Basha nis turin me të rinjtë: Mos ikni, do kthejmë shpresën

Lulzim Basha nisi të enjten një tur kombëtar për rininë. Takimi i parë u zhvillua në Tiranë, ku Forumir Rinor i Partisë Demokratike kishte thirrur në takim Timan Kuban, kryetarin e të rinjve të CDU-së, por dhe kryetarin e të rinjve të LDK-së në Kosovë. Gjatë fjalës së tij, Lulzim Basha iu referua Kosovës si shembull i demokracisë dhe rotacionit normal të pushtetit.

“Përvoja e Kosovës është një përvojë pozitive. Jemi i njëjti komb në dy shtete të ndryshme, ku në njërin prej këtyre shteteve që është dhe më i riu, brënda një kohe fare të shkurtër vendoset të shkohet në zgjedhje të parakohëshme. Organizohen këto zgjedhje të parakohëshme në mënyrën më europiane, ka një rotacion normal politik të pushtetit. Kjo tregon se ne shqiptarëve nuk na mungon asgjë. Nuk është faji i shqiptarëve, është kusuri i shqiptarëve, është kusuri i një qeverie që nuk ka lënë askënd më shumë në baltë sesa ju, rininë e këtij vendi”, tha Basha.

Ai shtoi më tej, se dështimi më i madh i qeverisë është ai me rininë. “Në tërë dështimet e kësaj qeverie dhe të këtij kryeministri, dështimi më i madh është dështimi me rininë, e cila po rritet në një vend pa mundësi, pa punësim, pa prespektivë, me rroga të ulëta minimale, me kosto maksimale të jetës dhe të arsimimit, në një vend me klimë të shkatërruar në një vend me klimë të shkatërruar për ekonominë, për biznesin. Në një vend ku, për fat të keq, fjala e parë dhe kërkesa e parë e shumicës së rinisë, është të largohen nga vendi i tyre”, u shpreh ndër të tjera Lulzim Basha.

Sipas kryedemokratit, situata do të marrë fund pasi Partia Demokratike do të rikthejë shpresën te të rinjtë. “Ne kemi nisur një betejë, të cilën do ta fitojmë, për rininë dhe për çdo shqiptar. Ne kemi treguar se kemi këtë vizion e pasion për gjithë vendin e sidomos për rininë. Ne do të bëjmë realitet çdo zotim dhe zotimi ynë kryesor është të kthejmë shpresën, sidomos të rinisë. Ne do të krijojmë një klimë të mirë për biznesin. Shqipërinë me rininë që rri këtu ne do ta bëjmë realitet, vendin ku gjithë-secili të ndihet në shtëpinë e tij”, tha ndër të tjera kryedemokrati.

Solskjaer kthen sytë nga të rinjtë: Sezonin tjetër aktivizojmë lojtarët e akademisë!

Manchester United dështoi të arrinte vendin e katërt në Premier League, duke mos u kualifikuar në Champions League sezonin e ardhshëm. Megjithatë, Ole Gunnar Solskjaer arriti të ndryshonte diçka në ekipin që gjeti pas shkarkimit të Jose Mourinhos.

Trajneri aktuali i United ka premtuar se sezoni i ardhshëm do të jetë ndryshe, duke nisur me revolucion në merkato. Disa prej lojtarëve aktual pritet të largohen sapo të hapen dritaret e merkatos së verës, ndërsa të rinj pritet të afrohen. Megjithatë, Solskjaer ka dhe një tjetër plan për sezonin tjetër. Ai kërkon të aktivizojë më shumë lojtarë të rinj nga akademia e Manchester United.

Në përfundim të këtij sezoni, trajneri Soslkajer i dha minuta Mason Greenwood në Premiet League, ndërsa Tahith Chong, Angel Gomes dhe James Garner kanë qenë të gjithë të paktën një herë në dispozicion për ekipin e parë që nga ardhja e norvegjezit.

“Unë mund të them se do të ishte më mirë që këta lojtarë të huazoheshin diku, për të pasur minuta të plota dhe për të luajtur rregullisht. Por, përsëri mendoj se ndoshta vendi më i mirë për ta është të jenë këtu dhe të stërviten me lojtarët më të mirë në botë”, tha Solskjaer për sajtin zyrtar të United.

“Në këtë mjedis kemi detyrim të punojmë për t’i bërë ata më të mirët, por kemi dhe shembuj të lojtarëve që janë huazuar dhe pas një viti janë rikthyer më të pjekur. Le të shohim se çfarë do vendosim me këta djem, por unë mund të shoh që tani se shumica e tyre do të qëndrojnë këtu dhe do të kenë shanse me ekipin e parë vitin e ardhshëm”, ka thënë Solskjaer.

