Rama për Tahirin: Të them u fal? Është tepër

Kryeministri Rama ka folur për dënimin që ish ministri Saimir Tahiri duke thënë se nuk e ka bërë dhe nuk do e bëjë kurrë që të diskutojë një vendim gjykate. Rama tha nga studio e emisioni “Real Story” se nuk mund ta cilësonte dënimin si falje për Tahirin por as nuk mund të komentonte dot ai në duhej dënuar me pak apo më shumë.

“Nuk është përfundimtare. Unë nuk merrem me vendime gjykatash, as në rastet kur janë skandaloze dhe ja bëjnë mu..Nuk është shpikur në një sistem tjetër që të gjykojmë gjykatat. Nuk merrem dhe as jam marrë që në sekondën e parë me Tahirin, është një çështje që i takon drejtësie. Por që të thuash; u fal. Është e tepërt. Që duhet të dënohet më shumë apo më pak, se themi ne”, tha Rama në Real Story.

Saimir Tahiri u dënua nga gjykata e Krimeve të Rënda me 3 vjet shërbim provave për shpërdorim detyre, ndërsa u rrëzuan të gjitha akuzat e tjera ndaj tij për korrupsion, pjesëmarrje në grup kriminal dhe trafikim droge duke mos gjetur prova të forta.

Tahiri me tone të larta: Drejtësi gjysmake. Ambasadat bënë presion

Ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është shfaqur para mediave në një deklaratë me tone të larta, ndërsa tha se drejtësia u tregua gjysmake në rastin e tij. Ai i cilësoi dekurajuese komentet e ambasadave të huaja të cilat u zhgënjyen nga masa e dënimit, ndërsa tha se “nuk e besoj që të ekzistojë një presion mbi gjykatat më i madh se ky”. Tahiri foli edhe për rikthimin e tij në politikë, kur tha se nuk pyet askënd as partinë për karrierën e tij politike. Disa herë u pyet për rivalët në PS, apo për “servilët e shefit”, por Tahiri refuzoi të fliste me emra dhe iu shmang pyetjeve për Fatmir Xhafajn. Ai tha se “e di shumë mirë se cilët njerëz ka rrotull”. Ndërsa theksoi se ai nuk do të bëhet kurban edhe nëse përfundon në burg. “Më fyeni kur më pyesni: A do bëhesh kurban? Kurban do të thotë të mos jesh i lirë. Ka në politikë njerëz që janë bërë kurban, sepse nuk janë të lirë të flasin. Por kam njohur burra që edhe kur kanë qenë në burg nuk janë bërë kurban. Kanë folur dhe kanë qenë të lirë. Unë nuk jam kurban”, tha Tahiri.

Ndërsa i pyetur se a ka marrë ndonjë mesazh nga Rama pas vendimit, Tahiri tha se “rrugës së drejtësisë i shkoj i vetëm”. Ai tha se do ta apelojë vendimin e Gjykatës dhe se do të kërkojë pafajësi. Tahiri tha se për të më shumë se çdo gjë tjetër ka vënia e drejtësisë në vend. Ai garantoi se nuk mban letra nën sjetull dhe se nuk kërcënon askënd.

Ish ministri tha se mezi pret të dalë vendimi i plotë i gjykatës në mënyrë që të shohë se cilin ligj ka shkelur për shpërdorim detyre. Nisur nga kjo Tahiri solli faktet se ish ministri i brendshëm i disa viteve më parë, nuk u dënua me burg edhe kur në mes të bulevardit u vranë 4 njerëz të pafajshëm.

“Ka pasur Shqipëria ministra të brendshëm të tjerë, ministra, kryeministra të tjerë. Një ministër i brendshëm kur u vranë 4 qytetarë këtu jashtë nuk u akuzua për shpërdorim detyre, dhe as kryeministri kur tha se Lazaratin e lashë të mbillej se ashtu ishte politika ime, as ministri i Mbrojtjes kur la 28 të vdekur në Gërdec”, është shprehur Tahiri duke sulmuar Bashën, Berishën dhe Mediun.

