Covid 19 ‘prek’ shkollat e gjimnazet në vend. Ja rastet në Vlorë, Gjirokastër e Bulqizë

Me nisjen e vitit të ri shkollor regjistrohen edhe rastet e para të infektimeve.

Kështu në Gjirokastër, është regjistruar një rast me Covid 19 në gjimnazin “Siri Shapllo”, në vitin e të. Mësohet se është bërë tamponimi i nxënësve të klasës dhe kontakteve.

Po ashtu në Bulqizë rezultojnë pozitiv me Covid 19 5 mësues në shkollën “Shefqet Tançi”.

Po ashtu mësohet se ka rezultuar pozitiv edhe një nxënës në shkollën e Çerenecit. Ndonëse në shkollën “Shefqet Tançi” janë pesë mësues të infektuar, mësimi vijon pa ndërprerje.

Covid 19 ka prekur edhe universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë.

Mësohet se në këtë universitet janë konfirmuar pozitiv me Covid 19 disa persona në këto ditë të fundit. Ata momentalisht janë karantinuar teksa është bërë dhe dezinfektimi i ambjenteve të universitetit. Universiteti i Vlorës ka 3 godina të tij,por edhe infermieria është zhvendosur në një tjetër ambjent,ku në fakt dyshohet që dhe aty të ketë raste me Covid 19.

PD denoncon kushtet në shkolla: Asnjë masë shtesë, mbi 50 mësues me COVID-19

Për PD, java e parë e vitit të ri shkollor dëshmoi që qeveria ishte e papërgatitur për pritjen e nxënësve dhe të mësuesve në kushte pandemie.

Në një prononcim për mediat nga selia e PD, ish deputetja Albana Vokshi u shpreh se mbi 50 mësues janë me COVID-19, ndërsa shtoi se nuk është marrë asnjë masë shtesë nga qeveria.

“Asnjë nga 103 shkollat e shembura dhe dhjetëra të dëmtuara rëndë nuk ishin gati për rreth 23 mijë nxënës dhe mësues.” theksoi Vokshi.

DEKLARATA E PARTISË DEMOKRATIKE
Java e parë e vitit të ri shkollor dëshmoi që qeveria ishte e papërgatitur për pritjen e nxënësve dhe të mësuesve në kushte pandemie. Edi Rama mashtroi me premtimin për rindërtimin dhe hapjen e shkollave të dëmtuara nga tërmeti në këtë shtator. Asnjë nga 103 shkollat e shembura dhe dhjetëra të dëmtuara rëndë nuk ishin gati për rreth 23 mijë nxënës dhe mësues. Në javën e parë të vitit të ri shkollor doli në pah shqetësimi kryesor i yni dhe i prindërve se në rreth 80% e shkollave nuk ka kushte higjenike dhe infrastruktura e dobët shkollore nuk krijon kushtet për zbatimin e protokolleve të sigurisë.

Kjo ka ndodhur sepse në 8 vjet, investimet e kësaj qeverie në arsim kanë shkuar vetëm për fasadën, asgjë për kushtet reale që ndihmojnë nxënësit dhe mësuesit. 25 milonë euro ka mbledhur Erion Veliaj taksë për infrastrukturën shkollore në Tiranë, por këto para nuk kanë shkuar për përmirësimin e kushteve të shkollave në Tiranë. Me 25 milionë euro duhet të ishin ndërtuar të paktën 10 shkolla supermoderne ose të ishin transformuar dukshëm të gjitha shkollat e kryeqytetit. Këta na rrisin taksat dhe pastaj taksat zhduken pa dhënë askush llogari ku shkojnë.

Qeveria nuk shtoi asnjë qindarkë për të rritur sigurinë e nxënësve dhe të mësuesve. Vetëm nga të dhënat tona, në të gjithë vendin kanë rezultuar të infektuar që javën e parë më shumë se 50 mësues, edukatorë dhe sanitarë. Në Tiranë janë dy shkolla të mëdha me mësues të infektuar. Gjimnazi “Ismail Qemali”, ku nëndrejtoresha ka rezultuar me COVID, duke infektuar edhe 2 mësuese të tjera. Gjithçka është mbajtur e fshehur deri në denoncimin e një mësueseje, ndërkohë që janë testuar një numër i kufizuar mësuesish.

