Prej 1 viti në çadër, kryefamiljari në Mallkuç të Krujës: Shteti po na pengon, shtëpinë do ma bënin fondacionet fetare

Disa familje në Mallkuç të Bubqit në Krujë, prej 21 shtatorit të 2019 ose 26 nëntorit janë në çadra ose konteinerë teksa denoncojnë se shteti nuk i ka ndihmuar

Ish- deputetja Oriola Pampuri ka vizituar banorët për t’u njohur me shqetësimet e ty, teksa një prej tyre, Indrit Preni thotë se ka 9 muaj në çadër e askush nuk është parë më nga Bashkia dhe Komuna.

Indrit Preni: Jam Indrit Preni. Siç e shihni vetë, mbrapa tërmetit ç’kanë ardhë në fillim të tërmetit, kanë 9 muaj gati 1 vit, s’është t’u pa kush më as nga Bashkia as nga Komuna. Bashkia ma ka nxjerrë DS4.
Desilda Preni: Që ditën e tërmetit, domethënë që kur ka rënë tërmeti, ne jetojmë në atë kontenier, që na e kanë sjellë por me kushte të vështira. Deri tani s’kemi parë gjë, për shëmbull me ardhë me na thënë do bëhet këtu apo do bëhet atje, po qef prej vendit tim nuk kam me lëviz prej këtu.
Orjola Pampuri: Po ndërkohë kërkohen të merren masa për higjenën, ndërkohë në atë vend ku ju jetoni ishte aq i vogël sa vetëm masa higjene…
Desilda Preni: Me atë po përpiqemi t’i mbajmë sa më pastër.
Orjola Pampuri: Po ndërkohë që 5 veta në një çadër është e vështirë…
Desilda Preni: E vështirë është po ça të bëjmë.

Ndërkohë Martin Jaku, kryefamiljar ka denoncuar se shteti nuk lejon ndërtimin e shtëpisë së tij nga fondacionet fetare. Ai thotë se tërmetet e 21 shtatorit dhe 26 nëntorit i shkatërruan shtëpinë, kurse Bashkia e Krujës i kërkon 5 mijë euro për leje ndërtimi.

Ai tregon se fondacione fetare i premtuan se do e ndihmojnë për shtëpinë, madje duke sjellë ustallarë dhe inxhinierë nga jashtë shtetit, por për të Bashkia po bëhet pengesë.

Jaku tregon se nëse do i kishin dhënë lekët do e kishte bërë shtëpinë pa nevojën e kujt por pa shtëpi, me 7 anëtarë në familje atij i kërkohen dhe 5 mijë euro nga Bashkia që nuk i ka.

Martin Jaku: Jam Martin Jaku, banues i fshtait Mallkuç, lagjja Tarin. Në muajin shtator ra tërmeti dhe më shkatërroi shtëpinë, edhe më erdh komuna. Do të marrësh inxhinierin. I shkrujta inxhinierit, inxhinieri nuk më erdhi. Ditën e fundit vjen inxhinieri te një shtëpi këtu me një fjalë, se ka shtëpiat në Mazhe ai, ka 3 shtëpia, i ka bërë vetë, dhe më tha mua nuk marr urdhër nga ty, marr nga kryetari i komunës. Ore kam shkrujt emrin. Ore nuk vij, tha. Tani mu më thanë ca të fesë, me një fjalë, që mund të më ndihmojnë për shtëpinë, e kështu, se shkoi vonë. Edhe shko, duam leje ndërtimi tha. Duam një leje ndërtimi tha, se inxhinierët dhe ustallarët i biem nga jashtë shtetit. Edhe unë atë ditë çova gruan me vajzën, se isha i angazhuar me punë. Shko atje në bashki e tha ne nuk na e kanë pru zyrtare. Leja e ndërtimit bënë 5 mijë euro. Edhe unë fola me këta. Unë tha të jap paret ty o Martin, të bëj shtëpinë ty, e nuk mund t’i jap 5 mijë euro shtetit!
Orjola Pampuri: Domethënë kushtet janë këto që janë, këto që shohim ne?!
Martin Jaku: Këto që janë…
Orjola Pampuri: Këtu ti jeton me fëmijët, me bashkëshorten, tani vjen dimri…
Martin Jaku: Jam vetë i 7-ti. Unë vetë i 5-ti, 2 motrat 7. Jemi katandisur kështu dhe nuk kemi asnjë shpresë, e themë publikisht këtu. Të më kishte dhënë paret, e kisha bërë shtëpinë unë, edhe më fundërrina në fshat e kishte bërë shtëpinë!

