Shqipëri-Moldavi, dalin në shitje biletat, FSHF surprizon me çmimet!

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të presë Moldavinë në “Elbasan Arena” më 11 qershor, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Euro 2020.

Pas dështimit me përmbushjen e afateve për përfundimin e stadiumit “Arena Kombëtare”, FSHF-ja ka zyrtarizuar stadiumin e Elbasanit si impiantin e zhvillimit të kësaj ndeshje.

Ditën e sotme FSHF-ja ka publikuar dhe çmimet e biletave për ndeshjen e 11 qershorit, ku bie në sy fakti se për këtë takim ka një ulje të çmimit të biletave, duke nisur me ato në tribunën vip, që në ndeshjet e marsit kushtonin 180 mijë lekë ndërsa tani do të kuahtojë 60 mijë lekë më pak.

Bileta më e shtrenjtë do të kushtojë 12.000 lek (120 mije lek të vjetra), e cila veln për tribunën VIP. Ndërkohë 10.000 lek do të kushtojë në tribunë VIP 2.

Sipas tribunave, çmimet variojnë në 6000, 5000, 4000, 2000, 1500, 1000 dhe 500 lek, që është çmimi më i lirë për të ndjekur Kombëtaren.

Mega-Operacion ndaj trafikantëve të drogës, dhjetëra të arrestuar

Në datë 6 maj 2019, në funksion të hetimit të procedimit penal Nr.173, të vitit 2018, Policia e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, dhe në bashkëpunim me Agjenci të tjera ligjzbatuese në vend, në bashkëpunim të ngushtë mes Njësisë për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, në DHQ dhe Autoriteteve Policore Greke, Sektorin Antidrogë, Athinë, si dhe falë koordinimit nga Qendra për Zbatimin e Ligjit në Evropën Juglindore SELEC, Rumani, pas një hetimi pro-aktiv përgjatë një harku kohor 10 mujor, duke aplikuar metodat speciale të hetimit, dhe këmbim informacioni e korrespodence me agjenci ligjzbatuese brenda e jashtë vendit, u finalizua operacioni i koduar “Brezi i gjelbër”.

Në operacion u përshinë qindra Forcat e Njësive Operacionale, forcat policore FNSH si dhe ato të Drejtorive Vendore të Policive Vlorë, Gjirokastër, Fier, Tiranë, Elbasan, Korçë dhe Sarandë. Gjatë operacionit u goditën anëtarë të grupeve të strukturuara kriminale.

Gjatë fazës së hetimeve 10 mujore në bashkëpunim me autoritetet policore greke janë zhvilluar operacione në Shqipëri dhe në Greqi, konkretisht:

Rastet në Greqi:

