Formacionet zyrtare/ Reja i beson portën Strakoshës, Franca kujdeset për mbrojtjen

Më shumë se një orë nga nisja e ndeshjes kualifikuese Francë-Shqipëri, janë publikuar formacionet zyrtare të të dyja skuadrave. Trajneri i kuqezinjve, Edy Reja, ka vendosur të provojë skemën 3-5-2 ndaj ‘gjelave’ duke shpresuar në rezultat pozitiv. Ndryshe nga sa pritej, Reja i ka besuar portën Thomas Strakoshës për këtë sfidë delikate dhe shumë të rëndësishme.

Përpara gardianit të kuqezinjve do të rresthohet Mavraj, Gjimshiti e Ismajli, ndërkohë që trajneri ka vendosur që Hysaj të luajë i avancuar në krah. Në mesin e fushës, veç Hysajt, do të jetë Ramadani, Bare, Abrashi, Roshi, ndërsa në sulm do të jetë Uzuni dhe Balaj. Skema e përdorur nga trajneri Reja mund të ndryshojë në çdo kohë, pasi Hysaj rikthehet në pozicionin e tij natyral, ndërsa Ramadani asiston në mbrojtje, duke kaluar në një 5-3-2.

Ndërkohë, Franca e nis në portë me Hugo Lloris, ndërsa në mbrojtje janë PAvard, Varane, Lenglet dhe Lucas. Në në mesin e fushës do të luajnë Tolisso, Matuidi, Lemar, Griezmann dhe Coman, ndërsa në sulm do të jetë i vetëm Giroud. Në këtë takim, Franca vjen me mungesën e yllit kryesor të skuadrës, Kylian Mbappe.

IPA, Serbia e Greqia mbështesin Shqipërinë: Në tetor të bëhet kandidate

Në Podogoricë të Malit të Zi, është zhvilluar takimi i vendeve të Ballkanit që janë pjesë e Shoqatës Ndërkombëtare të Policisë. Pjesëmarrës në këtë aktivitet, ka qenë dhe presidenti i International Police Association (IPA) për Shqipërinë, Skënder Doda, që mban gjithashtu dhe postin e Drejtorit të Menaxhimit në Drejtorinë e Policisë së  Shtetit. Sipas një komunikate për shtyp shpërndarë nga Policia e Shtetit në lidhje me këtë takim, mësohet se gjatë konferencës, vendet anëtare të Ballkanit, përfshi Greqinë dhe Serbinë, kanë bërë thirrje që në kongresin e muajit tetor, Shqipëria të pranohet si vend kandidat.

“Të gjithë përfaqësuesit e Mali të Zi, Serbisë, Kroacisë, Bosnje Hercegovinës, Sllovenisë, Sllovakisë, Bullgarisë, Qipros greke, Greqisë e Rumanisë u shprehen njëzëri që në Kongresin Botëror të IPA-as në Dubrovnik (tetor 2019) të futet në rendin e ditës pranimi i IPA Albania në statusin kandidat”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Më tej, në këtë njoftim, thuhet se drejtori i IPA Albania, Skënder Doda, u ka kërkuar vendeve anëtare të IPA-s që të mbështesin Shqipërinë për t`u bërë pjesë e organizatës botërore të policisë. “Gjatë zhvillimit të takimit të IPA-as të vendeve ballkanike të Adriatikut në Podgoricë të Malit të Zi, Presidenti i IPA-as / Seksioni Albania është takuar me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Malit të Zi dr. Veselin Veljovič dhe me presidentin e IPA Croatia z. Miljenko Vidak, me të cilët ka biseduar dhe u ka kërkuar mbështetjen e tyre për pranimin e IPA ALBANIA në familjen e madhe të IPA-as Botërore”, përfundon njoftimi.

Palmer: SHBA në Ballkan synon hapjen e negociatave për Shqipërinë

I ngarkuari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer mbështet integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se ky është një nga qëllimet kryesore që ai ka në këtë pozicion dhe rol të ri që i është dhënë në rajonin e Ballkanit. Gjatë forumit strategjik “Bled” në Slloveni, Palmer tha se mundësimi i hapjes së negociatave për Shqipërinë është ajo që SHBA shpreson të arrijë deri në tetor.

