“Rekomandimi i KE tregon se Shqipëria dhe Maqedonia e
Veriut kanë treguar vendosmërinë për të avancuar në rrugën e integrimit dhe se
ato kanë arritur rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme.” Kjo ka qenë
përgjigja e zëdhënëses së Shefes për Politikën e Jashtme , Maja Koçijançiç, kur
u pyet nga ABC News për argumentin e parlamentit holandez “se nuk ka rezultate
të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri.”
Koçijançiç
tha se KE është pro zgjerimit
gjeostrategjikë të Bashkimit Europian për stabilitetin, paqen, sigurinë
dhe zhvillimin ekonomik në Ballkanin Perëndimor dhe se progres-raporti shpreh
qëndrimin objektiv të KE lidhur me ecurinë e reformave për integrimin. “Tani i takon Këshillit të Ministrave që të
konsiderojë këtë rekomandim dhe të vendosë për hapat që vijnë. Ju rikujtoj edhe
deklaratën e Presidentit të Komisionit Europian kur u takua me kryeministrin
shqiptar, e cila tregon qartë qëndrimin e tij dhe të Komisionit”. –thaKoçijançiç
Ndërsa skepticizmit të Holandës, Francës por edhe Gjermanisë, ku ka deputetë të Bundestagut që thonë se rezultatet e paraqitura nga Shqipëria nuk janë bindëse, Koçijançiç shtoi se:”Raportet janë përgatitur në një hark kohor disa muajsh dhe janë rezultati i një pune tërësore me analiza të detajuara. Nëse i lexoni, do ta shihni vetë; Askush nuk po thotë se të gjitha kriteret dhe të gjitha kushtet janë përmbushur. Ky është një proces. Por nëse i referohemi punës që duhej bërë për këtë stad, kjo është bërë. Kjo nuk do të thotë se puna mbaron aty. I takon këshillit të Bashkimit Europian të vendosë dhe nuk do të komentoj qëndrime, spekulime apo debate në gjirin e shteteve anëtare.”
Zgjati rreth dy orë vizita e të ngarkuarës me
punë të SHBA-së në Shqipëri, Leyla Moses One në zyrën e Presidentit Ilir Meta,
vizitë e cila nisi pak pasi ky i fundit kishte lajmëruar se në orën 17:00 të së
enjtes do të zhvillonte një konferencë për shtyp.
Nuk ka detaje nga takimi, por sigurisht në fokus ka qenë kriza politike, ndoshta edhe deklaratat që kreu i shtetit bëri pak ditë më parë kur u shpreh “se kush do monitorim votimesh të shkojë në Korenë e Veriut”. Por, rreth orës 14:40, shumë më herët nga konferenca e paralajmëruar për shtyp, mesa duket edhe nën efektin amerikan, edhe Presidenti i Republikës ka zbutur qëndrimet e tij, duke bërë thirrje për reflektim.
Në një status shkruar në rrjetet sociale, Ilir Meta shkruan se “Shqipëria ka nevojë për reflektim dhe përgjegjësi maksimale nga të gjithë aktorët politikë! Të mos humbasim këtë moment historik për të hedhur një hap përpara drejt Europës. Të bëjmë çdo përpjekje për mos-shkëputjen nga përparimi i fqinjit tonë Maqedonisë së Veriut. Çelja sa më parë e negociatave të anëtarësimit detyrim historik për të gjithë ata që duan Shqipërinë si Europa”, shkruan Meta.
Pra, ndonëse për këtë koment të bërë në rrjetet sociale, Ilir Meta do të flasë më shumë në orën 17:00, nxitimi për të dhënë mesazhe reflektimi, kur ende është duke u zhvilluar seanca parlamentare për mocionin e shkarkimit të tij, tregon se diçka ka ndodhur, se çfarë ka ndodhur, kjo do të zbulohet në nw pak orw.
Kryetarja e Grupit Parlamentar të deputetëve
të djathtë në Parlament, Rudina Hajdari ka marrë fjalën në seancën plenare, ku
po diskutohet mocioni i shkarkimit të Presidentit të Republikës Ilir Meta.
Hajdari e quajti mocionin e Grupit Parlamentar të PS pa vlerë juridike, ndërsa dekretin
e kreut të shtetit për shfuqizimin e 30 qershorit e cilësoi si “akt të shëmtuar”.
