Eurodeputetja Tanja Fajon ka deklaruar se BE është duke i bërë padrejtësi Kosovës që nuk po miraton ende liberalizimin e vizave për qytetarët e saj. Fajon e ka cilësuar të papranueshme që Bashkimi Evropian nuk e ka marrë ende këtë vendim, pavarësisht se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet.
“Bashkimi Evropian po tregohet i padrejtë në raport me Kosovën, pasi pavarësisht plotësimit të të gjitha kritereve të nevojshme nuk po ua heq vizat qytetarëve të saj”, është shprehur Fajon, e cila ka premtuar se do të vazhdojë të bëjë presion tek institucionet e BE-së deri në heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, ashtu siç u është premtuar atyre.
“Më vjen keq që konkluzionet e fundit të Këshillit ishin shumë më pak premtuese e konkrete sesa propozimet fillestare sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. Është e papranueshme që pavarësisht kushteve të përmbushura Këshilli ende nuk ka arritur të japë dritën e gjelbër për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Në rolin tim si raportuese e Parlamentit për liberalizimin e vizave do të vazhdoj të luftoj për Kosovën dhe do të vazhdoj të ushtroj presion ndaj shteteve anëtare për të ofruar atë që është premtuar”, ka deklaruar Fajon për “Zërin”.