Basha kërkon zgjedhje në pranverë, Shehi: Protesta agresive dhe raport të ri me ndërkombëtarët

AKTUALITET


Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi mendon se rruga e protestave agresive është e vetmja për të rrëzuar Ramën dhe për të marrë pushtetin. Por duket se ky qëndrim i tij nuk përputhet me qëndrimin e lidershipit të PD-së. Një ditë më herët Edi Paloka u shpreh se PD po përgatitet për zgjedhje në pranverë bashkë me Ramën. Bazuar në këtë deklaratë PD pranon të futet në zgjedhje me Ramën kryeministër, gjë që e kundërshtoi me forcë para 30 qershorit, dhe kjo ishte kauza e 10 protestave të Bashës. Më herët kreu i PD-së ka deklaruar se me nisjen e shtatorit do të rifillojnë protestat e opozitës, por deri tani nuk ka asnjë deklaratë të tij ku të flitet për protesta.

Nga ana tjetër aleati i PD-së, Dashamir Shehi në një prononcimi për mediat, tha se protestat e opozitës do të jenë më të mëdha dhe më agresive.“Unë mendoj që rruga e protestës është kryesorja. Opozita ka shumë ‘armë’, ka prezencën mediatike, raportin me ndërkombëtarët, raportin me qytetarët. Por kjo opozitë si e jona, e cila është jashtë institucioneve, jashtë zgjedhjeve, jashtë të gjitha pushteteve, armën më të madhe ka rrugën. Kjo do të mbetet kryesorja. Sigurisht që protestat do të jenë edhe më të mëdhaja dhe më agresive, por ndërkohë që do i ofrojmë shqiptarëve edhe një platformë jo vetëm se si dilet nga kjo krizë, por si do të jetë Shqipëria e së nesërmes”, deklaroi ai.


Ndryshe nga Basha, Shehi gjithashtu mendon se opozita duhet të përmirësojë marrëdhëniet me ndërkombëtarët dhe të krijojë një raport të ri me ta duke i treguar se PD mbështet reformën në drejtësi.

 “Ne kemi për detyrim t’i shpjegojmë ndërkombëtarëve se çfarë po ndodh në Shqipëri. Unë e shoh që nuk e kuptojnë pasi janë nën presionin e Edi Ramës. E dyta është që ne t’i krijojmë ndërkombëtarëve idenë, që duhet t’ua krijojmë të gjithë shqiptarëve, që ne jemi alternativa. Një tjetër pikë është që ne jemi për reformën në drejtësi. Unë jam për reformën në drejtësi. Jam i bindur që Edi Rama po e kontrollon reformën në drejtësi. Pse po e kap, sepse është ky, ky, ky, të gjitha veglat e Edi Ramës. Ne brenda opozitës duhet të kuptojmë se ndërkombëtarët kanë agjendën e tyre, që është reforma në drejtësi”, u shpreh ai.

Më herët Basha ashtu sikurse Meta kanë sulmuar reformën në drejtësi dhe kanë akuzuar Ramën për kapjen e saj duke krijuar një përplasje  me qëndrimin e ndërkombëtarëve të cilët mbështesin fuqishëm këtë reformë, dhe vetëm një ditë më herët ambasada Amerikane deklaroi se kjo reformë po ecën në rrugën e duhur.

Edhe njëherë këto deklarata që vijnë nga kampi i opozitës tregojnë se ajo është ende në kaos dhe se akoma nuk e ka të kristalizuar strategjinë që do të ndjekë për t’u futur në rrugën institucionale, nga e cila doli dhe mbeti pa asnjë pushtet./realstory.al




Skip to toolbar