Ai tha se vendimi i gjykatës ishte vetëm gjysma e lajmit të mirë, pasi rrëzoi gënjeshtrat ndaj tij për trafik droge e organizate kriminale, njëlloj si gjykata italiane.

“Ishte një gjysmë lajm i mirë për mua, gënjeshtrat morën një përgjigje, edhe pse as e plotë dhe as përfundimtare. Nuk është drejtësi e plotë, beteja për të vërtetën time ndaloi dje vetëm në stacionin e parë dhe ka plot rrugë përpara. Do më duhet shumë punë për të bindur edhe ata që nuk e kanë kuptuar sesa të pavërteta janë thënë deri tani.

Gjykata tha se unë kam shpërdorurar detyrën. Me aq sa u lexua në sallë, vendimi kishte të bënte me faktin që kishin përmendur emrin tim disa kushërinj të mi. Dhe me faktin që nuk kam luftuar sa duhet kultivimin e kanabisit. Unë uroj të mos jenë këto argumentet, ndaj po pres ta lexoj, të shoh cilin ligj konkretisht kam shkelur duke shpërdoruar detyrën që mu caktua dhe besua. Në kulturën time një vendim gjykate, nuk komentohet, vetëm ankimohet, për më tepër që vendimi nuk është zbardhur dhe më takon ta ankimoj sa të zbardhet. Drejtësinë e kam pritur dhe ende nuk mendoj se është bërë siç mendoj se më takon. Jam i bindur që nuk e kam shpërdoruar kurrë detyrën që mu besua në asnjë sekondë, e kam bërë me shumë pasion bashkë me ekipin tim e shndërruam policinë nga një institucion të degraduar në institucion të mirëfilltë, luftuam krimin me rekorde të pamenduara ndonjëherë”, tha Tahiri.

Ish ministri i cilësoi dekurajuese komentet e ambasadës amerikane dhe asaj britanike, pasi sipas tij ambasadat nuk duhet të komentojnë një vendim gjykate, aq më tepër kur vendimi i gjykatës nuk është zbardhur akoma.

“Dekurajuese edhe për mua që i dëgjova ato deklarata. Nuk është në kulturën time të flas për vendimin e gjykatave, e nuk e besoj ndodh dhe në Amerikë që një ambasadë flet për vendimin e gjykatave, e nuk e besoj që të ekzistojë një presion mbi gjykatat më i madh se ky”, tha Tahiri.

Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi ish ministrin Tahiri me 3.4 vite shërbim prove për akuzën e shpërdorimit të detyrës pasi në kohën që ishte ministër lejoi kanabizimin e vendit. Gjykata rrëzoi akuzat e tjera të prokurorisë për të cilat kishte 2 vjet që hetohej. Kjo është cilësuar drejtësi gjysmake nga ish ministri i cili do ta çojë çështjen në Gjykatën e Apelit pasi pretendon pafajësi./realstory.al

BE hesht për Tahirin

Pas ambasadorit të BE në Shqipëri Luigi Soreca, i cili u shpreh se nuk mund të jap dot një qëndrim pa u njohur me dosjen e plotë të ish ministrit Tahiri, edhe Brukseli zyrtar, nuk ka dhënë komente për vendimin. I pyetur nga A2CNN, BE u përgjigj se nuk mund të jap dot një koment për vendimin e gjykatës pasi çështja mund të kalojë në Apel. BE ka deklaruar se ajo nuk komenton vendimet e çështjeve të veçanta pasi respekton pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, ndërsa është ende të pritje të zbardhjes së dosjes.