Megjithatë, sipas znj. Hajdari, Qeveria është bashkëfajtore për situatën, pasi
zgjodhi presidentin dy vjet më parë, ndërkohë që ky i fundit kishte konflikt
interesi sepse zgjodhi në krye të LSI, gruan e tij.
“Nuk ka ndonjë vlerë juridike. Ngre presionin dhe shantazhin ndaj presidentit Meta. Gjykimi për vendimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë e merr vetëm Gjykata Kushtetuese. Mocioni për shkarkimin e Presidentit vjen nga ¼ e deputetetëve. Pasi Komisioni Hetimor të verifikoi, të konstatoi, më pas ky Komision Hetimor të përpilojë një raport në Parlament që ti dërgohet Gjykatës Kushtetuese”.
“Fakti që ne nuk e kemi këtë Gjykatë, është një fatkeqësi e madhe. E theksoj, Gjykata Kushtetuese është organi i vetëm që konstaton këtë shkelje. Dua të di pse mendon se me këtë veprim, Ilir Meta mendon se zgjidh Krizën? Nëse palët nuk ulen bashkë dhe nuk arrijnë një kompromis, a nuk e fusim ne vendin më shumë në krizë?!”.
“Pika e dytë që duhet ti ngre presidentit; Më falni zoti president, nëse gruaja juaj është pjesë e opozitës, a nuk është ky konflikt i pastër personal? Doni të zgjasnin pozitën e tij, të zgjasni jetëgjatësinë e LSI-së. A nuk ishte zoti president, atëherë në atë kohë, në konflikt interesi, kur ai zgjodhi gruan e tij në krye të LSI? Pse nuk bët mocion në atë kohë. Mazhoranca u bë palë me LSI-në, vetëm për të zgjatur pushtetin tuaj, se nuk ju intereson fare çfarë ndodh në Shqipëri”, tha ndër të tjera Hajdari.
Pasditen e të martës, rreth orës 16:00, zbrastia në rrugët e Elbasanit ishte e dallueshme. Në rrugën hyrëse në qytet, atë që vjen nga përroi i Zaranikës në drejtim të sheshit “1 Maj”, ka pak qarkullim mjetesh. Sapo zbret autobusin e linjës ndërqytetëse, qetësinë e përzier me të nxehtin e këtij fillim qershori, e prishin ca kore tifozësh, një grupim i vogël, i mbledhur pranë monumentit të “Arsimtarëve”, një nga instilacionet kushtuar ish-mësueseve të shkollës “Normale” të Elbasanit. E vështirë për ta kuptuar nëse tifozët kishin zgjedhur me qëllim këtë monument për të nisur “nxemjen” e kordave me këngë e citate patriotike katër orë para se të afroheshin në stadium, apo se në fakt, ky memorial ndodhet në një vend me pemë të larta, të cilat bëjnë hije! Të dyja qëndrojnë, rastësisht ose jo, por gjithçka shkonte, kur shqiptarë nga të gjitha trevat, kryesisht të rinj nën moshën 30 vjeç, i jepnin kuptim këtij memoriali, që në fakt simbolizon luftën e pashembullt që mësues të ish-shkollës Normale, bën për të përhapur dijen anë e mbanë trevave shqiptare. Ndaj, këta të rinj, të cilët këndonin këngë patriotike poshtë tij, të dukeshin sikur në një farë mënyre u shprehnin mirënjohjen mësonjëve të shqipes!
Prej aty, natyrshëm
drejtohesh për nga bulevardi “Aqif Pasha”, dhe kjo arterie rrugore, mban emrin
e një tjetër njeriu të madh për Elbasanin e për historinë kombëtare. Në fakt,
ky qytet është i mbushur me histori në çdo cep të tij. Nga vetë emri i qytetit,
kalaja, monumentet kushtuar figurave të shquara si; Kostandin Kristoforidhi,
Aqif Pasha, Lef Nosi, pak më tutje Isuf Myzyri (një ish këngëtar i këngës
qytetare elbasanase) teatri Skampa, xhamia Mbret apo kisha e Shën Mërisë, e
shumë e shumë objekte të tjera, kanë një përhapje gjeografike, në jo më shumë
se 500 metër larg njëra-tjetrës. Ndaj, kur nis ecjen drejt bulevardit, shumë
prej këtyre objekteve, për të mos thënë të gjitha, i shquan me sy të lirë, të
cilat janë dekori më domethënës i Elbasanit, që shpreh identitetin historik,
kulturor, religjioz e patriotik të këtij qytetit.
