’i përgjigjej asaj pyetjes. Nuk u takon Shteteve të Bashkuara që ta gjykojnë atë çështje. I takon Gjykatës së Lartë të Shqipërisë ta marrë atë vendim”, është shprehur Palmer.

Ndërkohë, lidhur me vendimin e Departamanetit Amerikan të Shtetit, për ta shpallur “non grata” Vangjush Dakon dhe familjen e tij, Palmer tregon se SHBA ka pasur dëshmi të forta në lidhje me aktivitetet e korrupsionit të Vangjush Dakos. “Mendoj se çështja këtu për Shtetet e Bashkuara është se kemi pasur dëshmi të forta në lidhje me aktivitetet e korrupsionit nga ana e zotit Dako. Dhe ne kemi autoritetet që janë të nevojshme për të ndërmarrë veprime në përgjigje të kësaj. Do të shpresoja që ky veprim të demonstronte angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të luftuar kundër korrupsionit dhe për të ndërmarrë veprime atje ku ka prova të forta dhe bindëse të praktikës korruptive. Ky është një autoritet që ne e kemi. Është një autoritet që ne me siguri nuk kemi frikë ta përdorim. Dhe është një autoritet që ne besojmë se mund të kontribuojë në procesin e luftimit të korrupsionit publik në Shqipëri dhe gjetkë”, shprehet Palmer.

Megjithatë, sipas Mathew Palmer, vendimi i DASH për t`i ndaluar Dakos hyrjen në SHBA nuk është çështje e qeverisjes së Kryeminisrtit Rama. “Nuk mendoj se e shohim këtë si çështje të qeverisjes së Kryeministrit. Ne e shohim këtë si një çështje se si Shtetet e Bashkuara reagojnë ndaj sfidës së praktikës korruptive nga ana e atyre që janë në pozitën e besimit publik”, ka thën zyrtari amerikan. Lidhur me krizën politike në Shqipëri, dhe opinionin që është krijuar se SHBA ka mbajtur anën e qeverisë, Matheë Palmer shprehet se SHBA nuk mbajnë anën e askujt në Shqipëri, kërkojnë vetëm sundimin e ligjit. “Ne nuk po mbështesim kryeministrin Rama. Shtetet e Bashkuara nuk po mbajnë anë në mosmarrëveshjet politike të Shqipërisë. Ajo që ne po mbështesim është sundimi i ligjit, mbështesim institucionet shqiptare. Dhe ne do të dëshironim që mosmarrëveshjet politike në Shqipëri të zgjidheshin përmes këtyre institucioneve e jo përmes ndërhyrjeve nga jashtë”.

Lidhur me zgjedhjet e 30 qershorit, Palmer shprehet se procesi ishte transparent dhe votimet u zhvilluan në mënyrë të përgjegjshme, ndonëse pohon shqetësimin që “procesi i mohoi qytetarëve të Shqipërisë një alternativë kuptimplotë”. Por përgjigjet për këtë, shprehet Palmer, duhet të vijnë nga institucionet shqiptare. “Unë mund t’ju them se vëzhguesit tanë panë dhe ndoqën nga shumë afër atë që dëgjuam nga Misioni Monitorues i OSBE-ODIHR-it, pra që zgjedhjet dhe procesi aktual i votimit u zhvilluan kryesisht në mënyrë të përgjegjshme dhe transparente, por procesi i përgjithshëm i mohoi popullit të Shqipërisë një alternativë kuptimplote. Pra, ekzistojnë shqetësime dhe rezerva reale në lidhje me vetë zgjedhjet, siç artikulohen nga OSBE-ja. Përsa i përket se cilat janë përgjigjet e duhura ndaj kësaj, ne do dëshironim ta shihnim këtë të dilte nga institucionet shqiptare”.

SHBA, java e debatit presidencial të demokratëve, kryeson Joe Biden

Këtë javë në Detroit zhvillohet debati i dytë i kandidatëve demokratë për president. Analistët presin një përballje të ashpër mes garuesve. Të martën, në skenë do të jenë kandidatët Bernie Sanders dhe Elizabeth Warren, ndërsa ish nënpresidenti Joe Biden do të debatojë të mërkurën, dhe pritet që ai të përpiqet të shmangë sa më shumë sulmet nga garuesit e tjerë.

