Teuta në Europë, Skënderbeu vijon rënien e lirë (video)

Teuta ka mundur Skënderbeun në Korçë duke u afruar më shumë me realizimin e ëndrrës për pjesëmarrjen në kupat e europës sezonin e ardhshëm.

Skuadra durrsake ka fituar me rezultatin 2-1 në transfertë, duke bërë një ndeshje të mirë. Pas dy barazimeve radhazi, ekipi i drejtuar nga trajneri Bledi Shkëmbi ka arritur triumfin me gola të Sidibe, që zhbllokoi rezultatin në minutën e 5′.

Bushic në minutën e 54′ ka dyfishuar avantazhin për të tijët, me golin që rezultoi deçiziv për fitoren e durrsakëve. Kjo pasi Skënderbeu ka ngushtuar shifrat në minutën e 85′ me Krasniqin.

Pas humbjes së sotme Skënderbeu mbetet në vendin e gjashtë me 46 pikë, ndërsa Teuta është ngjitur në vendin e tretë me 51 pikë.

Kukësi shkon në finalen e kupës, Skënderbeu dorëzohet përfundimisht!

Kukësi është finalisti tjetër i Kupës së Shqipërisë, ku përballë do të ketë Tiranën më 2 qershor. Skuadra e trajnerit Ernest Gjoka ka arritur të kualifikohet pas dy ndeshjeve të fituara ndaj Skënderbeut, me takimin e parë të luajtur në Kamëz (2-1) dhe takimin e sotëm që u mbyll 1-3 për Kukësin.

Sakaq Skënderbeu e ka mbyllur pa lavdi këtë sezon, duke pasur parasysh faktin se korçarët rrezikojnë të mos arrijnë zonën e Europës, ndonëse ende nuk ka dalë dhe vendimi i CAS në lidhje me dënimin e UEFA-s.

Skuadra verilindore ka zhbllokuar takimin me Reginaldon, duke shënuar me kokë nga brenda zonës. Më pas, një autogol i Abazit tre minuta para përfundimit të pjesës së parë i ka dhënë dyfishimin e rezultatit skuadrës së Gjokës.

Megjithatë, Skënderbeu ka ngushtuar shifrat pas pushimit të pjesës së parë me Dejvi Bregun. Por Valdet Rama ka trefishuar dhe vulosur takimin për 3-1 në favor të Kukësit, duke i hequr shansin Skënderbeut për të mbrojtur trofeun e fituar vjet në finale ndaj Laçit.

Tirana thyen Skënderbeun, i largohet rrezikut (video)

Tirana ja ka dalë të fitojë ndaj Skënderbeut, në ndeshjen që përfundoi 1-0, me gol të shënuar nga Edon Hasani pak minuta para përfundimit të ndeshjes.

Një takim përgjithësisht i ekuilibruar, me Tiranën që vuajti shumë gjatë pjesës së parë, ndërsa Skënderbeu nuk arriti të shfrytëzonte si duhet hapësirat e krijuara.

Në pjesën e dytë Tirana ndryshon disi, pasi trajneri Mema kryen zëvendësimet në mbrojtje dhe mesfushë, duke i dhënë freski lojës së bardhebluve, që solli dhe golin e fitores.

Pas fitores së sotme, Tirana i largohet me 5 pikë Kastriotit të vendit të fundit, dhe është me e qetë në luftën për mbijetesë pas 4 ndeshje para përfundimit të kampionatit.

Skënderbeu rikthehet te fitorja, ndal Flamurtarin

Skënderbeu ka lënë pas disfatën me Laçin, duke mundur në javën e 31-të të Superligës Flamurtarin në Korçë.

Skuadra vendase ka dominuar nga fillimi deri në fund takimin e së dielës në mbrëmje, duke e merituar fitoren 2-0 në fund.

Vendasit kanë zhbllokuar rezultatin pas 27 minutash lojë me Blerim Krasniqin, me kavajasint që realizoi pas një asisti të dhënë nga Oto John.

