Makinat “fluturojnë” në aksin Sauk-Teg. Në 3 orë hiqen 9 patenta

Segmenti rrugor Sauk-Teg vijon të jetë ndër më problematikët për sigurinë rrugore, ku janë të shumtë shoferët, të cilët “fluturojnë” me shpejtësi skëterre me makinat e tyre. Kjo është një nga zonat më të monitoruar nga policia, ku vetëm në  3 orë e 20 minuta kontroll me radar janë pezulluar 9 leje drejtimi. Drejtuesit ecnin me një shpejtësi  140 km/h deri në 173 Km/orë.

Policia paralajmëron shoferët se për këtë vit do të forcohen ndëshkimet ndaj atyre që thyejnë rregullta, në kuadër të uljes së numrit të aksidenteve.

“Vijon kontrolli me Radar për të parandaluar shpejtësinë tej normave të lejuara. Për 200 minuta kontroll me radar duke i monitoruar nga mbikalimi, 9 Leje drejtimi të tërhequra dhe dërguar në OASH, për shpejtësi 140 km/h – 173 Km/orë. Shpejtësi avioni gati dy herë më shumë se tabela, rrezik potencial për aksident. Edhe pse kontrollet me radar janë shumëfishuar jo vetëm në Tiranë por në gjithë rrugët nacionale, pavarësisht se në fundjavë kontrollet janë akoma më të shtuara, fushatat sensibilizuese përditë e më shumë, përsëri ka akoma shumë drejtues mjetesh qe abuzojnë duke përdorur makinën si avion. Mos shpejtoni se në rastin më të mirë Radari dhe Polici Rrugor ju presin, në rastin më të keq ju pret aksidenti. Viti 2020, viti i sigurisë rrugore, të parandalojmë në maksimum aksidentet me pasojë jetën dhe kjo do arrihet me kontributin e të gjithë, ndaj mos fluturo, ndërgjegjësohu dhe zbato rregullat e qarkullimi rrugor” thuhet në njoftimin e policisë.

Përplasen dy makina në TEG, humb jetën 17-vjeçari

Mbrëmjen e vonë të së dielës, përplasja e dy makinave te rrethrrotullimi i TEG, i mori jetën një 17-vjeçari. Bëhet fjalë për të riun me inicialet K.V., i cili mbeti i plagosur rëndë nga aksidenti, duke u dërguar me urgjencë drejt spitalit, por aty humbi jetën.

Ndërkohë, në aksident mbetën të plagosur dhe tre persona të tjerë, të cilët gjithashtu u dërguan në spital për kurim mjekësor dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia shkoi në vendin e ngjarjes duke nisur punën për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.

Ndërkohë, të dielën në orët e para të mëngjesit  humbën jetën dy 17-vjeçare në Bërzhitë, të cilat ndodheshin në një makinë që doli nga rruga dhe u përplas me pemën. Mjeti drejtohej nga një i ri i moshës 18-vjeçare, që ende nuk ishte pajisur me leje drejtimi.

Makina përplaset me bordurat, vdes shoferi

Ka nisur me një aksident të rëndë mëngjesi i të shtunës me pasojë vdekjen e një të riu. Aksidenti ka ndodhur në rrugën Elbasan-Tiranë në afërsi të TEG-ut.

Drejtuesi i një automjeti ka humbur kontrollin dhe është përplasur me bordurat e rrugës dhe fatkeqësisht ka ndërruar jetë shoferi me iniciale B.B, 31 vjeç.

Ende nuk dihet shkaku i aksidentit, ndërkohë policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka hapur hetimet për zbardhjen e plotë të saj.

Vetëm pak javë më herët në po të njëjtin vend, tek rrethrrotullimi i TEG si pasojë e përplasjes së fuqishme ndërruan jetë në aksident 3 pjesëtarë të një familje, ndërsa dy të tjerë u plagosen rëndë.

Skip to toolbar