Ish nën presidenti Biden kryeson qartë në anketa, por është megjithatë në rënie. Zoti Biden, bashkë me kandidatë të tjerë, vizituan javën që shkoi grupe afrikano-amerikane për të drejtat e njeriut.

Në qendër të vëmendjes ishin komentet e Presidentit Donald Trump kundër katër ligjvënëseve me ngjyrë, që demokratët i quajnë komente raciste.

Gara presidenciale e demokratëve u ashpërsua në qershor, kur senatorja nga Kalifornia, Kamala Harris, pyeti zotin Biden për të kaluarën e tij.

Goditje të ngjashme duhet të presim edhe në debatin që po vjen, thotë një analist për Zërin e Amerikës.

“Ky mund të jetë shansi i fundit për shumicën e 20 kandidatëve. Mënyra për ta bërë këtë është të jenë më agresiv dhe të sulmojnë ata që ajnë në krye të anketave”, thotë Aaron Kall në Universitetin e Miçiganit.

Zoti Biden është sulmuar edhe për mbështjeten që i kishte dhënë në vitin 1994 një projektligji për krimet, i cili sipas senatores Harris çoi në burgosje masive të pakicave.

Po këtë pyetje pritet ta rishtrojë senatori nga Nju Xhersi, Cory Booker. Por, një tjetër analist thotë se votuesit preferojnë të dëgjojnë për çështje ekonomie.

“Mendoj se duhet të fokusohen në çështje si sigurimet shëndetësore, edukimi ose punësimi”, thotë Michael Traugott nga Universiteti i Miçiganit.

Senatori nga Vermonti, Bernie Sanders, i cili radhitet i dyti në sondazhe, me vështirësi po udhëheq në anketa ndaj rivales Elizabet Warren, senatore nga shteti Masaçusets.

“Na duhet një fushatë që i jep energji dhe e gjallëron popullin amerikan”, tha senatori Sanders, kandidat demokrat për president.

Debati u ofron mundësi kandidatëve të flasin drejtpërdrejt me votuesin, gjë që ata do ta bëjnë në muajt e ardhshëm në tubime të vogla kudo në Shtetet e Bashkuara./VOA/

Sulm me armë zjarri në një park në New York, të paktën një i vdekur, 11 të plagosur

Një person  ka hapur një sulm me armë zjarri ndaj qytetarëve që ndodheshin në një park në Brooklyn në New York.

Nga ngjarja e rëndë ka mbetur i vdekur një person, ndërsa janë plagosur 11 të tjerë. Ky është një raport paraprak që paraqesin mediat e huaja, por bilanci i viktimave dhe i të plagosurve pritet të jetë më i lartë. Viktima është një 38-vjeçar, i cili ka marrë disa plumba në kokë.

Sulmi ndodhi gjatë një eventi që po zhvillohej në park, ndërsa policia nuk ka mundur ende të arrestojë agresorin.

Nuk ka ende asnjë informacion se kush janë arsyet e sulmit në SHBA.

Video tronditëse, një grup adoleshentësh rrahin brutalisht një person

Një grup adoleshentësh , jo më shumë se 13-15 vjeç, kanë sulmuar në mënyrë të papritur një person që po qëndronte së bashku me një mikun e tij jashtë një  hoteli në Washington DC. Videoja tregon të dyshuarit që rrahin brutalisht një burrë, i cili është shtruar në spital.

Videoja është kapur nga kamerat e survejimit, ndërsa policia po vijon hetimet për identifikimin e adoleshentëve të përfshirë në sulm.

Shefi i policisë së DC Peter Newsham tha se sulm janë përfshirë më shumë se 10 ose 12 të dyshuar, ndërsa nuk dihen arsyet e që i çuan ato të rrihnin personin. Ndërsa policia po heton ende, Newsham tha se rrahja mund të ketë qenë një rast i një identiteti të gabuar.

Dorëheqja e Haradinaj, SHBA: Po monitorojmë situatën

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, tha në një postim në rrjetet sociale se mënyra se si do ta trajtojnë situatën pas dorëheqjes së kryeministrit do të dëshmojë fuqinë e institucioneve të Kosovës.

