Meta në kërkim të qetësisë, lajmëron 7 orë para që do flasë pas seancës kuvendore

Këtë të enjte Parlamenti do të mblidhet në një seancë maratonë, e cila është parashikuar të mbahet për pesë orë, pritet të votohet shkarkimi i Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës.

Kryeministri Edi Rama ka vendosur të flasë në mesditë në seancën plenare. Ndërkohë, fill pas përfundimit të kësaj seance, në ambientet e presidencës do të zhvillohet një tjetër konferencë për shtyp nga kreu i shtetit Ilir Meta.

Sigurisht, ky i fundit ka zgjedhur orën 17:00, e cila praktikisht përkon me orën e përfundimit të seancës parlamentare, ku e vetmja pikë e rendit të ditës është votimi i shkarkimit të Ilir Metës.

Në godinën përballë Pallatit të Kongreseve, që gjithmonë të krijon idenë e një vendi të qetë, gjithçka mund të ketë ditët e fundit, por qetësia duket se ka humbur. Madje, as sloganin e dikurshëm elektoral, “Me qetësi dhe dashuri”, që ish-kreu i LSI, Ilir Meta, tani President i Republikës, duket se nuk gjen vend në përdorimin e tij.

Të mërkurën, Ilir Meta pati takime me partitë aleate të Lulzim Bashës, lidhur me vendosjen e një date të re për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, por pavarësisht kësaj, mazhoranca është e vendosur të respektojë 30 qershorin, si datën kushtetuese të zhvillimit të zgjedhjeve. Mazhoranca ka dhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve.

Balla: Nuk tërhiqemi nga vendimi për të shkarkuar Metën

Pas një takimi me delegacionin e Bundestagut gjerman, kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla tha për mediat se 2019 do të jetë viti i hapjes së negociatave për Shqipërinë. Interesimit të gazetarëve nëse do të ketë tërheqje për shkarkimin e presidentit Meta, Balla tha se Partia Socialiste është e vendosur ta shkarkojë atë pas aktit antikushtetues që ka ndërmarrë.

“PS nuk është tërhequr aspak për të shkarkuar presidentin Meta. Më vjen keq që nuk lexohet siç duhet Rezoluta e Kuvendit. Presidenti i Republikës ka bërë një akt antikushtetues. Akti i paprecedent i presidentit nuk ka asnjë vlerë juridike. Duhet të lemë Kuvendin që të bëjë detyrën që i takon. Ditën e enjte, Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë një debat dhe në fund do të dalë në përfundim. Përballë një akti antikushtetues, duhet një hap ligjor që të dënojë antikushtetueshmërinë. Presidenti mund të ketë shumë dëshira, por jo gjitha dëshirat mund t’i shndërrojë në dekrete” tha Balla.

E plotë, zbulohet Draft Rezoluta e PS për shkarkimin e Ilir Metës

Këtë të martë, pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve në Kuvendin e Shqipërisë, është zbardhur e plotë Draft Rezoluta e Partisë Socialiste për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta, pasi ky i fundit vendosi të shfuqizonte dekretin që përcaktonte mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 30 qershor.

Në këtë dokument, Partia Socialiste e quan të pavlefshëm dekretin e Presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, ndërsa shton, se kreu i shtetit me këtë akt ka ndërhyrë në një proces zgjedhor tashmë të shpallur dhe administruar sipas kushteve dhe afateve të parashikuara nga Kodi Zgjedhor.

Akti i Presidentit, në mënyrë të kundraligjshme, ka për qëllim ndërhyrjen në një proces zgjedhor tashmë të shpallur dhe të administruar sipas kritereve, kushteve dhe afateve të parashikuara në Kodin Zgjedhor, sic është procesi i nisur për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve të datë 30 Qershor 2019”, thuhet ndër të tjera në Draft-Rezolutën e PS.

Draft Rezoluta e plotë:

MBI AKTIN E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS PËR SHFUQIZIMIN E DEKRETIT Nr. 10928, DATË05.11.2018 “PËR CAKTIMIN E DATËS SË ZGJEDHJEVE PËR ORGANET E QEVERISJES VENDORE

Kuvendi i Shqipërisë:

  • Duke i kushtuar rëndësinë maksimale momentit historik në të cilin ndodhet vendi për procesin integrues me Bashkimin Europian, në pritje të vendimit të Këshillit Europian pas rekomandimit pa kushte të shprehur në progres raportin e Komisionit Europian të datës 29 Maj 2019 për çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE;
  • Duke ripërsëritur vendosmërinë dhe vullnetin e plotë për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, të pranuar gjerësisht nga aktorët politik në vend, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODHIR pasqyruar në raportet e monitorimit për zgjedhjet e mëparëshme si dhe në harmoni të plotë me standartet ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të barabarta;
  • Duke mbështetur fuqimisht zbatimin e reformës në drejtësi si kriter kyç për të ardhmen europiane të vendit si dhe për sundimin e së drejtës dhe forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri, reformë që vlerësohet me nota shumë pozitive në progres raportin e Komisionit Europian dhe ku Shqipëria veçohet si shembull për t’u ndjekur nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor;
  • Duke vlerësuar ngritjen e organeve të reja tëqeverisjes së sistemit të drejtësisë si Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, hapat e ndërmarra për plotësimin e shpejtë të vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, për ngritjen e prokurorisë dhe gjykatës speciale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm dhe duke inkurajuar intensifikimin e zbatimit të reformës në drejtësi në këtë drejtim;
  • Duke vlerësuar të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të protestuar lirisht dhe në formë paqësore, dënon çdo formë dhune kundër jetës, pronës, rendit institucional dhe organeve të shtetit, të cilat në të njëjtën kohëndikojnë negativisht në imazhin e vendit, minojnë procesin e reformave dhe procesin e hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin  Europian;
  • Duke vlerësuar dialogun politik dhe institucional midis aktorëve politik, parlamentar dhe jo parlamentar, si rrugën e vetme që njeh demokracia funksionale për bashkëjetesën politike dhe shoqërore, ashtu siç dhe rekomandon Komisioni Europian në raportin e Majit 2019 se partitë e opozitës jashtë parlamentare duhet të ripërfshihen në mënyrë konstruktive në institucione demokratike e të ndalin veprime që bien ndesh me parimet demokratike;
  • Duke mbajtur përgjegjësinë që i ngarkon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 1 të saj ku shprehimisht thuhet se Shqipëria është Republikë Parlamentare;
  • Duke respektuar parashikimin kushtetues se qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike;
  • Duke mbajtur në konsideratë rolin e Presidentit në një republikë parlamentaresi një organ neutral, i paanshëm dhe i pavarur, si një organ që qëndron në të gjitha pushtetet dhe që nuk bën pjesë në to, si një institucion që nuk mund të jetë aktiv në proceset vendimmarrëse politike me qëllim shmagjen e qëndrimeve politiko partiake në ushtrimin e funksioneve të tij shtetërore;

Kuvendi i Shqipërisë duke u njohur me aktin e Presidentit datë 10.06.2019 për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore” dhe duke konsideruar se ky është një akt i paprecedentë që synon të mohojë realizimin e së drejtës kushtetuese të shtetasve shqiptarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor konstaton:

  • Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor nuk i njohin Presidentit të drejtën për të anulluar zgjedhjet;
  • Akti i Presidentit, në mënyrë të kundraligjshme, ka për qëllim ndërhyrjen në një proces zgjedhor tashmë të shpallur dhe të administruar sipas kritereve, kushteve dhe afateve të parashikuara në Kodin Zgjedhor, sic është procesi i nisur për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve të datë 30 Qershor 2019;
  • Ky akt tenton të ndërhyjë drejtpërdrejtë në një proces që tashmë është në kompetencë të organit administrues të tij dhe si i tillë duhet shqyrtuar dhe vlerësuar nga organet e administrimit zgjedhor të parashikuara në Kodin Zgjedhor;
  • Është detyrim i administratës zgjedhore, jo vetëm të garantojë ushtrimin e së drejtës së zgjedhjes sipas standarteve kushtetuese dhe ligjore nga shtetasit shqiptarë, por edhe ta mbrojë ushtrimin e kësaj të drejte nga çdo ndërhyrje e paligjshme e kryer apo që tentohet të kryhet, nga çdo person fizik apo juridik, duke mos lejuar cënimin e mbarëvajtjes së këtij procesi;
  • Bazuar nëparimin e ligjshmërisë dhe përgjegjësisë si dhe diskrecionit të organeve administrative, sipas të cilëve asnjë organ nuk ka detyrimin dhe nuk mban përgjegjësi ligjore nëse nuk zbaton një urdhër, akt, apo cfarëdo vendimi absolutisht të pavlefshëm dhe që bie në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe ligjin;
  • Ndërhyrjen e Presidentit të Republikës në këtë fazë të procesit zgjedhor si një mjet që ka cënuar rëndë barazinë e konkurimit politik duke shkelur kështu paanësinë politike që Kushtetuta i ka veshur Presidentit të Republikës;
  • Mundësinë e aktivizimit të mekanizmave të kontrollit dhe hetimit parlamentar parashikuar nga neni 90, paragrafi 2 i Kushtetutës;

Kuvendi i Shqipërisë vlerëson se akti i Presidentit datë 10.06.2019 për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, është një akt absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në kapërcim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë.