 “Bashkimi Evropian është vënë në dijeni për vendimin që Gjykata e Krimeve të Rënda ka marrë në shkallën e parë për ish ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, duke e dënuar atë për shpërdorim detyre. Ne nuk i komentojmë vendimin e marrë për çështjen të veçanta, pasi BE e respekton pavarësinë e institucioneve të drejtësisë. Detajet dhe arsyet e këtij vendimi ende nuk janë bërë publike dhe procesi gjyqësor ende vazhdon dhe është subjekt i apelit”, thuhet në reagimin e BE

Paraditen e të premtes ka reaguar edhe ambasada e SHBA, e cila vlerësoi vendimin e gjykatës duke thënë se dëshmoi pavarësinë e gjyqësorit, megjithëse e cilësoi shkurajues masën e ulët të dënimit të dhënë ndaj tij. Dënimi i ish ministrit Tahiri ishte prova që të gjithë po prisnin për funksionimin e reformës në drejtësi dhe krijimin e besimit se drejtësia e re është në rrugën e duhur dhe se ka një mbështetje të madhe nga amerikanët. Tahiri u dënua mbrëmjen e së enjte me 3.4 vjet burg për shpërdorim detyre, dënim i cili iu konvertua në shërbim prove për 3 vjet. Tahiri u shpall i pafajshëm për akuzat “trafik ndërkombëtar droge”, “grup i strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”.

Soreca, për Tahirin: Do e shoh dosjen si ish-prokuror e do mbajmë qëndrim

Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca është pyetur nga gazetarët të premten në lidhje me vendimin e gjykatës së Tiranës për dënimin me 3.4 vite shërbim prove për ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Ambasadori ka kërkuar më shumë kohë për t’u njohur me dosjen e plotë për ish ministrin dhe më pas ka njoftuar se zyra e BE-së në Tiranë do të mbajë një qëndrim brenda një kohe të shkurtër. Ai tha se eksperienca e tij si ish prokuror nuk e lejon që të bëjë një koment para se të njihet me detajet e dosjes.

“Eksperienca ime si ish prokuror nuk më lejon të flas para se të njihem me dosjen. Më lejoni që të shoh vendimin e plotë të gjykatës të njihem me dosjen dhe më pas të bëj një koment. Së shpejti do të kemi një koment për çështjen”, tha Soreca për gazetarët.

Gjykata e Tiranës vendosi ta dënojë ish ministrin Tahiri me 3.4 vite shërbim prove për akuzën e shpërdorimit të detyrës duke lejuar kanabizimin e vendit. Por gjykata rrëzoi akuzat e tjera të prokurorisë që lidhen me trafikun e drogës dhe grupin kriminal. Ish ministri ka deklaruar se do ta apelojë vendimin dhe do të kërkojë pafajësi të plotë. Nga ana tjetër ky vendim i gjykatës është lidhur edhe me plotësimin e kushteve të BE-së për çeljen e negociatave. Pikërisht për këtë pritet të flasë ambasadori i BE-së, Soreca. Një ndër kushtet e BE është që Shqipëria duhet të japë prova se drejtësia funksionon./realstory.al

VOA: Vendimi për Tahirin, shuplakë për Prokurorinë

Zëri i Amerikës i ka kushtuar një artikull të plotë të gjithë seancës gjyqësore dhe vendimit që u mor ndaj ish ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, duke e cilësuar këtë vendim një shuplakë për Prokurorinë e Krimeve të Rënda e cila pas gati një vit e gjysmë hetimesh, nuk mundi të paraqiste prova për akuzat e ngritura.

Shkrimi i plotë i VOA:

Në Shqipëri, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të dënojë mbrëmjen e së enjtes, me 5 vite burgim ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Duke qenë se ai kishte pranuar më parë gjykimin e shkurtuar, atëherë dënimi sipas vendimit, konvertohet në 3 vite e 4 muaj shërbim prove. Po ashtu zotit Tahiri i ndalohet të ushtrojë funksione publike po për të njejtën periudhë.

Prokuroria kërkoi javën e shkuar dënimin prej 12 vitesh burgim, duke e akuzuar ish ministrin për të paktën tre vepra të rënda: Trafik i narkotikëve kryer në bashkëpunim në formën e grupit të struktuar kriminal; Pjesmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe Kryerja e veprës në grup të strukturuar kriminal. Por gjykata i rrëzoi ato, duke vlerësuar se nuk kishte prova që të mbështesnin këto akuza, por se megjithatë, ishin sipas saj të mjaftueshme për ta dënuar zotin Tahiri për shpërdorim detyre.

