Skënderbeu merr kreun e Superligës, vuan Partizani në Gjirokastër

Janë lujatur të mërkurën katër ndeshjen e radhës të javës së dytë të Superligës. Skënderbeu ka marrë kryesimin e kampionatit me 6 pikë të plota, pasi ka mposhtur Laçin me rezultatin 1-2. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja ka triumfuar në fushë kundërshtare duke përmbysur disavantazhin e pjesës së parë, ku kurbinasit shënuan me Nuabueze në minutën e 20-të të takimit. Megjithatë, me nisjen e pjesës së dytë të lojës, Dejvi Bregu nga brenda zonës ka shënuar një super gol, duke rikthyer barazpeshën në minutën e 48-të.

Në të 66` ishte  goli i Otto John, nga i njëjti pozicion si Bregu, që mposhti portënkurbinase duke shënuar golin e dytë dhe të fitores për skuadrën e Skënderbeut. Bylis dhe Vllaznia, ‘derbi’ i debutuesve’ këtë sezon në Superligë është mbyllur në barazim pa gola. skuadra mallakastriote, e cila luante përballë tifozëve të saj ka qenë më agresive në fushën e lojës gjatë pjesës së parë, ndërkohë që shkodranët nuk kanë pasur fat.

Partizani ka fituar minimalisht në transfertë ndaj Luftëtarit në Gjirokastër, duke lënë pas humbjen e ndeshjes së javës së parë me Kukësin. Ka mjaftuar një gol i shënuar në minutën e 15-të ndeshjes nga Bruno Telushi, për t`i dhënë tre pikët skuadrës së Partianit. Megjithatë, ekipi i ‘kuq’ ka pasur shumë vështirësi në gjetjen e rrjetës, duke shfaqur shumë konfuzion në lojën e skuadrës. Pas fitores, Partizani merr tre pikët e para dhe ngjitet në vendin e gjashtë të renditjes. Në mbrëmje do të luhet në Vlorë ndeshjes mes Flamurtarit dhe Kukësit.

Skënderbu firmos me Asion Dajën, përforcohet mesfusha

Skënderbeu vijon të përforcojë ekipin me futbollistë të rinj. Ndonëse e nisi me vonesë punën në merkato për shkak të pritjes së vendimit të FSHF, klubi korçar është duke rikuperuar kohën e humbur në merkato. Ish-mesfushori i Tiranës, Asion Daja, është afrimi i radhës i Skënderbeut. 29-vjeçari ka firmosur të enjten ontratën e  re me menaxherin e përgjithshëm të Skënderbeut, Gerhard Takaj, dhe më pas është nisur drejt Korçës për t`u bashkuar me skuadrën. Lajmin e ka bërë të ditur
Skënderbeu në faqen zyrtare në Facebook.

“Asion Daja, prej sot është zyrtarisht futbollist bardhekuq. Mesfushori ka arritur sot akordin me klubin duke ju bashkuar ekipit bardhekuq për një sezon. 29-vjeçari ka nëneshkruar sot kontratën së bashku me menaxherin e përgjithshëm Gerhard Takaj në zyrat e klubit në Tiranë dhe mënjeherë është nisur drejt Korçës. Daja do të zhvillojë sot një seancë individuale dhe do ti bashkohet grupit nesër në përgatitjet e fundit të kuadër të takimit të së shtunës ndaj Flamurtarit”.

Daja është futbollisti i radhës që nënshkruan për korçarët, pasi largohet nga Tirana. Para mesfushorit ishte qendërmbrojtësi shtatlart, Marvi Turtulli që u bashkua me skuadrën e Skënderbeut disa javë më parë. Disa ditë më parë, me ekipin, që do të drejtohet nga Ilir Daja për këtë sezon, u bashkua dhe Artim Pollozhani, i cili riveshi këpucët pasi dha dorëheqjen si Drejtor Sportiv i Flamurtarit.

Zbulohet letra e rrallë e Skënderbeut, e firmosur nga dora e tij

Historiani i njohur nga Peja, prof. Dr. Jahja Drançolli, ka publikuar një letër të rrallë 568 vjeçare, të firmosur nga vetë dora e Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Në një postim në rrjetet sociale, Drançolli ka dhënë edhe shpjegimin e letrës autografe, të cilën Skënderbeu i dërgonte Bujarisë së Republikës së Sienës në Itali.