  1. Në datë 06.10.2018, në Igumenicë, u sekuestruan 76 kg lëndë narkotike të llojit Cannabis sativa, të trafikuara nga Shqipëria nëpërmjet kufirit të gjelbër dhe u arrestuan në flagrancë katër shtetas shqiptarë:
    K. L., banues në Berat., A.K., banues në Sarandë, A. Z., banues në Berat dhe D.B., banues në Sarandë;
  2. Më datë 06.12.2018 në rrugën Filiatis – Tamastas në Igumenicë, Greqi, u sekuestruan 76.7 kg lëndë narkotike të llojit Cannabis sativa, të trafikuara nga Shqipëria nëpërmjet kufirit të gjelbër;
  3. Më datë 13.12.2018 në rrugën Tamastas në Igumenicë, Greqi, u sekuestruan 44.5 kg lëndë narkotike të llojit Cannabis sativa, të trafikuara nga Shqipëria nëpërmjet kufirit të gjelbër;
  4. Më datë 23.12.2018 në Athinë, është sekuestruar sasi prej 34 kg lëndë narkotike të llojit Cannabis sativa, të trafikuara nga Shqipëria nëpërmjet kufirit të gjelbër dhe u arrestuan shtetasit grek S. P., banues në Greqi dhe D. P., lindur në Rumani dhe banues në Greqi;
  5. Më datë 15.01.2019, në Smerto, Igumenicë, Greqi u sekuestrua sasia prej 35.1 kg lëndë narkotike të llojit Cannabis Sativa të eksportuara nga Shqipëria nëpërmjet kufirit të gjelbër dhe u arrestua shtetasja shqiptare K. M., banuese në Sarandë;
  6. Më datë 21.01.2019 në Sajadhe, Igumenicë, Greqi u sekuestrua sasia prej 22.5 kg lëndë narkotike të llojit Cannabis Sativa, të trafikuara nga Shqipëria nëpërmjet kufirit të gjelbër dhe u arrestua shtetasia shqiptare L. R., banuese në Sarandë;
  7. Më datë 05.02.2019 në Igumenicë, Greqi u sekuestrua sasia prej 21.1 kg lëndë narkotike të llojit Cannabis sativa, të trafikuara nga Shqipëria nëpërmjet kufirit të gjelbër dhe janë arrestuar shtetasit shqiptarë Xh. H., banues në Korçë dhe Xh. B., banues në Korçë.
  8. Më datë 07.02.2019 në Athinë janë arrestuar shtetasit shqiptar dhe dy shtetas grekë: T. H., banues në Tiranë, A.B., banues në Tiranë, S. T., banues në Delvinë, D. Zh., banues në Delvinë dhe u sekuestruan 249 gr. kokainë, 59,5 gr. Cannabis Sativa, 31 gr. pluhur i bardhë i panjohur, 8 780 Euro, etj;
  9. Në datë 05.02.2019 në Igumenicë, Greqi është arrestuar një shtetas shqiptar dhe një grek: A. T., lindur në Shkodër dhe banues në Greqi dhe S. K., banues në Greqi, si dhe u sekuestruan 32,4 kg Cannabis sativa;
  10. Më datë 12.02.2019 në Athinë u arrestua shtetasja ruse, I. K., lindur në Rusi dhe banuese në Greqi, u sekuestruan 36 kg Cannabis Sativa;
  11. Më datë 23.03.2019 në Igumenicë, Greqi u arrestua shtetasi grek P. D, banues në Greqi si dhe u sekuestruan 66 kg Cannabis sativa;

Rastet në Shqipëri:

  1. Më datë 24.11.2018 në Sarandë u arrestuan 3 shtetas shqiptarë E. K., banues në Tepelenë, S. Ç., banues në Tepelenë, A. P., banues në Tepelenë, si dhe u sekuestrua sasia prej 32.3 kg Cannabis sativa;
  2. Më datë 16.12.2018 në Durrës, u arrestuan 3 shtetasit A. C., banues në Tepelenë, E. K, banues në Tepelenë, M. A., banues në Durrës, si dhe u sekuestrua sasia prej 202 kg Cannabis Sativa;
  3. Më datë 19.12.2018 në Fier u arrestua shtetasi K. Z., banues në Zall Herr, Tiranë, si dhe u sekuestrua sasia prej 20 kg Cannabis Sativa;
  4. Më datë 26.03.2019 në Gostim, Cërrik u arrestuan 3 shtetas shqiptarë Xh. S., banues në Mallakastër, A. T., banues në Fier, J. S., banues në Mallakastër, si dhe u sekuestrua sasia prej 28,6 kg Cannabis Sativa.

Në kuadër të këtij hetimi u evidentua një rast i dyshuar korrupsioni në sistemin e drejtësisë. Në datë 24 janar 2019 u ndaluan shtetasit E. H., banues në Tiranë dhe E. D., banues në Përmet, si dhe u procedua masa e sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullim i ushtrimit të detyrës publike” i shtetasit S. Ç., banues në Gjirokastër (Prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër). Këta shtetas janë akuzuar për veprat penale “Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Deklaratë e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.

Në kuadër të këtij hetimi u bashkëpunua me Prokurorinë e Rrethit Gjirokastër, dhe më datë 22 dhe 23 janar 2019 u goditën 6 anëtarë të grupeve të skeduara kriminale, shtetasit:
• I. K., banues në Tiranë;
• D. N., banues në Memaliaj;
• A. C., banues në Memaliaj;
• D. N., banues në Memaliaj;
• A. I., banues në Memaliaj;
• E.H., banues në Tiranë.

Këta shtetas janë akuzuar për veprat penale “Vjedhje me dhunë”, “Vjedhje me armë” në bashkëpunim.

Në vijim të këtij procedimi, në datë 6 maj 2019, në zbatim të vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, janë ekzekutuar vendimet penale për caktim masash sigurimi “Arrest në burg” për 26 shtetas si dhe masat e sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shteti” dhe “Detyrimi për t`u paraqitur në policinë gjyqësore” për 2 shtetase.

