Gjykim i shkurtuar për Tahirin. “Historia nisi me burra me mustaqe, përfundoi me burra me botoks”

AKTUALITET


Është shtyrë për në datën 10 shtator gjyqi ndaj Saimir Tahirit, ndërkohë që në seancën e së hënës, gjykata pranoi kërkesën e ish ministrit për gjykim të shkurtuar.

Ndërsa në 10 shtator pritet që prokuroria të paraqesë konkluzionet e saj ku do të bëhet publike kërkesa e saj për dënimin e Tahirit.


Ish-ministri tha të hënën në një prononcim për mediat se pretenca u shty për në vjeshtë, për shkak se në muajin gusht, gjykata është pushim.

Sipas tij është e pashpjegueshme sesi në dy vjet prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë të re nga shtatori i vitit 2017 kur nisën hetimet ndaj tij dhe prokuroria në atë kohë i kërkoi Parlamentit, arrestimin e tij.

“Domosdoshmëria nuk është e imja po u bënë dy vjet. Edhe shtyrja e sotme është e tepërt me pretendimin që është para gushtit dhe gushti është pushim. Unë mendoj që ishin të gjitha kushtet, se vendimi iku dhe u shty për shtator kjo histori, por ishin kushtet që të bëhej një gjykim i pandërprerë siç e kërkon edhe kodi, edhe ligji, siç normalisht duhet të jetë për një çështje të tillë. Ju nuk u lodhët me dy vjet që e ndiqni këtë histori? Hajde de unë nuk u lodha se…”, tha Tahiri.

Por çfarë pret ish-ministri nga Prokuroria e cila do të japë qëndrimin e saj në shtator?

“Unë i kam parë letrat, nuk ka asnjë gërmë më shumë se letrat e shtatorit 2017 kur kërkuan në kuvend heqjen e imunitetit tim. Në konsideratën time dy vjet humbje. Për më shumë do i dëgjoni në seancë kur të lexohen konkluzionet e prokurorisë dhe të miat. Të uroj prokurorinë që pas gati një jave i përktheu prapë dokumentet? Se as nuk i gjeti! Më duket edhe jo serioze për ta trajtuar edhe me ju dhe të them ndonjë gjë. Ndoshta ju është mësuar veshi jo për fajin tuaj, merre me mend çfarë ndodh me njerëzit që ulësarin e nuk dëgjohen, mirë unë që mund të flas para jush”, u shpreh para gazetarëve ish-ministri i Punëve të Brendshme.

I pyetur nga gazetarët a do të jetë më i thinjur (duke pasur parasysh ironinë e bërë nga ish ministri me foton e tij të plakur duke pritur gjyqin) deri në shtator kur prokuroria do të shprehet me pretencë?

Ai u shpreh: “Se kjo është edhe për gallatë tani. Kjo histori në fillimet e shtetit ka nisur me burra me mustaqe dhe ka përfunduar me burra me botoks,  unë nuk jam ky model”, përfundoi Tahiri. Dy vite më parë prokurorët e çështjes i kërkuan parlamentit të jepte miratimin për arrestimin e ministrit, ndërsa tani gjyqi shtyhet vazhdimisht dhe prokuroria thotë se ka humbur provat.

Ish ministri  akuzohet për “korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “grup të strukturuar kriminal” në kuadër të dosjes ‘Habilaj’. Ai vazhdimisht akuzon drejtësinë për zvarritje të qëllimshme të gjyqit ndaj tij.




Skip to toolbar