Musolli: S`kemi diferenca me Partizanin, Superkupën e fitojmë me…fat!

Besar Musolli pritet të mbajë shiritin e kapitenit në ndeshjen e Superkupës së Shqipërisë, që do të zhvillohet të dielën mes Partizanit dhe Kukësit. Si i vetmi lojtar i mbetur nga senatorët në skuadrën verilindore, Musolli ka folur në konferencë për shtyp si lider i ekipit të Kukësit, ku ndër të tjera, ka shprehur dëshirën që të ketë dhe fat të dielën.

“Kemi bërë një fazë të mirë. Nuk kemi pasur pushim, kemi qenë në aktivitet gjithë kohës. Shpresoj që jetë dita jonë, dhe të dalim triumfues nga finalja. Duam të fitojmë. Në fillim, shpresoj që të fitojmë në lojë të rregullt, e të mos shkojë puna deri tek penalltitë. Më pas, nëse më besohet, jam i gatshëm. Ndoshta e shënoj dhe unë penalltinë e fundit dhe i jap fitoren ekipit, kurrë nuk i dihet”, ka thënë Musolli.

Dëmtimi tashmë ka mbetur pas dhe për të ka nisur një cikël i ri në karrierë, pasi ndenji më shumë se gjysmë sezoni pa luajtur. Besar Musolli shpreh keqardhje për lojtarët e larguar nga skuadra, rasti i fundit ishte ai i ish-kapitenit Ylli Shameti. “Kam kaluar një periudhë të vështirë, por që kur jam rikuperuar, deri tani, nuk kam pasur asnjë shqetësim. Jam shumë mirë fizikisht. Shpresoj të vazhdoj kështu. Normale që më vjen keq për ata që janë larguar. Kanë qenë shokë shumë të mirë, për shumë vite. Por, ky është futbolli. Tani, i uroj fat”.

Sa i përket ndeshjes të së dielës, Musolli beson ashtu si dhe trajneri Duro, që Partizani është ekip më i mirë se Kukësi. Megjithatë, sipas kosovarit, diferencat nuk janë të mëdha. “Jemi ndeshur me shumë ekipe, por personalisht kam mendim se Skënderbeu ka qenë ekip më i fortë, se sa Partizani. Për momentin, siç e tha edhe profesor Duro, Partizani është pak më para se ne. Me disa afrime, edhe ne do jemi aty. Kemi lojtarë shumë të mirë dhe cilësorë. Nuk besoj se ka diferenca të mëdha”, thotë Musolli, duke e mbyllur me dëshirën për të fituar trofeun të dielën.

“Nuk më pëlqen të bëj krahasime me ekipet që kemi qenë më para. Por, me ato lojtarë që kemi në ekip, do mundohemi të marrim maksimumin. Edhe me ardhjet e reja, do duan pak kohë sa të ambientohen. Ndaj Partizanit nesër është një finale, dhe ne duam ta fitojmë patjetër Superkupën”.

Skip to toolbar