Gjatë operacionit ku angazhuan qindra forca policie u kapën dhe u ndaluan 14 shtetas si dhe janë ushtruar rreth 30 kontrolle banesash dhe ambientesh të tjera.

Ekzekutimet e vendimeve janë bërë për të arrestuarit e mëposhtëm, të cilët akuzohen për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ”Trafikim i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga Organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, konkretisht:
• P. N., banues në Sarandë;
• M. J., banues në Sarandë;
• O. Y., banues në Sarandë;
• B.Y., banues në Vlorë;
• A. H., banues në Gjirokastër;
• E. Ll., banues në Fier;
• T. L., banues në Gjirokastër;
• E. Xh., banues në Sarandë;
• M. M., banues ne Tiranë;
• K. S., banues në Korçë;
• F. Ll., banues në Sarandë;
• A. Xh., banues në Sarandë;
• A. Zh., banues në Sarandë;
• D. Xh. banues në Gramsh.

U ekzekutuan 2 masa të sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, për shtetaset:
• J. J, banuese në Sarandë;
• S. H, banues në Kuçovë.
U ekzekutuan 4 masa të sigurimit personal “Arrest në burg”, për shtetasit e mëposhtëm, pasi në momentin e daljes së masave të sigurisë këta shtetas ndodhen të arrestuar në burg:

• K. Z., banues në Tiranë.
• E. H., banues në Tepelenë.
• D. N., banues Tepelenë.
• A. C., banues në Tepelenë.

Gjithashtu u shpallën në kërkim dhe 6 shtetas të tjerë.

Në tërësinë e këtij operacioni në mënyrë të përmbledhur janë arrestuar, ndaluar 61 shtetas shqiptar dhe të huaj.

Gjatë kontrolleve në operacionet e zhvilluara janë sekuestruar:

• mbi 1 ton lëndë narkotike Cannabis sativa;
• 1 kg 23 gr. lëndë narkotike heroinë e kokainë;
• sasi lëndë narkotike çokollatë;
• 10 peshore elektronike;
• sasi fishekësh luftarak;
• 78 telefona celularë;
• 25 automjete të ndryshme;
• sasi të konsiderueshme vlerash monetare si euro, dollarë dhe lekë.

Policia e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë po vijon veprimet për të zbardhur rolin dhe aktivitetin e tyre apo personave të tjerë të lidhur me ta.

Ne i sigurojmë qytetarët se do të vazhdojmë të jemi të angazhuar për të garantuar qetësi, rend e siguri, duke goditur me ashpërsinë e forcës së ligjit çdo individ të përfshirë në aktivitet kriminal. Operacioni “Forca e Ligjit” vazhdon.

https://www.facebook.com/1502420603377639/videos/vb.1502420603377639/341870376463975/?type=2&theater

Zyrtari amerikan: Ju tregoj si keqpërdoret media në Shqipëri

Shefi i Marrëdhënieve me Publikun në Ambasadën e SHBA në Tiranë, Brian Beckmann ka thënë disa të vërteta për funksionimin e medieve në Shqipëri. Sipas tij, gazetarët duhet të thonë të vërtetën nëse duan vërtetë që qeveria t’i shërbejë qytetarëve. Në një takim me studentët e gazetarisë në universitetin “Beder”, Beckmann tha se shumë media përdoren nga pronarët e tyre për të kërcënuar dhe shantazhuar biznese të ndryshme.

Më tej zyrtari amerikan garanton se SHBA do të jetë gjithmonë në krah të medieve dhe gazetarëve që shkruajnë të vërtetën .

Nga Brian Beckmann

Mirëdita. Së pari, dëshiroj të shpreh falenderimet e mia Rektorit Gjana që më ftoi të bisedoj me ju të gjithë sot. Mesazhim im sot është ky: thoni të vërtetën.

Kur më ftuan sot, më kërkuan që të flisja në lidhje me lirinë e shtypit, marrëdhënien ndërmjet medias dhe politikës dhe sfidat me të cilat përballen gazetarët shqiptarë.

Çfarë i bashkon këto tri tema? E vërteta.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e konsiderojnë shtypin e lirë si një shtyllë e themelore të demokracisë. Ne e vlerësojmë lirinë e shtypit si një komponent kyç të qeverisjes demokratike. Pse? Sepse ne besojmë se kur media është e lirë të bëjë detyrën e saj, qytetarët janë më të informuar, aktivë, dhe të angazhuar në vendimmarrje politike. Është gjithmonë më mirë të kesh qytetarë të informuar dhe të kufizosh kontrollin e qeverisë mbi infomracionin në mënyrë që qytetarët të mund t’i japin formë vendimeve të qeverisë dhe të kontrollojnë fuqinë e politikanëve. Një demokraci duhet qeverisur nga qytetarët për qytetarët.