“568 vjetë më parë (8 gusht 1451): Letër e rrallë autografe e Skënderbeut dërguar Bujarisë së Republikës së Sienës në Itali…!

Letra autografe në fjalë është e njohur për njërën ndër 10 letra autografe (të nënshkruara) nga vetë dora e Skënderbeut, që ruhën në arkiva të njohura të botës (Romë, Venedik, Milano, Napoli, Paris, Dubrovnik, Zagreb dhe Beograd). Kjo letër autografe e shkruar sipas shkrimit humanistik të kohës në latinisht dhe italisht, është një fragment i shkurtër i shkëputur nga një histori madhore.

Ky dokument i çmueshëm i dërguar nga Lazri, abat i Arbrit, është shkruar në një kartë të rëndomtë bombagine të kohës, dhe siç shihet nga faksimili, në të dy anët e fletës (folio) ruhën shënjat e vulës (sigillum) të Skënderbeut, që mban datën, 8 gusht 1451, ndërsa Bujarisë së Republikës së Sienës u kishte ra në duar më 13 shtator 1451…!”, shkruan profesori ndersa si burim informacioni ka Arkivin e Shtetit te Sienës.

Skënderbeu nis përgatitjet në Durrës, dilema për të ardhmen

Skënderbeu ndodhet në udhëkryq. Skuadra korçare ditët e fundit është vënë në fokusin e shumë aludimeve, të cilat e lidhin ekipin me një zbritje të mundshme nga Kategoria Superiore për sezonin tjetër.

Megjithatë, Ardian Takaj zhvilloi një mbledhje pak ditë më parë me tifozët korçar, duke u deklaruar besnikëri dhe se do të vijojë investimet, në mënyrë që Korça të mos mbetet pa futboll.

Këtë gjë e ka konfirmuar edhe këtë të hënë, pasi presidenti i klubit ‘bardhekuq’ ka qenë i pranishëm në seancën e parë stërvitore që ekipi i Skënderbeut zhvilloi në Durrës. Të hënën  paradite skuadra ka nisur grumbullimin nën drejtimin e dy trajnerëve, Gentian Liçi dhe Ilir Bozhiqi.

Të pranishëm në seancën e parë stërvitore kanë qenë të gjithë lojtarët të cilët kanë pasur kontratë që nga sezoni i kaluar. Me ekipin janë bashkuar dhe 5 lojtarët e përfituar nga ekipi Under19, Aldo Qoshku, Jorgo Qeleshi, Eqerem Liqeri, Flavio Demollari dhe Kosta Vangjeli.

Nuk dihet ende se cili do të jetë trajneri kryesor i ekipit për sezonin e ri. Gjithsesi, deri në mesin e kësaj jave pritet të zgjidhet çdo dilemë në lidhje me të ardhmen e Skënderbeut, nëse do të jetë në Superligë apo do të zbresë një kategori më poshtë.

Vendimi i CAS, Skënderbeu: I njëanshëm, rekurs pranë Gjykatës Federale Zvicerane

Klubi sportiv i Skënderbeut ka reaguar në lidhje me vendimin e CAS për të lënë në fuqi vendimin UEFA, ku përjashton klubin korçar me 10 vite nga Kupat e Europës dhe e gjobiti me 1 milion euro gjobë pasi e cilësoi fajtor në trukimin e rezultateve të ndeshjeve. Reagimi ka ardhur pas një heshtje 24 orë pas shpalljes së vendimit të CAS. Skënderbeu ka akuzuara CAS për proces të njëanshëm dhe se nuk ka marrë në konsideratë raportet shkencore që juristët kanë paraqitur dhe ka akuzuar se sistemi i drejtësisë sportive është një fasade e një sistemi të kalbur dhe të korruptuar.

