Sot vendimi për Tahirin. Prokuroria kërkon 8 vite burg për ish ministrin

AKTUALITET


Gjykata e Krimeve të Rënda do të marrë të enjten (sot) vendimin për dënimin ose jo të ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Prokuroria në seancën e datës 10 shtator, kërkoi dënimin e tij me 12 vite burg, që në rast dënimi konvertohen në 8 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar. Prokuroria akuzon ish ministrin e Brendshëm për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’. Akuza e argumentuar nga prokuroria është për përfshirjen e ish-ministrit në 4 episode trafikimi droge nga 2013-2015, por pa dhënë detaje për rolin konkret të tij.

Në seancën e kaluar, ku Saimir Tahiri u mbrojt vetë për më shumë se dy orë, e quajti një proces të montuar e të pabazuar në prova duke kërkuar pafajësi, ndërsa deklaroi se “as nuk më shkon ndërmend dënimi”. Ndër provat më të rëndësishme që përdori Tahiri duke pretenduar pafajësinë ishin 6 shkresa dërguar ish ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli për mosfunksionimin e radarëve, dokumenti sekret në të cilin Jaled Çela njoftonte prokurorinë për aktivitetin kriminal të Habilajve dhe e-maili e zyrtarit të policisë së Vlorës, Gjergji Kohilës për prokurorin Dritan Prenci duke njoftuar po për aktivitetin kriminal të Habilajve.


Saimir Tahiri përfundoi i pandehur pas 18 muajsh hetimi. Seanca gjyqësore pritet që sot të ndiqet edhe nga përfaqësues të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.




Skip to toolbar