Një media e lirë është gjithashtu e mundur të përmbushë rolin e saj në demokraci, ta bëjë qeverinë përgjegjëse. Media shërben si një “ëatchdog” për të siguruar që qeveritë po u shërbejnë njerëzve me ndershmëri, në përputhje me ligjin dhe po i përmbushin detyrat e tyre. Në Shtetet e Bashkuara, media shpesh konsiderohet si shtylla e katërt e demokracisë. Edhe pse nuk është zyrtarisht pjesë e sistemit tonë të qeverisjes, media – së bashku me degët e ekzekutivit, drejtësisë, dhe legjislativit – luan një rol vital. Për ne ajo është një pjesë e rëndësishme e sistemit tonë të kontrollit dhe balancës.

Për ta mbajtur qeverinë në kontroll, media duhet të thotë të vërtetën. Kur del në dritë një shkelje e ligjit, mashtrim apo korrupsion, është detyrë e medias ta raportojë atë – në mënyrë të paanshme dhe me saktësi. Është detyrë e medias t’i tregojë të vërtetën qytetarëve në mënyrë që ata të mund të marrin pjesë në demokraci si qytetarë të mirëinformuar.

Marrëdhënia ndërmjet medias dhe politikës zë një vend të rëndësishëm në këtë diskutim. Pavarësia është një e drejtë që media duhet ta gëzojë në një demokraci të shëndetshme. Asnjë qeveri nuk duhet të ruajë portën, duke vendosur se çfarë informacioni duhet t’u jepet qytetarëve, çfarë është e drejtë dhe çfarë është e vërtetë.

Në punën time, unë merrem me median çdo ditë. Shpesh më kanë pyetur, “Si ja bën për t’u marrë me rivalët e tu çdo ditë?” Përgjigjja ime është gjithnjë e njëjtë: pikënisja e pyetjes është e gabuar. Një perceptim i zakontë ndër zëdhënësit është se gazetarët janë aty për të të zënë mat. Realiteti është se, nëse unë po flas me median, edhe gazetari edhe unë kemi një punë për të bërë. Gazetari duhet të kërkojë të vërtetën. Unë? Unë kam një histori për të treguar. Unë kam informacionin që dua ta prezantoj si një profesionistë në fushën e komunikimit. Si zëdhënës i një qeverie, është detyra ime të jap informacione në emër të popullit amerikan. Në qoftë se unë e bëj punën time si duhet, edhe gazetari edhe unë do të largohemi duke marrë atë që duam.

Për fat të keq, ajo që shohim sot në Shqipëri është një hapësirë mediatike që bëhet gjithnjë e më e njëanshme. Më shumë se kurrë më parë, pronarët e mediave kanë një ndikim më të fortë në atë çfarë raportohet dhe se si mbulohet. Shohim aktorë të këqinj, si këta pronarë apo ata me influencë në këtë vend, të cilët e përdorin median për të kërcënuar me shantazh bizneset ndërkombëtare me qëllim që të dekurajojnë investimet dhe t’i hapin rrugën interesave të tyre personale. Shohim histori që janë shkruar, jo të bazuara në të gjitha faktet e vlefshme, por në të kundërt, me informacion të pjesshëm, të shtrembëruar që ofrohet për të promovuar interesin e një industrie, partie, një individi kundrejt një tjetri. Ata përdorin median me qëllimin e vetëm që të arrijnë atë që duan.

Çdo takim ditor editorial në Shqipëri duhet të fillojë me pyetjen “Cila është historia qe duhet të tregojmë?” dhe jo “Kujt do t’i vihemi nga pas sot? Lajmet duhet të përqendrohen tek e vërteta, dhe jo si mund të përdoret forca e shtypit si një armë kundër një person, biznesi, apo një partie politike.

Por ka shpresë. Ju të gjithë mund të ndihmoni për ta ndryshuar këtë. Në qoftë se ju do të përpiqeni të nxirrni në pah të vërtetën, ju do të ndihmoni jo vetëm për t’i dhënë formë të ardhmes së Shqipërisë, por edhe të kontribuoni në një shoqëri që funksionon më mirë. Ju mund të informoni dhe t’i përgatisni fqinjët dhe bashkëqytetarët qytetarët tuaj duke ju dhënë atyre informacionin e nevojshëm për tu bëre qytetarë më të mirë.

Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar.

Ne, Ambasada e ShBA jemi shumë të interesuar të shohim një media të lirë e të pavarur në Shqipëri, dhe ne mbështesim interesat tona me premtimet tona. Prej shumë vitesh, ne kemi investuar në të ardhmen e gazetarisë shqiptare. Çdo vit ne dërgojmë në Shtetet e Bashkuara  disa gazetarë shqiptar për t’i njohur ata me hapësirën mediatike amerikane. Ata mësojnë nga organizatat aktiviste dhe nga ato që trajnojnë gazetarët amerikanë. Këtë e bëjmë me shpresën që këta pjesëmarrës do të mësojnë diçka të dobishme nga sistemi amerikan dhe do ta sjellin atë në Shqipëri. E bëjmë këtë me shpresën që ata të mund të rrisin standardet editoriale, të ndihmojnë në ngritjen e një etike gazetarie këtu (në Shqipëri), dhe të përmirësojnë metodat që përdorin gazetarët për të përcaktuar se cila është e vërteta dhe për ta nxjerr atë në shesh.

Një nga njerëzit tuaj këtu është përfitues i këtyre programeve. Profesor Erlis Çela, Shefi i Departamentit të Komunikimit mori pjesë në një nga këto programe vitin e kaluar. Ne sapo kemi marrë lajmin që tre prej kolegëve tuaj studentë këtu në Universitetin Beder do të marrin pjesë në një program të kësaj natyre këtë verë. Unë shpresoj që përvoja e tyre të jetë e frutshme dhe jut ë gjithë të mund të përfitoni prej asaj që ato do të mësojnë.

Ne po investojmë burime kohore, njerëzore dhe financiare këtu në Shqipëri për të krijuar akoma më shumë mundësi për ata që kërkojnë të thonë të vërtetën. Programi ynë Laboratori i Gazetarisë Investigative është tani në vitin e tij të tretë. Ky është një program një-vjeçar që ofron përvojë praktike për 10-12 të rinj që aspirojnë të bëhen gazetarë, duke ju dhënë atyre aftësitë dhe teknikat e nevojshme për të bërë një kërkim më të mirë dhe për të treguar ngjarje interesante.

Gazetarët investigativ janë përgjegjës për disa nga ngjarjet më të rëndësishme në gazetari. Ëatergate, raportimi i të drejtave civile, dhe ekspozimi i çështjes Iran-Contra janë vetëm disa shembuj nga Shtetet e Bashkuara që dëshmojnë se si gazetaria investigative nxorri në shesh të vërtetën dhe ndryshoi politikat dhe politikanët tanë. Gazetarët e realizuan këtë nëpërmjet një kërkimi të plotë dhe një mjeshtrie rrëfyese për të siguruar që qytetarët amerikanë të mund të  shihnin të vërtetën që gazetarët kishin zbuluar.

Kjo mund të ndodhë edhe në Shqipëri. Ambasada e Shteteve të Bashkuara, së bashku me Ambasadën Holandeze dhe Zvicerane janë vendosur në partneritet me Radio Televizionin Shqiptar për të prodhuar programin televiziv 31 minuta që transmetohet çdo dy javë. Nëse nuk keni patur mundësi ta shikoni, mund të gjeni link-un e disa prej atyre historive në faqen tonë të Facebook. Duke ju dhënë pjesëmarrësve në programin tonë të Laboratorit e Gazetarisë Investigative një platformë për të praktikuar profesionin e tyre, ne shpresojmë se ata do të rrisin ndjeshmërinë ndaj ngjarjeve interesante dhe të rëndësishme. Dhe më e rëndësishmja, ne shpresojmë që do të gjejnë dhe do të transmetojnë të vërtetën.

Për ta përmbyllur, do ta përfundoj si e nisa. Me një sfidë: dilni në terren, kërkoni të vërtetën dhe tregoni të vërtetën. Ju keni mundësinë t’i jepni formë të ardhmes së Shqipërisë. Nëse do të zgjidhni të rrëfeni të vërtetën, ne do të jemi pranë jush për t’ju mbështetur dhe për të promovuar punën tuaj.

Skip to toolbar