Skuadra e Skënderbeut ishte dënuar më parë nga UEFA në vitin 2018. Por korçarët vendosën ta apelojnë vendimin. Ndërsa CAS ka lënë në fuqi vendimin e UEFA, Skënderbeu ka deklaruar se do ta çojë çështjen në Gjykatën Federale të Zvicrës

Reagimi i Skënderbeut

Pasi jemi njohur me përmbajtjen e buletinit mediatik të CAS, datë 12.07.2019, lidhur me ankimin e bërë nga KF Skënderbeu kundër vendimit të Komisionit të Apelit të UEFA-s, ndiejmë detyrimin ndaj sportdashësve dhe qytetarëve të Korçës për të qenë sa më transparent ne lidhje me hapat e mëtejshëm të cilat do të ndiqen për rivendosjen e të drejtave tona të dhunuara barbarisht nga sistemi i drejtësisë sportive.

Së pari, vendimi i CAS në formën e tij të plotë dhe integral nuk i është komunikuar ende KF Skënderbeut, veprim i cili nën dritën e ngjarjeve të ndodhura, nuk është më i dyshimtë. Kjo pasi i gjithë procesi ndaj klubit tonë ka qenë i paragjykuar, i njëanshëm dhe i paracaktuar që prej vitit 2016.

Nuk mundet të mos jetë i paragjykuar një proces ku KF Skënderbeu është dënuar në bazë të gjoja perceptimit publik të klubit dhe të personave lidhur me të, perceptim të cilin institucioni i UEFA’s, veçanërisht inspektorët e lidhur me çështjen kanë tentuar të krijojnë, përmes metodave dhe formave nga më të paskrupullta. Në lidhje me këtë, është e rastit të përmendet se ndaj inspektorëve të UEFA’s përgjegjës për hartimin e raporteve kundër klubit tonë, konkretisht Z. Dhont dhe Z. Lietard, aktualisht, ekzistojnë padi penale dhe civile për shpifje në organet kompetente Zvicerane.

Nuk mund të mos jetë i njëanshëm një proces i cili mbështetet mbi raporte të cilat nuk kane asnjë bazë të provuar shkencore dhe të cilat nuk kanë të bëjnë fare me analiza të mirëfillta sportive. Është e papranueshme që CAS të marrë si të mirëqena raportet e BFDS, sistem për të cilin askush nuk ka dijeni si funksionon, përfshirë edhe CAS-in. Është e papranueshme që CAS të mos marrë në konsideratë raportet shkencore të ekspertëve të basteve sportive dhe të ekspertëve sportiv të KF Skënderbeut, të cilët në mënyrë metodike dhe shkencore kane hedhur poshtë çdo argument të ngritur nga UEFA. Mbi të gjitha, është e papranueshme që të mos merren në konsiderate mbi 50 kundër-prova të paraqitura nga pala jonë, kur nga ana tjetër, e gjithë strategjia e inspektorëve të UEFA’s mbështetej mbi dëshmi personash anonim (as identiteti i tyre nuk na është bërë i ditur) ose personash të cilët kanë konflikt të hapur interesi në lidhje me procesin.

Nuk mund të mos jetë i paracaktuar një vendim për të cilin vendimmarrës janë njerëz me lidhje direkte ose indirekte me palën akuzuese. Në lidhje me këtë, KF Skënderbeu kishte bërë kërkesë për përjashtimin e kryetarit të trupës arbitrale, i cili, në mënyre të shprehur kundërshtonte kërkesën tonë, në një kohë kur detyrimi i tij deontologjik është tërheqja nga gjykimi i çështjes në rast të kërkimit të argumentuar të njërës prej palëve. Është e qartë që emërimi i këtij personi ka qenë në funksion të mbrojtjes së interesave të inspektorëve të UEFA’s dhe personave të lidhur më këtë institucion. Në kushtet kur 2 nga 3 arbitrat e çështjes kanë qenë të mandatuar për të mbrojtur njërën palë, i vetmi konkluzion logjik është parapërcaktimi i rezultatit final.

Sot mund të themi me sigurinë e plotë se sistemi i drejtësisë sportive i ngritur dhe i mbrojtur me fanatizëm nga federatat ndërkombëtare është një fasade dhe mburojë e një sistemi të kalbur dhe të korruptuar që ekziston brenda institucioneve të qeverisjes sportive.