Ish ministri i Brendshëm u vu nën hetim nëntorin e vitit 2017, nën dyshimet se kishte lidhje me grupin e vëllezërve Habilaj, kushërinj të tij, të cilët ishin pjesë e një organizate italo-shqiptare e cila trafikonte marijuanë nga Shqipëria drejt Italisë. Hetimet nisën pasi autoritetet italiane goditën këtë organizatë në Catania, ndërsa në përgjimet e kryera, emri i zotit Tahiri përmendej disa herë në bisedat mes trafikantëve.

Prokuroria kërkoi me urgjencë arrestimin e zotit Tahiri, por shumica e majtë, refuzoi kërkesën duke pretenduar se ajo nuk kishte paraqitur asnjë prove. Në maj të vitit të kaluar zoti Tahiri dha dorëheqjen nga mandati i deputetit. Menjëherë më pas prokuroria kërkoi sërish arrestimin e tij. Zoti Tahiri kaloi një periudhë të shkurtër në arrest shtëpie, derisa më pas Gjykata e Apelit lejoi hetimin e tij në gjendje të lirë, hetim i cili u mbyll shkurtin e kaluar.

Si zoti Tahiri dhe avokati i tij kanë këmbëngulur në pafajësi duke u shprehur se prokuroria dështoi të ofronte një provë konkrete në mbështetje të akuzave të ngritura. Ndërsa pas vendimit të gjykatës zoti Tahiri u shpreh i habitur. “Për 2 vjet u hetova si pjesë e një grupi kriminal që kam bërë trafik droge, sot gjykata thotë se meqë kushërinjtë kanë përdorur emrin tim, paskam shpërdoruar detyrën. Jam pa fjalë se Gjykata më quan përgjegjës se disa kushërinj të mi përdorën emrin tim”, tha zoti Tahiri jo pa ironi, duke njoftuar se ai do ta ankimojë në Gjykatën e Apelit, vendimin e mbrëmjes së sotme.

Pak pasi Gjykata u shpreh për ish ministrin e Brendshëm, reagoi dhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha: “Vendimi i turpshëm për të mos bërë drejtësi për krahun e djathtë të Edi Ramës, që e mbushi Shqipërinë me drogë dhe e shndërroi atë në njollën e zezë të krimit në Europë, provon se drejtësia në Shqipëri është peng i Edi Ramës, dhe Edi Rama është peng i krimit”, shkroi zoti Bashan ë një status në Facebook, duke htuar se “vendimi i sotëm konfirmon se Edi Rama bëri gjithçka për ta mbrojtur Saimir Tahirin, sepse Saimir Tahiri e mban peng Ramën me dosjet e korrupsionit dhe të lidhjeve të tij me krimin”.

Ndërsa për ish ministrin e Brendshëm mund të flitet për një “fitore si e Pirros”, vendimi ishte një shuplakë për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila pas gati një vit e gjysëm hetimesh, nuk mundi, sipas vlerësimit të vetë gjykatës, të mbështeste në prova akuzat e rënda që ajo ngriti ndaj zotit Tahiri.

Sot vendimi për Tahirin. Prokuroria kërkon 8 vite burg për ish ministrin

Gjykata e Krimeve të Rënda do të marrë të enjten (sot) vendimin për dënimin ose jo të ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Prokuroria në seancën e datës 10 shtator, kërkoi dënimin e tij me 12 vite burg, që në rast dënimi konvertohen në 8 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar. Prokuroria akuzon ish ministrin e Brendshëm për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’. Akuza e argumentuar nga prokuroria është për përfshirjen e ish-ministrit në 4 episode trafikimi droge nga 2013-2015, por pa dhënë detaje për rolin konkret të tij.