Sapo afrohesh afër kullës së Sahahtit, vë re flamuj, fanella, qeleshe e gjithsend me simbole kombëtare. Flamujt e varur në tela lidhur mes pemëve, valëviten lehtë nga era, ndërsa të zotët e tyre me mospërfillje, për shkak se rruga është e zbrazët nga njerëzit, struken nën hijen e pemës dhe shohin celularin. Sapo kalon kryqëzimin e teatrit Skampa, në drejtim të stadiumit situata ndryshon disi. Në fakt, ajo që e prish qetësinë janë kafenetë e shumta, të cilat në atë orar nuk gumzhojnë nga njerëzit… Ishte konferenca e jashtëzakonshme e Presidentit të Republikës Ilir Meta.
Prej trotuarit dallohej qartë se në çdo bar ekrani i televizorit ishte vendosur në ndonjë televizon informativ, ku fliste kreu i shtetit për situatën politike. Si ndonjë syresh ulur në ndonjë kafe, por dhe kalimtar të rastit kthenin vëmendjen natyrshëm për të shquar ndonjë titër, apo dëgjuar ndonjë fjalë të kreut të shtetit, pasi prej tij pritej të ndodhte diçka të martën: dorëheqja apo shpërndarja e parlamentit! Të paktën kështu ishte krijuar përshtypja, dhe pak më sipër disa burra si për të konfirmuar këtë, në një kafene me tavolina në trotuar, ngritën tonin teksa Ilir Meta ishte duke folur.
Pasi kalon disa kafene dhe bare jo shumë luksoze, me afrimin drejt stadiumit, shfaqen disa bare me pamje më të bukur, të cilat dekorit të tyre të shtrenjtë, i kanë shtuar edhe flamujt kombëtarë. Për këto bare sa herë që ka ndeshje ekipi ynë kombëtar është festë e vërtetë, pasi tifozët e shumtë i zgjedhin për të kaluar orë të tëra deri sa afron ora për nisjen e ndeshjes. Por, këtë herë, situata nuk është ashtu, edhe pasi kalon ora dhe nis të bierë i nxehti, atmosfera sërish mbetet e vakët. Madje, dhe ata pak tifozë që kishin ardhur për të ndjekur ndeshjen, kishin zgjedhur të festonin në ambiente publike, siç ishte një grupim në parkun “Rinia”.
“I Dukës je dhe ti?”, me këtë pyetje disi të çuditshme më drejtohet një nga tifozët e një grupimi, të cilët ishin mbledhur në parkun “Rinia” të Elbasanit, vetëm disa dhjetra metra larg stadiumit “Elbasan Arena” ku në mbrëmje do të zhvillohej ndeshja Shqipëri-Moldavi. Isha duke shkrepur disa foto në distancë, pasi mendova se do të ishte më mirë duke i lënë në privatësinë e tyre këta të rinj që mbështesin pakushte në çdo ndeshje ekipin kombëtar. Nuk ishin grupimi i Tifozave Kuq e Zi, pasi këta të fundit kanë uniformë tjetër. Djali, që më pyeti nëse isha dhe unë ndonjë nga të Armand Dukës, kreut të FSHF-së, bashkë me shokët e tij, diku te 15-20 të rinj, mbani veshur bluza të zeza me stemën e Shqiponjës, por pa asnjë mbishkrim dallues. Këta të fundit ja marrin këngës “Se Kosova, Ilirida, Çamëria dhe Shqipëria, gjithçka janë zemra jonë…”, apo dhe të tjera të ngjashme. Më pas, u kuptua që këta tifozë i përkisin grupimit “Ilyrian Elite”, grupim tifozësh që dikur ishin pjesë e “Tifozave Kuqezi”, por u ndanë prej tyre dhe krijuan grupim më vete. “Ilyrian Elite” janë dënuar nga FSHF për të mos u futur në stadium, pasi dy vjet më parë, në ndeshjen që kombëtarja jonë luajti ndaj Italisë në Palermo, ky grupim hodhi flakadanë në fushën e lojës, duke bërë që të ndërpritej ndeshja. Megjithatë, tifozët kanë hequr simbolet dalluese, dhe tashmë futen përsëri në stadiume kur luan kombëtarja.