Në këto kushte, me vetëdijen që beteja ligjore në këtë sistem drejtësie është e kotë, bëjmë me dije se, pas konsultimit me përfaqësuesit tanë ligjore, brenda muajit Korrik 2019, KF Skënderbeu do të paraqesë rekurs pranë Gjykatës Federale Zvicerane kundër vendimit të CAS datë. 12.07.2019. Duke qenë të bindur mbi pafajësinë tonë, ruajmë besimin se e drejta do të vihet në vend.

Së fundmi, bëjmë me dije sportdashësit dhe mbështetësit tanë se KF Skënderbeu do të vazhdojë aktivitetin e tij më të njëjtin përkushtim, vizion dhe ambicie për të arritur rezultate edhe më të mira se ato të sezoneve të shkuara.

Me Respekt,

KF Skënderbeu

Vendimi i CAS, UEFA: E përshëndesim, na konfirmoi ne

UEFA mirëpret Gjykatën e Arbitrazhit për vendimin e Sportit për të hedhur poshtë ankesën e paraqitur nga KS Skënderbeu kundër vendimit të Organit të Apelit UEFA të datës 26 prill 2018.

Si pasojë CAS konfirmoi vendimin e marrë nga organet disiplinore të UEFA për të përjashtuar KS Skënderbeu nga pjesëmarrja në garat e klubeve UEFA për 10 vjet dhe për të gjobitur klubin me 1.000.000 euro për shkak të përfshirjes së saj në aktivitetet që synonin rregullimin e rezultateve të ndeshjeve .

Kjo është një konfirmim i mëtejshëm i besueshmërisë së sistemit të zbulimit të mashtrimeve të UEFA-s (BFDS) në identifikimin e modeleve anormale të basteve në ndeshjet që luajnë klubet në nivel evropian dhe vendas.

Me këtë vendim, CAS mbështet përpjekjet e marra për të mbrojtur garat vendase dhe UEFA nga ndreqja e ndeshjeve. Ajo gjithashtu tregon besimin CAS ka në UEFA BFDS  zhvilluar në bashkëpunim me Sportradar, i cili është një instrument për të ndihmuar në garantimin e integritetit të garave. Raportet e monitorimit të basteve si ato të ofruara nga Sportradar dhe ofruesit e tjerë, si në rastin konkret Starlizard,  konfirmohen si mjete të përshtatshme në luftën kundër ndreqjes së ndeshjeve.

BFDS u krijua në vitin 2009 në përgjigje të kërcënimit në rritje të manipulimit të ndeshjeve si në UEFA ashtu edhe në garat e ligës evropiane. Roli i saj është të nxjerrë në pah lëvizjet e parregullta të basteve, si para ndeshjes ashtu edhe në lojë (live) në tregjet kryesore të basteve duke monitoruar të gjithë bastaxhinjtë kryesorë evropianë dhe aziatikë. Monitorimi i tregjeve të basteve mbulon të gjitha ndeshjet e konkurrencës UEFA (rreth 2,000 në sezon) dhe lojëra në dy divizionet më të larta dhe konkurrenca e kupave të shoqatave anëtare të UEFA-s (rreth 30,000 ndeshje në sezon).

E ardhmja e Skënderbeut në dorë të Takajt

Skënderbeu mësoi të premten vendimin e hidhur të CAS, që lë në fuqi dënimin 10-të vjeçar të UEFA-s për përjashtimin nga pjesëmarrja në kupat e europës, dhe 1 milionë euro gjobë. Ky vendim është drastik, tashmë i paapelushëm dhe që i jep një goditje të rëndë klubit korçar, që fitoi 7 herë titullin kampion në dekandën e fundit dhe shkoi dy herë në fazën në grupe të Europa League. Por, tashmë fatet e Skënderbeut janë në dorën e presidentit të klubit Ardian Takaj. Dy vitet e para të dënimin tashmë janë ezauruar, mbeten dhe tetë  vite për të plotësuar gjithë dënimin, dhe më pas rikthimin në Europë.