Tek gjimnazi “Petro Nini Luarasi” ka më shumë se 5 mësues të infektuar, por situata kritike mbahet e fshehtë. Tek shkolla “Jerodim De Rada”, 10 mësues janë të infektuar dhe 12 të tjerë të karantinuar.
Në Delvinë janë 3 të infektuar: 1 mësuese, 1 edukatore kopshti dhe 1 sanitare. Në Sarandë janë 9 mësues, edukatorë dhe sanitarë të infektuar. Në Ersekë janë 12 mësues të infektuar. Edhe në Bulqizë janë 4 mësues me Covid, por nuk është urdhëruar pezullimi i mësimit siç parashikonte edhe vetë udhëzuesi i qeverisë. Kushtet janë skandaloze në të gjithë vendin. Në dhjetëra shkolla mungojnë termometrat, si masa më elementare anticovid. Qeveria e Shqipërisë është shumë mbrapa asaj të Kosovës, e cila ka certifikuar të gjitha shkollat e saj. Në Kosovë e dinë se cila shkollë i përmbush kushtet higjeno-sanitare dhe cila jo. Vetë Ministri i Arsimit ka dalë në inspektime që përpara vitit të ri shkollor. Ndërsa tek ne, bëhet vetëm propagandë pa marrë asnjë masë konkrete.

Për mësuesit dhe edukatorët duhet pa vonesë testim masiv. Nuk është një investim i madh në para, janë më pak se 2 milionë dollarë, të cilat sigurojnë testim kombëtar për COVID 19 dhe testim serologjik, nëse mësuesit e kanë kaluar apo jo virusin. Testimi për mësuesit dhe stafin në shkolla
Uji i rrjedhshëm ne shkolla
Termometrat dhe dezinfektantët Maskat falas në shkolla
Marrja e masave për të shmangur grumbullimet e familjarëve
Transporti brenda kushteve të sigurisë janë vetëm disa nga masat më elementare që qeveria duhet të marrë me urgjencë përpara se të jetë shumë vonë. Partia Demokratike do të vazhdojë ta monitorojë më vëmendje situatën kritike në shkolla, jo vetëm nga pikëpamja e shëndetit, por edhe e cilësisë së mësimdhënies. Mungesa e kushteve të sigurisë për shëndetin ka krijuar që tani gropa të mëdha në arsim. Orët e shkurtuara dhe mbingarkesa torturuese për mësuesit janë 2 tregues të rëndësishëm se dijet e fëmijëve në shkolla do të jenë të cunguara.

Kryebashkiaku Veliaj inspekton punimet për dy shkollat e reja në “Don Bosko”

Më parë, “Don Bosko” cilësohej si një zonë informale, e lënë pas dore. Por, veç blloqeve të sistemuara të banimit, së shpejti do të hapin dyert edhe dy shkolla të reja. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi kantierin e ndërtimit të shkollës 9- vjeçare “Vaçe Zela”, në të cilën është integruar edhe një kopësht, dhe të shkollës së mesme “Kristo Frashëri”, të cilat zgjidhin përfundimisht nevojat e 7 mijë banorëve të këtij komuniteti.

“Kjo që po ndodh në fund të “Don Boskos” është një mrekulli. Dikur konsiderohej si një nga zonat informale të lëna pas dore, sot jo vetëm është urbanizuar nga ndërtesat edhe banesat private, po më në fund i përgjigjemi një komuniteti prej 7 mijë banorësh, që e ka vuajtur çështjen e arsimit prej rreth 30 vitesh. Sot themi se kjo zonë kufitare mes njësisë 9 dhe njësisë 11, është integruar në Tiranë me dy nga shkollat më të bukura, shkollën “Vaçe Zela” dhe “Kristo Frashëri”, të cilat kombinuar si dy “L”, për të krijuar një oborr të brendshëm dhe për të dhënë një sens qetësie dhe sigurie”, u shpreh Veliaj.

Dy shkollat e reja pritet të përfundojnë përpara afatit, ndërsa do të nisë rehabilitimi i dy shkollave të tjera “Qazim Turdiu” dhe “Hasan Vogli”. “Po sigurohemi që klasat të kenë më pak nxënës. Është super lajm që, semestrin tjetër, do të kemi një shkollë e cila ka 60 klasa, rreth 2000 nxënës, përfshirë këtu edhe parashkollorin. Të heqësh 2000 nxënës nga mbingarkesa e shkollave të tjera, është diçka fantastike sepse krijon kushte shumë më të mira për ta. Do të mundohemi të përfundojmë përpara afatit, që semestri i dytë të na kapë me shkolla të reja, në mënyrë që nxënësit e shkollave “Qazim Turdiu” dhe “Hasan Vogli”, të cilat do të restaurohen për shkak të tërmetit, të kemi mundësi t’i sistemojmë këtu”, shpjegoi kryebashkiaku.