Prej parkut, ku
qëndroni këta tifozë, stadiumi është vetëm disa dhjetra metër larg. Në rrugën
hyrëse të stadiumit janë vendosur patrullat e policisë, të cilat nuk lejojnë
futjen e makinave në drejtim të stadiumit, veç atyre të akredituara. Në një
moment, krijohet një situatë tensioni, një qytetar me mjet dhe s’duket familjen
e tij, tenton të kalojë duke i kërkuar policisë ti hap rrugën. Policia e
ndalon! “Zotri të lutem nuk lejohet”,
i drejtohet një efektiv qytetarit. Ky i fundit këmbëngul; “Ore do shkoj në shtëpi unë, nga të kaloj”, ngre tonin qytetari!
Situata vijon kështu për pakçaste, deri sa afrohen dhe disa efektivë të tjerë të
RENEA-s. Qytetari shikon i tensionuar, por kupton se tentativa shkon kot! Ecën
pas me mjetin e tij dhe largohet…
Ora ka kaluar,
rreth orës 19:00 nis afrimi i tifozëve të parë në stadium. Policia krijon
kordonin e sigurisë dhe vendos pikat e kontrollit për tifozët. Nuk lejohen
sendet e forta, vuvuzelat apo banderolat me shkrime fyese apo nacionaliste.
Megjithatë, diçka i shpëton efektivëve Blu, pikërisht një banderolë e një
grupimi të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, që futen në stadium me një
flamur të madh kombëtar dhe parrullën e opozitës, “Rama Ik”. Për këtë do të
flasim më vonë!
Dikush, një zyrtar
i sigurisë dhe biletarisë në stadium më tregon se janë shitur rreth 3800 bileta
në total për ndeshjen. Niveli më i ulët historik i ndjekësve të kombëtares në
një ndeshje zyrtare, të paktën sipas konfirmimeve të drejtuesve të FSHF-së.
Disa kolegë gazetar shprehin pesimizëm për situatën, aq sa dikush thotë: “Herën tjetër do shkoj në Kosovë, u kthejmë
dhe reston, se dikur na i mbushnin ata stadiumet kur luanim ne futboll, tani ua
kthejmë ne me që ata janë më mirë”. Ekipet mbrrijnë në stadium rreth orës
19:15, ndërsa në stadium afrohen dhe personalitete VIP. Mes tyre, ai që tërheq
më shumë vëmendjen edhe nga vetë interesi për kombëtaren, është prania e Granit
Xhakës, kapitenit të kombëtares së Zvicrës dhe lojtar i Arsenalit në Angli.
Xhaka ishte së bashku me të atin dhe vëllaine
vogël të tij, për të ndjekur vëllain tjetër, Taulantin, që luan për
ekipin tonë.
Afrohem për intervistë. “Graniti nuk flet, është babai, Ragipi, ai që ma pret prerë: “Nuk ka intervista për gazetat. Kemi folur shumë dhe nuk do të flasim për gazetat”, më thotë, ndonëse insistoi, duke i shprehur kënaqësinë dhe krenarinë njëkohësisht, që kemi për praninë e Granitit në stadium. Por gjithçka është e kotë. Më pas, rregullin e thyen po babai i Granitit, i cili, si menaxher i djalit të tij, lejon që mesfushori i Arsenalit të flasë vetëm për një transmetues televiziv. “Ju thatë që nuk do fliste Graniti”, i them me humor Ragip Xhakës. “Po, për gazetat nuk do të flasë, vetëm për televizionet”, kthehet përsëri babai i Granitit dhe Taulantit.
E gjithë kjo situatë
shoqërohet me humor, disa gazetarë zënë radhën dhe presin foto. Dikush thotë
me të qeshur. “Unë nuk bëj foto, jam
tifoz i Ëest Ham”. Të gjithë qeshim, por askush s`mund të humb rastin për të
pasur një kujtim me një nga lojtrët më të mirë shqiptarë në arenën ndërkombëtare.
Tifozë special ka shumë në Elbasan, mes tyre, ai që tërheq vëmendjen është një
shtetas rus. Vinte nga Akhmati, qytet ku aktivizohen dy futbollistët tanë të
kombëtares, Odise Roshi dhe Bekim Balaj (ky i fundit i larguar tashmë). Tifozi
rus ishte i “çmendur” pas dy futbollistëve shqiptar. Ai takon Odisen dhe
Bekimin, flasin rusisht. Roshi i jep fanellën para ndeshjes, çka duket se i
solli fat futbollistit të kombëtares tonë, pasi dha asistin e golit të parë.