“Po e ndjekim nga afër si po përballet Kosovë për herë të parë me dorëheqjen e kryeministrit. Mënyra se si do ta trajtojë Kosova këtë çështje do të dëshmojë fuqinë e institucioneve të Kosovës dhe gatishmërinë e zyrtarëve për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjet”, thuhet në postim.

Ramush Haradinaj paraqiti të premten e kaluar dorëheqjen e pakthyeshme nga posti i kryeministrit pasi mori thirrje për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë e Posaçme në Hagë, e cila është pjesë e Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Të mërkurën ai nuk u është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve në Hagë, duke shfrytëzuar të drejtën e tij për t’u mbrojtur në heshtje. Dorëheqja e tij krijoi një situatë të re në Kosovë dhe vendi ndodhet para zgjedhjeve të parakohshme, meqë të gjitha partitë politike janë shprehur në favor të tyre.

Për javën që vjen, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar fillimin e këshillimeve më partitë politike për veprimet e mëtejme. /VOA/

Bazat amerikane në Turqi në rrezik, në mesin e tensioneve me Ankaranë

Ankaraja paralajmëroi se sanksionet amerikane do të vinin në rrezik të madh vazhdimin e përdorimit nga SHBA-ja, të bazave ajrore ushtarake që ndodhen në territorin turk. Ky zhvillim vjen në një kohë kur Uashingtoni po shqyrton mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Turqisë, për shkak të blerjes nga kjo e fundit, të sistemeve raketore ruse.

Përdorimi i bazës ajrore Inçirlik shihet si jo vetëm me rëndësi jetike ushtarake, por nënvizon marrëdhëniet strategjike mes dy aleatëve të NATO-s.

“Aktualisht po përpilojmë masat e kundërpërgjigjes, që lidhen qoftë me bazën e Inçirlikut, apo atë të Kureçikut (baza amerikane të radarëve në Turqi) si dhe çështje të tjera”, tha ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu në Uashington këtë javë, në atë që shihet si përshkallëzimi më i fundit në tensionet mes dy vendeve.

“Nëse Amerika bën hapa shumë negative ndaj nesh, nëse do të ketë sanksione apo hapa të mëtejshëm, do të kemi një përgjigje ndaj saj”, shtoi ai.

Sipas njoftimeve muajin e kaluar, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan bëri një kërcënim të ngjashëm lidhur me përdorimin e bazës së Inçirlikut, gjatë takimit të tij me Presidentin Donald Trump në periferi të takimit të grupit të G 20-s që u mbajt në Osaka të Japonisë.

Blerja nga Turqia e sistemeve ruse të mbrotjes raketore S-400 shkel atë që njihet si Akti mbi Përgjigjen ndaj Kundërshtarëve të Amerikës Përmes Sanksioneve (CAATSA), që ndalon blerjet e mëdha të pajisjeve ushtarake ruse.

Sipas CAATSA-s, Ankaraja mund të përballet me sanksione të forta ekonomike.

Blerja e sistemeve S-400 solli si rezultat përjashtimin e Turqisë nga programi për blerjen e avionëve amerikanë F-35. Zyrtarët amerikanë besojnë se vendimi i Turqisë për të përdorur teknologjinë ruse me radare të avancuar, mund të kompromentojë sistemet ushtarake të NATO-s. F-35 është avioni më i ri luftarak i NATO-s me teknologji të avancuar.

Analistët thonë se Ankaraja e ka parë gjithmonë përdorimin e bazës së Inçirlikut nga SHBA-ja, si një levë të rëndësishme për ta përdorur në kohë tensionesh mes dy palëve. Gjatë kohës së Luftës së Ftohtë, baza e madhe ajrore e vendosur pranë kufirit sirian ka qenë jetike për interesat strategjike të SHBA-së. Sipas agjencive mbikëqyrësve bërthamore, në bazën e Inçirlikut ndodhet 50 armë bërthamore.

Forcat amerikane vazhdojnë ta përdorin Inçirlikun në përpjekjet kundër grupit terrorist të Shtetit Islamik, si në Irak ashtu edhe në Siri. Ajo gjithashtu përdoret si një qendër e rëndësishme logjistike. Por analistët thonë se rëndësia e Inçirlikut shtrihet përtej interesave ushtarake./VOA/

Ndërhyrja ruse, Ish-Prokurori i Posaçëm Robert Mueller dëshmon përpara Kongresit

Në një ditë dramatike në Uashington, ish-prokurori i posaçëm Robert Mueller filloi të mërkurën dëshminë e tij para Kongresit, lidhur me ndërhyrjen ruse në favor të Donald Trumpit dhe nëse presidenti më pas pengoi drejtësinë, duke u përpjekur të ndalte hetimin e prokurorit.