Vitet e fundit është folur shumë pse USA nuk është prezent në Ballkan dhe nuk e ka me shumë në fokus. Pikërisht për këtë arsye për të qenë prezent më shumë në rajon, dhe duke takuar me shumë drejtues të rajonit, një nga synimet kryesore të punës është hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.  SHBA shpreh mbështetjen e plotë  për çeljen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE-në. Marrëdhëniet midis rajonit dhe BE-së nuk duhet të mbahen mbrapa ose të rrjedhin në qarqe ndërsa bota po ecën përpara.”  është shprehur Palmer gjatë forumit, duke përforcuar kështu qëndrimin amerikan për të investuar kundër influencës ruse në Ballkanin Perëndimor. Afrimi i Shqipërisë dhe i Maqedonisë së Veriut me BE-në largon më shumë lobimin rus që së fundmi duket se po shtrin tentakulat e tij te partitë populiste që janë kundër politikave të BE.

Palmer, i njohur edhe si “armiku’ i presidentit Meta, i cili doli hapur kundër dekretit të tij për anulimin e 30 qershorit, dhe i opozitës, të cilës i tregoi vijën e kuqe në lidhje me protestat e saj të dhunshme, duke i paralajmëruar se do i fuste krerët e këtyre partive në listën e zezë të SHBA-së, vjen në Ballkanin Perëndimor, si ndihmë ndaj Shqipërisë për të çuar përpara reformën në drejtësi, për të cilën si kreu i shtetit, ashtu edhe opozita shqiptare janë bërë pengesë së saj. Pa progresin dhe rezultatet e prekshme të kësaj reforme, nuk do të ketë integrim të vendit as në tetor, këtë e dinë mirë të gjithë politikanët shqiptarë. E pikërisht për këtë arsye, fokusimi amerikan ka qenë tepër i madh. Prandaj vënia përpara ligjit të “peshqve” të mëdhenj para tetorit dhe funksionimi i SPAK-ut janë qëllimet që Palmer ka për Shqipërinë. Sigurisht që marrja në dorë e Ballkanit nga Palmer mund të ketë mërzitur Metën dhe opozitën, pasi të dyja kanë sulmuar hapur reformën në drejtësi, një reformë që është nën mbikëqyrjen totale të vetë amerikanëve. Prandaj çdo sulm tjetër ndaj reformës apo SPAK-ut është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj amerikanëve, dhe deri tani e kemi parë se askush nuk mund të dal mbi SHBA-të dhe kur ato flasin, gjithë të tjerët heshtin.

Prandaj hapja sa më shpejt e negociatave me Shqipërinë në BE është e vetmja mënyrë se si ky ndikim rus të shmanget. Duket se puna ka filluar nga të gjitha krahët, Palmer për të punuar me reformën në drejtësi për të çuar para procesin e integrimit dhe Kostelancik për të dhënë mesazhet e duhura tek politikanët se Rusia nuk është aleati i duhur për shqiptarët. / Realstory

Shqipëria fiton ‘betejën’ e parë me Becchetin, pezullohet gjoba 110 mln euro, rihapet gjykimi

Shqipëri nuk do t`i paguajë 110 milionë euro biznesmenit italian Francesco Beccheti. Të paktën për momentin, pasi Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit për konfliktet e investimeve, ka pranuar kërkesën e palës Shqiptare për të rishqyrtuar çështjen e gjobës ndaj shtetit, në favor të biznesmenit italian.

Në prill të këtij viti, ishte po kjo gjykatë që paditi Shqipërinë me 110 milionë euro për konfliktin e investimeve me biznesmenin Beccheti. Regjistrimi i kërkesës për apelim nga pala shqiptare është bërë në datën 27 gusht nga Gjykata e Arbitrazhit në Washington, ku ka qenë Avokatura e Shtetit, që ka bërë kërkesën.

 Ndërkohë, qeveria shqiptare ka kontaktuar një studio ligjore amerikane që do të bëjë mbrojtjen në këtë gjykatë. Bëhet fjalë për studion ligjore Foley Hoag, e cila do të ketë detyrën për të mbrojtur Shqipërinë me qëllim anulimin përfundimtar të gjobës prej 110 milionë euro, që vendi ynë mori në 24 prill të këtij viti.