I afrohem rusit,
dhe e përshëndes në Anglisht! Nuk flet, asnjë fjalë, nuk e di nëse s`dinte
vërtet apo nuk donte të fliste. Por, diçka dallohej qartë. Ishte disi i
trembur, ndoshta e ka kuptuar edhe ai që në Shqipëri flitet shumë për “ndërhyrjen ruse në Shqipëri”. Tifozi
special tërheq vëmendjen e shumëkujt, madje gazetarët duan që ai të flasë.
Insistimi është i kot, ai paritur e sheh veten si person të rëndësishëm, por kurrsesi
nuk pranon të thotë asnjë fjalë, madje as të fotografohet!
Ndeshja nis në orarin e caktuar, madje me një incident të pakëndshëm. Gjatë kohës që u vendos himni Moldav, qendra e zërit e stadiumit shfaq probleme, ndoshta prej audios së himnit. Megjithatë, tifozët e pranishëm në stadium e respektuan himnin, u ngritën të gjithë në këmbë dhe duartrokitën. Më pas himni ynë, tifozët këndojnë në korë me ekipin, për çudi, audio del e pastër dhe kumbuese, gjithçka shkon shkëlqyer! Pjesa e parë nuk dhuron shumë emocione, mungoi goli, pavarësisht lojës së dominuar nga ekipi ynë.
Në të dytën, ka
gjithçka! Pak pasi nis ndeshja, në tribunën E, një grup tifozësh shpalos një
flamur të madh kombëtar, dhe më pas vendos sipër tij disa gërma, të cilat
thoshin “Rama Ik”. Ky moment tërhoqi
vëmendjen e gazetarëve, për pak minuta gjithçka u përqëndrua në atë skenë.
Forcat e sigurisë private në stadium ndërhyjnë menjëherë për të hequr flamurin
dhe parrullën politike, e cila në fakt, ka gjasa të jetë subjekt disiplinor në
UEFA, me këtë të fundit që edhe mund të marrë ndonjë masë me gjobë për FSHF. Të
rinjtë, të cilët më pas u zbulua e ishin pjesë e Forumit Rinor të PD-së, të
udhëhequr nga kryetari i tyre, Belind Këlliçi, rezistuan dhe mbajtën flamurin,
por jo “Rama Ik”, pasi shkronjat ikën. Policia nuk ndërhyri, ndonëse ishte aty.
E kuptueshme, policia tregoi profesionalizëm duke shmangur interpretimet
politike me një ndërhyrje të mundshme të saj.
Ndoshta, prandaj
sot nuk ka pasur asnjë reagim nga partitë opozitare për këtë gjë. Pas kësaj,
ndeshja merr rrjedhë tjetër, trajneri fut në lojë Odise Roshin dhe Sokol
Cikalleshin, të cilët gjejnë rrjetën pas kombinimit të tyre. Më pas rrjetën e
gjen edhe Ylber Ramadani! Shqipëria 2, Moldavia 0, në shkallët e stadiumit ata
4 mijë tifozë të pranishëm nisin ovacionet, në tribunën VIP të gjithë gëzojnë,
gazetarët çlirohen, pavarësisht se tek-tuk, sërish shfaqin pakënaqësi…
Gjithçka mbyllet me buzëqeshje, trajneri, lojtarët, presidenti i FSHF-së, të gjithë largohen të gëzuar, ndërsa tifozët i japin gjallëri qytetit pas daljes nga stadiumi! Të gjithë ikim, ndërsa dikush shprehet: “Tani, pas kësaj fitoreje, kombëtarja duhet t`i luajë ndeshjet këtu në Elbasan, se i sjell fat”. Askush nuk përgjigjet për këtë, por në të dalë të parkingut të stadiumit, duket se e konfirmojmë me nënqeshje! Në fakt, “Elbasan Arena” na ka lënë kujtime të bukura me kombëtaren, aty kemi mundur Francën, me të cilën, tani shihemi në shtator!