Dejvi Bregun e ndali shtylla në një moment, ndërsa Barha dhe Radas u ndëshkuan me kartonë të verdhë pas një tensioni mes tyre.

Protagonist në golin e dytë do të bëhej përsëri Blerim Krasniqi, i cili fiton një penallti pas një ndërhyrje të gabuar të Kotobellit. Gjergji Muzaka ka realizuar nga 11-të metërshi duke vulosur fitoren e Skënderbeut.

Me këtë fitore, korçarët ngjiten në kuotën e 46 pikëve, 3 më pak se sa vendi i tretë, që do të thotë Europa League. Sakaq, Flamurtari ndalon dhe mbetet 48 pikë, duke mos përfituar nga hapi fals i Kukësit me Teutën.

Argjend Mustafa: Flamurtari kap Europën

Argjend Mustafa do të jetë titullar në takimin e nesërm që Flamurtari luan në transfertë ndaj Skënderbeut. Mesfushori i vlonjatëve ka dalë në konferencë për shtyp ditën e sotme, ku ka komentuar përballjen me korçarët.

Mustafa  gjatë fjalës së tij theksoi faktin se ndeshja ndaj Skënderbeut do të jetë e vështirë, megjithatë, ai beson se ekipi i Flamurtarit është gati dhe i përgatitur për këtë takim.

“Është ndeshje e vështirë, të them të drejtën, duke pasur parasysh traditën dhe emrin që ka krijuar Skënderbeu. Megjithatë, ne jemi përgatitur mirë dhe besoj se do ia dalim me sukses. Kam besim se mund ta arrijmë Europën, por duhet besim nga të gjithë dhe të vijojmë si kemi bërë në javët e fundit”

Avantazh fakti që Skënderbeu luajti në kupë në mesjavë? Mund të ndikojë, por Skënderbeu ka lojtarë cilësorë dhe mund t’i përballojë të dy kompeticionet, ndaj nuk besoj se lodhja do jetë problem madhor”, deklaroi mesfushori.

Franc Veliu: Shpresoj të përsëritet historia ndaj Skënderbeut!

Flamurtari udhëton drejt Korçës këtë fundjavë, ku do të luajë kundër Skënderbeut në sfidën e radhës në kampionat. Ashtu siç ka ndodhur në takimet e fundit, Ilir Daja nuk ka dalë përsëri në konferencë për shtyp një ditë para ndeshjes, por dy futbollistë i janë përgjigjur gazetarëve vlonjatë rreth takimit të nesërm. Mbrojtësi Franc Veliu ka folur së bashku me mesfushorin Argjend Mustafa.

I pari që u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve ka qenë mbrojtësi veteran i vlonjatëve, i cili është shprehur se ndaj Skënderbeut synon të përsëritet historia e nëntë viteve më parë, ku Franc Veliu shënote golin e fitores për Flamurtarin ndaj korçarëve.

“Me sa mbaj mend për ndeshje kampionati kemi kohë pa fituar, 9 vite. Shpresoj shumë që historia të përsëritet dhe të marrim një rezultat pozitiv. Skënderbeu është ekip cilësor, përtej luhatjeve, ndaj është ndeshje shumë e vështirë. Nuk është se shohim nga rivalët, shohim ecurinë tonë dhe rëndësi ka që po ecim mirë”.

“Për ne është një rival si gjithë të tjerët, besoj se do jetë një ndeshje e bukur. Frikë nuk e kemi pasur ndonjëherë Skënderbeun, pasi ndër vite kemi pasur bilanc pozitiv me ta. Nuk është Skënderbeu i viteve të fundit, por nuk e nënvlerësojmë në asnjë mënyrë. Shkojmë për gjithçka në Korçë, si në çdo ndeshje tjetër. Duam të luajmë mirë dhe të kënaqim tifozët, duke vijuar me ecurinë pozitive që kemi pasur deri tani”, u shpreh Veliu.

Kupa, Kukësi mund Skënderbeun, por gjithçka mbetet e hapur!