Në komentet e tij në fillim të seancës, zoti Mueller tha se hetimi arriti në përfundimin se qeveria ruse ndërhyri në zgjedhjet amerikane në mënyrë të gjerë dhe sistematike.

Zoti Mueller tha për një nga përfundimet më të rëndësishme dhe të debatueshme:

“Ne nuk e trajtuam bashkëpunimin me qëllim, që nuk është një term ligjor”. Mbështetur tek politikat dhe parimet e Departamentit të Drejtësisë për drejtësinë (e procesit), ne vendosëm që të mos japim një përcaktim, lidhur me faktin nëse presidenti kreu krim”, tha ai.

Zoti Mueller theksoi gjithashtu se dëshmia e tij do të ishte e kufizuar, pasi ajo mund të ndikonte në çështje që nuk janë përfundimtare dhe sepse Departamenti i Drejtësisë kishte përdorur provilegjin që të mos ta lejonte të fliste për disa tema.

Presidenti Trump kishte thënë se nuk kishte ndër mend ta shohë seancën pesë orëshe të zotit Mueller që do të transmetohet drejtpërdrejt në televizion, ose ndoshta vetëm pjesë të vogla të saj. Ai këmbëngul se seancat janë një humbje e jashtëzakonshme kohe dhe se është bërë e qartë se ai nuk ka bashkëpunuar në mënyrë të qëllimshme me rusët, dhe nuk ka ndërhyrë me hetimin e zotit Mueller.

Por miliona amerikanë që nuk e kanë lexuar raportin prej 448 faqesh të prokurorit të posaçëm, pritet t’i shohin seancat para komisioneve juridik dhe të zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, që pritet të jenë të nxehta dhe interesante.

Seancat janë kritike për 235 demokratët e opozitës në Dhomën e Përfaqësuesve, një e treta prej të cilëve kanë bërë thirrje për fillimin e një procesi shkarkimi ose një hetimi për shkarkim për presidentin Trump.

Aleatët e Presidentit Trump në Kongres thonë se zoti Mueller nuk gjeti asgjë inkriminuese për zotin Trump dhe se kjo çështje duhet mbyllur. Por ata e kanë bërë gjithashtu të qartë se kanë ndër mend ta pyesin zotin Mueller për një hetim që ata thonë se është defektoz dhe me fillesa të dyshimta.

Ndërsa pritet të fillojë seanca, një gjë është e qartë: prokurori me përvojë dhe ish-drejtori i FBI-së, nuk do të thotë asgjë që nuk është pjesë e raportit përfundimtar që i dorëzoi Prokurorit të Përgjithshëm, Ëilliam Barr.

Në maj, zoti Mueller u tha gazetarëve të mos presin shumë përtej asaj që përmban raporti.

“Raporti është dëshmia ime. Nuk do të jepja para Kongresit informacion tjetër përveç asaj që është bërë tashmë publike”, tha ai.  /VOA

Mark Esper konfirmohet për postin e sekretarit të mbrojtjes

Me 90 vota pro dhe 8 kundër, Senati amerikan konfirmoi të martën emërimin e Mark Esper në pozitën e Sekretarit të Mbrojtjes.

Votimi i dha fund procesit që zgjati shtatë muaj dhe që shënon kohën më të gjatë në histori që Pentagoni qëndroi pa udhëheqës.

Zoti Esper, veç përvojës ushtarake ka qenë edhe lobist në industrinë e mbrojtjes.

Pozita e Sekretarit të Mbrojtjes ngeli bosh që kur shefi i parë i mbrojtjes në administratën Trump, Jim Mattis dha dorëheqjen pas një serie mosmarrëveshjesh politike me Presidentin.

Ai kishte ofruar mundësinë e qëndrimit në post edhe për dy muaj para se të largohej, por Presidenti Trump i tha jo.

Zoti Esper ka premtuar se një ndër përparësitë e tij është zgjidhja e problemeve të udhëheqjes në Pentagon./VOA/

Skip to toolbar