Kërkesa e Komisionit Europian që rekomandon hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është diskutuar në Parlamentin holandez. Ashtu si vitin e kaluar qëndrimi i parlamentit të Holandës nuk është shprehur pozitiv për hapjen e negociatave për Shqipërinë, duke ritheksuar se vendi ka ende punë për të bërë. Gjatë argumentit të tyre, parlamenti i kushton rëndësi të veçantë reformës gjyqësore ku kërkon nga Shqipëria që të arrijë rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Deri në arritjen e tyre ajo kërkon që qeveria e Holandës të mos votojë pro propozimit të Komisionit Europian për hapjen e negociate me Shqipërinë për anëtarësim në BE. “Ne vlerësojmë hapat që Shqipëria ka bërë gjatë këtij viti, por ka ende shumë për të bërë në për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Shqipëria nuk ka pasur arritje të prekshme të mjaftueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Themelimi i Strukturës Speciale Anti-Korrupsion dhe Krimit të Organizuar (SPAK) është i rëndësishëm në këtë kontekst. Derisa të plotësohen të gjitha kushtet, negociatat e pranimit me Shqipërinë nuk mund të fillojnë.”
Kritika i referohet ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe prokurorisë Speciale kundër Krimit SPAK, gjë që pritet të ndodhë deri në fund të muajit qershor. Duket se kjo do përdoret si argument për të shtyrë vendimin pozitiv, për në vjeshtë, çka është brenda pritshmërive edhe të Komisionit Europian, të Këshillit Europian të Ministrave, por edhe të qeverisë Shqiptare.
Ndërsa për Maqedoninë e Veriut, qeveria holandeze theksoi se pavarësisht arritjeve pozitive që ka kryer gjatë një viti, ka ende disa kërkesa që duhet të përmbush, përpara se të hapen negociatat për pranimin e saj. “Maqedonia e Veriut duhet të shfaq në mënyrë konkrete se reformat për sundimin e ligjit duhet të zbatohen para se të hapen negociatat e pranimit. Vendi duhet të arrijë rezultate të qëndrueshme dhe të prekshme në fushën e gjyqësisë, sigurisë dhe administratën publike. Një hap i rëndësishëm ende për t’u marrë është miratimi i shpejtë i legjislacionit për statusin e ardhshëm të Prokurorit Special.” Deri në plotësimin e këtyre kushteve nuk mund të hapen negociatat për pranimin e saj.
Mocioni është propozuar nga deputeti i CDA, Pieter Omzigt, i cili ka qenë konsistent në qëndrimet e tij kundër Shqipërisë. Pak kohë më parë ky deputet, i cili ka lidhje të forta personale me Lulzim Bashën, ka botuar një shkrim në një revistë holandeze, ku bashkë me Azerbajxhanin dhe Turqinë, radhit edhe vendin tonë, si vende islamike që po tentojnë të vendosin Sharian, ose Ligjin Islamik sipas K’uranit. (shih fotot). Dhe për të ilustruar argumentin e tij të pavërtetë, ai e shoqëron atë me një foto ku duket një xhami. Në fakt bëhet fjalë për pazarin e vjetër të Krujës, qytetit simbol të rezistencës shqiptare ndaj pushtimit otoman jo vetëm të tokave shqiptare, por edhe të gjithë Ballkanit. /realstory.al
I ndodhur në Prishtinë për ceremoninë e shënimit të 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, presidenti Ilir Meta ka ndarë një moment të veçantë për të, takimin me ish presidentin e SHBA-së, Bill Clinton, ku patën një shtrëngim duarsh.
Meta cilëson një nga shprehjet që vet Clinton mbajti gjatë fjalimit të tij në ceremoni “të bëjmë të pamundurën, në Shqipëri dhe Kosovë, për t’u garantuar të rinjve realizimin e shpresave dhe ëndrrave.”
“Shumë i lumtur të takoja e përshëndesja përzemërsisht qytetarë të Prishtinës e mbarë Kosovës dhe të shkëmbeja me ta urimet më të ngrohta për 20-vjetorin e Çlirimit. Ashtu siç me të drejtë theksoi sot Presidenti Bill Klinton është e domosdoshme të bëjmë të pamundurën, në Shqipëri dhe Kosovë, për t’u garantuar të rinjve realizimin e shpresave dhe ëndrrave, si dhe ndërtimin e së ardhmes së tyre në vendet tona’-shkruan Meta
Pas përfundimit të takimeve zyrtare të
planifikuara në axhendën e tyre dy ditore, delegacioni i deputetve të
Bundestagut, i kryesuar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të (SPD), Josip
Juratoviç. Pikërisht ky i fundit, ka folur, i shoqëruar dhe nga kolegët e tij
deputet të Bundestagut, në një konfrencë për shtyp nga ambientet e ambasadës Gjermane
në Tiranë. Joratoviç ka dalë kundër shtyrjes së datës së zgjedhjeve, duke u
shprehur se nëse ajo është vendosur në Kushtetutë, duhet të respektohet.