Ai theksoi se kjo bashki do të mbahet mend për vëmendjen ndaj arsimit dhe numrin e madh të shkollave të reja. “Unë nuk e di për çfarë do mbahemi mend, por shpresoj shumë që nga shumë punë që kemi bërë, të jetë kjo e shkollave. Me shkollën “Vaçe Zela” dhe “Kristo Frashëri”, dy emra të mëdhenj, shpresoj se do gjejnë frymëzim breza të tërë dhe do kuptojmë se arsimi dhe kultura janë gjithçka, nuk i prish as tërmeti, as përmbytja, as Covid-i. Ato që kemi në kokë, në zemër dhe vlerat që na karakterizojnë si shoqëri, nuk ka tërmet që na i heq”, tha Veliaj.

Ndërtimi i dy shkollave të reja ka sjellë që tani rritje të vlerës së pronës dhe më shumë interes për banorët, për të investuar në këtë zonë. “Me ardhjen e shkollës këtu, ka filluar edhe urbanizimi i zonës. Shumë prej atyre që kanë pasur shtëpitë të ndërtuara keq, pa leje, po konsolidohen në pallate që do prodhojnë apartamente, çifte të reja dhe pastaj, fëmijë që do frekuentojnë këto shkolla. Më vjen mirë që më në fund nuk bëjmë arna, por bëjmë një shkollë, që do mendojë edhe për Tiranën e 30 viteve”, deklaroi ai. Dy shkollat e reja do të kenë edhe klasa me specifika të ndryshme, për të inkorporuar brenda saj edhe artin, dhe të gjitha aktivitetet e tjera pas shkollore. Ndërkaq, pjesë e institucioneve të reja arsimore janë edhe palestrat me përmasa olimpike, që do t’i shërbejnë komunitetit pas mësimit.

Pse u mbyll shkolla iraniane në Tiranë?

Të enjten më 23 janar, u publikua një urdhër i Qeverisë për mbylljen e shkollës së mesme jopublike “Saadi” në Tiranë. Kjo shkollë mbështetej dhe financohej nga Irani. Vendimi për mbylljen e shkollës është firmosur në datën 17 janar të këtij viti, dy ditë pasi ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dëboi dy diplomatë iranianë në Tiranë.

Në urdhrin e mbylljes së shkollës nuk jepej asnjë arsye lidhur me këtë vendim. Por pak orë më pas, Ministria e Arsimit reagoi zyrtarisht, për të mos lënë vend për spekulime, duke treguar arsyet e mbylljes së shkollës iraniane në Tiranë. Sipas një njoftimit të bërë nga MASR, thuhet se autoritetet e kësaj shkolle kanë bërë vetë kërkesë për mbylljen e saj.

“Shkolla është mbyllur me kërkesë të vetë subjektit që ka themeluar shkollën për arsye të reduktimit të të ardhurave dhe aftësisë paguese, dhe jo për arsyet që janë raportuar në shumë portale pa bërë as më të voglin verifikim me stafin e MASR. Zhgënjyese në këtë rast mungesa e interesimit për të raportuar faktet”, thuhet në sqarimin e Ministrisë.

Megjithatë, urdhëri për mbylljen e shkollës është firmosur nga ministrja Besa Shahini, vetëm dy ditë pasi kolegu i saj Gent Cakaj, njoftoi se Ministria e Jashtme kishte urdhëruar dëbimin e dy diplomatëve iranianë, Mohammad Ali Arz Peimanemati konsulli i Tretë dhe Seyed Ahmad Hosseini Alast, Konsull Kulturor.

Ushqim i pasigurt, AKU: Kontrolluam 272 “fast-food”

Disa ditë pasi në Postribë të Shkodrës u helmuan rreth 60 nxënës të një shkolle, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit lajmëroi se prej nisjes së vitit të ri shkollor, janë kryer kontrolle zyrtare në 272 operatorë të biznesit ushqimor (fast-food, piceri, byrektore, kuzhina shkollash e koptesh apo markete). Sipas AKU, kontrollet janë kryer gjatë periudhës 16 shtator deri në 9 tetor.

Nga analizat e kryera, mësohet se janë bllokuar 77.8 kilogram produkte ushqimore të pasigurta për konsum njerëzor, janë vendosur 104 masa administrative “paralajmërim”, janë bllokuar 4 aktivitete  biznesesh dhe janë vendosur 14 masa administrative “gjobë” me vlerën totale 3,010,000 lekë.

Masat administrative i referohen shkeljeve të parashikimeve ligjore që lidhen me: tregtimin e produkteve jashtë afateve të përdorimit, mungesën e sistemit të gjurmueshmërisë, mungesën e planit të vetëkontrollit, kushtet higjeno-sanitare të papërshtatshme, mungesën të librezave shëndetësore, mosrealizimin e detyrave të lëna, tregtimin në kushte të papërshtatshme etj.