Veliaj çel “Fshatin e BE” dhe ka një porosi për të rinjtë

Në Tiranë po zhvillohet Java Europiane dhe sot kryebashkiaku Erion Veliaj ka celur “Fshatin e BE-së”, ku është shoqëruar nga ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca. Veliaj është shprehur optimist që këtë verë BE do të hapë negociatat me Shqipërinë, ndërsa shprehur ambicien e tij që Tirana të përzgjidhet si Kryeqyteti Europian i të Rinjve në vitin 2022.

“Fokusi te rinia është fabula më e bukur për Tiranën. Me shumë shpresë, negociatat do të hapen këtë vit, por ama ne duam që në 2022 të kemi një shans që, si kryeqyteti europian i rinisë, të tregojmë më të mirën e vendit tonë. Do të punojmë të gjithë bashkë që Tirana të fitojë “Kryeqytetin evropian të rinisë” në 2022”, tha Veliaj.

Ai u bëri thirrje të rinjve që teksa vendi shkon drejt zgjedhjeve lokale, të bëhen një zë aktiv për të parashtruar kërkesat e tyre ndaj kandidatëve dhe për të kërkuar më pas llogari për plotësimin e tyre. “Mezi pres që teksa futemi në fushatën lokale në të 61 bashkitë, të ketë një zë aktiv të rinisë, për t’i bërë që tani kërkesat që çdo qytet apo çdo bashki duhet të përmbushë në mandatin e ardhshëm. Do të doja që çdo organizatë rinore në bashkinë e tyre, t’i bëjë që tani listat e kërkesave dhe të kërkojë llogari jo vetëm gjatë fushatës, por menjëherë ditën e parë të punës te kryebashkiaku i vet për plotësimin e atyre kërkesave”, tha ai.

Veliaj nënvizoi se Bashkimi Evropian është më së shumti një projekt i njerëzve që punojnë çdo ditë dhe përmbushin detyra konkrete, duke shërbyer edhe si shembull frymëzimi. Shumë prej diplomatëve të huaj në vendin tonë kanë zgjedhur që të japin edhe një kontribut të drejtpërdrejtë duke iu bashkuar nismave të ndërmarra në këto katër vite nga Bashkia e Tiranës. Teksa i falenderoi për bashkëpunimin, Veliaj theksoi se vetëm falë punës mund të ecet përpara.

“Me shumë prej ambasadorëve kemi mbjellë pemë, duke ndërtuar kënde lodrash, ose një kopsht, një çerdhe a një pistë biçikletash, një festival filmi ose një koncert. Jam i sigurt që edhe ata shohin gjëra që nuk u pëlqejnë, por në vend që të jenë vetëm kritikë, thonë çfarë mund të bëj që të jap një dorë? Unë e di ekzaktësisht çfarë nuk funksionon në Tiranë, sa puseta janë vjedhur, sa pllaka janë hequr, sa gropa janë hapur, por pyetja është: zgjidhim më shumë punë duke bërë diçka apo duke qarë?”, nënvizoi Veliaj, teksa vlerësoi se Bashkimi Evropian vijon të jetë institucioni më i besuar në Shqipëri.

“Kur dikush vjen në Tiranë ose për vizitë në bashki dhe thotë: çfarë mendoni për krizën që po kalon Bashkimi Europian? Përgjigjja jonë është: cila krizë? Bashkimi Europian është institucioni më i besuar në Shqipëri. Për këto arsye unë besoj se gjërat në të cilat besojmë janë gjëra që duhet t’i kurojmë përditë”, u shpreh Veliaj.

Nga ana e tij, Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca theksoi se përfshirja e të rinjve në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE është vendimtare.

“Fshati i BE-së” është pjesë e aktiviteteve të “Javës së Europës” dhe organizohet nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri në bashkëpunim me ambasadat e shteteve anëtare të Bashkimit Europian në Tiranë dhe Bashkia Tiranë. Të rinjtë do të kenë mundësi të mësojnë më shumë rreth temave që prekin të rinjtë në Shqipëri, studimin në vendet e BE-së, po ku nuk do të mungojë as aktivitetet e shumta të fokusuara tek aktivizimi i rinisë, bizneset sociale, vullnetarzimi, arsimimi dhe shkëmbimet ndërkulturore të të rinjve.

Skip to toolbar