Por koha duket e largët, dhe më së shumti, ajo që e bën dhe më të vështirë rikthimin në Europë, është fakti se Skënderbeut në tetë vitet e ardhshme do t`i duhet të luftojë në Superligë çdo vit për të qenë në tre vendet e para të kampionatit, pasi vetëm kështu mund të ezaurohet dënimi. Në të kundërt, nëse Skënderbeu nuk është në fund të sezonit në një nga tre vendet e para të kampionatit, dënimi për atë vit nuk quhet i shlyer. Gjithsesi, përtej kësaj, ka një tjetër çështje që tashmë do të duhet të zgjidhet te ekipi më i suksesshëm i dekadës së fundit në Shqipëri. E ardhmja!

Tashmë lojtarët janë në mes të katër rrugëve, pakkush do të donte të qëndronte në një ekip që nuk lufton për asgjë, pasi kjo do të ishte kohë e humbur nga ana sportive por dhe financiare për lojtarët. Megjithatë, në kampin korçar diçka është menduar. Vitin e kaluar klubi bëri një investim të rëndësishëm për të ardhmen. Krijoi ‘Akademinë Skënderbeu’, një projekt që synonte evidentimin e talenteve dhe më pas promovimin e tyre në ekipin e parë. Megjithatë, emri “Akademia Skënderbeu”, mund të përdoret edhe për të ndryshuar emerën e skuadrës, ekipit të parë.

Kështu, klubi do të shmangte tetë vite dënim, dhe do të duhet të kryej dhe tre të tjerë, pasi nëse skuadra do të duhet të rinis gjithçka nga zero duke zbritur në Kategorinë e Tretë. Ky është opsioni më i mirë i mundhshëm, për të mos e lënë qytetin korçar pa futboll. Por, nuk përjashtohet as mundësia që Ardian Takaj të investojë në një klbu tjetër (Devolli ose Maqliqi), dy qytete afër Korçës, që aktualisht kanë ekipe në Kategorinë e Parë dhe të Dytë.

Por, dënimi i Skënderbeut mund të largojë Ardian Takajn nga skuadra korçare përfundimisht, dhe kalimin në një tjetër klub, siç është Elbasani apo Vllaznia, dy klube që kanë traditë në futboll, kanë dy stadiumet më të mirë në vend, dhe mbi të gjitha, kanë tifozë. Ky është një tjetër opsion, por që mbetet i tillë, derisa presidenca e klubit të  shprehet publikisht, qoftë për vendimin e CAS qoftë për të ardhmen.

CAS “ridënon” Skënderbeun: Në Europe vetëm pas 2027

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë të Zvicrës ka ridënuar skuadrën e Skënderbeut të Korçës me 10 vite përjashtim nga kampionati evropian si dhe me një gjobë prej 1 milionë eurosh.

Skuadra e Skënderbeut ishte dënuar më parë nga UEFA në vitin 2018. Por korçarët vendosën ta apelojnë vendimin. Ndërkaq CAS ka lënë në fuqi vendimin e parë, pasi kanë vërtetuar se Skënderbeu është i implikuar në trukim të rezultatit të zgjedhjeve.

“Në bazë të provave që kemi në dispozicion, paneli i CAS vendosi të marrë vendimin e duhur pasi gjeti fajtor Skënderbeun për trukim ndeshjesh, dhe konkluduam që sanksionet e UEFA janë të duhurat. CAS vendosi të rrëzojë apelin e Skënderbeut”, thuhet në vendim.

Tani Skënderbeu duhet të jetë dhjetë vjet në treshen e parë të Superligës për te shlyer vendimin dhe më pas të rikthehet në Europë. Sepse nëse luan në kampionat dhe nuk arrin tre vendet e para që të kualifikojnë në kupat e Europës, viti nuk quhet i shlyer. Pra, Skenderbeut i llogaritet si dënim vetëm në momentin që është në tre vendet e para të kampionatit në fund të sezonit, nëse nuk është, nuk llogaritet vendimi për atë sezon. Praktikisht dy vite i shlyeu, i mbeten dhe 8 vite dënim.

Verdikti i Superligës, Tirana shpëton dhe shpreson, Partizani, Kukësi e Teuta luajnë në Europë…

Dy gola të Albi Dokës dhe Hasanit shpëtojnë Tiranën nga rënia nga Kategoria Superiore. Ky ishte verdikti përfundimtar që solli java e fundit e kampionatit për këtë sezon, me ekipin bardheblu që arriti të mbijetonte pasi mundi Flamurtarin në “Selman Stërmasi” me rezultatin 3-0.

