Klubi sportiv i Skënderbeut ka reaguar në lidhje me vendimin e CAS për të lënë në fuqi vendimin UEFA, ku përjashton klubin korçar me 10 vite nga Kupat e Europës dhe e gjobiti me 1 milion euro gjobë pasi e cilësoi fajtor në trukimin e rezultateve të ndeshjeve. Reagimi ka ardhur pas një heshtje 24 orë pas shpalljes së vendimit të CAS. Skënderbeu ka akuzuara CAS për proces të njëanshëm dhe se nuk ka marrë në konsideratë raportet shkencore që juristët kanë paraqitur dhe ka akuzuar se sistemi i drejtësisë sportive është një fasade e një sistemi të kalbur dhe të korruptuar.
Skuadra e Skënderbeut ishte dënuar më parë nga
UEFA në vitin 2018. Por korçarët vendosën ta apelojnë vendimin. Ndërsa CAS ka
lënë në fuqi vendimin e UEFA, Skënderbeu ka deklaruar se do ta çojë çështjen në
Gjykatën Federale të Zvicrës
Reagimi i Skënderbeut
Pasi jemi njohur me përmbajtjen e buletinit
mediatik të CAS, datë 12.07.2019, lidhur me ankimin e bërë nga KF Skënderbeu
kundër vendimit të Komisionit të Apelit të UEFA-s, ndiejmë detyrimin ndaj
sportdashësve dhe qytetarëve të Korçës për të qenë sa më transparent ne lidhje
me hapat e mëtejshëm të cilat do të ndiqen për rivendosjen e të drejtave tona
të dhunuara barbarisht nga sistemi i drejtësisë sportive.
Së pari, vendimi i CAS në formën e tij të
plotë dhe integral nuk i është komunikuar ende KF Skënderbeut, veprim i cili
nën dritën e ngjarjeve të ndodhura, nuk është më i dyshimtë. Kjo pasi i gjithë procesi
ndaj klubit tonë ka qenë i paragjykuar, i njëanshëm dhe i paracaktuar që prej
vitit 2016.
Nuk mundet të mos jetë i paragjykuar një proces
ku KF Skënderbeu është dënuar në bazë të gjoja perceptimit publik të klubit dhe
të personave lidhur me të, perceptim të cilin institucioni i UEFA’s,
veçanërisht inspektorët e lidhur me çështjen kanë tentuar të krijojnë, përmes
metodave dhe formave nga më të paskrupullta. Në lidhje me këtë, është e rastit
të përmendet se ndaj inspektorëve të UEFA’s përgjegjës për hartimin e raporteve
kundër klubit tonë, konkretisht Z. Dhont dhe Z. Lietard, aktualisht, ekzistojnë
padi penale dhe civile për shpifje në organet kompetente Zvicerane.
Nuk mund të mos jetë i njëanshëm një proces i
cili mbështetet mbi raporte të cilat nuk kane asnjë bazë të provuar shkencore
dhe të cilat nuk kanë të bëjnë fare me analiza të mirëfillta sportive. Është e
papranueshme që CAS të marrë si të mirëqena raportet e BFDS, sistem për të
cilin askush nuk ka dijeni si funksionon, përfshirë edhe CAS-in. Është e
papranueshme që CAS të mos marrë në konsideratë raportet shkencore të
ekspertëve të basteve sportive dhe të ekspertëve sportiv të KF Skënderbeut, të
cilët në mënyrë metodike dhe shkencore kane hedhur poshtë çdo argument të
ngritur nga UEFA. Mbi të gjitha, është e papranueshme që të mos merren në
konsiderate mbi 50 kundër-prova të paraqitura nga pala jonë, kur nga ana
tjetër, e gjithë strategjia e inspektorëve të UEFA’s mbështetej mbi dëshmi
personash anonim (as identiteti i tyre nuk na është bërë i ditur) ose personash
të cilët kanë konflikt të hapur interesi në lidhje me procesin.
Nuk mund të mos jetë i paracaktuar një vendim
për të cilin vendimmarrës janë njerëz me lidhje direkte ose indirekte me palën
akuzuese. Në lidhje me këtë, KF Skënderbeu kishte bërë kërkesë për përjashtimin
e kryetarit të trupës arbitrale, i cili, në mënyre të shprehur kundërshtonte kërkesën
tonë, në një kohë kur detyrimi i tij deontologjik është tërheqja nga gjykimi i
çështjes në rast të kërkimit të argumentuar të njërës prej palëve. Është e
qartë që emërimi i këtij personi ka qenë në funksion të mbrojtjes së interesave
të inspektorëve të UEFA’s dhe personave të lidhur më këtë institucion. Në
kushtet kur 2 nga 3 arbitrat e çështjes kanë qenë të mandatuar për të mbrojtur
njërën palë, i vetmi konkluzion logjik është parapërcaktimi i rezultatit final.
Sot mund të themi me sigurinë e plotë se
sistemi i drejtësisë sportive i ngritur dhe i mbrojtur me fanatizëm nga
federatat ndërkombëtare është një fasade dhe mburojë e një sistemi të kalbur
dhe të korruptuar që ekziston brenda institucioneve të qeverisjes sportive.
Në këto kushte, me vetëdijen që beteja ligjore
në këtë sistem drejtësie është e kotë, bëjmë me dije se, pas konsultimit me përfaqësuesit
tanë ligjore, brenda muajit Korrik 2019, KF Skënderbeu do të paraqesë rekurs
pranë Gjykatës Federale Zvicerane kundër vendimit të CAS datë. 12.07.2019. Duke
qenë të bindur mbi pafajësinë tonë, ruajmë besimin se e drejta do të vihet në vend.
Së fundmi, bëjmë me dije sportdashësit dhe
mbështetësit tanë se KF Skënderbeu do të vazhdojë aktivitetin e tij më të njëjtin
përkushtim, vizion dhe ambicie për të arritur rezultate edhe më të mira se ato
të sezoneve të shkuara.
Me Respekt,
KF Skënderbeu