“Janë punë të brendshme të vendit. Por, kam kuptuar se ky vend ka një Kushtetutë dhe Kushtetuta është baza e një vendi. Në Gjermani Kushtetuta vlen si baza dhe për këtë arsye kam besim te ajo që përcakton Kushtetuta. Nëse Kushtetuta parash që zgjedhjet duhet të zhvillohen në një moment të caktuar, ato duhet të zhvillohen në këtë moment. Sepse vetëm në këtë mënyrë, vetëm duke u bazuar në Kushtetutë… Dhe unë konsideroj që demokracia përfaqësuese në formatin e parlamentit është organi më i lartë demokratik”, u shpreh Juratoviç.
Më tej, gjatë fjalës së tij, Juratoviç u
shpreh se turi që ai dhe kolegët e tij kanë ndërmarrë në Ballkan, lidhet me
njohjen e mëtejshme me ecurinë e reformave. Në këtë rrjedhë, kryetari i Grupit
Parlamentar të SPD, u shpreh se Shqipëria dhe rajoni është oborr i brendshëm i
BE-së dhe duhet të anëtarësohet.
“Kemi pasur kontakte me përfaqësues të parlamentit, komisioneve parlamentare, kryeministrin Rama, ministren e Drejtësisë dhe të Brendshmin për një panoramë të plotë të vendit dhe reformave. Për ne ka qenë e rëndësishme të mësojmë ecurinë e reformave për të ditur sa e përgatitur është Shqipëria për negociatat. Shqipëria dhe i tërë rajoni është oborri i brendshëm i BE-së dhe duhet të jetë pjesë e këtij unioni. Për mua, demokracia është një komunitet vlerash”.
Mirëpo, deputeti gjerman, tha se situata
aktuale politike në Shqipëri, do të jetë vendimtare në vendimin e Këshillit të
Europës për votimin pro ose kundër hapjes së negociatave me BE-në.
“Zgjedhësit në Shqipëri dhe shoqëria është e informuar mirë se cfarë do apo nuk do dikush. Situata aktuale do të luajë një rol në vendimmarrjen e Këshillit dhe duke qenë se në pjesën më të madhe të vendeve të BE-së janë parlamentet që vendosin. Jo të gjithë qytetarët në BE janë entuziastë për zgjerimin e unionit. Kush pengon procesin e integrimit pengon ata që besojnë në vlerat demokratike” tha Josip Juratovic.
Mbrëmjen e së martës në “Elbasan Arena” kombëtarja
jonë e futbollit luajti kundër Moldavisë në ndeshjen e katërt elemintaore të
Euro 2020, duke fituar me rezultatin 2-0. Pak pas nisjes së pjesës së dytë, në
fillim të tribunës E, disa të tifozë shpalosën një flamur të madh kombëtar, dhe
më pas sipër tij vendosën disa shkronja, të cilat formonin fjalën “Rama Ik”.
Në fillim ishte e paqartë se cilit grupim i përkisnin këta tifozë, ndërsa mediat shkruan se ishin “Tifozë Kuq e Zi”. Në fakt, këta të fundit nuk ishin, pasi kanë tribunën e tyre dhe veshjen e tyre identifikuese.
Në fakt, e vërteta është zbuluar këtë të mërkurë, kur kanë qenë vetë disa anëtar të FRPD-së, të cilët kanë publikuar fotot nga stadiumi si dhe flamurin kombëar me mbishkrimin “Rama Ik”.
Mes tyre qëndron edhe kryetari i FRPD-së
Belind Këlliçi, çka duket se gjithçka ka qenë e mirëmenduar. Veç parullës së
shpalosur, ky grupim gjatë ndeshjes ka thirrur në kor “Rama Ik”.
Nuk dihet nëse delegati i ndeshjes e ka shënuar në protokollin e tij këtë veprim, por nëse kjo ka ndodhur, pritet që kombëtarja të jetë objekt disiplinor në UEFA, pasi në stadiume janë të ndaluara thirrjet me prirje politike apo shpalosja e parullave me mesazhe të tilla, duke u dënuar me gjobë apo deri në luajtjen e ndeshjeve pa tifozë.