Në fakt, ishte hera e parë që Shqipëria u gjobit me një shumë kaq të madhe nga një kompani e huaj, por Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit për konfliktet e investimeve, edhe pse dha një vendim të formës së prerë, la një mundësi për ankimim.

Kjo pikë është shfrytëzuar nga qeveria Shqiptare, duke bërë apelim të gjobës, e cila tashmë kalon në statusin e pezullimit të përkohshëm deri në rishqyrtim dhe marrje të një tjetër vendimi për këtë çështje. Lajmin për regjistrimin e kërkesës së Shqipërisë për pezullimin e gjobës në favor të Francesco Becchetit e ka dhënë vetë Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit, e cila ka publikuar në faqen e saj zyrtare njoftimin për rregjistrimin e kërkesës së palës shqiptare.

Franca me ‘artileri’ të rëndë ndaj Shqipërisë, por mungon Mbappe

Trajneri i Francës Didier Deschamps ka publikuar litën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet kualifikuese me Shqipërinë në 7 shator dhe Andorrën në 10 shtator. Ajo që bie në sy në listën e trajnerit të “Gjelave”, është emri i Jonathan Ikone, mesfushori 21-vjeçar i Lille, i cili është grumbulluar për herë të parë në ekip. Në fakt emri i tij në listën e Francës vjen për të zëvendësuar mungesën e madhe të Kylian Mappe.

Ylli i PSG-së është dëmtuar dhe do të mbetet jashtë fushës së lojës për të paktën një muaj, duke humbur kështu dhe ndeshjet me ekipin kombëtar. Një tjetër surprizë e Didier Deschamps, është grumbullimi i Aymeric Laporte, mbrojtësi i qendrës, duke lënë jashtë Samuel Umtitin, i cili nuk është aktivizuar te Barça.

Raporte kthehet në ekipin kombëtar pas dy vjetësh mungesë. Në të kaluarën ai, edhe pse është grumbulluar, nuk ka luajtur asnjë ndeshje për shkak të konkurrencës së madhe në këtë repart.  “Sot ai më në fund do të jetë i lumtur”, ka thënë Deschamps. Ndërkohë, sa i përket portës, Deschamps ka thirr Alphonse Areola, Hugo Lloris dhe Mike Maignan.

Në repartin e sulmit nuk mungojnë hyjet si Griezmann apo Giroud dhe Coman. Ajo që bie në sy, është fakti se për Shqipërinë dhe Andorrën, Franca ka grumbulluar plotë 7 lojtarë sulmues, çka lë të kuptohet edhe për mënyrën e lojës me të cilën “gjelat” do të luajnë ndaj ‘kuqezinjëve’.

OBSH: Shqipëria e rrezikuar nga fruthi, bëni vaksinën

Pas disa vitesh ku u shënua përparim i vazhdueshëm drejt eliminimit të fruthit, duket se kjo sëmundje është rikthyer sërish. Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaron se Shqipëria është në mesin e katër vendeve në Europë që nuk e kanë eliminuar përhapjen e fruthit.

Rikthimi i përhapjes së fruthit është shqetësues. Nëse mbulimi me vaksina nuk arrihet dhe nuk mbahet në çdo komunitet, edhe fëmijët, edhe të rriturit do të preken dhe rrezikojnë të humbin edhe jetën. Përveç Shqipërisë vendet e tjera që rrezikohen nga përhapja e fruthit janë edhe Çekia, Greqia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse dhe potencialisht fatale që shkakton kollitje, skuqje dhe ethe.

Ekspertët shëndetësorë paralajmërojnë se gënjeshtrat në lidhje me vaksinën e fruthit kanë lejuar që sëmundja të përhapet në zona ose komunitete të caktuara.

Të gjitha rajonet e botës treguan një rritje të fruthit përveç Amerikës, e cila pati një rënie të vogël.

Afro 365,000 raste janë raportuar në të gjithë botën këtë vit, tha OBSH, gati tre herë më shumë sesa në gjysmën e parë të 2018-ës.