Ishte Albi Doka që zhbllokoi takimin në minutën e 65″, ndërsa mbrojtësi dyfishoi dy minuta më pas për ekipin bardheblu. Hasani të 79′ shënoi golin e tretë dhe të fundit për Tiranën, duke marrë tre pikët e fundit në kampionat për këtë sezon, pasi i japin mundësi të qëndrojë në Superligë.

Në krahun tjetër ishte Kastrioti ekipi që u rikthye në Kategorinë e Parë, nga e cila erdhi një sezon më parë. Ekipi i drejtuar nga Bledar Devolli u mund nga Kukësi në ndeshjen e fundit të kampionatit me rezultatin 3-1. Ndonëse Kastrioti kaloi në avantazh me Ymeraj në minutën e 29′, Kukësi përmbysi gjithçka me dy gola të Reginaldo (80′ dhe 90+1′) dhe Shkurtaj më (85′), duke mbajtur vendin e dytë në kampionat.

Në Gjirokastër u mbyll 1-1 sfida mes vendasve dhe ekipit kampion, Partizanit. Luftëtari kaloi i pari në avantazh në minutën e 9′, por kur dukej se gjithçka do të mbyllej me vetëm këtë gola, Çinari shënoi në minutën e tretë shtesë duke i dhënë barazimin në ndeshjen e fundit të kampionatit Partizanit.

Dy gola të shënuar në minutat shtesë nga Kallaku dhe Kamara i dhanë fitoren Teutës përballë Laçit, me durrsakët që renditen përfundimisht në vendin e tretë dhe do të marrin pjesë në turet kualifikuese të Europa League sezonin e ardhshëm. Partizani do të luajë në turet kualifikuese të Champions League, ndërsa Kukësi në Europa League.

Megjithatë, nëse Kukësi fiton Kupën e Shqipërisë të dielën, do të jetë dhe Skënderbeu ekipi tjetër që do i bashkohet skuadrave që do të luajnë në Europë, ndërsa nëse fitorja e Kupës i shkon Tiranës, do të jenë bardheblutë që do kenë një biletë për në Europa League.

Teuta mund kampionët, rikthehet Skënderbeu, Flamurtari mposht Laçin!

Janë luajtur takimet e radhës të Kategorisë Superiore, ku ka pasur disa rezuktate surprizë. Flamurtari priti në shtëpi Laçin, në një ndeshje deçizive për luftën për një vend në kupat e Europës.

Në fund fitimtar kanë dalë të besuarit e Ilir Dajës, të cilët arritën një fitore minimale me gol të Idi Bathës, shënuar në minutën e 26′-të. Me këtë fitore Flamurtari mban vendin e katërt në kampionat, me tre pikë më pak se Teuta e vendit të tretë.

Skënderbeu është rikthyer te fitorja duke mundur në transfertë ndaj Kukësit. Ekipi i Orges Shehit ka bërë një ndeshje të madhe duke shënuar tre herë ndaj ekipit të Ernest Gjokës. Muzaka hapi serinë e golave duke shënuar nga penalltia në minutën e dytë, ndërsa Dejvi Bregu ka dyfishuar në minutën e 26′.

Marko Pervan vulosi shifrat në 3-0 për skuadrën e tij në minutën e 90-të. Pas fitores së sotme, Skënderbeun shkon në kuotën e 49 pikëve, ndërsa Kukësi mban vendin e dytë me 55, një më shumë se Teuta e vendit të tretë.

Gerhard Progni dhe Sherif Kallaku (33′ dhe 52′) i kanë dhënë fitoren 2-0 Teutës ndaj Partizanit. Ekipi kampion i drejtuar nga Skënder Gega ka lënë pushim disa nga titullarët, duke aktivizuar lojtarët që kanë marrë pak minuta gjatë sezonit.

E gjithë kjo situatë është shfrytëzuar nga durrsakët të cilët kanë marrë tre pikë të arta në luftën për të arritur një vend në Europa League.

Skip to toolbar