Kuvendi i Shqipërisë mbështet qëndrimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për vijimin e procesit zgjedhor dhe inkurajon këtë organ të vijojë të mbrojë pacënueshmërinë si dhe të garantojë vazhdimësinë e procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore të datës 30 Qershor 2019 nisur si rrjedhojë e zbatimit të Dekretit të Presidentit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, duke e njohur këtë të fundit sitë vetmin akt të ligjshëm të nxjerrë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë në kuadër të zgjedhjeve vendore 2019.

Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje të gjitha organeve publike që ngarkohen nga ligji me detyra në kuadër të mbarëvajtjes dhe organizimit të zgjedhjeve vendore të Qershorit 2019 të konsiderojnë si inekzistent aktin e Presidentit datë 10.06.2019 për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 dhe të vijojnë përmbushjen e detyrave të tyre sipas përcaktimeve në legjislacionin përkatës për të garantuar të drejtën kushtetuese të shtetasve shqiptarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor.

Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërrmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës.

Shkarkimi i Presidentit, të gjithë hapat ligjorë deri në miratimin në Kuvend

Në bazë të Kushtetutës Presidenti shkarkohet nga Kuvendi kur kapet në shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe Partia Socialiste e bëri mëse të qartë vendimin e saj, nisjen e procedurave për shkarkimin e Metës.

Po si procedohet në një rast të tillë dhe sa ditë i duhet parlamentit për të shkarkuar presidentin?

Kjo është e parashikuar në nenin 112 të Rregullores së Kuvendit. Sipas këtij neni nis mbledhja e firmave të deputetëve, gjë që ka nisur që dje në radhët e PS-së. Socialistët duhet të mbledhin jo më pak se një të katërtën e firmave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, përmes të cilët hartojnë kërkesën për të shkarkuar nga detyra presidentin.

Kërkesa duhet të paraqitet me shkrim te Kryetari i Kuvendit dhe të përmbajë në mënyrë të motivuar dhe konkrete shkeljen e rëndë të Kushtetutës ose kryerjen e një krimi të rëndë. Me paraqitjen e propozimit, Kryetari i Kuvendit vë menjëherë në dijeni Kuvendin dhe Presidentin e Republikës.

Më pas kryetari i Kuvendit ia përcjell kërkesën në fjalë komisionit të ligjeve, i cili maksimumi brenda 15 ditëve i paraqet Kuvendit raportin dhe propozimin e tij për ngritjen ose mosngritjen e një komisioni hetimor. Në rast se kërkohet nga Presidenti i Republikës për t’u shprehur në Komision, Komisioni është i detyruar ta dëgjojë atë, duke i lënë një kohë të mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes dhe dhënien e sqarimeve.  

Më pas Kuvendi zhvillon debat në seancë plenare jo më vonë se 7 ditë nga data e paraqitjes së raportit nga komisioni i Ligjeve.

Në rast se Kuvendi pranon nëpërmjet votimit raportin dhe propozimin e Komisionit për Çështjet Ligjore, ngre brenda 2 ditëve një komision hetimor për këtë çështje. Komisioni hetimor është i detyruar të thërrasë dhe të dëgjojë mendimin e Presidentit të Republikës në lidhje me propozimin e paraqitur.

Në përfundim të hetimit, Kuvendi shqyrton raportin e komisionit hetimor në një seancë të veçantë brenda 20 ditëve nga paraqitja e tij. Konferenca e Kryetarëve përcakton datën e votimit në Kuvend të kërkesës për shkarkim të Presidentit të Republikës dhe kohën e debatit, sipas nenit 48 të kësaj Rregulloreje. Në rast se kërkohet nga Presidenti i Republikës për t’u dëgjuar në seancë plenare, Kuvendi është i detyruar ta dëgjojë atë. Kuvendi vendos për shkarkimin e Presidentit të Republikës me jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij dhe me votim të fshehtë. Vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës i dërgohet Gjykatës Kushtetuese nga Kryetari i Kuvendit brenda 5 ditëve nga marrja e tij.

Shkarkimi i presidentit, PS dorëzon kërkesën për debat në Kuvend

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i ka nisur një letër kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi ku kërkon që në seancën parlamentare të ditës së enjte të zhvillohet një mocion debati në lidhje me vendimin e presidenti Meta për të çdekretuar zgjedhjet e 30 qershorit.

Në kërkesën drejtuar Kuvendit, Balla e cilëson vendimin e presidentit Meta të pavlefshëm dhe përtej kompetencave të tij në kundërshtim me parimet Kushtetuese.

Gjatë ditës së hënë, edhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi se në seancën e së enjtes në Parlament do të kërkohet shkarkimi i presidentit Meta.

Skip to toolbar