Gjysma e shqiptarëve kursejnë për shkollim

Banka e Shqipërisë ka publikuar së fundi një sondazh mbi kulturën e kursimit tek shqiptarët dhe sipas të dhënave rezulton se gati gjysma e shqiptarëve kursejnë për të shkolluar fëmijët e tyre ndërsa një pjesë tjetër për të ngritur standardin  e jetesës.

Të dhënat tregojnë se vetëm 44% e të intervistuarve kanë objektiva financiarë afatgjatë. Nga këta, pjesa që kanë objektiv kursimin, 49% e bëjnë për shkollën. Rreth 29.8% kanë objektiva afatgjata kursimi për shkollimin e fëmijëve dhe 18.6% për vetëshkollim, shkruan revista Monitor.

Më tej 11,9% kursejnë për të përmirësuar standardet e jetesës, 9,9% për të blerë një makinë dhe e 6.6% për të ndihmuar financiarisht fëmijët e tyre.

Rregullimi i shtëpisë stimulon 5.7% të kursimtarëve dhe po kaq blerja e një shtëpie të re.

Gjithashtu, në përmasa më të vogla, shqiptarët priren për të kursyer për dasmën e tyre apo të fëmijëve, për të zgjeruar biznesin, për shlyerjen e kredisë, apo për të udhëtuar.

Ministria e Mbrojtjes: Shumica e shtëpive të shembura janë të pabanuara

Ministria e Mbrojtjes ka shpërndarë një tjetër informacion të përditësuar në lidhje me situatën në Korçë dhe fshtrat përreth, pas tërmeteve që kanë rënë gjatë natës.

Ministria njofton se janë rreth 70 banesa të dëmtuara, që kanë pësuar shembe çatie, shembje suvash dhe çarje të mureve, kryesisht në fshatin Floq dhe Dvoran.

Ndërkaq shumica e shtëpive të shembura janë të vjetra dhe të pabanuara, por është ngritur një komision që po vlerëson situatën në terren.

Informacioni i plotë i Ministrisë:

Më datë 01.06.2019, në territorin e qarkut e Korçë janë regjistruar disa lëkundje tërmeti duke filluar nga ora 06:20 (GTM) deri në orën 09:00. Epiqendra e lëkundjeve ka qenë fshati Floq i bashkisë Korçë. Nga informacioni i marrë deri tani nga Prefektura Korçë, Policia e Shtetit  dhe nga Spitali Rajonal i qytetit Korçë informohemi:

Banesa të evidentuara me çarje muresh, shembje çatie dhe shembje suvash deri tani në fshatin Floq dhe Dvoran janë 70 banesa. 50 banesa janë të vjetra dhe të pa banuara prej shumë vitesh.

Në fshatin Qafëzezë janë të dëmtuara nga tërmeti 10 banesa.

Në fshatin Vidohovë kanë pësuar çarje të mureve 20 banesa të vjetra.

Komisionet e konstatimit dhe vlerësimit të dëmeve janë në terren dhe po evidentojnë çdo dëm të shkaktuar.

Nga informacioni i marrë nga Spitali Rajonal Korçë, informohemi se 4 shtetas kanë shkuar në urgjencën e spitalit për të marrë ndihmën e parë pasi nga rënia e mureve të disa banesave kanë pësuar lëndime të lehta. Spitali Rajonal Korçë është në gatishmëri me autoambulanca, staf mjekësor dhe me kapacitet 300 shtretër për përballimin e çdo situate.

Është komunikuar me QBO-në në ministrinë e Mbrojtjes për të vënë në dispozicion Detashmentin e Korçës në ndihmë të banorëve për montimin e çadrave që do të shkojnë nga DPRMSH si dhe një autobot me ujë të pijshëm. Janë marrë masa edhe për furnizimin e banorēve me ushqime.

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile është në gatishmëri dhe po ndjek hap pas hapi çdo situatë duke komunikuar me të gjitha institucionet qendrore dhe vendore për të kaluar sa më shpejtë këtë situatë të krijuar.

Skip to toolbar