“Pranvera e Pragës”, si u shtyp lëvizja anti-komuniste nga Pakti i Varshavës (roli i Shqipërisë)

Ishte një natë gushti, 51 vjet më parë, kur tanket sovjetike u futën në Çekosllovaki dhe i dhanë fund, asaj që në histori njihet si “Pranvera e Pragës”. Ishte një moment i rëndësishëm për të kuptuar se Bashkimi Sovjetik nuk do të toleronte kundërshtime të tjera 12 vjet pas shtypjes brutale të revolucionit hungarez të vitit 1956. Ishte gjithashtu dëshmi e mëtejshme që Pakti i Varshavës, i nënshkruar në vitin 1955, do të ishte një vegël në dorën e Kryeministrit Sovjetik Leonid Brezhnev. Ky pakt zgjati dhe dy dekada më pas, pavarësisht përçarjeve të vazhdueshme mes vendeve anëtare, pjesë e të cilit ishte dhe Shqipëria e drejtuar nga Enver Hoxha, por që më pas doli nga ky pakt. Ndërhyrja në Pragë në vitin 1968 u kritikua nga Rumania dhe Jugosllavia, të dy nënshkruese të paktit dhe nuk u harrua kurrë në Çekosllovaki. Ashtu si viti 1956 mbetet një simbol i fuqishëm për hungarezët gjashtë dekadave më vonë, ashtu ishte dhe Pranvera e Pragës e vitit 1968, që mbetet një burim krenarie dhe identiteti si në Republikën Çeke ashtu dhe në Sllovaki.

Çfarë ishte pakti i Varshavës?

Ai u krijua për të rivalizuar Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), e cila u nënshkrua në vitin 1949 nga SHBA, Kanadaja, dhe shtetet e Evropës Perëndimore, përfshirë dhe Gjermaninë Perëndimore. Pakti i Varshavës u nënshkrua në vitin 1955 nga Bashkimi Sovjetik, Shqipëria, Hungaria, Bullgaria, Polonia, Rumania dhe Republika Demokratike Gjermane. Të gjitha shtetet i dhanë premtim njëri-tjetrit se ky pak do të përdorej për të mbrojtur njëri-tjetrin në rast sulmi, ndërsa marrëveshja përfshinte dhe premtimin që këto vende nuk do të ndërhynin në punët e njëri-tjetrit. Por brenda një viti, Bashkimi Sovjetik e prishi marrëveshjen, duke shtypur një kryengritje popullore në Hungari në vitin 1956.

Çfarë ndodhi në vitin 1968?

Që në 5 janar të vitit 1968, kur ai u zgjodh drejtues i Partisë Komuniste në Çekosllovaki, Alexandër Dubcek kishte nxitur reformat demokratike, përfshirë lëvizjet për liberalizim të ekonomisë, lirimin e  të burgosurve politikë, përfundimin e kufizimeve të lirisë së fjalës, madje dhe mbajtjen e zgjedhjeve në Çekosllovaki. Dubcek ishte përpjekur të bindte Brezhnevin që reformat nuk do të ishin kërcënim as për Bashkimin Sovjetik, as për Paktin e Varshavës, por Kryeministri Sovjetik nuk u pajtua me këtë. Ai dërgoi 200 mijë ushtarë dhe 2000 tanke, përfshirë dhe 300 mijë trupa në një valë të dytë, për të ndalur Pranverën e Pragës. Studentë dhe protestues çekosllovakë të paarmatosur u përballën me ushtarët dhe tanket sovjetike me lule dhe flamuj, ndërsa fotot e asaj ngjarje u përhapën në të gjithë botën. Dubcek u detyrua të tërhiqet nga ndryshimet e propozuara, por një vit më pas ai u zëvendësua nga Gustav Husak, një aleat e i tij, që pranoi t`i bindej ortodoksisë Sovjetike.

Çfarë ndodhi me Alexander Dubcek?

Pasi u detyrua të tërhiqej nga reformat e tij dhe më pas të zëvendësohej si udhëheqës nga ish aleati i tij, Dubcek kaloi vite të vështira politike. Së pari ai u dërgua ambasador në Turqi, dhe më pas u kthye si zyrtarë i rëndomtë në administratën pyjore. Në vitin 1989, pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe fillimit të ashtuquajturës Revolucioni Velvet në Çekosllovaki, Dubcek u rikthye në jetën politike dhe u zgjodh kryetar i parlamentit federal të Çekosllovakisë. Në vitin 1992, ai u vra në një aksident automobilistik, vetëm një vit para shpërbërjes së Çekosllovakisë. Edhe pse ai e kundërshtoi këtë veprim, ai shihej se do të zgjidhej si presidenti i parë i mundshëm i Sllovakisë.