Kukësi mundi 2-1 Skënderbeun në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, me ndeshjen e luajtur në stadiumin e Kamzës.

Një ndeshje plot emocione, me të dyja skuadrat që prodhuan shumë raste, ashtu sikundër shënuan tre gola e shpërdoruan mundësi të arta.

Për ekipin e Ernest Gjokës shënuan Reginaldo dhe Shkurtaj, ndërsa për Skënderbeun ngushtoi rezultatin i rikthyeri nga dëmtimi, Dejvi Bregu.

Goli i parë i verilindorëve erdhi në minutën e 21′, me Reginaldo që brenda zonës mposht portierin kundërshtar.

Shkurtaj dyfishoi në të 55′ pas një rreshtimi skandaloz të mbrojtjes mike për 2-0. Skënderbeu vazhdon të çalojë në mbrojtje.

Gjërat po shkonin si duhet për Kukësin, derisa në minutën e 62′, Stivi Frashëri i krijon mundësinë Dejvi Bregut të ngushtonte rezultatin 2-1, që mbeti i pandryshuar deri në fund të ndeshjes.

Kupa, Gjoka: Me Skënderbeun vendos përvoja, mungesat janë problem!

Kukësi do të përballet me Skënderbeun në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, duke synuar përsëritjen e suksesit të disa sezoneve më parë.

Ernest Gjoka ka folur në konferencën për shtyp një ditë para ndeshjes, duke theksuar se skuadra është penalizuar nga mungesat e shumta.

Megjithatë, ai shprehet optimist dhe beson shumë në kualitetet e skuadrës, përfshi sulmuesit, që sipas Gjokës, ka dyshen më të mirë të kampionatit.

Ndeshja më e rëndësishme? – E vërtetë, shumë e rëndësishme për objektivat e klubit. Vendi i parë në kampionat është larg, ndaj kupa merr rëndësi të dyfishtë. Do të mundohemi të bëjmë mirë dhe të vazhdojmë përpara.

Mungesat? – Problem shumë i madh, Shameti, William Cordeiro, Valdet Rama, Dzaria, Maliqi, Musolli. Jemi të penalizuar, kaq shumë mungesa do i krijonin probleme kujtdo. Gjithsesi, kam besim, sepse këto ndeshje janë përmbledhja e një viti më sakrifica. Janë të gjithë lojtarë titullarë, janë shumë mungesa dhe e pranoj që na prishin shumë punë. Kam shpresë të madhe se nëse do jemi kompaktë pas, duke pasur lojtarët që kemi përpara mund të shënojmë gjithnjë.

Marrëdhënia me Gjicin? – E dini që ai kërkon gjithnjë sukses dhe na kërkon të kualifikohemi. Ai priste të luftonim për titull, është i bindur se duhet të luftojmë deri në fund edhe në kampionat. Pak zhgënjim ka pasur, por nëse fitojmë Kupën kjo skuadër ka të ardhme të rëndësishme dhe pak përforcime do i duhen.

Kupa? – Duhet kujdes, për të mos pësuar gol në radhë të parë, sepse janë ndeshje specifike, duhet të mendojmë edhe për kthimin.

Ndryshimet në skemë? – Do të bëjmë, jemi të detyruar, por kam besim tek të gjithë lojtarët.

Skënderbeu? – Klub i madh, me skuadër cilësore dhe eksperiencë e mentalitet fituesi, por edhe ne nuk mbetemi pas në këtë drejtim.

Skënderbeu me i dobët? E vërtetë, por ka ende disa lojtarë me eksperiencë e shumë cilësi. Këto janë ndeshje ku vendos përvoja, ndaj duhet vlerësim maksimal.

Luhet në Kamzë? – Sigurisht kam folur me ekipin dhe skuadrën. Na duhet shtëpi, Kamza është zgjedhja ideale. Tifozët nuk vijnë dot në Elbasan e Shkodër, Kamza është e vetmja alternativë ku kemi tifozët më vete. Natyrisht, fusha nuk është super, por do ta kompensojnë tifozët.

