Verdikti i Superligës, Tirana shpëton dhe shpreson, Partizani, Kukësi e Teuta luajnë në Europë…

SPORT


Dy gola të Albi Dokës dhe Hasanit shpëtojnë Tiranën nga rënia nga Kategoria Superiore. Ky ishte verdikti përfundimtar që solli java e fundit e kampionatit për këtë sezon, me ekipin bardheblu që arriti të mbijetonte pasi mundi Flamurtarin në “Selman Stërmasi” me rezultatin 3-0.

Ishte Albi Doka që zhbllokoi takimin në minutën e 65″, ndërsa mbrojtësi dyfishoi dy minuta më pas për ekipin bardheblu. Hasani të 79′ shënoi golin e tretë dhe të fundit për Tiranën, duke marrë tre pikët e fundit në kampionat për këtë sezon, pasi i japin mundësi të qëndrojë në Superligë.


Në krahun tjetër ishte Kastrioti ekipi që u rikthye në Kategorinë e Parë, nga e cila erdhi një sezon më parë. Ekipi i drejtuar nga Bledar Devolli u mund nga Kukësi në ndeshjen e fundit të kampionatit me rezultatin 3-1. Ndonëse Kastrioti kaloi në avantazh me Ymeraj në minutën e 29′, Kukësi përmbysi gjithçka me dy gola të Reginaldo (80′ dhe 90+1′) dhe Shkurtaj më (85′), duke mbajtur vendin e dytë në kampionat.

Në Gjirokastër u mbyll 1-1 sfida mes vendasve dhe ekipit kampion, Partizanit. Luftëtari kaloi i pari në avantazh në minutën e 9′, por kur dukej se gjithçka do të mbyllej me vetëm këtë gola, Çinari shënoi në minutën e tretë shtesë duke i dhënë barazimin në ndeshjen e fundit të kampionatit Partizanit.

Dy gola të shënuar në minutat shtesë nga Kallaku dhe Kamara i dhanë fitoren Teutës përballë Laçit, me durrsakët që renditen përfundimisht në vendin e tretë dhe do të marrin pjesë në turet kualifikuese të Europa League sezonin e ardhshëm. Partizani do të luajë në turet kualifikuese të Champions League, ndërsa Kukësi në Europa League.

Megjithatë, nëse Kukësi fiton Kupën e Shqipërisë të dielën, do të jetë dhe Skënderbeu ekipi tjetër që do i bashkohet skuadrave që do të luajnë në Europë, ndërsa nëse fitorja e Kupës i shkon Tiranës, do të jenë bardheblutë që do kenë një biletë për në Europa League.




Skip to toolbar