Teatri, Greminger: Prisni vendimin e institucioneve

Më të fundit


Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së Thomas Greminger ka reaguar pas deklaratave që ngjalli ftesa e tij publike që palët e përfshira në çështjen e teatrit t’i japnin kohë Gjykatës Kushtetuese të merrte një vendim. Me një reagim të dytë, Greminger deklaroi se përgjigja e tij është nxjerrë jashtë kontekstit dhe bënte sërish thirrje për të gjitha palët e përfshira në çështjen e teatrit të tregonin vetëpërmbajtje. Greminger përsëriti thirrjen e tij se i duhet dhënë kohë institucioneve të vendit që të vendosin në lidhje me një çështje të cilin këtë herë e cilësoi “të ndjeshme dhe të politizuar”.

“Vërej me shqetësim se përgjigja ime ndaj një ftese publike është nxjerrë nga konteksti. Këshilla ime për të gjitha palët ishte dhe është që të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe t’i lënë procedurave institucionale kohën e duhur për marrjen e një vendimi në lidhje me një çështje të ndjeshme e të politizuar. Jam i bindur se institucionet do të jenë të afta që t’i japin zgjidhje kësaj çështjeje ligjore, në përputhje me sundimin e ligjit dhe parimet demokratike. Unë dhe OSBE mbetemi të përkushtuar që të mbështesim procesin e reformave në Shqipëri”, shkruan Greminger në twiter.


Disa ditë më parë Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit i bëri një ftesë publike sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së Thomas Greminger të bashkohej me ta dhe të gjenin një zgjidhje të mundshme që do të ndihmonte teatrin. Letrës publike Greminger  u përgjigj duke hënë se “të gjitha palët duhet të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese para se të vazhdojnë më tutje kjo çështje.” Të njëjtin qëndrim Greminger mbajti edhe ditën e mërkurë që t’i jepet kohë institucioneve të vendosin për këtë por duke e quajtur këtë herë një “çështje të ndjeshme dhe të politizuar.” dhe bëri thirrje për vetëpërmbajtje.  Protesta e disa artistëve që nisi për mbrojtje e teatrit nga shembja u politizua shpejt që pas “rrëmbimit” të saj nga Partia Demokratike.




Skip to toolbar