Presioni mbi ekipin? – Trajneri këtë detyrë ka, të bëjë urën lidhëse mes ekipit e presidentit. Unë e kam për detyrë të ul presionin mbi ekipin, sepse jo gjithnjë mund të fitohet në futboll. Unë jam i hapur të përballem me presidentin për çdo diskutim, pa lënë që skuadra të përballet me kritikat. Te Kukësi luhet për titull, këtë e di unë dhe e dinë mirë edhe lojtarët, që nuk kanë qetë të qetë, por janë përshtatur shumë shpejt me atë që dua.

Rexhinaldo e Shkurtaj, çfarë ka ndryshuar? – Unë kërkoj të luaj me 2 sulmues. Është fat i madh që kam gjetur këtu Rexhinaldon, që e doja që kur isha herën e fundit të Kukësi, dhe Shkurtaj, dy sulmuesit më të mirë në Shqipëri. Janë lojtarë me tipare të ndryshme, dinë të përshtaten dhe do mundohem t’u marr maksimumin, duke luajtur bashkë. Janë dy shënuesit më të mirë, janë sulmuesit më të mirë, më thoni kush janë mbi ta. Do ta shihni që shumë shpejt do kemi një sulm edhe më të fortë.

Garancia për të ardhmen? – Vetëm suksesi, çdo trajner është me çantën gati dhe varet nga rezultatet.

Laçi kthehet te fitorja, Slemani pret penallti (video)

Laçi është rikthyer te fitorja në kampionat, duke mundur në shtëpi Skënderbeun me rezultatin 1-0, me golin e realizuar nga Ndriçim Shtubina pas 30 minutash lojë në pjesën e parë.

Futbollisti shkodran i kurbinasve ka ‘prishur tersin’ pasi nuk shënonte prej dy muajsh në kampionat, gjë e cila kishte bërë efekt edhe te ecuria e skuadrës.

Ndonëse pësuan të parët, korçarët nuk u dorëzuan dhe luftuan deri në fund, por nuk ia dolën. Kjo ndodhi edhe sepse Gentian Selmani priti një pentallti ndaj Dejvi Bregut në pjesën e dytë.

Fitorja kthen Laçin në autostradën drejt Europës, sepse tashmë vendi i tretë nuk është larg, por natyrisht shpresohet që Kukësi apo Flamurtari të gabojnë në mbrëmje.

Gjyqi në CAS, “RealStory” mëson arsyen pse nuk flasin te Skënderbeu!

Pak ditë më parë drejtuesit e Skënderbeut dhe studio ligjore zvicerane “De Pfyffer”, u paraqitën para Ghykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës, ku paraqitën të gjitha argumentat kundër vendimit të UEFA-s, që e ka dënuar klibin korçar me dhjetë vite përjashtim nga kupat e europës dhe 1 milionë euro gjobë.

Vendimi përfundimtar nga CAS pritet të jepet brenda katër javësh, pasi trupa gjykuese të ketë shqyrtuar me imtësi provat e reja të paraqitura nga klubi “bardhekuq” dhe avokati mbrojtës.

Në Korçë janë me këmbë në tokë dhe nuk kanë shfaqur eufori, ndërsa drejtuesit e klubit janë treguar hermetik me informacionin për mediat.

Megjithatë, “RealStory.al” ka mësuar nga drejtues të lartë të Skënderbeut, se mungesa e komunikimit me median vjen pasi do të jetë zyra ligjore, e kontraktuar nga Skënderbeu, ajo që do të ketë një komunikim publik për këtë çështje.

Ky burim i tha “RealStory.al” se: “Avokati mbrojtës i klubit do të ketë një komunikim publik në ditët në vijim, ndërsa ne do të presim vendimin që del pas 3-4 javësh. Nuk kemi asgjë tjetër për të thënë”.

Sakaq, Skënderbeu ka bërë vetëm një reagim publik për çështjen në fjalë, duke publikuar një korenspodencë me zyrën ligjore, që konfirmonte zhvillimin e seancës dëgjimore në CAS.

Skip to toolbar