Droga e bullizmi, 800 policë në shkolla

Drejtori i Rendit Publik, Albert Dervishi, ka njoftuar të hënën se policia ka marrë të gjitha masat për mbrojtjen e nxënësve dhe ruajtjen e shkollave duke shpërndarë në terren mbi 800 efektivë, të cilët nuk do të lejojnë hyrjen në ambientet e shkollave të personave që nuk studiojnë aty.

Drejtori i rendit publik theksoi se janë ashpërsuar masat për parandalimin e përdorimit të drogërave, armëve të ftohta apo bullizmit.

“Policia e Shtetit ka planifikuar në veçanti një sërë detyrash lidhur me këtë vit shkollor. Së pari në parandalimin e çdo veprimtarie kriminale që mund të zhvillohet në afërsi të shkollave apo edhe gjatë hyrjes në të, duke evituar hyrjen e personave që nuk kanë lidhje me shkollat 9-vjeçare apo të mesme.

Sigurisht ne do vazhdojmë me projektet sensibilizuese, kemi një projekt që prej 10 vitesh e ushtrojmë lidhur me ndërgjegjësimin dhe parandalimin e përdorimit të substancave narkotike, apo të armëve të zjarrit apo bulizmit dhe ky projekt do të vazhdojë në të gjitha shkollat, sidomos me ato të klasave të gjashta.

Të gjithë efektivat e policisë sot kanë të planifikuar në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme numri kalon mbi 800 që janë planifikuar në të gjitha shkollat”, deklaroi Dervishi.

Ai tha se policia do të kufizojë parkimin e automjeteve në segmentet rrugore pranë shkollave si dhe do të mbyllë pikat e shitjes ambulante.

“Mbylljen apo largimin e lokaleve të tregtisë dhe pikave ambulante të shitjes që tregtojnë pije alkoolike, produkte ushqimore të skaduara apo në ndonjë rast dhe lëndë narkotike pranë shkollave, të cilat jo rrallë herë kanë qenë pika të grumbullimit të personave me precedentë kriminal, përdorues të pijeve alkoolike e narkotike dhe burim rreziku për prishje të rendit publik apo veprime të tjera të dhunshme ndaj personelit mësimdhënës e nxënësve të shkollave.

Dhënien dhe shkëmbimin e informacioneve me stafin pedagogjik për nxënësit që mund të mbajnë me vete armë zjarri, armë të ftohta apo sende të tjera të forta të rrezikshme dhe mbi bazën e tyre zhvillimin e kontrolleve në portat e hyrjes nga personeli roje i shkollës, në prani të mësuesve, oficerit të sigurisë në shkollat e mesme, por nën mbikëqyrjen e punonjësit të policisë.

Mbajtjen e kontakteve të vazhdueshme me rojet e shkollave dhe punonjësit e shërbimit të SHPSF-ve, në ato institucione arsimore që e kanë një shërbim të tillë”, tha Dervishi.

500 vende të lira, hapen aplikimet për Shkollën e Policisë. Kriteret dhe procedurat

Policia e Shtetit njofton se duke nisur nga dita e sotme 3 korrik 2019, hapet procesi i aplikimeve për të gjithë kandidatët e interesuar për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme”. Aplikimet do të dorëzohen pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm. Procesi i aplikimit, është i hapur deri në datën 3 gusht 2019 dhe formularët e aplikimit tërhiqen pranë çdo Drejtorie Vendore të Policisë.

Në përfundim të të gjithë procesit të konkurrimit, kuota e pranimit do të ndjekin studimet në Kolegjin Profesional të Lartë “Kolegji i Policisë” për “Patrullë të Përgjithshme”, në Akademinë e Sigurisë 500 kursantë, të ndarë në bazë të renditjes sipas pikëve të fituara në listën e rezultateve të arritura në fazat e konkurrimit. Kjo e ndarë në 2 kurse, në periudhat: Tetor 2019 – Prill 2020 dhe Maj 2020 – Nëntor 2020.

Përzgjedhja e kandidatëve do të realizohet përmes një procesi të drejtë, të paanshëm dhe transparent, sipas parimit të shanseve të barabarta, meritës dhe mosdiskriminimit.

KRITERET E APLIKANTIT

Kriteret, që duhet të përmbushë aplikanti, për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme”:

– Të jetë shtetas shqiptar;

– Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit apo të jetë larguar nga shërbimi civil;

– Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

– Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën;

– Të ketë mbaruar arsimin e mesëm;

– Të zotërojë gjuhën shqipe të shkruar dhe të folur;

– Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi ose të një kundërvajtjeje penale me dashje;

– Të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”.