Shqipëria fitoi mbrëmjen e së martës ndaj
Moldavisë, duke i rikthyer në garë për kualifikimin në Euro 2020. Edy Reja,
foli pas ndeshjes për mediat, duke u shprehur i kënaqur me pikët, por edhe lojën
e e skuadrës që hodhi në fushë.
“Na duhej fitorja. Luajtëm, është e rëndësishme loja që bëmë. Filluam mirë. Fitoren që na duhej, e arritëm. Djemtë ishin të qetësuar, edhe pse humbëm pikët në Islandë. Nëse nuk do fitonim, do kishte frikë për të ardhmen”, tha trajneri.
Taulant Xhaka u la në stol për të pushuar për
shkak të lodhjes, ndërsa sa i përket lojës dhe skemës, Edy Reja shprehet se
ekipi duhet të punojë më shumë.
“Unë kam një grup rreth 25 futbollistë, të gjithë janë disponibël. Duhej pak pushim nga ndeshja me Islandën. Duhej të provoj disa futbollistë. Në 15 ditë nuk mund të bëj gjithçka. Në mbrojtje kishim 4 mbrojtës, dhe 3 më përpara. Nuk mund të fitojmë pa djersitur, pa vuajtur, çdo vuajtje sjell dhe fitoren”.
Moldavia, ndonëse një kundërshtar jo i rrezikshëm,
për Edy Rejan krijoi probleme. Sipas tij, këto të fundit u shfaqën mësëshumti në
mbrojte, ndërsa për zëvendësimet u shpreh se i dhanë frymëmarrje skuadrës.
“Në mbrojtje patëm pak probleme. Skuadra zhbalancohet shpejt. Me Roshin dhe Cikalleshin, patëm një frymëmarrje dhe shënuam. Uzuni lëviz mirë, po bën mirë edhe në stërvitje. Cikalleshi i jep frymëmarrje sulmit. Nuk kemi bërë shumë ndryshime në mesfushë, por duke parë me Islandën, luajtëm më mirë”, tha ndër të tjera trajneri.
Armand Duka doli i qeshur nga “Elbasan Arena”,
i fundit nga personat VIP që ndodeshin në këtë sektor. Fitorja me Moldavinë
ishte e rëndësishme për ekipin tonë kuqezi, jo vetëm për të shpresuar për
kualifikimin në Euro 2020, por edhe për të rigjetur besimin dhe forcën për të
vijuar më tej. Për mediat, Duka u shpreh se uronte që kjo fitore t`i kthente
fatin ekipit tonë kombëtar.
“I kënaqur, patjetër me rezultat pozitiv çdo ndeshje është shumë e rëndësishme. Kësaj i kishim dhënë pak më shumë rëndësi sepse kishim bërë pak rezultate pozitive. Uroj që ti ket kthyer fat ekipit dhe atmosferenë pozitive”, tha Duka.
Më tej, kreu i FSHF-së tha se preferon një
lojë jo të mirë dhe me rezultate, se sa lojën e bukur por me humbje. Komplimentet,
Armand duka nuk ia kursen trajnerit Edy Reja, që sipas tij, në pak ditë i ka
kthyer optimizmin skuadrës.
“Jam i kënaqur me këtë lloj loje, sepse bëm lojë më të mirë në Islandë por erdhëm pa pikë. Mbajtëm topin më shumë, ne komanduam lojën ato morën rezultatin. Të gjithë ato që janë në kombëtare janë më të mirët, çdo njeriu që i jep fanellën e meriton atë”.
“E vetmja vrejtje që më kanë bërë kur kam vendosur Rejan trajner më thanë vetëm se është 73 vjeç, kurse për të tjerat nuk besoj se ka nevoj për notën time se është trajner shumë i mirë. Ka kontribuar maksimalisht që në pak ditë për kthimin e besimit te grupi”, u shpreh Duka.
Shanset për kualifikim në Euro 2020 janë të pakta, por Armand Duka thotë
se duhet të shpresojmë deri në fund. “Nuk mund të themi me që jemi gjashtë pikë,
dhe i jemi afruar vendit të dytë, çdo gjë mund të ndodhi. Është grupi i fortë
deri në fund, Franca është favorit kryesor, Turqia dhe Islanda janë më afër
saj. Por ne duhet të shpresojmë deri në fund”, tha ndër të tjera kreu i FSHF-së
pas ndeshjes.