Basha nis turin me të rinjtë: Mos ikni, do kthejmë shpresën

AKTUALITET


Lulzim Basha nisi të enjten një tur kombëtar për rininë. Takimi i parë u zhvillua në Tiranë, ku Forumir Rinor i Partisë Demokratike kishte thirrur në takim Timan Kuban, kryetarin e të rinjve të CDU-së, por dhe kryetarin e të rinjve të LDK-së në Kosovë. Gjatë fjalës së tij, Lulzim Basha iu referua Kosovës si shembull i demokracisë dhe rotacionit normal të pushtetit.

“Përvoja e Kosovës është një përvojë pozitive. Jemi i njëjti komb në dy shtete të ndryshme, ku në njërin prej këtyre shteteve që është dhe më i riu, brënda një kohe fare të shkurtër vendoset të shkohet në zgjedhje të parakohëshme. Organizohen këto zgjedhje të parakohëshme në mënyrën më europiane, ka një rotacion normal politik të pushtetit. Kjo tregon se ne shqiptarëve nuk na mungon asgjë. Nuk është faji i shqiptarëve, është kusuri i shqiptarëve, është kusuri i një qeverie që nuk ka lënë askënd më shumë në baltë sesa ju, rininë e këtij vendi”, tha Basha.


Ai shtoi më tej, se dështimi më i madh i qeverisë është ai me rininë. “Në tërë dështimet e kësaj qeverie dhe të këtij kryeministri, dështimi më i madh është dështimi me rininë, e cila po rritet në një vend pa mundësi, pa punësim, pa prespektivë, me rroga të ulëta minimale, me kosto maksimale të jetës dhe të arsimimit, në një vend me klimë të shkatërruar në një vend me klimë të shkatërruar për ekonominë, për biznesin. Në një vend ku, për fat të keq, fjala e parë dhe kërkesa e parë e shumicës së rinisë, është të largohen nga vendi i tyre”, u shpreh ndër të tjera Lulzim Basha.

Sipas kryedemokratit, situata do të marrë fund pasi Partia Demokratike do të rikthejë shpresën te të rinjtë. “Ne kemi nisur një betejë, të cilën do ta fitojmë, për rininë dhe për çdo shqiptar. Ne kemi treguar se kemi këtë vizion e pasion për gjithë vendin e sidomos për rininë. Ne do të bëjmë realitet çdo zotim dhe zotimi ynë kryesor është të kthejmë shpresën, sidomos të rinisë. Ne do të krijojmë një klimë të mirë për biznesin. Shqipërinë me rininë që rri këtu ne do ta bëjmë realitet, vendin ku gjithë-secili të ndihet në shtëpinë e tij”, tha ndër të tjera kryedemokrati.




Skip to toolbar