Droga e bullizmi, 800 policë në shkolla

AKTUALITET


Drejtori i Rendit Publik, Albert Dervishi, ka njoftuar të hënën se policia ka marrë të gjitha masat për mbrojtjen e nxënësve dhe ruajtjen e shkollave duke shpërndarë në terren mbi 800 efektivë, të cilët nuk do të lejojnë hyrjen në ambientet e shkollave të personave që nuk studiojnë aty.

Drejtori i rendit publik theksoi se janë ashpërsuar masat për parandalimin e përdorimit të drogërave, armëve të ftohta apo bullizmit.


“Policia e Shtetit ka planifikuar në veçanti një sërë detyrash lidhur me këtë vit shkollor. Së pari në parandalimin e çdo veprimtarie kriminale që mund të zhvillohet në afërsi të shkollave apo edhe gjatë hyrjes në të, duke evituar hyrjen e personave që nuk kanë lidhje me shkollat 9-vjeçare apo të mesme.

Sigurisht ne do vazhdojmë me projektet sensibilizuese, kemi një projekt që prej 10 vitesh e ushtrojmë lidhur me ndërgjegjësimin dhe parandalimin e përdorimit të substancave narkotike, apo të armëve të zjarrit apo bulizmit dhe ky projekt do të vazhdojë në të gjitha shkollat, sidomos me ato të klasave të gjashta.

Të gjithë efektivat e policisë sot kanë të planifikuar në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme numri kalon mbi 800 që janë planifikuar në të gjitha shkollat”, deklaroi Dervishi.

Ai tha se policia do të kufizojë parkimin e automjeteve në segmentet rrugore pranë shkollave si dhe do të mbyllë pikat e shitjes ambulante.

“Mbylljen apo largimin e lokaleve të tregtisë dhe pikave ambulante të shitjes që tregtojnë pije alkoolike, produkte ushqimore të skaduara apo në ndonjë rast dhe lëndë narkotike pranë shkollave, të cilat jo rrallë herë kanë qenë pika të grumbullimit të personave me precedentë kriminal, përdorues të pijeve alkoolike e narkotike dhe burim rreziku për prishje të rendit publik apo veprime të tjera të dhunshme ndaj personelit mësimdhënës e nxënësve të shkollave.

Dhënien dhe shkëmbimin e informacioneve me stafin pedagogjik për nxënësit që mund të mbajnë me vete armë zjarri, armë të ftohta apo sende të tjera të forta të rrezikshme dhe mbi bazën e tyre zhvillimin e kontrolleve në portat e hyrjes nga personeli roje i shkollës, në prani të mësuesve, oficerit të sigurisë në shkollat e mesme, por nën mbikëqyrjen e punonjësit të policisë.

Mbajtjen e kontakteve të vazhdueshme me rojet e shkollave dhe punonjësit e shërbimit të SHPSF-ve, në ato institucione arsimore që e kanë një shërbim të tillë”, tha Dervishi.




Skip to toolbar