Rama: Javën e ardhshme krijojmë Ministrinë e Administratës Publike

Më të fundit


Kryeministri Edi Rama ka njoftuar krijimin e Ministrisë së Administratës Publike javën e ardhshme, duke e cilësuar administratën një nga prioritetet qendrore të punës së qeverisë.

Sipas tij, ngritja e këtij institucioni synon të zgjerojë përgjegjësitë dhe ambiciet për modernizimin e administratës dhe forcimin e shtetit europian shqiptar. Kryeministri tha se kjo ministri do të drejtohet nga ministrja Adea Pirdeni. Pirdeni është aktualisht ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Anti-Korrupsionin.

“Do të krijojmë javën e ardhshme Ministrinë e Administratës Publike, pikërisht sepse tanimë tema e administratës publike është një temë shumë qendrore e punës së qeverisë. Por, edhe një temë shumë qendrore për shtetbërjen e mëtejshme të administratës së Shqipërisë dhe është nevoja që ne të zgjerojmë gamën e detyrave, gamën e punëve dhe patjetër gamën e ambicieve për të ngritur më lart shtetin europian të shqiptarëve”, tha kreu i qeverisë. Rama bëri të ditur lajmin gjatë fjalës së tij prezantimin e Shkallës së Meritës – reformë për një administratë profesionale, të përgjegjshme dhe të denjë për Shqipërinë 2030 anëtare të Bashkimit Europian.



Skip to toolbar