Një ngjarje e rëndë ka tronditur Fierin mbrëmjen
e së shtunës, ku si pasojë e një konflikti, raportohet se kanë mbetur të
plagosur të paktën 5 persona, 3 prej të cilëve nga të shtënat me armë zjarri. Ngjarja
ka nisur në qytezën e Levanit, ku mësohet se dy grupe janë konfliktuar
fizikisht me njëri-tjetrin. Si pasojë e konfliktit fizik, kanë mbetur të
plagosur disa persona.
Këta janë nisur në drejtim të Fierit për të
marrë mjekim, ndërsa një person i ka ndjekur nga pas. Në ambientet e brendshme
të Spitalit të Fierit, personi që ishte vënë në ndjekje të këtyre personave, me
të cilët ishte konfliktuar në Levan, ka hyrë dhe ka qëlluar me armë zjarri, e
tipit pistoletë.
Si pasojë e të shtënave janë plagosur tre
persona, të cilët janë duke u kuruar në Spitalin e Fierit. Autori dyshohet se i
ka marrë armën policit të shërbimit në Spitalin e Fierit. Më pas, mësohet se
autori është larguar nga vendi i ngjarjes, por një polici është përleshur me të,
duke i marrë dhe armën dhe më pas duke e arrestuar.
Ndërohë, veç autorit, policia ka arrestuar
dhe persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë ngjarje, ndërkohë që një
tjetër është shpallur në kërkim. Pas ngjarjes së rëndë, në ambientet e Spitalit
të Fierit kanë shkuar forca të shumta të policisë, FNSH dhe RENEA. Emri i
autorit dhe personave të plagosur ende nuk bëhet i ditur, ndërkohë që policia
po punon për zbardhjen e ngjarjes.