Në seancën e kaluar, ku Saimir Tahiri u mbrojt vetë për më shumë se dy orë, e quajti një proces të montuar e të pabazuar në prova duke kërkuar pafajësi, ndërsa deklaroi se “as nuk më shkon ndërmend dënimi”. Ndër provat më të rëndësishme që përdori Tahiri duke pretenduar pafajësinë ishin 6 shkresa dërguar ish ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli për mosfunksionimin e radarëve, dokumenti sekret në të cilin Jaled Çela njoftonte prokurorinë për aktivitetin kriminal të Habilajve dhe e-maili e zyrtarit të policisë së Vlorës, Gjergji Kohilës për prokurorin Dritan Prenci duke njoftuar po për aktivitetin kriminal të Habilajve.

Saimir Tahiri përfundoi i pandehur pas 18 muajsh hetimi. Seanca gjyqësore pritet që sot të ndiqet edhe nga përfaqësues të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

Basha, Llalla e Tahiri, 3 dosjet e bujshme të SPAK

Pas gushtit të nxehtë nuk do të ketë fresk, përkundrazi vjeshta në Shqipëri parashikohet të jetë akoma më e nxehtë, për sa i përket zhvillimeve politike. Sepse në vjeshtë ajo që është sulmuar dhe anatemuar më së shumti nga shumë figura të politikës, do të japë frytet e para. Bëhet fjalë për Reformën në Drejtësi. Në tetor pritet të ngrihet sa më shpejt Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK).  10 kandidatë për Prokurorinë Speciale e kanë kaluar vetingun dhe vetëm 2 prej tyre janë ankimuar. 5 të tjerë do dalin në seanca dëgjimore në javët e para të shtatorit dhe në tetor Prokurori e Posaçme Antikorrupsion do të jetë gati.

Pyetja që ngrihet është se cilat do të jenë dosjet e para me të cilat do të nisë punën SPAK? Nisur nga deklarata e një jave më parë e kreut të KLP Gent Ibrahimi, dosja e parë me të cilën do të nisë punën SPAK, do të jetë ajo e ish prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Ai po hetohet nga Krimet e Rënda për 4 vepra penale dhe afatet hetimore. Sapo SPAK të ngrihet, dosja e tij do kalojë menjëherë aty.

Nisur nga dispozitat ligjore, SPAK do ketë kompetencat që kanë sot Krimet e Rënda. Pra dosjet me të cilat kjo strukturë do të merret do të jenë dosjet e hapura aktualisht nga Krimet e Rënda dhe një prej tyre është edhe dosja e kryetarit të PD-së Basha. Ai po hetohet nga Prokuroria e Tiranës për lobimet në SHBA. Basha së fundmi u mor i pandehur për pastrim parash dhe për mosdeklarim të shpenzimeve në fushatë.

Në fakt këtë gjë e paralajmëroi të enjten edhe zëvendës kryeministri Erion Braçe. Në një reagim të tijin në lidhje me deklaratën e Bashës nga Divjaka, i cili tha se kriza politike zgjidhet vetëm me arrestime politikanësh, Braçe shkroi se kreu i PD është një nga personat e parë në listë që do t’i përgjigjet ligjit, jo vetëm për pasuritë e pajustifikuara, shitjen e territorit shqiptarë, vrasjet e 21 janarit, por dhe për hetimin e fundit në SHBA dhe Shqipëri.

“Po në këtë vend duhet të marrë fund pandëshkueshmëria për politikanë, kriminelë me e pa organizim, biznesmenë të paligjshëm. Por ti je i pari në radhë; jo se dua unë kështu, por se ti ke vendosur cv-në tënde të parën në atë radhë”, shprehet zv.kryeministri. Në vijim, Braçe shton se “ke vjedhur si kurrkush aq sa nuk justifikon dot asgjë nga plaçka jote e pamasë, shpenzimet e tua të luksit; ke vrarë si dikush tjetër mu në mes të bulevardit dhe për shkak moshe, ai ta lëshon vendin me qejf; ke shitur këtë vend duke qeshur e pa t’u skuqur surrati na i shite shitjen për blerje territoresh edhe pse në humbëm territor e zeza në të bardhë; Je i vetmi tani që hetohesh paralelisht në SHBA e në Shqipëri për një krim që është më i rëndë se pastrimi i parave!”.

