Shehi: Opozita, platformë me 5 kushte (që zor se pranohen nga Rama)

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, aleat i Bashës ka deklaruar të martën se platforma e opozitës për të dalë nga kriza përmban 5 pika dhe një marrëveshje me kushte me Ramën, jo si kryeministër, por si kryetar i PS-së.

Në një intervistë për Report TV, Shehi tha se kërkesat e panegociueshme të opozitës janë: Krijimi i një qeverie tranzitore, ndryshime në Kodin Zgjedhor, Zgjedhje të Lira e të Ndershme, ndryshime në Kushtetutë dhe çlirimi i mediave. Por duket se një tjetër pikë e platformës së PD-së do të jetë edhe reforma në drejtësi, për të cilën Rama në mënyrë kategorike e ka përjashtuar nga bisedimet. Kryeministri ka thënë se reforma në drejtësi vetëm zbatohet, nuk diskutohet.

Sipas Shehit këto janë pikat të cilat opozita do t’i prezantojë maxhorancës përmes një platforme të cilën e citoi edhe Basha nga Shkodra, ku zhvilloi takime me strukturat drejtuese të PD dhe me ish kryetaren e bashkisë, Voltana Ademi. Kushti sipas Shehit është që këto pika të negociohen në bllok me maxhorancën dhe jo të shkëputura nga njëra-tjetra.

“Po përgatisim një platformë për të hyrë në bisedime. Duhen të bëhen ndryshime në kodin zgjedhor. Qëllimi i platformës është krijimi i një qeverie tranzitore dhe zgjedhje të lira. Disa ndryshime në rrafshin Kushtetues, t’i balancojmë këto institucione. E dyta, brenda sistemit të Drejtësisë. Ndryshimi për Kodin Zgjedhor. Kodit të vjetër i kaloi koha. Nuk është vetëm ky çelësi i artë që mund të zgjidhë krizën, por është vetëm një instrument. Ne jemi gati të negociojmë, por jo vetëm për këtë çështje, por për të gjitha  pikat në bllok. Dekriminalizimi i politikës dhe institucioneve, është një çështje tjetër dhe “çlirimi i mediave”. Kjo platformë të çon në zgjedhje të parakohshme me qeveri tranzitore”, tha Shehi.

Aleati i Bashës bëri gjithashtu të ditur se nuk do të ketë asnjë protestë të opozitës para datës 18 tetor, kur Këshilli i Europës do të vendosë për çeljen e negociatave për Shqipërinë. Kushtet e opozitës vijojnë të jenë ekstreme për të cilat vështirë se do të gjejë mbështetjen e maxhorancës. Më herët kryeministri ka pranuar bisedime për reformën zgjedhore, ndërsa e ka theksuar disa herë se nuk ka zgjedhje të parakohshme, sikurse ka theksuar se nuk pranon bisedime për reformën në drejtësi. Ndaj dhe platforma e opozitës pritet të ndezë dhe njëherë debate në skenën e politikës pasi me këto kërkesa, zgjidhja duket e largët./realstory.al

Basha kërkon zgjedhje në pranverë, Shehi: Protesta agresive dhe raport të ri me ndërkombëtarët

Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi mendon se rruga e protestave agresive është e vetmja për të rrëzuar Ramën dhe për të marrë pushtetin. Por duket se ky qëndrim i tij nuk përputhet me qëndrimin e lidershipit të PD-së. Një ditë më herët Edi Paloka u shpreh se PD po përgatitet për zgjedhje në pranverë bashkë me Ramën. Bazuar në këtë deklaratë PD pranon të futet në zgjedhje me Ramën kryeministër, gjë që e kundërshtoi me forcë para 30 qershorit, dhe kjo ishte kauza e 10 protestave të Bashës. Më herët kreu i PD-së ka deklaruar se me nisjen e shtatorit do të rifillojnë protestat e opozitës, por deri tani nuk ka asnjë deklaratë të tij ku të flitet për protesta.