Tre vajza nga Shqipëria fitojnë garën mbi teknologjinë në Kaliforni

Tre gjimnaziste nga Tirana ishin të enjten fitueset e vendit të parë në një konkurs të organizatës Technovation në San Francisco të Kalifornisë për zgjidhjen e problemve reale në komunitetet e tyre përmes teknologjisë. Çdo vit, ekipe vajzash nga e gjithë bota marrin pjesë në këtë garë. Vajzat nga Tirana paraqitën një aplikacion që u vjen në ndihmë grave dhe vajzave të dhunuara në shoqërinë shqiptare.

Ka qënë një rrugëtim emocional dhe mbresëlënës për këto tre gjimnaziste të Tiranës, që iu përgjigjën sfidës së organizatës Technovation duke gjetur zgjidhje për një problem mjaft të mprehtë të shoqërisë ku jetojnë – dhunës gjinore.

“Që në fillim donim që të ndihmonim në një farë mënyre gratë shqiptare dhe duke marrë parasysh mentalitetin shqiptar, menduam që të trajtonim një temë si dhuna me bazë gjinore, që do të ishte mënyra më e mirë për t’u ardhur në ndihmë”, thotë 15 vjeçarja Jonada Shukarasi.

Aplikacioni i ndërtuar prej tyre, përmbledh në një menu shumë të thjeshtë të gjithë numrat telefonikë që mund të marrin gratë në një situatë të caktuar. Një zgjidhje praktike e cila vjen edhe me një numër këshillash për të gjetur zgjidhje në situata delikate.

“Ne jetojmë në një shoqëri patriarkale. Kemi dalë nga komunizmi dhe sigurisht që ka një dominancë të gjinisë mashkullore në shoqëri dhe një mentalitet shumë të prapambetur që gratë nuk mund të jenë të pavarura dhe nuk mund të shkollohen, të bëjnë përpara në jetë, të kenë financat e tyre dhe e gjithë kjo reflektohet edhe në rininë e sotme, edhe pse ka shumë ndryshime. Ne shohim shenja të hershme të kësaj dhune që reflektohet në marrëdhëniet e miqve tanë sot”, thotë Dea Rrozhani.

Programi ka qënë shtysa e duhur drejt teknologjisë për këto vajza në një shoqëri të dominuar nga mentaliteti se djemtë janë më të prirur për të qënë të aftë në fushat inxhinierike.

“Për djemtë ka qënë gjithmonë më e thjeshtë që të futen në teknologji. Që të vegjël i shtyjnë tek lojrat kompjuterike ndërsa vajzat i mënjanojnë nga kjo pjesë sepse është pikërisht ai mentaliteti maskilist, patriarkal që do t’i ngrerë djemtë më lartë se vajzat. Gjithmonë ka patur një mentalitet të gabuar për vajzat në teknologji apo edhe në fusha të tjera siç është biznesi”, thotë Arla Hoxha.

Megjithë përpjekjet për të ndryshuar këtë tendencë dhe për të inkurajuar brezin e ri drejt në qasje më të drejtë të barazisë gjinore, vajzat thonë se mbetet ende shumë punë për t’u bërë.

“Edhe nëpër shkollat tona ne bëjmë IT dhe nga vetë mësuesit e IT-së vajzat nuk marrin aq mbështetje. U jepet prioritet djemve dhe vajzat lihen mënjanë, anashkalohen duke menduar se ato nuk do të bëjnë karrierë në atë fushë më vonë, gjë që nuk është e drejtë”, thotë Jonada Shukarasi.

Përvoja e këtyre vajzave në këtë program të financuar nga kompani të mëdha të teknologjisë në Silicon Valley do të ketë një efekt të fuqishëm në jetën e tyre shumë kohë pas përfundimit të këtij programi.

Të frymëzuara nga kjo fitore ato kanë fituar besimin se kanë aftësinë të zgjidhin probleme të komunitetit dhe të ndihmojnë në thyerjen e barrierave gjinore për të çuar përpara shoqërinë shqiptare. /VOA

“Nuk jemi në Korsikë por në Shqipëri, një parajsë e panjohur”. Dokumentari në TV francez

Televizioni francez TF1 ka transmetuar së fundi një dokumentar për turizmin në Shqipëri duke e cilësuara të një parajsë të panjohur, një perlë të Ballkanit.