DOKUMENTACIONI PËR APLIKIM

Aplikantët për punonjës Policie duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm për aplikim në Polici:

– Formularin e aplikimit;

– Fotokopje të kartës së identitetit;

– Dokument zyrtar që vërteton përfundimin e arsimit;

– Fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”;

– Certifikatë të gjendjes gjyqësore;

– Certifikatë familjare;

– Vërtetim nga Gjykata;

– Vërtetim nga Prokuroria;

– Raport mjeko-ligjor;

– Fotokopje të librezës së punës ose vërtetim që ndjek arsimin e lartë (nëse i disponon);

– Dokument të lëshuar nga institucionet shëndetësore, që vërteton se nuk është përdorues i lëndëve narkotike;

– Mandat pagesa e tarifës së aplikimit.

PROCEDURA PËR PËRZGJEDHJEN E KANDIDATËVE

Për përzgjedhjen e kandidatëve, që do t’i nënshtrohen konkurrimit, do të ndiqen hapat e mëposhtëm:

– Dorëzimi i dokumentacionit nga aplikanti dhe dhënia e numrit të regjistrimit nga struktura vendore e burimeve njerëzore;

– Shqyrtimi i kritereve dhe dokumentacionit nga struktura vendore e burimeve njerëzore, nëse aplikanti plotëson kriteret e përcaktuara;

– Verifikimi paraprak i aplikantëve, për rekorde të mundshme kriminale;

– Njoftimi me shkrim nga struktura vendore i aplikantëve, që nuk plotësojnë kriteret për të vazhduar testimin;

– Dërgimi në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore i listës emërore të aplikantëve, që plotësojnë kriteret e përcaktuara;

– Hartimi i listës përfundimtare të aplikantëve, që plotësojnë kriteret dhe caktimi i kodit për çdo aplikant nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore;

– Pajisja e çdo aplikanti me formularin e pranimit dhe numrin personal nga strukturat vendore të burimeve njerëzore;

– Publikimi në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit dhe në media për datën, orën dhe vendin e zhvillimit të konkurrimit, si dhe listën e kandidatëve që kualifikohen për të konkurruar;

– Procesi i apelimit;

– Konkurrimi.

SHQYRTIMI I DOKUMENTACIONIT DHE PROCESI I ANKIMIMIT

Afati i shqyrtimit dhe verifikimit të dokumentacionit është 10 ditë pune nga mbyllja e afatit të aplikimeve. Aplikanti, që nuk plotëson kriteret dhe nuk ka paraqitur dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të aplikimit, skualifikohet duke u njoftuar me shkrim nga struktura e burimeve njerëzore.

Aplikanti ka të drejtën e ankimit tek Drejtori i Policisë Vendore brenda 2 ditëve nga data e njoftimit të përgjigjes. Drejtori i Policisë Vendore shqyrton dhe kthen përgjigje brenda 5 ditëve nga data e marrjes së ankesës.

FAZAT E KONKURRIMIT

Aplikanti, që kualifikohet për të vazhduar procesin e pranimit në Akademinë e Sigurisë, i nënshtrohet fazave të mëposhtme të konkurrimit:

– Testimi me shkrim;

– Testimi i aftësive fizike;

– Intervistë me gojë, ushtrime vlerësuese dhe testim i aftësive të të shkruarit;

– Testimi psikologjik;

– Kontrolli shëndetësor;

– Marrja e shenjave të gishtave;

– Verifikimi përfundimtar i aplikantit.

Strukturat e Burimeve Njerëzore pranë Drejtorive Vendore të Policisë do t’u japin të gjithë aplikantëve formularin e aplikimit, informacionin e nevojshëm për procedurat, kërkesat dhe çdo lloj testimi e verifikimi, si dhe për ushtrimin e të drejtës së apelimit.

Të gjithë aplikantët, për çdo paqartësi që mund të kenë lidhur me këtë proces, mund të drejtohen pranë strukturave të Burimeve Njerëzore në Drejtoritë Vendore të Policisë ose pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Policisë së Shtetit. Po ashtu, mund t’i parashtrojnë pyetjet apo shqetësimet e tyre dhe me e-mail në adresën: [email protected]

Çdo material i nevojshëm për procesin e aplikimit, është i pasqyruar në faqen e internetit të Policisë së Shtetit  www.asp.gov.al  në rubrikën Akademia e Sigurisë – “Si mund të bëhesh punonjës policie”.

Skip to toolbar