Nga ana tjetër aleati i PD-së, Dashamir Shehi në një prononcimi për mediat, tha se protestat e opozitës do të jenë më të mëdha dhe më agresive.“Unë mendoj që rruga e protestës është kryesorja. Opozita ka shumë ‘armë’, ka prezencën mediatike, raportin me ndërkombëtarët, raportin me qytetarët. Por kjo opozitë si e jona, e cila është jashtë institucioneve, jashtë zgjedhjeve, jashtë të gjitha pushteteve, armën më të madhe ka rrugën. Kjo do të mbetet kryesorja. Sigurisht që protestat do të jenë edhe më të mëdhaja dhe më agresive, por ndërkohë që do i ofrojmë shqiptarëve edhe një platformë jo vetëm se si dilet nga kjo krizë, por si do të jetë Shqipëria e së nesërmes”, deklaroi ai.

Ndryshe nga Basha, Shehi gjithashtu mendon se opozita duhet të përmirësojë marrëdhëniet me ndërkombëtarët dhe të krijojë një raport të ri me ta duke i treguar se PD mbështet reformën në drejtësi.

 “Ne kemi për detyrim t’i shpjegojmë ndërkombëtarëve se çfarë po ndodh në Shqipëri. Unë e shoh që nuk e kuptojnë pasi janë nën presionin e Edi Ramës. E dyta është që ne t’i krijojmë ndërkombëtarëve idenë, që duhet t’ua krijojmë të gjithë shqiptarëve, që ne jemi alternativa. Një tjetër pikë është që ne jemi për reformën në drejtësi. Unë jam për reformën në drejtësi. Jam i bindur që Edi Rama po e kontrollon reformën në drejtësi. Pse po e kap, sepse është ky, ky, ky, të gjitha veglat e Edi Ramës. Ne brenda opozitës duhet të kuptojmë se ndërkombëtarët kanë agjendën e tyre, që është reforma në drejtësi”, u shpreh ai.

Më herët Basha ashtu sikurse Meta kanë sulmuar reformën në drejtësi dhe kanë akuzuar Ramën për kapjen e saj duke krijuar një përplasje  me qëndrimin e ndërkombëtarëve të cilët mbështesin fuqishëm këtë reformë, dhe vetëm një ditë më herët ambasada Amerikane deklaroi se kjo reformë po ecën në rrugën e duhur.

Edhe njëherë këto deklarata që vijnë nga kampi i opozitës tregojnë se ajo është ende në kaos dhe se akoma nuk e ka të kristalizuar strategjinë që do të ndjekë për t’u futur në rrugën institucionale, nga e cila doli dhe mbeti pa asnjë pushtet./realstory.al

Aleatët e Bashës presin dekretin e ri të Metës

Krerët e partive aleate të PD-së, zhvilluan të enjten një takim me presidentin Ilir Meta. Në përfundim të takimit, kreu i LZHK Dashamir Shehi foli në emër të aleatëve dhe tha se së shpejti presidenti do të nxjerrë një dekret të ri për një datë të re zgjedhjesh.

“Patëm një diskutim me ftesë të Presidentit për situatën që po rëndohet. Presidenti ka një ide të tillë si ka qenë me kohë që zgjedhjet me datë 30 nuk bëhen sepse kemi një dekret të presidentit. Besoj se dekreti për datën e zgjedhjeve do të jetë gjatë ditës në vijim. Besoj se nga pasditja ose nga darka do dalë një deklaratë. Do të kemi një mendim unik me PD dhe aleatët e tjerë”, tha Shehi.

Gjatë ditës së enjte presidenti Meta zhvilloi takime me kryetarin e PD-së, Basha, nënkryetarin e LSI-së, Vasili si dhe me krerët e partive të vogla.

Meta ftoi në takim edhe kryeministrin Rama, por ai refuzoi duke thënë se është në kulmin e fushatës zgjedhore. Presidenti Meta bashkë me partitë e opozitës nuk e njeh datën 30 qershor për zhvillimin e zgjedhjeve dhe siç ka deklaruar edhe Shehi, pritet që Meta të dekretojë një datë të re zgjedhjesh.

Skip to toolbar