Palmer: Për Dakon ka dëshmi të forta, s`mbajmë anën e askujt në Shqipëri

AKTUALITET


Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehen qartë, se “përsëritja e zgjedhjeve në Shqipëri, është vendim që i përket gjykatave në vend, dhe jo SHBA-së”. Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Mathew Palmer, ka dhënë një intervistë për Zërin e Amerikës, ku ka shprehur qëndrimin se nuk i takon SHBA të marrë vendimin nëse zgjedhjet duhet të përsëriten ose jo.  “Kjo varet në të vërtetë nga institucionet shqiptare. Apo jo? Dhe pikërisht për këtë arsye ne do të donim që Gjykata e Lartë të ngrihej, e përbërë nga gjyqtarë që kanë kaluar procesin e duhur të verifikimit. Ajo gjykatë do të ishte pikërisht në gjendje t’i përgjigjej asaj pyetjes. Nuk u takon Shteteve të Bashkuara që ta gjykojnë atë çështje. I takon Gjykatës së Lartë të Shqipërisë ta marrë atë vendim”, është shprehur Palmer.

Ndërkohë, lidhur me vendimin e Departamanetit Amerikan të Shtetit, për ta shpallur “non grata” Vangjush Dakon dhe familjen e tij, Palmer tregon se SHBA ka pasur dëshmi të forta në lidhje me aktivitetet e korrupsionit të Vangjush Dakos. “Mendoj se çështja këtu për Shtetet e Bashkuara është se kemi pasur dëshmi të forta në lidhje me aktivitetet e korrupsionit nga ana e zotit Dako. Dhe ne kemi autoritetet që janë të nevojshme për të ndërmarrë veprime në përgjigje të kësaj. Do të shpresoja që ky veprim të demonstronte angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të luftuar kundër korrupsionit dhe për të ndërmarrë veprime atje ku ka prova të forta dhe bindëse të praktikës korruptive. Ky është një autoritet që ne e kemi. Është një autoritet që ne me siguri nuk kemi frikë ta përdorim. Dhe është një autoritet që ne besojmë se mund të kontribuojë në procesin e luftimit të korrupsionit publik në Shqipëri dhe gjetkë”, shprehet Palmer.


Megjithatë, sipas Mathew Palmer, vendimi i DASH për t`i ndaluar Dakos hyrjen në SHBA nuk është çështje e qeverisjes së Kryeminisrtit Rama. “Nuk mendoj se e shohim këtë si çështje të qeverisjes së Kryeministrit. Ne e shohim këtë si një çështje se si Shtetet e Bashkuara reagojnë ndaj sfidës së praktikës korruptive nga ana e atyre që janë në pozitën e besimit publik”, ka thën zyrtari amerikan. Lidhur me krizën politike në Shqipëri, dhe opinionin që është krijuar se SHBA ka mbajtur anën e qeverisë, Matheë Palmer shprehet se SHBA nuk mbajnë anën e askujt në Shqipëri, kërkojnë vetëm sundimin e ligjit. “Ne nuk po mbështesim kryeministrin Rama. Shtetet e Bashkuara nuk po mbajnë anë në mosmarrëveshjet politike të Shqipërisë. Ajo që ne po mbështesim është sundimi i ligjit, mbështesim institucionet shqiptare. Dhe ne do të dëshironim që mosmarrëveshjet politike në Shqipëri të zgjidheshin përmes këtyre institucioneve e jo përmes ndërhyrjeve nga jashtë”.

Lidhur me zgjedhjet e 30 qershorit, Palmer shprehet se procesi ishte transparent dhe votimet u zhvilluan në mënyrë të përgjegjshme, ndonëse pohon shqetësimin që “procesi i mohoi qytetarëve të Shqipërisë një alternativë kuptimplotë”. Por përgjigjet për këtë, shprehet Palmer, duhet të vijnë nga institucionet shqiptare. “Unë mund t’ju them se vëzhguesit tanë panë dhe ndoqën nga shumë afër atë që dëgjuam nga Misioni Monitorues i OSBE-ODIHR-it, pra që zgjedhjet dhe procesi aktual i votimit u zhvilluan kryesisht në mënyrë të përgjegjshme dhe transparente, por procesi i përgjithshëm i mohoi popullit të Shqipërisë një alternativë kuptimplote. Pra, ekzistojnë shqetësime dhe rezerva reale në lidhje me vetë zgjedhjet, siç artikulohen nga OSBE-ja. Përsa i përket se cilat janë përgjigjet e duhura ndaj kësaj, ne do dëshironim ta shihnim këtë të dilte nga institucionet shqiptare”.




Skip to toolbar