Sipas televizioni francez TF1 Shqipëria është një ndër destinacionet më të reja dhe më të preferuara të francezëve për këtë vit.

Dokumentari flet për plazhet e virgjëra të vendit tonë dhe brigjet detare që janë më pak të frekuentuara nga njerëzit dhe më pak të zbuluara.

Gjithashtu në rrugëtimin e dy gazetarëve francezë nuk lihet pa përmendur Berati, qyteti antik shqiptar i mbrojtur nga UNESCO, kalaja dhe rritja e numrit të turistëve që e vizitojnë.

Një rëndësi e madhe i kushtohet edhe ushqimit dhe fjetjes, ndërsa lëngu i thanës duket se është pija që i ka bërë më shumë përshtypje turistëve.

MIRËMËNGJES 😃dhe me këtë dokumentar të televizionit më të shikuar francez TF1, kushtuar Shqipërisë si destinacioni më i ri i preferuar turistik, ju uroj një ditë të mbarë 😊

Gepostet von Edi Rama am Dienstag, 13. August 2019

Banka Botërore: Shqipëria po plaket me ritme të shpejta

Një skenar i Bankës Botërore mbi projeksionet e popullsisë së Shqipërisë në tri dekadat në vijim tregon se vendit po i vjen pleqëria në mënyrë jo të natyrshme.

Popullsia mbi 60 vjeç pritet të rritet shumë shpejt duke arritur sa 45% e popullsisë në moshë pune, 15-65 vjeç.

Ajo që për vende të zhvilluara të Evropës ka ndodhur për dekada, në Shqipëri po ndodh brenda vitit. Në vitin 2018, raporti i varësisë së të rinjve (raporti i popullsisë 0-14 vjeç me popullsinë 15-64 vjeç) ka shënuar rënie në krahasim me vitin 2017, nga 26,0% në 25,4%, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve (raporti i popullsisë 65+ me popullsinë 15-64 vjeç) ka shënuar rritje nga 19,4% në 20,1% për të njëjtën periudhë.

Banka Botërore parashikon se deri në vitin 2050, pensionistët do të jenë sa gjysma e popullsisë në moshë pune, shkruan gazeta DITA. Por, duke qenë se jo e gjithë popullsia në moshë pune punon, me shumë gjasa, numri i pensionistëve do t’i afrohet numrit të personave që punojnë. Ky tranzicion demografik në të cilin është futur vendi, lajmëron vështirësi për skemën e pensioneve në një periudhë jo të largët.

Projeksionet e Bankës Botërore përfshijnë zhvillimet nga viti 1967 dhe parashikime deri më 2050. Raporti i varësisë ndaj të moshuarve në vitet 1970 ka qenë vetëm 8% dhe ka qëndruar në këto nivele deri në vitet 1990. Por me ndryshimin e regjimit komunist, popullsia e vendit u përfshi në tranzicion, me lëvizje të shumta të popullsisë brenda dhe jashtë vendit dhe mbi të gjitha, me rënie të numrit të lindjeve. Raporti i varësisë për moshat e vjetra arriti në mbi 20% vitin e kaluar, duke u rritur më shumë se parashikimet.

Në vitin 2011, kur u bë censi i fundit, varësia e të rinjve ndaj popullsisë në moshë pune ishte 30% dhe për të moshuarit 17%. Përqindja e fëmijëve do të ulet më tej (në 17% në vitin 2020, gjysma e përqindjes së vitit 1989) dhe ajo e të moshuarve do të trefishohet në 15% krahasuar me vitin 1989, shkruan Monitor.

Praktikat e vendeve të tjera që kanë kaluar tranzicione të ngjashme të popullsisë, kanë vërtetuar se konsumi udhëhiqet nga moshat e reja. Në kohën e “babyboomers” pas Luftës së Dytë Botërore, për fëmijët 0-14 vjeç në SHBA u shpenzuan 400 miliardë dollarë më shumë se për grupmoshat e tjera.

Ndryshimi i popullsisë në favor të moshave të vjetra nuk është lajm i mirë për kompanitë e teknologjisë që kanë konsumatorë pararojë të rinjtë.

Skip to toolbar