Sipas ligjit të luftës antikorrupsion, pas dosjeve të prokurorisë, do ketë transferim dhe të çështjeve që janë te Gjykata e Krimeve të Rënda. Kjo do të thotë se nga zyrtarët rrezikon ish-ministri Saimir Tahiri.

Sipas statistikave të Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, nën hetim dhe në gjykim janë dhjetëra dosje me rreth 700 emra, kryesisht nga radhët e krimit. 30 çështje janë në gjykatë me 200 të pandehur, ndërsa rreth 400 emra janë momentalisht në hetim nga prokuroria. Të gjitha këto dosje do i marrë në dorë SPAK.

Gjykim i shkurtuar për Tahirin. “Historia nisi me burra me mustaqe, përfundoi me burra me botoks”

Është shtyrë për në datën 10 shtator gjyqi ndaj Saimir Tahirit, ndërkohë që në seancën e së hënës, gjykata pranoi kërkesën e ish ministrit për gjykim të shkurtuar.

Ndërsa në 10 shtator pritet që prokuroria të paraqesë konkluzionet e saj ku do të bëhet publike kërkesa e saj për dënimin e Tahirit.

Ish-ministri tha të hënën në një prononcim për mediat se pretenca u shty për në vjeshtë, për shkak se në muajin gusht, gjykata është pushim.

Sipas tij është e pashpjegueshme sesi në dy vjet prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë të re nga shtatori i vitit 2017 kur nisën hetimet ndaj tij dhe prokuroria në atë kohë i kërkoi Parlamentit, arrestimin e tij.

“Domosdoshmëria nuk është e imja po u bënë dy vjet. Edhe shtyrja e sotme është e tepërt me pretendimin që është para gushtit dhe gushti është pushim. Unë mendoj që ishin të gjitha kushtet, se vendimi iku dhe u shty për shtator kjo histori, por ishin kushtet që të bëhej një gjykim i pandërprerë siç e kërkon edhe kodi, edhe ligji, siç normalisht duhet të jetë për një çështje të tillë. Ju nuk u lodhët me dy vjet që e ndiqni këtë histori? Hajde de unë nuk u lodha se…”, tha Tahiri.

Por çfarë pret ish-ministri nga Prokuroria e cila do të japë qëndrimin e saj në shtator?

“Unë i kam parë letrat, nuk ka asnjë gërmë më shumë se letrat e shtatorit 2017 kur kërkuan në kuvend heqjen e imunitetit tim. Në konsideratën time dy vjet humbje. Për më shumë do i dëgjoni në seancë kur të lexohen konkluzionet e prokurorisë dhe të miat. Të uroj prokurorinë që pas gati një jave i përktheu prapë dokumentet? Se as nuk i gjeti! Më duket edhe jo serioze për ta trajtuar edhe me ju dhe të them ndonjë gjë. Ndoshta ju është mësuar veshi jo për fajin tuaj, merre me mend çfarë ndodh me njerëzit që ulësarin e nuk dëgjohen, mirë unë që mund të flas para jush”, u shpreh para gazetarëve ish-ministri i Punëve të Brendshme.

I pyetur nga gazetarët a do të jetë më i thinjur (duke pasur parasysh ironinë e bërë nga ish ministri me foton e tij të plakur duke pritur gjyqin) deri në shtator kur prokuroria do të shprehet me pretencë?

Ai u shpreh: “Se kjo është edhe për gallatë tani. Kjo histori në fillimet e shtetit ka nisur me burra me mustaqe dhe ka përfunduar me burra me botoks,  unë nuk jam ky model”, përfundoi Tahiri. Dy vite më parë prokurorët e çështjes i kërkuan parlamentit të jepte miratimin për arrestimin e ministrit, ndërsa tani gjyqi shtyhet vazhdimisht dhe prokuroria thotë se ka humbur provat.

Ish ministri  akuzohet për “korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “grup të strukturuar kriminal” në kuadër të dosjes ‘Habilaj’. Ai vazhdimisht akuzon drejtësinë për zvarritje të qëllimshme të gjyqit ndaj tij.

Skip to toolbar