Shkarkimi i Presidentit, të gjithë hapat ligjorë deri në miratimin në Kuvend

AKTUALITET


Në bazë të Kushtetutës Presidenti shkarkohet nga Kuvendi kur kapet në shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe Partia Socialiste e bëri mëse të qartë vendimin e saj, nisjen e procedurave për shkarkimin e Metës.

Po si procedohet në një rast të tillë dhe sa ditë i duhet parlamentit për të shkarkuar presidentin?


Kjo është e parashikuar në nenin 112 të Rregullores së Kuvendit. Sipas këtij neni nis mbledhja e firmave të deputetëve, gjë që ka nisur që dje në radhët e PS-së. Socialistët duhet të mbledhin jo më pak se një të katërtën e firmave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, përmes të cilët hartojnë kërkesën për të shkarkuar nga detyra presidentin.

Kërkesa duhet të paraqitet me shkrim te Kryetari i Kuvendit dhe të përmbajë në mënyrë të motivuar dhe konkrete shkeljen e rëndë të Kushtetutës ose kryerjen e një krimi të rëndë. Me paraqitjen e propozimit, Kryetari i Kuvendit vë menjëherë në dijeni Kuvendin dhe Presidentin e Republikës.

Më pas kryetari i Kuvendit ia përcjell kërkesën në fjalë komisionit të ligjeve, i cili maksimumi brenda 15 ditëve i paraqet Kuvendit raportin dhe propozimin e tij për ngritjen ose mosngritjen e një komisioni hetimor. Në rast se kërkohet nga Presidenti i Republikës për t’u shprehur në Komision, Komisioni është i detyruar ta dëgjojë atë, duke i lënë një kohë të mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes dhe dhënien e sqarimeve.  

Më pas Kuvendi zhvillon debat në seancë plenare jo më vonë se 7 ditë nga data e paraqitjes së raportit nga komisioni i Ligjeve.

Në rast se Kuvendi pranon nëpërmjet votimit raportin dhe propozimin e Komisionit për Çështjet Ligjore, ngre brenda 2 ditëve një komision hetimor për këtë çështje. Komisioni hetimor është i detyruar të thërrasë dhe të dëgjojë mendimin e Presidentit të Republikës në lidhje me propozimin e paraqitur.

Në përfundim të hetimit, Kuvendi shqyrton raportin e komisionit hetimor në një seancë të veçantë brenda 20 ditëve nga paraqitja e tij. Konferenca e Kryetarëve përcakton datën e votimit në Kuvend të kërkesës për shkarkim të Presidentit të Republikës dhe kohën e debatit, sipas nenit 48 të kësaj Rregulloreje. Në rast se kërkohet nga Presidenti i Republikës për t’u dëgjuar në seancë plenare, Kuvendi është i detyruar ta dëgjojë atë. Kuvendi vendos për shkarkimin e Presidentit të Republikës me jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij dhe me votim të fshehtë. Vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës i dërgohet Gjykatës Kushtetuese nga Kryetari i Kuvendit brenda 5 ditëve nga marrja e tij.




Skip to toolbar