Pse u mbyll shkolla iraniane në Tiranë?

AKTUALITET


Të enjten më 23 janar, u publikua një urdhër i Qeverisë për mbylljen e shkollës së mesme jopublike “Saadi” në Tiranë. Kjo shkollë mbështetej dhe financohej nga Irani. Vendimi për mbylljen e shkollës është firmosur në datën 17 janar të këtij viti, dy ditë pasi ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dëboi dy diplomatë iranianë në Tiranë.

Në urdhrin e mbylljes së shkollës nuk jepej asnjë arsye lidhur me këtë vendim. Por pak orë më pas, Ministria e Arsimit reagoi zyrtarisht, për të mos lënë vend për spekulime, duke treguar arsyet e mbylljes së shkollës iraniane në Tiranë. Sipas një njoftimit të bërë nga MASR, thuhet se autoritetet e kësaj shkolle kanë bërë vetë kërkesë për mbylljen e saj.


“Shkolla është mbyllur me kërkesë të vetë subjektit që ka themeluar shkollën për arsye të reduktimit të të ardhurave dhe aftësisë paguese, dhe jo për arsyet që janë raportuar në shumë portale pa bërë as më të voglin verifikim me stafin e MASR. Zhgënjyese në këtë rast mungesa e interesimit për të raportuar faktet”, thuhet në sqarimin e Ministrisë.

Megjithatë, urdhëri për mbylljen e shkollës është firmosur nga ministrja Besa Shahini, vetëm dy ditë pasi kolegu i saj Gent Cakaj, njoftoi se Ministria e Jashtme kishte urdhëruar dëbimin e dy diplomatëve iranianë, Mohammad Ali Arz Peimanemati konsulli i Tretë dhe Seyed Ahmad Hosseini Alast, Konsull Kulturor.




Skip to toolbar